Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Edhe një herë për shtetësinë shqiptare

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Edhe një herë për shtetësinë shqiptare

Iniciativa e fundit e Kryeministrit për të liberalizuar dhënien e shtetësisë shqiptare, sot për sot është thjesht një ide verbale. Mund të jetë thjesht një shashkë e hedhur për të prodhuar sistematikisht tituj të parë, për të mbajtur në dorë iniciativën politike, ose “topin e politikës”. Si e tillë, nuk do të meritonte ndonjë vëmendje të madhe. Por, nëse ajo shndërrohet në ndërmarrje ligjore, do të ketë shumë pasoja. Një pjesë e mirë e këtyre pasojave, veçanërisht ato të këqija, duhet të kuptohen që tani, në mënyrë që të parandalohen. Për të kuptuar pasojat e këtij liberalizimi eventual, duhet ta vendosim atë në kontekstin e duhur kohor dhe hapësinor. Duhet ta sqarojmë edhe më mirë, pasi ka pasur reagime të papërshtatshme si ato të Aleancës Kuq e Zi, mbi të ashtuquajturin diskriminim prej kësaj iniciative të bashkëpatriotëve tanë që jetojnë në shtete të tjera, si Kosovë, Mal të Zi etj., dhe komercializim të shtetësisë shqiptare. Është e vërtetë se ka një pjesë të propozimit kryeministror që synon të “komercializojë” shtetësinë shqiptare, duke shtuar dhe parimin e pasurisë, krahas parimeve të tjera të gjakut dhe të tokës, universalisht të pranuara për dhënien e shtetësisë. Por, s’është e vërtetë se Kryeministri nuk ka premtuar dhënien e shtetësisë për të gjithë individët me kombësi shqiptare. Madje, nëse i referohesh njoftimit zyrtar për shtyp dhënë në faqen e Kryeministrisë, aty shikohet se ideja e Kryeministrit i përfshin më së pari ata, si kontingjent për t’ua dhënë automatikisht shtetësinë shqiptare. Praktikisht, me këtë pjesë të idesë, Kryeministri po bën realitet një kërkesë të Aleancës Kuq e Zi, “një komb, një pasaportë”, a diçka e ngjashme të hedhur më parë. Por kjo s’do të thotë se ky premtim kryeministror, si dikur kjo kërkesë e Aleancës, nuk sjell pasoja për t’u alarmuar.

Dekreti i 1994-s

Ligji aktual për shtetësinë është një ligj shumë modern, i cili zëvendësoi të ashtuquajturin dekret të 1994-s, për të cilin foli Kryeministri me krenari, por që vetëm për krenari nuk ishte. Ai dekret, që garantonte dhënien automatike të shtetësisë shqiptare të gjithë individëve me kombësi shqiptare, thjesht krijoi iluzion te një numër i madh kosovarësh të gjendur nën diktaturën serbe. Në realitet, shtetësinë mundën ta merrnin vetëm një numër i vogël. Shumica u end më kot nga dyert e SHIK-ut te dyert e Presidencës dhe anasjelltas, sepse ligji në fjalë nuk parashikonte as afate, as garanci, pa hyrë fare në oportunitetin e një mase, siç ishte dekreti i 1994-s. Ai dekret presidencial gjysmëfaqësh, së bashku me një ligj të komunizmit të vitit 1954, gjithashtu shumë i shkurtër, ishte tërë baza ligjore që u zëvendësua me ligjin e 1998-s, aktualisht në fuqi.

Ligji i 1998-s i dha fund një situate kaotike ku të drejtën e akordimit të shtetësisë e kishte në dorë Presidenti, i cili nuk hezitoi t’ia jepte edhe ndonjë ambasadori të akredituar në Shqipëri, madje dhe për t’i ruajtur nga ndjekja penale në vendin e tyre. Kishte ndonjë ambasador në 1996-n, që madje e kërkonte shtetësinë “pse Presidenti ia kishte dhënë një ambasadori tjetër”, dhe këtë e konsideronte si motiv të mjaftë aplikimi. Nuk po merremi me pasojat më të rënda të të ashtuquajturit dekret të 1994-ës, sipas të cilit u ishte dhënë shtetësia shqiptare shumë individëve që më pas u zbuluan si pjesëtarë të Al Kaedës. Mbase SHIK-u i kohës nuk kishte aftësitë t’i zbulonte. Për pasojë, s’mund të fajësohet Presidenti pse ua dha shtetësinë shqiptare këtyre individëve. Gjithsesi, me ardhjen e socialistëve në pushtet, ushtarët apo mëkëmbësit e Bin Ladenit të strehuar në Shqipëri nuk patën mundësi të përdornin mbrojtjen më të madhe që u jepet individëve të shtetësisë shqiptare (Konventa Europiane), sepse u ekstraduan në vendet e tyre, disa duke u dënuar me vdekje sipas ligjeve të shtetit të origjinës.

Ligji i 1998-s

Ky ligj jo vetëm rregullon të gjitha lidhjet e mundshme të individëve me shtetin, sipas parimit të gjakut, të tokës dhe të meritës, por dhe reflektonte ligjin e Zogut, i cili gjithashtu ishte shumë më modern se i ashtuquajturi dekret presidencial i vitit 1994. Ai e shkurton kohën e dhënies së shtetësisë shqiptare sipas parimit të tokës nga 5 vjet për gjithë të huajt rezidentë në Shqipëri, në 3 vjet për individët me origjinë shqiptare. Ligji që është dhe sot në fuqi, e zhvendosi autoritetin e dhënies së shtetësisë te Ministria e Brendshme dhe i la Presidentit si kompetencë thelbësore dhënien e shtetësisë shqiptare atyre individëve të huaj që kishin merita për kombin shqiptar.
Të ndryshosh ligjin e 1998-s, sipas Kushtetutës, duhet të sigurosh një shumicë prej tre të pestave të Parlamentit, pra 84 vota që shumica nuk i ka. Duket e vështirë që opozita të pranojë të japë votat për të bërë një ndryshim ligjor, i cili mbart shumë pasoja jo thjesht shoqërore, apo të rendit publik. Por, megjithatë, le të analizojmë disa prej pasojave që do të vinin nga ndryshimi i ligjit në termat për të cilat flet Kryeministri.

Kategoritë përfituese dhe pasojat e liberalizimit të Kryeministrit

Kategoritë që do të përfitonin nga ftesa e Kryeministrit do të ishin ata individë joshqiptarë që do të investonin 100 mijë euro dhe ata me origjinë shqiptare, pavarësisht pasurisë.

Duke u marrë me kategorinë e parë, atëherë afërmendsh në të do të bënin pjesë kryesisht individë nga vende të cilat kanë pasaportë më pak të vlefshme sesa ajo shqiptare për lëvizjen e lirë. Nëse do të pranonim se legjislacioni për investitorët e huaj është më favorizues sesa për ata shqiptarët, atëherë kjo lëvizje e re favorizuese në dukje ngjan pa kuptim për investitorë perëndimorë. Ajo thjesht mund të thithte ata investitorë që vijnë nga vende që kanë kufizime në lëvizjen e lirë në BE, si Turqia, Rusia, vendet arabe etj. Por që duhet të vendosnin: më mirë avantazhet si investitor i huaj, apo avantazhet e lëvizjes së lirë me pasaportën shqiptare? Shumë e vështirë të identifikosh individë normalë të huaj nga kjo kategori që do të ndërmerrnin një risk të tillë. SHISH-i, që ka më shumë informacione në dorë, apo miqtë tanë perëndimorë, mes të cilëve SHBA-të (kujto WikiLeaks-in), kanë dhënë paralajmërime se kjo masë mund të përdoret prej individësh të dyshimtë nga Rusia, Turqia, Afganistani etj. Pra Shqipëria do të rrezikonte vullnetarisht të shndërrohej në bazë individësh problematikë.

Në fund të fundit, të premtosh pasaportë shqiptare për të huajt do të thotë të shkosh kundër prirjes globale të fiksuar dhe me një konventë europiane sipas së cilës duhen reduktuar në maksimum dyshtetësitë.

Por, kategoria e dytë ngjan më interesante, ku sigurisht duhen shquar kosovarët. Shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, të cilët e kanë lëvizjen e lirë në hapësirën “Shengen”, nuk besohet se kanë ndonjë tërheqje për pasaportën e shtetit shqiptar, veçse për motive koleksionimi patriotik. Mbeten shqiptarët e Kosovës si kontingjenti më i dëshiruar.

Një ftesë e tillë për ta në këtë moment do të thoshte ndikim mbase i padëshirueshëm në negociatat për liberalizimin e vizave që Kosova ka nisur me BE-në dhe që pritet të përmbyllet në fund të vitit. Të joshësh kosovarët të marrin një pasaportë të Shqipërisë krijon probleme dhe nuk dihet nëse qeveria “Berisha” e ka koordinuar një ide si kjo me qeverinë “Thaçi”.

Një ftesë e tillë do të thoshte dobësim i subjektivitetit të Kosovës në diskutimet me Serbinë, e cila dhe pa të pretendon se numri i shqiptarëve në Kosovë është rritur artificialisht me shqiptarë Shqipërie. Në kushtet kur Serbia nuk e pranon regjistrimin që u bë në Kosovë para një viti, atëherë aq më shumë ajo do të ketë më shumë argumente nga ndonjë përmbytje masive e kosovarëve për pasaportë të Shqipërisë.

Një ftesë si kjo, do të thoshte zgjerim i bazës elektorale të Shqipërisë me shqiptarë Kosove eventualisht në favor të PD-së, diçka që thuhet se u testua në zgjedhjet e Tiranës. Ky do të ishte një kontingjent pa adresa të sakta, sepse do të ishte i lëvizshëm, pra problematik për zgjedhjet. Kjo ide ngjan me lëvizjen e Papandreut, që para disa vitesh e legalizoi në funksion ngushtësisht elektoral dhënien e shtetësisë greke për minoritarët. Kjo lëvizje ndodhi pasi grekët morën garanci nga Berisha se nuk do t’ua hiqte atyre shtetësinë shqiptare. Papandreu besonte se ata që do të merrnin shtetësinë greke do të ndiheshin mirënjohës ndaj partisë që ua mundësoi, diçka që e beson dhe Berisha.

Para PS-së, që mund ta refuzonte një ligj të tillë, qëndron risku i humbjes së popullaritetit në Kosovë. Shumë kosovarë e duan shtetësinë e Shqipërisë dhe do ta merrnin zët atë parti që do ta refuzonte.

Siç shihet, një lëvizje si ajo që Kryeministri hëpërhë e ka vetëm si balon prove, mund të krijojë shqetësim jo thjesht rajonal, jo thjesht mbarëkombëtar, por dhe ndërkombëtar për shkak të pasojave. Nuk shihen ndërkaq pasoja pozitive, të cilat do të asnjanësonin ato negativet dhe do të na shtynin ta mbështesnim një iniciativë si kjo. U orvatëm të bënim një analizë duke u nisur nga pasojat, pa u marrë me qëllimet e një iniciative si kjo, të cilat i di më i mirë i zoti i saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama