Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjenerale permbys

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Gjenerale permbys

Gjyqit të Gërdecit me ç’duket po i vihet përsipër një gur i rëndë, për të cilin kush më shumë e kush më pak, kontribuuan të gjithë ata që paguhen për të bërë të kundërtën e asaj që bënë. Megjithatë, herë pas here, ndonjë bisht a bishtuk mbetet jashtë, sa për të na e kujtuar se ka bërë vaki.

Nga mediat mësuam se ish-gjenerali shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai që ishte në gjyq për Gërdecin, paska ikur me gjithë familje nga Shqipëria që përpara se gjykata të jepte vendimin për të. Arsyetimi i tij ishte i thjeshtë: Plani A, nëse gjykata më nxjerr të pafajshëm, kthehem e jap intervista që drejtësia u vu në vend; ndërsa Plani B, nëse më nxjerrin fajtor, u lë dopjo gjashtën, iki në Amerikë dhe hajt mirupafshim! Gjykata, nga ana e saj, kur pa që ky s’ishte aty, për të mos i nxjerrë të gjithë pa lagur, i dha këtij ca vite virtuale burg dhe kështu u vu në lëvizje Plani B.

Po mirë se ky gjenerali iku dhe, kështu i zgjidhi hallet e veta, po ne që ndenjëm këtu, kush do të na i zgjidhë hallet? Mirë se ai, duke ikur me gjithë familje në Amerikë, i sistemoi edhe kalamajtë e vet, po kalamajtë e mi dhe të shqiptarëve të tjerë, si do rregullohen? Mos duhet që secili nga ne të bëjë Gërdecin e vet, që të mund të sistemojë jetën e kalamajve të vet? Mirë se ai i rregulloi të ardhmen e kalamajve të vet, por a e mendoi për ndonjë çast se e ardhmja që u siguroi atyre u mbështet mbi gjakun dhe mishrat e copëtuara të kalamajve që u vranë në Gërdec? Po të mos kish ngjarë Gërdeci, fëmijët e tij do e bënin shkollën këtu në Tiranë si gjithë të tjerët; por ja që Gërdeci ngjau dhe kështu fëmijëve të tij u ra bixha e do e vazhdojnë shkollën në Amerikë! Hej, ç’fat kanë ca e ca, kanë lerë me këmishë! Po turpi që i mbeti Shqipërisë? Apo, hik ore pir... me gjithë Shqipëri!

Shqipëria në historinë e saj që prej vitit 1912, ka pasur lart nga 60 gjeneralë, sa me një, me dy, me tri, madje edhe me katër yje. E pra midis tyre, në këta 100 vjet, nuk gjen asnjë që të ketë rënë në krye të detyrës. A kish gjasë që këtë rekord ta thyente ky i fundit, që iku me gjithë familje në Amerikë. Gjen midis atyre të gjashtëdhjetëve të atillë që ia kanë mbathur, që kanë dezertuar, që janë degraduar, që kanë dhënë dorëheqjen, që kanë rënë në burg kur prisnin t’i dekoronin, që kanë ikur nga sytë këmbët, por s’gjen asnjë që t’i ketë dalë ballazi rrezikut dhe t’i thosh vdekjes, burgut a plumbit, ja ku jam, eja më merr. Në fakt, më duket se u gabova. Kemi pasur një, po një të vetëm ama, që i doli rrezikut ballas në krye të detyrës dhe u vra. Ka pas qenë gjeneral Gjilardi (Leon de Gilardy) që u vra më 1935-n në krye të detyrës në Kryengritjen e Fierit. I huaj, ardhur në Shqipëri që më 1916-n, e vazhdoi karrierën në atdheun e ri, për nderin e ushtarakut të të cilit edhe u vra.

Ndoshta po kërkoj ca si shumë që gjeneralët e këtij vendi t’i vënë gjoksin detyrës deri në vetëmohim. Ndoshta do ulur ca shënjestra ndër kolonelë. E pra, kolonelë në këta 100 vjet, ushtria shqiptare ka pasur me qindra e qindra. Mirëpo si u mendova, edhe ndër ta nuk gjen asnjë që të jetë vrarë në krye të detyrës. Apo prapë gabova më duket. Ka qenë vrarë një i vetëm më 1914-n në Durrës. Thomson e thoshin. Ai për të cilin Noli këndoi:

“Te ura te ura, vajtoni o burra
Thomsonin e ngratë që ju vetë e vratë
që erdhi së largu të vdiste për ne
për ju të mallkuar që s’kini atdhe!”.

Përfundim i trishtë ky që më doli se, në 100 vjet shtet, ndër qindra gjeneralë e kolonelë që ky vend i ka mbajtur me bukë e rroga, me ndere e grada, me medalje në gjoks e yje në paleta, të vetmit që kanë rënë në fushën e luftës për të, janë dy të huaj.

Ndoshta e rëndova ca si shumë dorën në kurriz të këtij gjeneralit të pafat më nj’anë, e fatshumë m’anë tjetër. Ndoshta nuk ia vlen që të bësh heroin në këtë vend kur e di që s’do të ta dijë njeri. Ndoshta nuk ia vlen të bësh heroin në një vend ku heronjve nuk u dihet varri, i nxjerrin nga varri, apo i lënë pa varr. Meqë ra llafi, edhe monumentin e Thomsonit në Durrës e kemi prishur, edhe varrin e Gjilardit në Petrelë e kemi shkatërruar.

Ndoshta nuk ia vlen të japësh jetën për një medalje nga ato që dolën te “Fiks-Fare” se ishin bërë me varëse çelësash turke, që të vidhej tenderi. Zor të gjendet vend tjetër në planét, ku vidhet edhe tenderi i medaljeve. Dhe pastaj është normale që të na pëlqejnë nderet e të huajve përpara ndereve të vendit. I kini parë shqiptarët si kapardisen kur marrin ndonjë medalje prej të huajve dhe, se si i mbajnë si teneqeçka pa vlerë, kur marrin medalje prej vendit të tyre?

Po a ia vlen të japësh jetën për këtë medalje që do të ta vërë mbi varr ai që, me letra quhet Presidenti i Republikës, ndërsa Kryeministri i mëmëdheut e quan “horr bulevardi”.

Për kë ia vlen të sakrifikohesh në këtë vend? Ndoshta vetëm për b... tënde dhe për fëmijët e tu. E pra tamam kjo ishte ç’ka bëri ai gjenerali. Atëherë, ç’dreqin kam që i bie në qafë?

Apo ndoshta ia vlen të sakrifikohesh të paktën për kujtimin e etërve të kombit, për ata që e bënë Shqipërinë. Por ndoshta as për ata nuk ia vlen. Shqipërinë e kish bërë Zoti, atë duhej ta bënin shqiptarët dhe në këtë punë dështuan.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama