Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse nuk i dorëzoi Berisha gardistët një vit më parë

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Pse nuk i dorëzoi Berisha gardistët një vit më parë

Kryeministri Berisha u detyrua të pranojë atë që ndoshta do të duhej ta kishte pranuar përpara një viti. Komandanti i Gardës është marrë i pandehur plot 12 muaj nga tentativa e parë e Prokurorisë për ta arrestuar atë. Mosdorëzimin e tij e pati marrë përsipër vetë kryeministri, i cili e argumentoi këtë në një intervistë të fundit me gazetarin  Alfed Peza “për të mos ua dhënë bandave Kryeministrinë”. Pavarësisht arsyetimeve, fakti që Berisha nuk pranoi të dorëzonte komandantin dhe disa vartës të këtij, sot duket një lëvizje me kosto për mazhorancën. Ata që e njohin Sali Berishën, e dinë fare mirë që tërheqja nuk ka asnjë lidhje me karakterin e tij politik, veçanërisht në situata të tilla delikate. Por a duhej të kishte vepruar ndryshe Kryeministri, të nesërmen e 21 janarit 2011?

Në një vështrim të parë, sot kur tensioni ka rënë dhe është krijuar distanca e duhur për të gjykuar ftohtë, dorëzimi i gardistëve organit të hetimit do të kishte qenë një veprim që së paku do të shmangte dyshimin mbi të cilin u ngrit gjithë beteja e opozitës se Kryeministri Berisha nuk ishte i interesuar të zbardhej e vërteta. Po qe se gardistët do të ishin “dorëzuar” një vit më parë, do ishin shmangur dhjetëra deklarata kontradiktore, me të cilat kapen sot kundërshtarët e tij. Duke dëshmuar gatishmërinë e tij për të lejuar një hetim pa presion politik, Berisha gjithashtu do të kishte një arsye të madhe më shumë për t’i kërkuar Prokurorisë marrjen në përgjegjësi penale edhe të palës tjetër.

Pengimi i urdhër-arresteve për gardistët e dëmtoi Kryeministrin edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan në zbardhjen e të vërtetës si e vetmja mënyrë për të shfryrë tensionin e rrezikshëm politik që ishte krijuar atë kohë. Pas një viti, kur komandanti i Gardës u mor gjithsesi i pandehur, vendimi për ta shmangur një gjë të tillë rezulton i pavlerë. Pavarësisht se këtë herë “dorëzimi” i tij u bë pas ekspertizës së FBI, ngjarja në vetvete duket edhe si një “dorëzim” i Berishës. Pikërisht këtë fakt po e shfrytëzon opozita, e cila menjëherë tregoi se më shumë se gjetja e së vërtetës i intereson shndërrimi i saj në kapital politik. Edi Rama kërkoi të hetohen Kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm, pa pritur që drejtësia të nisë procesin e zbardhjes të gjithë asaj që ka ndodhur. Sot mund të jetë e vështirë të parashikohet ekzaktësisht se si do të kishin rrjedhur ngjarjet, nëse më 22 janar 2011 do të ishin zbatuar urdhër-arrestet për komandantin e Gardës dhe vartësit e tij, por me siguri që mbi kryeministrin dhe maxhorancën e tij nuk do të rëndonin së paku dhjetëra manovra që u detyruan të bëjnë më pas për të justifikuar këtë veprim.

Arsyet pse Kryeministri Berisha zgjodhi megjithatë të veprojë kështu, e kanë një shpjegim. Ai sigurisht që e ka ditur se vendimi i tij për të kundërshtuar urdhër-arrestet e Prokurorisë do t’i krijonte gjithë këto komplikime. E ka ditur edhe që ky vendim mund të interpretohej si tentativë e tij për të fshehur të vërtetën, duke i rënduar akuzat e opozitës dhe dyshimin e ndërkombëtarëve mbi të. Ka zgjedhur të veprojë ashtu se ka dashur, siç thotë me naivitet opozita, të fshehë ndonjë urdhër të dhënë prej atij vetë. Nuk mund ta bënte një gjë të tillë duke besuar tek pengimi i arrestimit të disa gardistëve. Sali Berisha vendosi të veprojë në këtë mënyrë, sepse ajo është filozofia e tij politike që përshkon krejt karrierën 21-vjeçare.

Ai nuk di të tërhiqet dhe as mendon të tërhiqet, edhe atëherë kur të gjithë besojnë se do ta bëjë hapin mbrapa. Ai, presionit di t’i përgjigjet vetëm me presion, pa e çuar ndër mend shmangien. Dhe mbi të gjitha, Sali Berisha në të gjithë vitet e tij si politikan është përpjekur të dëshmojë se ata që i besojnë atij, ai nuk i lë baltë. Se ai është një lider që i mban të tijtë, nuk “i shet” as kur një gjë e tillë mund ta lehtësonte atë vetë. Për të ruajtur këtë profil nëpërmjet të cilit beson se i frymëzon pasuesit e tij dhe i mban të lidhur pas ideve të veta, Sali Berisha është i gatshëm të rrezikojë shumë, ashtu siç bëri edhe të nesërmen e 21 janarit. Ai nuk pengoi dorëzimin e 6 gardistëve, por mbrojti qenien e tij politike. U dëshmoi edhe një herë mbështetësve të tij se kanë një arsye më shumë për të besuar tek ai. Prandaj, kostot ditore të një veprimi si ai i një viti më parë nuk hyjnë në llogaritë politike të kreut të PD.

Sali Berisha nuk duhet të jetë ndier mirë kur në përvjetorin e 21 janarit u detyrua të pranojë atë që refuzoi një vit më parë. I gjendur në një situatë pa rrugëdalje, ai me siguri ka negociuar shtrirjen e hetimit edhe në palën tjetër si një armë që të tijtë të mund ta kenë për të vazhduar betejën politike. Deklarata e tij menjëherë pas daljes së prokurores së Përgjithshme ishte një mbështetje e hapur për ata që sapo ishin marrë të pandehur. Edhe në një moment dobësie, ai përsëri tentoi të tregojë forcë. Sepse nuk di ose nuk do të provojë rrugë tjetër. Prandaj edhe një vit më parë, ai zgjodhi të mos i dorëzojë gardistët. Mirë ose keq, ky është destini i tij politik, për të cilin jo pak herë ka paguar shtrenjtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama