Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Paradigma deshperuese e integrimit ne BE

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 13 vite më parë

Blendi Kajsiu
Paradigma deshperuese e integrimit ne BE

Në fillim të viteve 1990, integrimi i Shqipërisë në BE (atëherë Komuniteti Europian) është bazuar te një shpresë e madhe se integrimi në BE ishte rruga e rimëkëmbjes dhe e kthimit të Shqipërisë në identitetin e saj europian. Një nga parullat më të fuqishme që udhëhoqën Lëvizjen Studentore në përballjen e saj me regjimin komunist ishte: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”. Me rënien e sistemit komunist, Europa zëvendësoi hapësirën simbolike që kish boshatisur rënia e komunizmit si ide organizuese e shoqërisë shqiptare. E thënë më thjesht, ideja se socializmi i vështirë ishte një fazë kalimtare drejt komunizmit si stacion përfundimtar, u zëvendësua me idenë se tranzicioni i vështirë demokratik ishte një fazë kalimtare drejt Europës si stacioni përfundimtar. Në të dyja rastet logjika teleologjike mbetej e njëjtë, por utopia komuniste zëvendësohej me atë europiane.

Paradoksalisht ëndrra europiane dukej më e besueshme dhe më e arritshme pikërisht njëzet vjet më parë, kur nga pothuajse çdo pikëpamje Shqipëria qëndronte më larg anëtarësimit në Bashkimin Europian, sesa sot. Në fillim të viteve ‘90, shpresa tek integrimi europian si zgjidhja përfundimtare e problemit shqiptar ishte mjaft e madhe. Edhe koha e anëtarësimit nuk dukej shumë larg; sipas një deklarate të Presidentit Berisha në fillim të viteve ’90, Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së në jo më shumë se 15 vite. Anëtarësimi në BE shikohej nga aktorët lokalë si procesi konkret nëpërmjet të cilit ëndrra europiane do të bëhej realitet. Ideja bazë që e ushqente këtë shpresë ishte utopia e një Bashkimi Europian si parajsa e kombeve të lumtura. Premisa bazë ishte se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të shënonte fundin e tranzicionit, transformimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar dhe demokratik.

Ama, sa më shumë Shqipëria i afrohej BE-së, aq më shumë dukej se largohej ëndrra europiane. Sa më shumë Shqipëria nënshkruante marrëveshje që e përafronin me BE-në, aq më pak realiteti politik dhe social, i zhytur në zhgënjim, korrupsion dhe padrejtësi, i përngjante ëndrrës europiane. Kështu, gradualisht shpresa tek integrimi europian zëvendësohet me dëshpërimin se as ilaçi i integrimit nuk i bënte derman problematikës shqiptare. Pas krizave të viteve 1997–1998 dhe me rritjen galopante të korrupsionit në qeverisje përgjatë viteve 2000, ideja se integrimi i Shqipërisë në BE do të sillte europianizimin e saj, fillon e zbehet. Përafrimi me BE-në në legjislacion, në tregti dhe në shumë fusha të tjera, nuk rezultoi automatikisht në më pak korrupsion, më shumë mirëqeverisje, apo më shumë demokraci. Tashmë integrimi në BE nuk shihet me entuziazmin shpresëplotë të fillimit të viteve ’90, sipas të cilit, Shqipëria, nëpërmjet integrimit në BE, një ditë do të bëhej si Europa. Për aktorët lokalë ishte bërë e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do të shënonte automatikisht transformimin e saj në një vend të zhvilluar dhe plotësisht demokratik. Pikërisht këtu fillon edhe faza e dytë e integrimit në BE, që më shumë sesa te shpresa, bazohet te dëshpërimi.

Por, dëshpërimi me situatën shqiptare nuk e uli dëshirën për integrim në BE. Përkundrazi, dëshpërimi me Shqipërinë ushqente domosdoshmërinë për Europën. Tashmë integrimi nuk shihet edhe aq si një shpresë për përmirësim, sesa si e vetmja mundësi për të ndaluar degradimin. Pra, ndërsa në periudhën e parë integrimi shikohej si mundësi për t’i ngjarë Europës, në periudhën e dytë integrimi shihet si e vetmja alternativë që Shqipëria mos t’i përngjante më shumë vetvetes. Politikisht integrimi në BE justifikohet si parakusht i demokratizimit. Presupozohet se pa BE-në polisi shqiptar do të shkonte drejt shthurjes dhe diktaturës. Ekonomikisht Shqipëria është shumë e vogël, shumë e paaftë dhe tejet e varfër që të zhvillohet pa ndihmën direkte të BE-së. Këto janë dy premisat bazë mbi të cilat mbahet paradigma e integrimit sot. Të dyja këto momente kanë një emërues të përbashkët; idenë bazë se zhvillimi politik dhe ekonomik i Shqipërisë buron vetëm nga jashtë, ndërsa pengesat ndaj këtij zhvillimi janë vetëm të brendshme.

Është pikërisht paradigma e dëshpërimit mbi të cilën sot bazohet integrimi në BE që duhet çmontuar për të krijuar hapësira të reja dhe më shpresëdhënëse mendimi. Është një kritikë që duhet ndërmarrë jo vetëm për të ndriçuar atë që kjo paradigmë fsheh, por edhe mënyrën se si paradigma e dëshpërimit e riprodhon pafundësisht vetveten. Nga njëra anë paradigma e integrimit ia vesh çdo progres politik apo ekonomik të Shqipërisë procesit të integrimit në BE duke injoruar çdo arritje lokale që nuk ka të bëjë me integrimin. Nga ana tjetër, paradigma aktuale e integrimit riprodhon vazhdimisht dëshpërimin që legjitimon domosdoshmërinë e integrimit në BE, duke prodhuar vazhdimisht një marrëdhënie asimetrike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në rrafshin ekonomik, zhvillimi i Shqipërisë i dedikohet hapjes së ekonomisë shqiptare ndaj asaj europiane. Me krenari trumbetohet se BE-ja i ofron Shqipërisë jo vetëm ndihmë, por edhe tregjet e saj të pafund, dhe se BE-ja është partnerja ekonomike kryesore e Shqipërisë sot. Ajo që injorohet është fakti se Shqipëria, këto njëzet vite, më shumë sesa nga hapja e tregjeve, është zhvilluar nga hapja e kufijve që BE-ja vazhdimisht i mbyllte. Ka qenë eksporti i krahut të punës apo emigracioni ai që ka përbërë motorin nxitës të ekonomisë shqiptare duke stimuluar direkt sektorët më vitalë, si ai i ndërtimit. Ironikisht, pothuajse i gjithë emigracioni ka ndodhur në kundërshtim të plotë me direktivat e BE-së, të cilat kërkonin dhe investonin në pengimin e tij nëpërmjet një kontrolli më rigoroz të kufijve. Nga ana tjetër, tregtia e lirë me BE-në ka prodhuar deri tani vetëm një deficit tregtar që vazhdon të rritet.

Me pak fjalë, edhe pse zhvillimi i deritanishëm i Shqipërisë ka ardhur kryesisht si pasojë e punës së shqiptarëve, meritat shpesh i atribuohen integrimit të ekonomisë sonë në BE, investimeve të huaja nga BE-ja apo ndihmave që janë dhënë nga kjo e fundit.

Në rrafshin politik, BE-ja vazhdimisht portretizohet si garantuesi i demokracisë shqiptare. Vetë BE-ja e shikon vetveten si monitoruese dhe vlerësuese të demokracisë shqiptare. Ndërsa ideja që dominon sot në hapësirën publike shqiptare është se pa BE-në Shqipëria do ish kthyer me kohë në diktaturë. E thënë ndryshe, pa BE-në, në Shqipëri nuk ka demokraci. Ajo që kjo ide fsheh është roli negativ që shpesh BE-ja ka luajtur në demokracinë shqiptare, duke theksuar stabilitetin më shumë se demokracinë, si dhe rolin pozitiv që është luajtur nga vetë populli shqiptar për të ruajtur sistemin demokratik. Kështu, disa nga momentet më të zeza të demokracisë shqiptare, si zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, apo qeverisja e parë e Partisë Demokratike, shpesh kanë ndodhur me mbështetje të aktorëve të fuqishëm të hapësirës europiane, qofshin këto organizma, si Këshilli i Europës, apo politikanë të ndryshëm të lartë europianë që shpesh mbështesnin haptas pushtetin autoritar të Presidentit të atëhershëm Berisha, apo institucionet që dilnin nga zgjedhjet e manipuluara. Ashtu sikurse pothuajse të gjitha proceset e dështuara zgjedhore janë gatuar shpesh me asistencën e organizmave ndërkombëtar alla-OSBE.

Duke marrë si të mirëqenë premisën se demokracinë shqiptare e garanton BE-ja, ne harrojmë se e vetmja forcë reale që ka nxitur demokratizimin shqiptar ka qenë vetë populli shqiptar. Rrëzimi i komunizmit shqiptar vërtet është mbështetur nga jashtë, por, mbi të gjitha, ai është arritur nga brenda si pasojë e revoltës popullore që u shfaq fillimisht në protestat e klasës punëtore në Kavajë dhe Shkodër, vazhdoi me largimin masiv nëpërmjet ambasadave dhe kulmoi me protestat studentore që u mbështetën fuqimisht nga popullsia e Tiranës. Një revoltë që me vonesë filloi të përqafohej edhe nga elita e atëhershme, që pothuajse në tërësinë e saj ishte pjesë e regjimit komunist. Po kështu, rrëzimi i qeverisjes autoritare të PD-së në vitin 1997 erdhi së pari si pasojë e revoltës popullore, dhe jo nga kritikat e BE-së apo nga opozita e atëhershme. Revolta popullore e vitit 1997 ishte një hap para opozitës socialiste dhe deklaratave të komunitetit ndërkombëtar. E thënë ndryshe, BE-ja merr një rol qendror si garantuese e demokratizimit të Shqipërisë, që në fakt errëson motorin dhe garantuesin e vërtetë të demokracisë shqiptare, që është dhe duhet të jetë vetë populli shqiptar.

Uzurpimi, zhvendosja apo zëvendësimi që BE-ja i bën demosit shqiptar në procesin e integrimit është, në fakt, sfida më e madhe që i bëhet demokracisë shqiptare, përtej qëndrimeve të këtij apo atij institucioni europian apo eurokrati. Ky është një uzurpim i dyfishtë. Së pari, politikisht BE-ja gradualisht zëvendëson demosin lokal si burim legjitimiteti. Për shumë probleme të brendshme, më shumë se sa opinioni i brendshëm publik, kërkohet opinioni i jashtëm europian. Fjala bie, nëse Meta del i pafajshëm, mediat rendin më shumë drejt komenteve të zyrtarëve europianë, sesa drejt opinionit të brendshëm publik, që në fakt duhet të ishte gjykatësi final. Po kështu, për çështje si importi i mbetjeve, më shumë rëndësi marrin deklaratat e zyrtarëve europianë në Bruksel, sesa opinioni i publikut shqiptar. Shkurt, BE-ja, vazhdimisht, me apo pa dashje, uzurpon hapësirën që i takon opinionit të brendshëm publik. Ne sot i referohemi BE-së me të njëjtin intensitet, zell dhe kërshëri sikurse mediat amerikane apo europiane u referohen sondazheve të opinionit publik amerikan apo europian. Në fakt, ne sot ende nuk kemi ndërtuar qendra të besueshme të matjes së opinionit publik.

Aspekti tjetër në të cilin BE-ja e mënjanon demosin shqiptar është aspekti legjislativ. Procesi legjislativ shqiptar gjithnjë e më tepër orientohet drejt BE-së dhe gjithnjë e më pak drejt realitetit apo demosit lokal. Kështu, nëse qeveria kalon një ligj si “Menaxhimi i integruar i mbetjeve”, që krijon shqetësim te publiku shqiptar pasi lejon importin e mbetjeve nga jashtë, ajo e legjitimon këtë ligj duke iu referuar standardeve europiane. Në këtë mënyrë miratohen një pafundësi ligjesh që janë të palidhura dhe të pazbatueshme me realitetin politik, social, administrativ dhe buxhetor shqiptar. Mjafton të përmendim ligjin e duhanit për ta kuptuar këtë dinamikë. Mjafton të përmendim nene të Kodit tonë Penal, si neni 356, që dënon me burg një deputet që premton një vend pune në shkëmbim të votës, dhe me gjobë qytetarët që votojnë në shkëmbim të një vendi pune! Në këtë mënyrë prodhohet një inflacion legjislativ që ul zbatueshmërinë dhe vlerën e ligjit, duke prodhuar kështu kulturën tonë antiligjore.
Problemi nuk qëndron vetëm tek inefikasiteti që prodhon përafrimi aktual i legjislacionit me BE-në. Problemi nuk qëndron as vetëm te mospërputhja e legjislacionit dhe realitetit shqiptar. Problemi qëndron te një proces legjislativ jodemokratik që më shumë se te shqetësimet e shoqërisë shqiptare, orientohet drejt direktivave europiane. Në këtë mënyrë, nga njëra anë prodhohet një deficit demokratik shumë më i lartë sesa ai brenda vetë BE-së. Nga ana tjetër, krijohet një kulturë politike dhe legjislative që e shkëput vendimmarrjen nga demosi shqiptar. Për pasojë, prodhohet një demokraci boshe, apo demokraci spektakli, pasi në thelb demokracia nënkupton ligje që në analizën e fundit burojnë nga demosi.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, procesi i integrimit në BE dhe procesi i demokratizimit real janë në thelb dy procese kontradiktore. Demokracia, në thelb, nënkupton sovranitet; demosi jo vetëm që duhet të jetë i lirë të ketë fjalën përfundimtare, por edhe i aftë të marrë vendime për veten. Një demos që ia ka deleguar demokratizimin një organizmi jashtë dhe sipër vetes, nuk mund të prodhojë demokraci. Pikërisht kjo ka ndodhur gjatë procesit të integrimit. Sot demosi shqiptar ka shumë më pak besim tek institucionet lokale që e përfaqësojnë dhe shumë më tepër besim tek institucionet e huaja jashtë tij që ai nuk i zgjedh. Në një sondazh të “Gallup Balkan” në vitin 2008, besueshmëria e publikut ishte më e lartë për institucione si NATO apo BE, ku Shqipëria synonte të anëtarësohej, sesa për institucionet lokale që e përfaqësojnë atë.

Integrimi thellon vazhdimisht marrëdhënien asimetrike mes BE-së dhe Shqipërisë duke i shërbyer, me apo pa dashje, delegjitimimit të institucioneve të brendshme dhe legjitimimit të institucioneve të BE-së. Në këtë proces, varësia jonë politike, ekonomike dhe legjislative ndaj BE-së vazhdimisht thellohet. Demosi shqiptar gjithnjë e më tepër vendoset në pozitat e një fëmije që kërkon ndërhyrjen e prindit europian për të zgjidhur problemet e tij. Dhe sa më shumë problemet na i zgjidh apo kërkojmë ti zgjidhim në BE, aq më pak të aftë jemi për t’i zgjidhur vetë problemet tona, për ta luftuar vetë korrupsionin tonë, për ta ruajtur vetë demokracinë dhe për ta zhvilluar vetë ekonominë. Prandaj, ndoshta një ditë ne do të futemi në BE, por si një fëmijë që prindi europian ka frikë të lërë edhe për shumë kohë jashtë, sepse është zhytur në një depresion të rrezikshëm.


*Ky shkrim u botua fillimisht në web site e Institutit Shqiptar të Medias

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama