Shesh-beteja e parë që hapën Partia Demokratike me partinë ende të paemër të Presidentit Topi, është çështja e dosjeve… “Nëse hapen dosjet, politika do të tronditet”, tha Presidenti. Edhe më tej, eksponentët e partisë së pashpallur, si Biberaj apo Mustafaj, i kanë mëshuar idesë së hapjes së dosjeve, apo në fund të fundit, qoftë edhe publikimit të listës së bashkëpunëtorëve, nëse dosjet, ashtu siç përflitet, janë djegur apo zhdukur.
Kjo “nismë” do ta përfshijë opinionin shqiptar, për të disatën herë në këto 20 vjet, nga dalldia e së shkuarës. Kush ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kë ka spiunuar, kë ka torturuar, ku është sot ai, sa ka marrë më qafë, cilët deputetë kanë pseudonime, sa shkrimtarë kanë futur në burg shoqi-shoqin, sa hetues të Sigurimit janë sot prokurorë e gjykatës, sa agjentë ka në PD dhe sa në PS, sa ish-të përndjekur kanë spiunuar njëri-tjetrin në burgje, sa spiunë ka dekoruar Presidenti si viktima të komunizmit…?
Ka një debat të madh e të fortë në këtë pikë, pra për faktin nëse duhet apo jo të hapen dosjet, ndaj nuk do të guxonim të jepnim një përgjigje për këtë. Por, duke mbetur tek argumenti i parë që ka vendosur të përdorë Topi me partinë e tij, ka disa pyetje që ngrihen e që meritojnë vërtet të analizohen: Përse ai e nisi me çështjen e dosjeve? Çfarë do të prodhojë politikisht një nismë e tillë? Dhe, më e rëndësishmja, a është ky problemi që shqetëson sot pjesën më të madhe të shqiptarëve me të cilën kjo forcë politike duhet të promovohet? A është kjo nevoja më urgjente e shoqërisë sonë? A është kjo alternativa që presin qytetarët nga një politikan që ka prodhuar tashmë një profil serioz? Nisur nga përgjigjet e këtyre pyetjeve, mund të arrihet edhe në konkluzionin se çfarë formati do të ketë partia e re e së djathtës.
Presidenti dhe mbështetësit e tij e nisën çështjen e dosjeve me një sulm personal ndaj Kryeministrit Berisha, duke i kujtuar atij se ka qenë komunist që nga 1968-ta. A thua ne nuk e dinim këtë dhe, mbi të gjitha, Presidenti e mësoi pikërisht tani këtë fakt dhe na e dha si sihariq politik. Gjithashtu, Presidenti Topi kujtoi se politika do të tronditet po të hapen dosjet dhe me këtë veprim ai kërkon vërtet ta tronditë politikën, duke nënkuptuar PD dhe skalionin e vjetër të PS. Sipas një deduksioni logjik, Topi, me këtë veprim, kërkon ta shkundë dhe pastrojë politikën ekzistuese për t’i hapur rrugë partisë së tij, d.m.th., politikës së pastër. Pra, Topi kërkon të futet në garën e politikës me partinë e tij jo duke konkurruar me ide, platforma dhe alternativa zhvillimi, por duke shpresuar të shkatërrojë të tjerët dhe t’u zërë vendin. Fiks mentaliteti i tërë klasës politike shqiptare, qëkurse turqit larguan taborët nga ky vend një shekull më parë.
Zogu me Nolin nuk garuan, por luftuan me ushtri dhe fitoi ai që kishte më shumë ushtarë. Enveri po ua bëri gropën të gjithëve, ndërsa Berisha e nisi duke futur Nanon në burg dhe vazhdoi duke përzënë nga partia ata që ngrinin krye.
Historia jonë deri tani nuk na tregon se garën e fiton ai që ofron zgjidhjet më të mira për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë. Historia jonë nuk na tregon se pushteti mund të merret duke bindur njerëzit se alternativa ime është më e mirë, por se ai tjetri është maskara, hajdut, spiun, batakçi etj. Me pak fjalë, politika dhe rruga drejt pushtetit nuk kuptohet si një garë idesh dhe alternativash, por një betejë për t’ia grabitur e rrëmbyer atij që e ka, si një betejë për ta rrëzuar atë që është në pushtet me çdo mënyrë e mjet. Pra, nuk thuhet “do të fitoj”, por “do t’ia marr” atij që e ka.
Por çfarë na nevojitet sot ne shqiptarëve? Ta zëmë se më në fund e mësuam se kush kanë qenë spiunët e Sigurimit (edhe pse shumicën tashmë i kemi mësuar pak e nga pak). Ja ikën edhe disa deputetë ish-komunistë dhe u zëvendësuan me kastën e batakçinjve të rinj, jo komunistë. Ja të zëmë se me hapjen e dosjeve e detyruam edhe Berishën të lërë qeverisjen. Po pastaj? A është ky triumfi i shqiptarëve? Mund të jetë i Bamir Topit, por pa dyshim jo i atyre që nuk pëlqejnë qeverisjen e Berishës. Unë besoj se ka mjaftueshëm shqiptarë sot të pakënaqur nga qeverisja e Berishës, por askush të mos mendojë që ata mezi po presim të shikojnë Bamir Topin në krye të qeverisë. Ata nuk e pëlqejnë qeverisjen e Berishës jo sepse Berisha ka qenë anëtar i PPSH që nga viti 1968, por sepse qeveria e tij është e korruptuar dhe nuk po ofron vizione të reja për zhvillimin e vendit. Shumë shqiptarë nuk e preferojnë këtë klasë politike jo sepse ajo ka në gjirin e saj ish-sigurimsa, por sepse ajo është e përfshirë natë e ditë në një betejë të ashpër për të mbajtur e marrë pushtetin, duke e trajtuar atë si plaçkë, si trofe që merret, mbahet e rrëmbehet ku me votë, ku me vjedhje e ku me dhunë.
Me pak fjalë, ne shqiptarët jemi të etur për një formacion të ri politik, një formacion i cili të mos ketë në program rrëzimin e Sali Berishës, por ofrimin e një alternative qeverisjeje më të mirë se kjo e Sali Berishës. Ne nuk dëshirojmë të rrëzojmë Berishën e të hipim në fron Topin apo Ramën. Ne kemi nevojë të zëvendësojmë një qeverisje të keqe me një më të mirë dhe për këtë duam të dimë se kush e ofron më të mirën. Formula që po ofrojnë njerëzit e Topit deri tani është po aq qesharake sa e një lëvizjeje të re, që në tubime nuk flet për alternativa zhvillimi, por kërkon mbështetjen e turmave duke bërtitur se Berisha është serb, ndërsa ne të tjerët kemi gjak shqiptari dhe për këtë duhet të jemi të lumtur e krenarë.
Karta e antikomunizmit është shtrydhur nga Berisha kaq shumë, sa nuk i ka mbetur më pikë lëngu. Të mos harrojmë se ka 22 vjet që është rrëzuar komunizmi. Ka një brez shqiptarësh sot që as e kanë jetuar dhe as duan t’ia dinë se çfarë është komunizmi. Ka një brez shqiptarësh sot që i kanë shërbyer komunizmit, por janë plakur dhe shumicën prej tyre i ka zënë skleroza e as që e mbajnë mend se ç’ka qenë komunizmi. Ka një brez shqiptarësh që e kanë jetuar dhe vuajtur komunizmin, por sot nuk kanë nevojë për të mësuar emrat e komunistëve, por të mësojnë se ku do të shkojë ky vend pas pesë, dhjetë a njëzet vjetësh. Ka një brez shqiptarësh që vuajtën burgjeve nën diktaturë, por më shumë se për emrat e spiunëve, ata kanë nevojë për punë, para dhe drejtësi sociale.
Nëse Topi kërkon realisht të futet në këtë valle, ai duhet të mbledhë ca njerëz të mençur që të ulen të mendojnë se çfarë do t’u ofrojnë shqiptarëve. Si do ta drejtojnë ata arsimin, shëndetësinë, si do ta shpëtojnë mjedisin, tokën, pyjet, ç’do të bëjnë me Drejtësinë e korruptuar, të cilën Topi edhe e drejton, ç’do të bëjnë me turizmin, ç’do të bëjnë me plagët e mëdha sociale që sot janë duke shpërthyer, ç’do të bëjnë me ekonominë që me gjithë euforitë, do të bjerë në recesion….
“Të ikë Berisha se është komunist”, nuk është alternativë. Nëse Topi ka vendosur të bëjë një parti me inatçorët e Berishës për inat të Berishës dhe shpreson se do të marrë pushtetin duke sharë Berishën, të mos harxhojmë kot letër për të shkruar e kohë për të lexuar.