Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Këtë herë e kanë fjalën vetë shkencëtarët e Greqisë

Shkruar nga: Tahir Muhedini  
Botuar më: 17 vite më parë

Tahir Muhedini
Këtë herë e kanë fjalën vetë shkencëtarët e Greqisë

Me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri, popullsia çame u organizua në shoqatën atdhetare "Çamëria", pikërisht për të thënë të vërtetën e saj dhe për të bindur shtetin shqiptar dhe atë grek për të. Shoqata atdhetare "Çamëria" dhe popullsia çame, së bashku, pas mitingjesh, protestash, shkrimesh, marshimesh, dosjesh politiko-juridike, nuk arritën të bindin shtetin e tyre të origjinës, pra Greqinë, për këtë të vërtetë.

Ngritja e kësaj çështjeje të së drejtës ndërkombëtare nga ana e shumë personaliteteve të ndryshme të shtetit shqiptar nuk e bindi Greqinë dhe autoritetet përkatëse të pranonin se çështja çame ekziston dhe duket reflektuar për ta zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në vitin 2002, me kërkesë të shoqatës atdhetare "Çamëria", një dokument mbi çështjen çame iu dorëzua nga disa eurodeputetë të listës italiane "Bonino", komisionerit evropian për Politikën e Jashtme, z. Criss Patten. Ky i fundit, në emër të pozicionit të tij të lartë zyrtar të Bashkimit Evropian, duke e pranuar ekzistencën e këtij rasti, sugjeronte zgjidhjen dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Kjo mundësi është praktikisht e parealizueshme për shumë arsye të ndryshme ekzistenciale, ndaj popullsia çame, duke mos e braktisur punën e tyre në limitet e organizatave joqeveritare, iu bashkua në masë Partisë për Drejtësi dhe Integrim, e cila kish në mënyrë eksplicite në programin e saj edhe zgjidhjen demokratike të çështjes çame.

PDI dhe pakica çame në Greqi

Partia për Drejtësi dhe Integrim, që nga themelimi i saj dhe me mbështetjen e asaj pjese të popullsisë çame të anëtarësuar në këtë organizëm politik, përmes dokumentesh e analizash ekspertësh ndërkombëtarë hodhi idenë e trajtimit të çamëve si pakicë etnike e persekutuar në mënyrë konstante në Greqi.

Ngjarjet e vitit 1994-1945, në këndvështrim politik dhe racional shkencor u trajtuan si një gjenocid i pastër, ushtruar në mënyrë të organizuar kundër një pakice në shtetin grek, sot anëtare me të drejta dhe detyrime të plota në Bashkimin Evropian. E gjithë kjo strategji dhe rezultatet përkatëse u dorëzuan pranë shumë eurodeputetëve të kombësive të ndryshme, duke kërkuar zgjidhjen e kësaj çështjeje të së drejtës ndërkombëtare vetëm në standardet evropiane të kësaj të drejte.

Mungesa e mëparshme e informacionit të nevojshëm për çështjen çame pranë institucioneve politike të Bashkimit Evropian dhe premtimet e mëtejshme të eurodeputetëve në përgjithësi, si dhe znj. Doris Pack, kryetare e Delegacionit të Europarlamentit për Ballkanin u publikuan masivisht.

Por, edhe kështu shteti grek dhe zëdhënësit e tij formalë e informalë në Tiranë e gjetkë vazhduan ta konsideronin këtë çështje si joekzistente! Padyshim duke shfaqur nervozizëm, sepse e kishin mësuar tashmë fjalën e urtë shqiptare: "Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë".

Dhe siç pritej, një grup historianësh grekë të universitetit "Pandio" të Athinës, të specializuar në çështjet e pakicave kombëtare në Ballkan, pas studimesh të ndryshme të pakicave maqedonase të Greqisë, në ditët e fundit dhe publikisht duke i cilësuar çamët si pakicë në Greqi, vërtetuan shkencërisht se ndaj tyre ishte ushtruar gjenocid i dhunshëm në vitet 1944-1945. Dhe se pronat e tyre, në mënyrë të padrejtë, i ishin dhënë me reformë agrare popullsisë greko-ortodokse të këmbyer rreth viteve 1922-1925 me popullsi çame myslimane të asaj periudhe.

Të gjitha këto argumente, sot të vërtetuara shkencërisht nga ana e studiuesve grekë, janë thënë publikisht e në mënyrë konstante prej rreth 15 vitesh nga popullsia çame, shoqata "Çamëria", Instituti i Studimeve Çame dhe Partia për Drejtësi e Integrim, duke u ballafaquar me përgjigjen absurde greke të mosekzistencës së kësaj çështjeje.

Tashmë prononcohen vetëm komunistët dhe neofashistët grekë

Por, tashmë publikimi i këtij studimi jopolitik ka bërë që për rastin në vendin fqinj dhe mik të Shqipërisë nuk po prononcohen autoritetet e larta zyrtare të Athinës, dhe kjo u ka dhënë mundësi prononcimi vetëm forcave ekstreme politike në Greqi, komunistëve dhe neofashistëve. Këta të fundit, duke u mbështetur edhe në karakterin e tyre ekstremist dhe duke abuzuar kanë deklaruar se shqiptarët paskan pretendime territoriale në Greqinë e Veriut. Liana Kaneli, deputete e Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) ka theksuar për mediat greke se fakti që ky studim bëhet i ditur vetëm tri ditë pas Pavarësisë së Kosovës është projekt për copëzimin e Ballkanit nga megaloideatët shqiptarë. Të tilla prononcime janë mbështetur në masë nga partia e ekstremit të djathtë në Greqi, "Alarmi Popullor Ortodoks".

Adhonis Gjeorgjiadhis, deputet dhe zëdhënës i kësaj partie, ka shkuar deri aty sa të deklarojë që shqiptarët, pasi morën zemrën kulturore të Serbisë, tani përpiqen të hapin luftëra të reja në Ballkan, duke kërkuar edhe Epirin tonë!

Por që këto deklarata janë absurde, këtë e vërteton edhe fakti se nuk kemi akoma asnjë prononcim nga ana e partive të mëdha të Greqisë dhe autoritetet përkatëse, të cilët këtë radhë kanë zgjedhur të heshtin, sepse autorët e këtij lajmi nuk janë shqiptarët, por vetë studiuesit profesionalë grekë. Megjithatë, për rastin e çështjes çame, ajo që duhet thënë me zë të lartë është fakti se popullsia çame ka kërkuar dhe kërkon në vazhdimësi vetëm zbatimin e standardeve ndërkombëtare.

E thënë thjesht, kërkojnë rikthim në shtetin e origjinës, rimarrjen e shtetësisë greke të hequr në mënyrë kolektive dhe pa marrë pëlqimin e askujt prej tyre, zbatimi i të drejtës së pronësisë, e cila është e patjetërsueshme dhe padyshim trajtim si pakicë kombëtare dhe me standarde evropiane.

Për ta mbyllur këtë shkrim, nuk mund të rri pa thënë se popullsia çame, duke bashkëjetuar vazhdimisht në harmoni me fqinjët grekë dje, sot edhe nëpërmjet Partisë për Drejtësi dhe Integrim, kërkon publikisht standarde të njëjta me pakicën greke në Shqipëri: Dyshtetësi, respektim të së drejtës së patjetërsueshme të pronës si në Shqipëri edhe në Greqi, ashtu edhe të drejtën e gjuhës amtare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.

Çamët nuk kanë kërkuar kurrë ndryshim kufijsh, aneksim të Çamërisë me Shqipërinë, apo përralla të tjera nga e kaluara, si ato të Vorio-Epirit për Jugun e Shqipërisë. Ato janë padyshim qesharake!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama