Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur njerëzit skandalizohen nga ideja e legalizimit të prostitucionit

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Kur njerëzit skandalizohen nga ideja e legalizimit të prostitucionit

Një shënim i imi online lidhur me qëndrimin ndaj legalizimit të prostitucionit (që po diskutohet në parlament), u shoqërua me një numër komentesh, në shumë prej të cilave nuk binin dakord me çfarë unë nënvizoja, d.m.th, që “është pak e çuditshme që të djathtët tanë në pushtet duan ta legalizojnë prostitucionin, ndërsa të majtët tanë i thonë ‘jo’ kësaj nisme” (‘Panorama’ e ‘Mapo’ e para do ditëve kishin veçuar qëndrimin që kish mbajtur në mbledhjen e komisionit parlamentar Fatmir Xhafaj; ky i fundit nuk binte dakord që kodi ynë penal t’i lehtësonte sanksionet ndaj femrave që e ushtrojnë prostitucionin). Në botën e sotme nuk është se të majtët ndahen nga të djathtët në këtë temë si qëmoti, por gjetkë zakonisht ndodh e kundërta, të paktën, për shkak të qëndrimit që palët kanë ndaj nderit, moralit, femrës, gruas, familjes etj. Konservatorët janë më të dhënë pas këtyre vlerave, ndërsa progresistët janë më të prirur, në mos për t’i vënë në diskutim, dobare për t’i relativizuar.

Personalisht nuk është se i jap shumë peshë kësaj ndarjeje ‘ideologjike’, pasi përgjithësisht dikotomia ‘konservatore’ e majtë/e djathtë nuk më bind shumë këto kohë. Unë thjesht e nënvizoja si veçori të politikës shqiptare faktin që nuk ka ndarje të së majtës me të djathtën në planin e vlerave, apo që në ndonjë rast, ndarja ndjek një rrugë jo konvencionale, d.m.th, të majtët janë të djathtë e të djathtët janë të majtë; dhe kjo ndodh o ngaqë rreshtimin politik s’e lidhin hiç me vlera, o ngaqë interesi i momentit ua kërkon të mbajnë një qëndrim të caktuar (Berisha, një konservator nga formimi, nga politika e nga ç’të doni tjetër, para ca kohësh s’e pati për gjë të dilte si promotor i martesave gay në Shqipëri).

Kështu që po u iki arsyetimeve të natyrës politike. Me fjalë të tjera, Fatmir Xhafajt nuk po i them, që “je gabim, pasi një i majtë nuk mund t’i kundërvihet legalizimit të prostitucionit”, por po i them, që “je gabim në çdo pikëpamje teksa i kundërvihesh legalizimit të prostitucionit”. Të njëjtën gjë u them dhe atyre që komentonin shënimin tim online mbi këtë çështje, një pjesë e të cilëve, me komentet e tyre kishin nxjerrë në shesh një numër qëndrimesh, që së toku mund të formojnë optikën shqiptare mbi këtë dukuri, që është konservatore politikisht e kulturalisht.

“Po si mund të legalizohet prostitucioni në Shqipëri? Cila femër do guxonte ta ushtronte hapur këtë profesion?” - pyeste dikush. Mirëpo, ky s’është problemi ynë; ky është problemi i prostitutave. Nëse ato s’do kenë guxim të dalin hapur, le të mos dalin. Ama duhet ta dinë se prostitucioni në dhunim të rregullave që do të vendosen nuk do pasohet me sanksione, ashtu siç duhet ta dinë se ligji i mbron në rrethanat që ato do duan ta ushtrojnë hapur këtë profesion. Por ligji nuk i mbron dot nga morali publik, nga prindërit, familjarët, internautët e komentuesit online apo të tjerë që nuk mund ta pranojnë këtë zgjedhje të tyren për të bërë prostitutën. Ah po, ligji do të veprojë ndaj atyre që prekin (rrahin apo fyejnë) një femër, ngaqë është prostitutë, por ligji nuk mund të parandalojë reagime që mund të lindin në këtë mjedis që jetojmë. Prandaj femrat që duan, për një arsye apo një tjetër (është punë e tyre), të prostituojnë duhet t’i bëjnë hesapet vetë me moralin e shoqërisë të cilës i përkasin. Me vete do kenë ligjin, por jo moralin publik.

“Të legalizosh prostitucionin don të thotë të jesh dakord me skllavërimin seksual të mijëra vajzave”, thosh dikush tjetër. Nuk e di pse e thonë këtë gjë. Ndoshta ngaqë s’thellohen. Sepse po të thelloheshin pak, do të arrinin lehtë në përfundimin që legalizimi i prostitucionit synon bash të kundërtën. Ne kemi sot mijëra vajza që prostituojnë; në Shqipëri e rrugëve të botës. Për numër popullsie bën vaki të jemi vendi me më shumë vajza që prostituojnë në botë. Këtë rekord prostituimi si komb nuk na e ka dhënë legalizimi (që s’ka ekzistuar), as ndonjë predispozicion gjenetik (nuk ka asnjë të dhënë shkencore që të mbështesë tezën se femrat shqiptare kanë një predispozicion biologjik më të madh se femrat e kombeve të tjera për të bërë prostitutën).

Është me interes të sqarohet sidomos pika e parë, pra që legalizimi nuk prodhon prostitucion e prostituta; përkundrazi, këto prostituta kanë dalë në rrethanat e prostitucionit ilegal, gjë që do të thotë se shumë prej tyre, me siguri shumica, janë futur në atë rrugë pa dëshirën e tyre, shpesh nga frika e dhunës që mund të ushtrohet mbi to (e bukura është se kjo dhunë është ushtruar edhe pasi ato kanë pranuar të bëjnë prostitutën); në këto rrethana, edhe ndonjëra që ka dashur ta bëjë prostitutën për hesap e për qejf të vet, nuk ka mundur, e prandaj ka bërë çmos të gjejë një tutor, i cili në këmbim të sigurisë e të mbrojtjes që i ka ofruar, ka marrë të shumtën e të ardhurave. Dhe ky nënvizim i fundit i natyrës ekonomike i bën ato skllave në çdo pikëpamje.

“Legalizimi i prostitucionit”, thotë dikush tjetër, “krijon idenë se ne jemi në favor të prostitucionit”. Ne? Kush ne? Ç’domethënë kjo ne? Prostitucioni është një zgjedhje individuale, dhe duhet respektuar si një zgjedhje individuale; e afërmendsh, legalizimi i prostitucionit nuk ka pse të merret si një gjë që vjen prej një qëndrimi kolektiv në favor të prostitucionit, apo thënë me fjalë të tjera, prej ethosit tonë. Jo, s’ka lidhje fare me këtë. Ky legalizim është për të respektuar ca zgjedhje individuale e për t’i mbrojtur prostitutat prej shfrytëzimit e poshtërimit që u bëhet nga të tjerë. Ligjet në favor të tyre nuk janë për të promovuar prostitucionin, as vinë prej faktit që prostituimi është një ‘tabiat’ kolektiv.

Legalizimi i prostitucionit i jep mundësinë asaj që ka zgjedhur të bëhet prostitutë që të marrë në dorë kontrollin e trupit të vet e të gjithë qenies së vet. Këtej nga anët tona, për një femër që do të bëjë prostitutën do të ekzistojë gjithmonë një problem me moralin publik (është taksë që i duhet paguar një shoqërie, ku burrat nuk turpërohen kur vjedhin e kur vrasin, por kur “u bredhin” gratë e shtëpisë, apo thënë ndryshe, kur gratë e shtëpisë së tyre “nuk janë të ndershme”).

Të kuptohemi, ligji nuk e zgjidh problemin; thjesht u jep një mundësi prostitutave të kenë pak më shumë dinjitet se sa kanë sot. Prostituta ka dinjitetin e vet. E di që përballë kësaj fraze mund të jenë të shumtë ata që mund të shock-ohen, por do t’i ftoja të shock-heshin për gjëra të tjera njëmend të rënda që ndodhin në këtë vend. E bëjnë mirë ta dinë se si zor të ketë ndonjë prostitutë shqiptare që të ketë më pak dinjitet se sa ata politikanë që janë gati t’i vënë zjarrin vendit për një karrige, e se sa ata intelektualë që u qurraviten pushtetit për një vend pune. Prostituta shet trupin (pa i bërë dëm askujt; nëse nuk i bën dëm vetes) për të mbijetuar, ndërsa këta të tjerët kanë shitur shpirtin për të pasur ca mundësira më shumë edhe, përveç të tjerash, për të shkuar me prostituta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama