Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse Ina Rama doli e fituar, atje ku e cuan te humbiste

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Pse Ina Rama doli e fituar, atje ku e cuan te humbiste

Që Ina Rama doli e fituar nga studioja e Fevziut javën që shkoi, këtë pakkush e vuri në dyshim. Edhe më të flaktët kundërshtarë të saj, detyroheshin ta pranonin këtë fakt, paçka se nëpër dhëmbë, apo paçka se nëpër gazeta vazhduan t’i bien e ta bëjnë copë, siç e do zakoni.

Mirëpo tani vjen pyetja, pse fitoi zonja Rama, ndërsa politikanët zakonisht dalin me nerva të cingërisura nga studiot e televizorëve? Për një arsye të vetme: se është e zanatit, se foli për zanatin e saj dhe se nuk politizoi zanatin e vet. Mjafton ta shkelte në njërën nga këto të tria dhe ata qindra mijë shqiptarë që do ta dëgjonin, nuk do dilnin më me një mëndje në fund të emisionit, por do ndaheshin si gjithmonë më dysh a më trish.

Në fakt, ka edhe një arsye më të thellë që e çoi zonjën Rama në fitore, por kjo arsye nuk varet shumë prej saj. Sa herë që në debat vihen përballë një teknicien dhe një njeri i përgjithshëm, njerëzit janë të prirur të dëgjojnë teknicienin. Ndodh kjo jo vetëm në debatin e nivelit të lartë në studion e “Opinionit”, por deri poshtë në klubin e fshatit. Vërini të flasin atje, në kafenenë e humbur e gjithë tym, agronomin me kryetarin e partisë të Komunës dhe do të shihni se njerëzia do duan të dëgjojnë agronomin dhe me të drejtë. Politikanët na kanë ardhur në majë të hundës me broçkullat dhe dokrrat politike, apo me atë që Arian Çani e quante një herë “gjuha e drunjtë”, gjuhë që llap e llap e nuk thotë asgjë. Edhe mediallinjtë, publicistë e analistë, përfshirë këtu edhe veten time, na kanë ardhur në majë të hundës. Këta edhe në mos folçin gjuhë të drunjtë, në shumë raste ose e shesin gjuhën e tyre për atë që i paguan, ose detyrohen të flasin për çështje që nuk i njohin apo i dinë vetëm përciptazi fare. Kështu që në fund, edhe për këtë arsye njerëzit preferuan që të dëgjojnë Ina Ramën.

Por ka edhe më. Institucionet që ngremë ne, tashmë janë bërë të pabesueshme. Të mbushura me ushtarë partie apo me qoka fisnore, ato në shumë raste as nuk frymëzojnë besim e as nuk merren seriozisht. Kjo bën pastaj që, për çdo gjë që ndodh, debati politik nuk përqendrohet tek interpretimi i ngjarjeve, por tek përshkrimi i vetë ngjarjes. Që të merremi vesh. Ta zëmë se INSTAT-i deklaron një shifër të caktuar për papunësinë, rritjen ekonomike, a s’di ç’tjetër. Thërret pastaj Fevziu, Balla a Xhunga, analistë e politikanë, secili në studio të vet, për të diskutuar rreth këtyre shifrave, por ç’bën vaki. Në vend që të ftuarit të interpretojnë shifrat, të analizojnë pse e ku çojnë ato, në më të shumtën e rasteve debati kthehet në debat për vetë shifrat, jo janë kaq po janë aq, jo i ka ndryshuar INSTAT-i po i ka caktuar Berisha, besohen s’besohen. Në këtë moment, diskutimi produktiv ka marrë fund, njerëzit nuk dijnë më ç’të besojnë dhe pasi të fryhen sa më s’ka me llafe, do rrijnë të presin ditën kur ndonjë teknicien të dalë e të bëjë një analizë reale të mënyrës sesi dalin realisht shifrat, si analizohen ato e cila është domethënia e tyre. Dhe, meqë ra llafi tek INSTAT-i, si të mos mjaftonte kështu siç qe, tani Berisha e mori atë nën vartësi personale. Merreni me mend se sa mund të kenë vlerë për debat shifrat që do të nxjerrë që sot e tutje ai institucion!

E njëjta gjë mund të thuhet për shumicën e institucioneve shqiptare, që politika i ka shpartalluar me themel, duke ua afruar besueshmërinë pranë zeros, edhe kur ajo çka ato prodhojnë, ka realisht ndonjë vlerë. Pikërisht kjo ka ndodhur për gjithë këta muaj edhe me Prokurorinë, që prej momentit që njëri krah i politikës u ndje i rrezikuar prej asaj që po arrihej brenda mureve të institucionit. Dhe nga ky moment, diskutimi nuk bëhet më mbi rezultatet e Prokurorisë, por për rezultatet e Prokurorisë. Pra, nuk diskutohet e debatohet më se pse ndodhi protesta, pse policia vrau, e kështu me radhë, por si e qysh ishte dinamika e vrasjeve, si ishte rregullorja, në e ka shkelur prokuroria, apo ku e kish koburen gjenerali. Natyrisht, pa harruar që ta rëndojnë dorën edhe me kontornon e zakonshme politike “shoqja e Bulevardit”, “prokurorët e Krimit”, apo edhe më keq.

Institucionet janë shpikur për të bërë punë teknike, atë që nuk mund ta bëjë dot politika; dhe pastaj, kjo e fundit, ka për detyrë të bëjë interpretimin e rezultateve të arritura nga institucionet që më pas sipas rastit, të korrigjojë atë që nuk shkon tek institucionet apo tek vetja. Ne, le që i vëmë nën presion apo i ngremë keq që në fillim institucionet, por pastaj në fund, kur nuk na pëlqejnë rezultatet e tyre, asnjëherë nuk e kërkojmë gabimin tek vetja, por tek ato.

Nëse është e vërtetë që Presidenti i Republikës është “shoku i Bulevardit”, kjo nuk mund të kalohet me një: “Jam penduar që e votova”, siç thotë znj. Topalli, por me dorëheqje të vetë zonjës Topalli. Mekanizmi është i thjeshtë, u betove që të ndërtoje institucione, të zgjodhëm dhe të votuam për këtë, nuk e bëre dot (siç po e thua edhe vetë), atëherë duhet të hapësh udhë ti; dhe jo të na thuash se u pendova kësaj radhe, por të më shihni herën tjetër.

I njëjti diskutim vlen edhe për Kryeprokuroren. Nëse Berisha, kur e zgjodhi na u përbetua se ishte specialistja e specialisteve, e mira e të mirëve, tani nuk mund ta kalojë me një paskësha gabuar, por s’do gaboj herën tjetër, madje do hetoj edhe këtë që vura vetë.

Ne ende nuk i përjetojmë institucionet si nevoja të shoqërisë për të kuptuar se ku çalon politika, por i konceptojmë si instrumente të politikës për t’iu imponuar shoqërisë. Dhe në këtë rast, zgjidhja është e thjeshtë, nuk më pëlqejnë rezultatet e punës së specialistit, s’ka problem, ndërroj specialistin.

Në mes gjithë këtij kaosi akuzash e kundër-akuzash, të kësaj paaftësie të politikës për të ngritur institucione të besueshme, apo për t’ia hedhur fajin pasqyrës kur nuk u pëlqen vetja; njerëzit pastaj detyrohen ta marrin punën vetë në dorë, të bëhen edhe politikanë, edhe specialistë, edhe gjithshka tjetër; dhe përfundon pastaj tek batuta që “në Shqipëri të gjithë marrin vesh nga të gjitha”. Pastaj, kur mes kësaj tollovie del dikush, siç doli Kryeprokurorja që ju bëri dëgjuesve edhe një kurs të përshpejtuar të zanatit të saj, të gjithë rrinë dhe e shohin me gojë hapur. Njësoj sikur fizikanti të dojë të na flasë për rezultatet e fizikës kuantike dhe natyrisht që do t’i duhet që të harxhojë gjysmën e jetës që sefte të na shpjegojë se çfarë është fizika kuantike. Edhe zonja Rama shpenzoi pak a shumë gjysmën e emisionit tek Fevziu (prandaj emisioni shkoi mbi dy orë), duke bërë shpjegime termash, procedurash, e formalitetesh. E kish të domosdoshme, pasi përndryshe askush nuk do merrte vesh se për çfarë fliste. Pasi shpjegoi këto, rreshtoi faktet sipas asaj çka kishte ndodhur dhe të gjithë mbetën të kënaqur e të kuptuar, edhe vetë Kryeprokurorja rriti pikët e veta publike. Po u desh që për çdo gjë që ndodh të duhet të bëhemi të gjithë ekspertë, atëherë ç’na duhen ekspertët e vërtetë dhe vetë politika, që duhet të ngrejë institucionet për këta ekspertë?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama