Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Radha e Gjykatës Administrative

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Radha e Gjykatës Administrative

1. Kuvendi do të shqyrtojë këtë javë ligjin e njohur me emërtimin e shkurtuar “Për Gjykatën Administrative” Impulsin fillestar ideja e gjykatave administrative e mori në shkurt 2008, në prag të ftesës për anëtarësim në NATO, kur mazhoranca dhe opozita hartuan dhe miratuan së bashku ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor. Pas katër vitesh po përjetojmë një tjetër moment konvergjence politike, momente këto që premtojnë punë të përbashkët dhe rezultate në dobi të interesit publik. Opozita la pas qasjen ekstremiste e destruktive dhe po i afrohet me ca luhatje nivelit konstruktiv të opozitarizimit.

2. Pasi ndoqa për dymbëdhjetë orë rresht procesin konkurrues për Avokatin e Popullit në dhjetor e nga i cili nuk dola i zhgënjyer, të enjten që shkoi, i ftuar nga organizatorët, mora pjesë në takimin konsultues e përmbyllës të opozitës me grupet e interesit dhe ekspertë të fushës lidhur me projektligjin e gjykatave administrative. Aktivitet serioz, pjesëmarrje e gjerë – prezent gjysma e mendjes juridike të vendit – diskutime dhe konkluzione të thelluara e të ekuilibruara. Gjithçka tregon për njëmendje mbi tri cilësitë bazë të sistemit të ri të gjykimit të konflikteve administrative, që propozohen nga projektligji.

3. Barra e provës për aktet e pakërkuara do të kalojë tek organi administrativ. Në çdo rast të vendosjes së një gjobe, rivlerësimi tatimor, pezullimit të një veprimtarie, revokimit të një licence a leje, sekuestrimi, konfiskimi a raste të tjera aktesh e veprimesh administrative të natyrës ndëshkuese mbi qytetarët a bizneset do të jetë administrata që do të përpiqet të bindë gjykatën, me prova, fakte dhe arsyetim ligjor, për drejtësinë e aktit të saj. Një përmbysje e këtillë do të rrisë me herë mundësinë e rrëzimit të padrejtësisë së administratës.

4. Procesi i gjykimit do të jetë i shpejtë, si rregull jo më shumë se 30 ditë, përmes një procedure me hapa të saktë, të qartë, të thjeshtë e me afate fikse që nga dorëzimi i ankimit deri të marrja e vendimit. Procedura e shpejtë ndihmohet edhe nga qartësimi i termave, rregullat për njoftimet, zhvillimi i seancave edhe pa praninë e palëve e bazuar në dokumente, qartësimet mbi masat për sigurimin e padisë, rolin e eksperteve, rregullime të tjera specifike e deri tek përdorimi i teknologjisë së informacionit e komunikimit.

5. Kompetencat vendimmarrëse të gjykatës administrative i japin jetë një roli më aktiv e më të fuqishëm të saj në raport me organin administrativ. Projektligji propozon eksplorimin përtej kufirit klasik të shqyrtimit të ligjshmërisë dhe i jep gjykatës kompetencën që të marrë vendime që, në një farë mase, “zëvendësojnë” organin administrativ duke rritur sa shpejtësinë, aq edhe sigurinë në vendosjen e drejtësisë dhe ekzekutimin e saj qoftë edhe me mjete detyruese e ndëshkuese kundër zyrtarëve pengues. Shkurt, gjykatave administrative shqiptare u jepet fuqi sipas modeleve më të avancuara të simotrave europiane.

6. Cilësitë e mësipërme të projektligjit mund të përmirësohen përmes saktësimeve e qartësimeve teknike në nene të veçanta. Paketa e sugjerimeve të një ekipi të dytë ekspertësh që u mobilizua në mars 2010 nga një grup donatoresh, ofron mundësi për kësi përmirësimesh procedurale. Pjesëmarrësit në takimin opozitar mbështetën vlerat pozitive të procedurës së propozuar nga projektligji – mbështetje që u deklarua edhe nga z. Subashi në vlerësimet e tij në emër të deputetëve socialistë në Komisionin e Ligjeve – ndërsa ngritën disa shqetësime në veçanti për numrin e gjykatave e shtrirjen e tyre në territor, si dhe për cilësitë profesionale dhe integritetin moral të gjyqtarëve administrativë.

7. Çështjet lidhur me shtrirjen territoriale dhe numrin e gjykatave, natyrshëm që mbeten ende të diskutueshme. Projektligji propozon të paktën gjashtë gjykata administrative të Shkallës së Parë dhe vetëm një gjykatë të Apelit. Ky është një hap centralizues krahasuar me gjendjen aktuale, ku çështjet administrative gjykohen në shtatëmbëdhjetë gjykata të Shkallës së Parë me seksione administrative dhe gjashtë gjykata Apeli. Qëllimi i centralizimit është arritja e masës kritike të rasteve gjyqësore, që lejojnë një trupë me një numër mbikritik gjyqtarësh, një ngarkesë të mjaftueshme pune për gjyqtar, mundësinë e specializimit dhe minimizimin e ndikimit të lidhjeve të ndryshme të interesave në lokalitete të vogla.

8. Për pasojë, distancat gjeografike do të rriten. Shqetësimi i rritjes se distancës për qytetarët dhe bizneset, pra edhe e kostos oportune të aksesit, është legjitim. Pyetjet që shtrohen nga opozita janë me vend. Rritja e numrit të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit është një nga zgjidhjet e mundshme, por me efektin e kundërt mbi mundësitë për specializimin e gjyqtarëve për shkak të numrit gjithnjë e më të vogël të rasteve për gjyqtar dhe/ose të numrit të gjyqtarëve për gjykate. Ndaj, do të ishte e udhës që diskutimet të mundësojnë një zgjidhje që eviton lidhjen e kundërt ose, të paktën, e optimizon atë.

9. Në fakt, një nga variantet e shqyrtuara ka qenë ngritja e vetëm një gjykate të Shkallës së Parë për të gjithë territorin e vendit dhe natyrisht edhe të vetëm një gjykate Apeli. Duket sikur distancat rriten ndjeshëm. Iluzion. Një gjykatë e vetme me seli qendrore në Tiranë edhe me disa mjedise në disa qytete të tjera – teorikisht po aq sa gjykata do të duam të kemi – si dhe gjyqtarë pjesërisht të fiksuar në territor e pjesërisht lëvizës sipas nevojës, e zgjidh njësoj çështjen e distancës, por me avantazhin që do të kemi vetëm një trupë gjyqësore kompakte, një kryetar, një shërbim kancelarie, evitohen mosmarrëveshjet për juridiksionin territorial dhe sigurohet një shkallë më e lartë e njëtrajtësisë së vendimeve për çështje të ngjashme.

10. Tek e fundit, çështjet organizative janë operative e menaxheriale e, për pasojë, rregullimet e drejtpërdrejta në ligj duhet të jenë sa më elastike, duke ia lënë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Presidentit vendimin për shpërndarjen gjeografike të gjykatave bazuar në analiza statistikore të numrit të rasteve në kohë dhe hapësirë e që kështu, në mënyrë dinamike, do të mund të optimizoheshin raportet e kundërta mes distancës dhe numrit të rasteve ankimore për çdo gjykatë. Gjykatës që “vrasin miza” të shumtën e vitit, nuk do t’i duheshin kujt.

11. Ngritja apo jo e një kolegji administrativ në Gjykatën e Lartë, tjetër çështje e ngritur, është vendim që duhet bazuar në statistikë. Sa më pak raste ankimore, aq më pak bën kuptim një tjetër ndarje e specializuar në Gjykatën e Lartë dhe anasjelltas. Për më tepër, zhvillimi i duhur e i pritshëm është rënia e shkallës së ankimeve dhe pranimeve nga kjo gjykatë. Ndaj, ndoshta është më mirë t’ia lëmë kohës vendimin për këtë çështje. Profesionalizmi dhe integriteti i gjyqtarëve administrative është një tjetër çështje e rëndësishme. Por, çfarëdo të bëjmë, ligji ynë, derivat i ligjit parësor për organizimin e pushtetit gjyqësor, s’mund as ta shterojë këtë çështje dhe as s’ka pse të krijojë procedura e standarde thelbësisht të ndryshme nga ai për gjyqtarët e tjerë. Duam apo s’duam, janë Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti që kanë kompetencën dhe përgjegjësinë kushtetuese të sigurojnë profesionalizëm dhe integritet të gjyqtarëve të të gjitha degëve gjyqësore – penale, civile dhe administrative – përmes kritereve e procedurave transparente e konkurruese në emërim, vlerësim e karrierë.

12. Opozita i dha jetë fazës së fundit konsultuese për projektligjin e gjykatave administrative. U bënë katër vite që diskutojmë për këtë reformë. Kushdo që ka pasur diçka për të thënë, ka pasur të gjitha mundësitë të shprehet. Komisioni i Ligjeve, pjesa më e madhe e anëtarëve të të cilit janë edhe ndër juristët më të mirë të vendit, ka aftësinë, mobilizimin, tashmë edhe atmosferën e përshtatshme për të filtruar sugjerimet dhe për të adaptuar ato dhe vetëm ato ndryshime që e përmirësojnë projektin fillestar. Kam besim të plotë që do të zbatohet këshilla e urtë e Esat Stavilecit, ekspertit të mirënjohur kosovar, i ftuar nga opozita në takimin e saj të së enjtes, që po e sjell në vëmendje të lexuesit: “Shqipëria duhet t’i thotë PO ligjit për Gjykatën Administrative. Sugjerimet nuk duhet të bëhen pengesë për miratimin e ligjit…”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama