Telenovela është rikthyer. Ka mjaftuar një mbledhje rutinë e PS, ku janë shkartisur figurat qendrore të partisë në të katër cepat e vendit, për ta ndezur debatin edhe një herë nga e para. Fjala është për prezencën e ish-kryetarit Nano në listën e të deleguarve të Asamblesë së PS, për Tiranën. Sërish mediat kanë folur për një rikthim të Nanos në parti, sërish Edi Rama, i përpiktë si orë zvicerane në kanalin e tij të komunikimit me anë të internetit, u ka kujtuar shqiptarëve se Nanon as e ka larguar kush, e as po e afron njeri tani. Një frazë e cila vërtet kërkonte të hidhte ujë mbi zhurmën e shtypit, por që duket se tentonte të vinte në pah edhe një detaj mes rreshtave: nuk e kemi përzënë ende Fatos Nanon nga Partia Socialiste!
Edi Ramën dhe Fatos Nanon i ndan mes tyre një mëri e gjatë disavjeçare, e cila është ushqyer ndër vite nga shigjeta dhe batuta ironike në distancë, që siç dihet, përbëjnë jo rrallë gurin e themelit të një marrëdhënieje njerëzore në këtë vend. Ky dialog i vështirë ka qenë dhe mbetet një ndër shkaqet e shumta që e vështirësojnë (sadopak) fitoren e garës së votave me Sali Berishën, të paktën që prej vitit 2009. Natyrisht që kjo është një tezë e cila ha shumë debat. Aq sa ka qenë në qendër të qindra analizave, emisioneve televizive e artikujve në këto gjashtë vjetët e fundit, qëkurse dy krerët më të fundit të PS janë ndarë skajshëm nga njëri-tjetri.
Sot, një vit e pak nga zgjedhjet e përgjithshme, por vetëm pak muaj larg votimit presidencial, situata duket në evoluim të plotë. Dhe ky evoluim mund të përfshijë teorikisht edhe marrëdhënien e ngrirë disavjeçare Rama-Nano. Problemi është se që të dy, nga pozita, interesa dhe objektiva krejt të ndryshme, i bashkon virtualisht në parim, një hall deri-diku i ngjashëm: i pari, kreu i PS, kërkon zyrën e kryeministrit. I dyti, ish-kreu i së njëjtës parti, kërkon zyrën e presidentit.
Deri më sot, Rama është shprehur në mënyrë të përsëritur se e shpërfill peshën politike të Fatos Nanos. Për pasojë, edhe nevojën për një afrim të mundshëm me të. Ai pretendon prej kohësh se morali i një afrimi eventual me paraardhësin e tij, është dukshëm më i kushtueshëm politikisht dhe moralisht, sesa mbajtja e tij larg derës së partisë. Edi Rama ka menduar gjatë gjithë këtyre viteve se do të fitojë në garë me Berishën, duke zgjidhur njëkohësisht edhe çështjen e rivalitetit me Nanon dhe Metën. Një lloj xhonglimi si ai i akrobatit në cirk, që mban në ajër njëkohësisht tre objekte. Një numër që deri tani s’e kemi parë të ndodhë në dorën e Ramës.
Fatos Nano, nga ana e tij, ka preferuar ta shpërfillë gjithashtu Edi Ramën. Dikur i ndodhur në pozitën e liderit që “pickohej” jo rrallë publikisht nga Edi Rama, Nano ia ka kthyer mbrapsht batutat në mënyrë të përsëritur, duke ironizuar me kreun aktual të PS pa e mbajtur shumë dorën dhe gojën.
Gjatë këtyre viteve, Fatos Nano është ndjerë i shpaguar nga afrimiteti formal që i ka treguar si Berisha, si Meta, duke dhënë mesazhin se nuk i nevojitet më kali i PS, në pensionin e parakohshëm ku e futi veten.
Tani po afrohet momenti final, kur kjo marrëdhënie të marrë një drejtim të pakthyeshëm dhe përfundimtar. E treta e vërteta, siç thuhet. Zgjedhja e kreut të shtetit në verë do të ishte rasti i fundit për një bashkëpunim mes dy liderëve politikë. Një lloj plazhi i fundit për këtë film të pasosur serial, ku protagoniste kryesore kanë qenë mëria, intriga dhe inati personal.
Viti 2002 e gjeti Fatos Nanon në timonin e qeverisë dhe të mazhorancës së atëhershme. Asokohe ai pati me Sali Berishën një ndër ato flirtet politike që thuhet se ndodhin një herë në jetë. Nuk qe tamam ashtu. Nëse në ato zgjedhje ai nuk e pati ambicien e kreut të shtetit, pasi i rrinte më mirë kostumi i kreut të mazhorancës, në zgjedhjet pasardhëse, ato të vitit 2007, dëshira e tij për t’u bërë bujtës i Pallatit të Brigadave, kapi majat. Një tjetër flirt me ish-armikun e vjetër Berisha, kësaj radhe jo nga pozita e të barabartit, do t’ia kishte përmbushur atë dëshirë, sikur të mos ishte vetoja e prerë e Edi Ramës, për të mos lejuar që dy krerët historikë të politikës, ta kapnin edhe një herë për brirësh këtë vend. Njëri President, e tjetri Kryeministër.
Sot, kur duket se për liderin themelues të PS ka rënë gongu final, nuk mbetet shumë hapësirë manovrimi për të bërë edhe kalorësin, edhe sfidantin që hedh dorashkën, edhe politikanin shpotitës që s’le rast për harxhuar pa u tallur me të tjerët (kupto Edi Ramën), edhe socialistin e vjetër që thotë se nuk e voton më partinë e tij. Ai nuk e ka më këtë luks. Gjithmonë, nëse dëshiron të tentojë një shans të fundit, për të marrë kandidaturën zyrtare nga dora e partisë që themeloi dikur.
Por që ky afrim të ndodhë, nëse do të ndodhë vërtet, do të duhej rrëzuar një mur i lartë e i trashë mosbesimi reciprok që ndan dy burrat në fjalë. Rama dhe Nano nuk i besojnë aspak njëri-tjetrit. Sidomos kur është në mes pushteti, i materializuar në hapësirën e dy zyrave luksoze në bulevard: Presidencës dhe Kryeministrisë. Ndoshta kreut socialist i duhet taktikisht mbështetja e Fatos Nanos, për të thyer dyshen Berisha-Meta, e cila po çimentohet dita-ditës si e tillë, edhe për shkak të konsumit të imazhit dhe korrupsionit që ka prodhuar qeverisja e përbashkët.
Po ashtu, edhe vetë Nanos i duhet firma e Ramës, mbi listën e deputetëve që do ta propozojnë për kryetar shteti. A do të arrijnë të krijojnë mes tyre diçka më të mirë sesa disa tituj gazetash dhe një sherr disavjeçar në distancë? Për momentin mundësitë janë të vogla dhe një aleancë e tillë prek kufijtë e fanta-politikës. Por, në fund të fundit, pasi u miqësua me njeriun që e futi në burg dhe u vetëshpall simbolikisht “shoferi” i atij që e çoi në opozitë, përse Fatos Nano s’do të afrohej dhe me Edi Ramën?! Ja një pyetje që ia vlen ta ketë një përgjigje!