Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbështetja për institucionet dhe shteti

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Mbështetja për institucionet dhe shteti

Veprimet e fundit të Prokurorisë, përveç se rrisin padurimin për sjelljen e të pandehurve ndaj urdhëruesve politikë të tyre, ofrojnë mundësinë për të gjykuar sjelljen e ndërkombëtarëve. Pra, nuk duhet vetëm të presim përgjigjen e misterit se ku ka përfunduar serveri i Kryeministrisë, kush e ka urdhëruar kryegardistin Prendi, a ka qëlluar ai vetë etj. Na duhet të reflektojmë pak më shumë mbi rolin e ndërkombëtarëve në viset tona. Prej rikthimit të Berishës në pushtet dhe arritjes së një kulmi negativ të kësaj qeverisjeje me vrasjet e 21 janarit, edhe roli i të huajve është rritur. Nuk ishin rastësore as prononcimet e ish-ambasadorit Uidhers, as deklarata e përbashkët e trojkës diplomatike para shpalljes së ekspertizës, as dalja e ambasadorit Arvizu në krah të prokurores së Përgjithshme, as dalja e ekspertit të Ballkanit, Hand në “Zërin e Amerikës”, as e ambasadorit të BE-së, zotit Etore Sekui etj. Siç u vu re, qëndrimet e dy faktorëve më të rëndësishëm të politikës botërore, SHBA dhe Europës, përballë një ngjarjeje si ajo e 21 janarit dhe hetimit të saj, janë unike dhe të sintonizuara. Absolutisht. Në këto kushte, janë disa përfundime që mund të thuhen.

Qasja institucionale e ndërkombëtarëve

Vrasjet nga Garda e Republikës së katër protestuesve të pafajshëm më 21 janar ishin një ngjarje aq e rëndë për ndërgjegjen demokratike të Perëndimit, sa dhe reagimi s’mund të mos ishte ky që ishte. Pas ngjarjeve si 21 janari, edhe për një aleat gjeopolitik të rëndësishëm do të lëkundej mbështetja perëndimore. Por, perëndimorët, në veçanti SHBA, mbrojtësit kryesorë të anëtarësimit tonë në NATO, nuk mund të silleshin si opozita shqiptare. Kush kishte durim, informacion, ndjeshmëri institucionale, do duhej ta imagjinonte ndryshimin e sjelljes së perëndimorëve ndaj qeverisë pas asaj ngjarjeje. Madje intervista e ish-ambasadorit Uidhers, aq shumë i informuar për zhvillimet shqiptare, donte të thoshte se nëse (si SHBA) toleruam Gërdecin, nuk do ta tolerojmë 21 janarin.

Mbështetja që ambasadori aktual Arvizu i dha menjëherë më janar 2011 prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, duhet t’i kishte bindur të gjithë (pra dhe kreun e opozitës, gazetarët pranë tij) që kishin dyshime, se SHBA nuk mbështesin një dhunë të tillë të egër. Pavarësisht shprehjes së dikurshme të ambasadorit Arvizu, se “Berisha u soll si burrë shteti”, duhet kuptuar se ky diplomat nuk ka ndryshuar qëndrim. SHBA nuk kanë ndryshuar qëndrim. Ambasadori Arvizu, atëherë si dhe sot, jo me qasje personale, por në zbatim tërësor të direktivave të Departamentit të Shtetit të vet, luajti rolin e duhur në situatën e 21 janarit. Ai zgjodhi qasjen institucionale duke e rritur praninë e SHBA në jetën institucionale të vendit, i detyruar nga rrethanat. Në atë situatë, me informacion shumë herë më cilësor se opozita shqiptare, ai nuk mund t’i jepte apriori të drejtë opozitës. Megjithëse në linja të përgjithshme i dinte faktet që sot me ndihmën e FBI-së po afirmohen gjyqësisht, ambasadori nuk mund të kërkonte rrëzimin e qeverisë si fajtore për atë që ndodhi. Ai duhej t’i qetësonte palët politike në konflikt, duhej të normalizonte proceset politike dhe në respekt të sovranitetit të një shteti anëtar, megjithatë duhej të mbështeste institucionin e vetëm që ngre akuzën: Prokuroren e Përgjithshme.

Pse, atëherë, me një farë sensi humori krize, ai konsideroi në janar 2011 se Berisha u soll si burrë shteti, pse anuloi mitingun e PD-së? Sepse zoti Arvizu i njihte rreziqet e një kundërvënieje masive në rastin e protestave të të dyja palëve. Sepse zoti Arvizu ishte informuar (për 1997-n për shembull) mbi potencialin destruktiv të palëve, Berishës, në veçanti. Me këto premisa, ai do të bënte atë që bëri, si një pajtues i vjetër gjakesh diku në Veri. I pyetur se cili është hapi i parë menjëherë pas kryerjes së një vrasjeje për gjakmarrje, pajtuesi tha se “përpiqej të qetësonte më të fortin”. Kjo ngjante se ishte deviza frymëzuese e sjelljes së ambasadorit amerikan asokohe, si dhe e kancelarit Vranicki në 1997-n. I ardhur nga një shtet demokratik, Arvizu kontribuoi që në kushte të tilla të flisnin vetëm institucionet përgjegjëse. Ai mbrojti vetëm institucionet përgjegjës, të cilave i vuri vulën e FBI-së, për t’i fuqizuar në përplasjen e frikshme me Ekzekutivin. Ai arriti të moderonte sjelljen e palëve ndërluftuese. Falë tij, dhe rasti tjetër për konflikt, grabitja e fitores së opozitës në zgjedhjet e Tiranës, kaloi me qetësi, sipas një zgjidhjeje institucionale, të paktën në formë.

Qasja institucionale dhe opozita

Qasja amerikane, qasja perëndimore ndaj krizës shqiptare të fundit, ndaj gjithë krizave shqiptare të fundit, është qasje institucionale. Kjo është qasja më e shëndetshme. Kjo është qasja që vetë shqiptarët duhet të zgjedhin në përballjen me krizat e tyre, por që mjerisht nuk e bëjnë. Kjo qasje e forcon shtetin e shqiptarëve, i cili, sipas të gjithë vëzhguesve përgjegjës, ka bërë hapa mbrapa në vitet e fundit, në jubileun e 100-të. Kjo qasje do të dobësonte liderët e fortë dhe do të forconte shtetin. Qasjen institucionale duhet ta zgjedhë sot dhe në mënyrë përfundimtare ajo palë politike që mëton të vijë në pushtet, posaqë pala tjetër, qeveria dhe kreu i saj nuk kanë më kohë. Kryeministri, si politikani më antiinstitucional i historisë së pluralizmit shqiptar – ka qenë kundër presidentëve; kundër prokurorëve të Përgjithshëm; kundër gjykatësve superiorë; kundër krerëve të SHIK-ut etj. Që ai paradoksalisht të mbështesë Prokurorinë, do të thotë se ai duhej të pranonte në fund të hetimit fajësinë e vet, të paktën politike, në vrasjet e 21 janarit.

Ndaj, pas kësaj kthese që morën hetimet e 21 janarit, opozita duhet të heqë përfundimisht dorë nga sjelljet antiinstitucionale. Duhet të heqë dorë nga retorika banale e apeleve publike ndaj prokurores së Përgjithshme që të përfshijë në hetime dhe Sali Berishën, apo ndaj Gjykatës së Apelit. Opozita duhet të heqë dorë nga sugjerimet me zë të lartë për Prokurorinë, për gjykatat, për Presidentin, për çdo institucion.

Në këtë optikë dhe letra e Ramës për prokuroren e Përgjithshme ngjan e panevojshme. Çdo interferencë e opozitës me punën e institucioneve si Prokuroria i ofron pretekst të akuzuarit kryesor të thërrasë sërish për konspiracion kundër tij. Ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta e tij, i kanë dhënë hapësirën PS që të ndryshojë gjendjen në institucione, por jo të imponojë punën e institucioneve sipas frymëzimeve ditore të opozitës, të thëna solemnisht në banakë, jashtë kanaleve legale. Opozita duhet të heqë dorë nga artikulimi i akuzave penale në foltoret publike, por duhet të dërgojë faktet në Prokurori. Edhe në planin njerëzor s’është e këshillueshme që t’i tregosh prokurores së Përgjithshme apo prokurorëve të rinj të 21 janarit se çfarë duhet të bëjnë. Ky do të ishte një presion tjetër i patolerueshëm mbi këta njerëz që megjithëse me ndihmën e FBI-së, me mënyrën si hetojnë, po bëjnë heroizëm përballë sulmeve të egra të qeverisë. Ata njerëz që jetojnë në Shqipëri, në fund të fundit ku u bëhet presion sistematik, s’mund të bëjnë lojën e opozitës.

Ata duhet dhe do të bëjnë sot, nesër dhe gjithnjë lojën e shtetit. T’i kërkosh një prokuroreje të Përgjithshme, një kalorëseje të vetmuar të shtetit përballë qeverisë, të përshpejtojë ritmet e hetimit duke akuzuar dhe Sali Berishën, është dhe mungesë burrërie. Në kushtet e sotme, përballë një politikani të ashpër si Sali Berisha, me ato kompetenca sipas mandatit të kufizuar me ndryshimet miope kushtetuese dhe ligjore, prokurorja e Përgjithshme, megjithëse me mbështetjen absolute të SHBA, nuk mund të bëjë më shumë. Ajo duhet të ecë gradualisht, duke kopsitur gjithçka në mënyrë të pakontestueshme. SHBA nuk tërhiqen dot më nga mbështetja e Prokurorisë në këtë proces, ndaj të gjithë duhet të heshtin dhe të pajisen me durim.

Qasja institucionale vjen prej instinkteve të brendshme demokratike të liderëve. Liderit socialist Rama i duhet shumë që të tregojë se nuk vlen për të vërejtja e bërë prej ambasadorit të shkëlqyer Uidhers në intervistën e fundit, se liderët shqiptarë i kanë sjelljet demokratike vetëm për t’ua shitur të huajve. Sjellja e re e Ramës brenda shinave institucionale do të lehtësonte proceset e reja politike, të cilat s’ka dyshim se do të ndikohen nga përfundimet e hetimit penal të 21 janarit. Vetëm nëse kreu i opozitës do të ndryshonte rrënjësisht, nëse do të përqafonte qasjen institucionale, do të përdorte gjuhën institucionale, portreti i tij te ndërkombëtarët do të ishte krejt ndryshe nga ai që ka qenë të paktën deri në zgjedhjet lokale të 2011-s.

Kthesa që morën hetimet e 21 janarit ishte një leksion i madh për klasën politike shqiptare, për mediat, për opinionin publik. Në kushtet e reja, shumëkush duhet të ndryshojë për mirë. Kreu i qeverisë duhet të kuptojë përfundimisht se e ka humbur dy herë tragjikisht, me Gërdecin dhe me 21 janarin, shansin e madh që shqiptarët i ridhanë në 2005-n, dhe është pak si tepër që të durohet akoma. Në kuadër të ndryshimit, edhe opozita duhet t’i kërkojë ndjesë ambasadorit Arvizu për bezdinë që i ka krijuar atij drejtpërdrejt apo nëpërmjet mediave pranë saj, pas ngjarjes së 21 janarit, pse si diplomat nuk bëri lojën e opozitës. Ai, atëherë, sot dhe gjithë ditën, zgjodhi qasjen institucionale, mbrojti shtetin tonë, dhe jo liderët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama