Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Statusi kandidat dhe tri fazat e politikës

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Statusi kandidat dhe tri fazat e politikës

1. Në javën që kaloi, u duk sikur fazës së bashkëpunimit të sforcuar parlamentar për reformat e axhendës europiane i erdhi fundi. Në seancën plenare të së enjtes, miratimi i një bashkësie ndryshimesh të Kodit Penal sikur u rrezikua nga insistimi opozitar për të përfshirë një nen special për manipulimet e statistikave dhe këmbëngulja maxhoritare për mospërfshirjen e propozimit. Pas mbledhjes së Grupit socialist të deputetëve, pak minuta para mbarimit të seancës qëndrimi opozitar ndryshoi. Kodi u votua masivisht pa përfshirjen e propozimit në fjalë.

2. Maxhoranca skontoi kryerjen e një tjetër detyre pa i lëshuar pe opozitës e pa e bërë qejfin qeder nëse ajo do votonte kundër – gati për të fajësuar opozitën për bllokimin e axhendës europiane. Opozita deklaroi që e gjitha ishte lojë për të testuar rezistencën e maxhorancës ndaj kërkesës së saj, si dhe për t’i bërë të ditur opinionit se është maxhoranca që mezi pret që opozita të bllokojë procesin për ta akuzuar atë si fajtore e kjo t’i shërbejë si justifikim, pasi vetë maxhoranca s’ka interes për integrimin dhe/ose nuk është e aftë të kryejë detyrat që i takojnë veç asaj e pra, t’i dalë përpara mundësisë së dështimit në marrjen e statusit.

3. Loja, nëse mund ta quajmë të këtillë, rifilloi rreth tri javë më parë, kur Edi Rama, krejt papritur, deklaroi bllokimin nga maxhoranca të punës për Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren e Kuvendit. Sali Berisha iu kthye disa herë brenda pak ditësh duke akuzuar Edi Ramën se synon të bllokojë a të krijojë alarmin se ka bllokim, duke provokuar përmes propozimeve absurde saktësisht në prag të një vlerësimi joformal e të ndërmjetëm nga Brukseli në të njëjtën kohë që ky do të shqyrtonte kandidaturën e Serbisë pas marrëveshjes së suksesshme me Kosovën. Rama iu ripërgjigj, Berisha po kështu deri te momenti i “çështjes penale për statistikat”.

4. Pavarësisht se ç’thonë palët, gjithçka që ndodhi këto tri javë, riforcon perceptimin se faza numër dy e politikës, që u paralajmërua në gusht dhe nisi në nëntor 2011 është, në thelbin e saj, ndonëse tashmë me mjete dhe metoda verbale e taktika politike parlamentare e medietike, vazhdimi i tensionit bipolar politik nën ankthin e zgjedhjeve pas një viti ku vihen në diskutim serioz fatet politike, fat të cilin Edi Rama e pret me mjaft më shumë ankth, për shkak të rrezikut të mosrealizimit njëherë e përgjithmonë “të ëndrrës që vazhdon” krahasuar me Sali Berishën, i cili, ndonëse as që mendon të humbasë, gjithsesi, në rast humbjeje, në paqe me veten, “e ka ndarë mendjen të largohet”.

5. Por, për qartësinë e analizës është e nevojshme të evitohet mendimi subjektiv, ndaj le të pranojmë se të dy liderët dhe palët respektive politike janë njësoj të interesuara e të angazhuara për fitore elektorale dhe se çdo qëndrim e veprim është në funksion të fitores dhe vetëm të saj. Kjo vlen, për aq sa vlen, edhe për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, pra që asnjëra palë s’do të pranonte të bënte ndonjë veprim që do të rrezikonte fitoren e saj politike për hatër të statusit. Zhveshja nga moralizimet, paragjykimet, dashuria apo urrejtja për njërën a tjetrën palë politikë është e domosdoshme, ndryshe analiza mbaron pa filluar dhe gjithçka mbetet veçse propagande.

6. Për maxhorancën, qëndrimi ndaj statusit në funksion të pushtetit mund të përshkallëzohet në katër nivele rezultatesh: i) marrja e statusit vetëm për meritë të saj aq më mirë me një opozitë që vetëpërjashtohet apo bëhet pengesë por pa sukses, siç ishte rasti i liberalizimit të vizave; ii) marrja e statusit me kushtin që merita të ishte, siç edhe i takon të jetë, kryesisht e maxhorancës, por edhe me një kontribut thelbësor të opozitës; iii) nëse mosmarrja e statusit do të ishte e pashmangshme, maxhorancës i intereson që për këtë të fajësohet opozita; iv) mosmarrja e statusit, kur veç maxhoranca mbetet fajtore, pasi opozita i ka kryer detyrimet e saj. Rezultati i parë është i pamundur, ndërsa i fundit është i kushtueshëm për maxhorancën. Për rrjedhojë, taktika maxhoritare synon me përparësi rezultatin e dytë që maksimizon përfitimin e saj politik por, sipas rrethanave, maxhoranca do të preferonte edhe rezultatin e tretë duke bërë gjithçka që të shmangë rezultatin e katërt.

7. Për opozitën, qëndrimi ndaj statusit në funksion të pushtetit përshkallëzohet gjithashtu në katër nivele rezultatesh: i) marrja e statusit veç për meritë të saj; ii) marrja e statusit me bashkëmeritë me maxhorancën, duke pranuar pashmangshmërisht që merita kryesore i takon maxhorancës, ndërsa opozitës i njihet një kontribut thelbësor; iii) nëse mosmarrja e statusit ndodh, faji t’i mbetet vetëm maxhorancës, pasi opozita i ka kryer detyrat e saj; iv) nëse statusi nuk merret, faji të bashkëndahet me maxhorancën. Ndërsa i pari është i pamundur, i katërti, i aplikuar dy vite pas zgjedhjeve 2009, është i tejkaluar tashmë nga vetë opozita. Në raport me pushtetin, rezultati i tretë, nëse do të ndodhte, maksimizon përfitimin opozitar, ndaj dhe ky përbën synimin parësor opozitar duke pasur si synim rezervë, sipas rrethanave, rastin e dytë.

8. Në fazën e parë të politikës ndodhi përplasja e synimit të tretë të maxhorancës me atë të katërt opozitar, ku diktuese e situatës ishte opozita për shkak të nevojës së liderit Rama, që në pikënisje, për t’iu përvjedhur detyrimit të largimit nga politika pas humbjes së zgjedhjeve 2009 dhe minimizimin e rreziqeve të brendshme partiake në kontrollin e partisë nga ana e tij. Për këtë, Edi Rama shpiku tezën e vjedhjes masive e të fshehtë të zgjedhjeve, që detyrimisht duhej të pasohej me betejën ekstremiste për votën e lirë, ekstremizëm që kulmoi deri në janar 2001 për t’u lënë pas në gusht 2011, me arsyetimin se kjo fazë ia arriti qëllimit pasi detyroi regjimin e Berishës “të vidhte edhe ditën për diell” e pra të demaskohej edhe në sytë e publikut e të ndërkombëtareve, vjedhje të cilën këta nuk kishin mundur ta shihnin në vitin 2009 pasi “ishte bërë vetëm në errësirën e natës”.

9. Por, Edi Rama deklaroi më 14 maj, pas momentit kur ai rezultonte me 10 vota plus, se nëse Sali Berisha do t’ia njihte fitoren, opozita do të bëhej bashkëpunuese. Kalimi në fazën e dytë ndodhi, edhe pse Edi Rama humbi me 90 vota pas procesit të vlerësimit dhe ankimit. Është më se logjike që kur një veprim kryhet apo premtohet të kryhet qoftë për arsyen “A” e qoftë për arsyen “B”, atëherë veprimi është i pavarur nga secila prej këtyre dy arsyeve dhe se janë arsye të tjera që shtyjnë në kryerjen e veprimit në fjalë. Ndaj, kalimi i opozitës në fazën e dyte s’ka fare lidhje me ç’tha Edi Rama në maj a gusht, por me arsye të tjera të tilla si konsolidimi i pushtetit të tij brenda opozitës apo lodhja dhe padobia elektorale nga ekstremizmi opozitar i fazës së parë, që përfundoi me një vendnumëro të rezultatit zgjedhor.

10. Në fazën e dytë të politikës kundrejt statusit përplasen synimi i dytë – në rezervë ai i tretë – maxhoritar me atë të tretë – në rezervë ai i dytë – opozitar ku përsëri është opozita që ka në dorë orientimin e lojës. Siç shihet, në fazën e dytë, synimet parësore janë të kundërta, ndaj dhe tensioni është i pashmangshëm. Gjithsesi, në këtë fazë, me shumë gjasa do të ketë progres në realizimin e reformave të axhendës europiane, pasi nga një anë opozita do të japë konsensusin e saj për ligjet duke shpresuar se maxhoranca s’do të jetë e aftë të kryejë katër nga dymbëdhjetë detyrat që i takojnë veçse asaj dhe nga ana tjetër, maxhoranca, meqë ka fare pak ose aspak shpresë se opozita do riekstremiziohet, do të fokusohet në realizimin e detyrave ekskluzive të saj. Pavarësisht progresit, retorika politike, si emërues i vetëm i përbashkët në këtë fazë, do të mbahet e ndezur në maksimumin e mundshëm nga të dyja palët njëkohësisht.

11. Nga këndvështrimi i Brukselit, konflikti politik shqiptar duket i çuditshëm ndërsa e krahasojnë Shqipërinë me Bosnjën, Maqedoninë, Serbinë, të cilat kanë faktorë thelbësorë pengues. Duke vlerësuar se konflikti shqiptar është pastërtisht çështje pushteti politik e të mësuar me politikën europiane që garën për pushtet e ka njësoj të fortë por institucionale dhe retorikën politike të ndezur por elegante, Brukseli, me të drejtë ka mbajtur qëndrimin që statusi merret me bashkëpunim e bashkëmeritë duke kryer detyrat e duke normalizuar politikën në thelb e në formë. Nëse statusi s’jepet, faji mund edhe të peshohet disi për secilën palë, por mbetet gjithnjë i pandashëm.

12. Ndërsa tetë detyrat e përbashkëta do të realizohen një e nga një dhe maxhoranca do të kryejë katër të sajat, gjithnjë e më shumë mesazhet nga Brukseli do të jenë inkurajuese e gjithnjë e më shumë do të kërkohet që edhe retorika politike të zbutet. Prononcimet e ditëve të fundit të personaliteteve europiane i theksuan të dyja këto aspekte. Sinjalet për marrjen e statusit, si bashkëmeritë maxhorancë-opozitë, po bëhen më të forta. Ndaj, rikthimi në fazën e parë është shumë pak, për të mos thënë aspak i mundshëm. Por, kalimi në fazën e tretë, pra të politikës normale, që bashkëpunon, garon dhe debaton në mënyrë civile, ndonëse më i mundshëm, nuk është i garantuar vetiu. Kushdo që ka diçka në dorë, shqiptar a ndërkombëtar, duhet të vihet në veprim për nxitjen e kalimit të politikës në fazën e tretë. Këtë e kërkon edhe 100-vjetori i Pavarësisë që duhet festuar së bashku. Si europianë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama