Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

PS, një vetëvrasje e paralajmëruar

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
PS, një vetëvrasje e paralajmëruar

Në verën e nxehtë të vitit 2009, kur ishte i shokuar nga rezultati i devijuar i zgjedhjeve të përgjithshme, Edi Rama shprehej shpesh se i vetmi gabim i tij në fushatë, kishte qenë se kishte neglizhuar “trenin e Berishës”. E kishte fjalën për rreshtin e partive që Kryeministri u kujdes të përfshinte në bllokun e tij elektoral, të cilat me pak mijërat, ose edhe me disa qindra votat e tyre, i dhanë atij pushtetin, në një garë që mbaroi në fotofinish. Natyrisht edhe me katër mandatet “e arta” të LSI-së, njëra ndër ato parti që Edi Rama refuzoi ta ftonte në koalicion, i nxitur edhe nga disa prej atyre bashkëpunëtorëve të cilët sot e kritikojnë nga maja e Olimpit.

Leximi i Ramës ishte i saktë. Prurjet e vogla të partive minore, duke konverguar në panelin qeveritar, kishin krijuar atë fluks numrash që siguruan fitoren. Përtej faktit se fushata e atëhershme e Ramës ishte defektoze në disa aspekte, paaftësia për të krijuar një front opozitar ishte një ndër shkaqet që çoi në atë humbje.

Sot, tre vjet më vonë, shumë ujë ka rrjedhur nën ura, por mesa duket shumëçka është si më parë. Prej disa ditësh, PS dhe partitë e saj aleate po përplasen, sërish për mungesën e vullnetit të socialistëve për të ngritur në këmbë një aleancë të gjerë elektorale. Dhe cili është shkaku i kësaj situate të re? Nuk na lejon Berisha të ndryshojmë sistemin, thotë kreu i opozitës! Një alibi e vjetër dhe e re, acaruese për veshët opozitarë si më parë dhe çarmatosëse më shumë se më parë.

Po çfarë ka bërë ndonjëherë me dëshirë zoti Berisha, lind natyrshëm pyetja. Ka shumë qëndrime, ide, veprime dhe aspekte të botëkuptimit e të sjelljes politike, që e ndajnë sot Edi Ramën nga Sali Berisha. Kreu i opozitës mendon shumë ndryshe nga Kryeministri, e kjo është pjesë e normalitetit demokratik. Përndryshe nuk do të kishte nevojë as për garë, e as për sfidantë. Ndryshe mendon Rama (të paktën kështu duhet të shpresohet) nga Berisha, edhe për reformën zgjedhore. Kështu deklaroi ai së fundi, në mos e pastë bërë për të larë gojën faqe miletit. Por ai s’ka pse u përplas derën në fytyrë aleatëve të tij, të majtë e të djathtë, meqë nuk arrika të imponohet në tryezën ku aktualisht po debatohet për zgjedhjet e reja. Nëse Edi Rama do të dalë i squllët nga kjo përballje, nëse ai s’do të ketë indin e duhur të politikanit që nuk konformohet, por që ngul këmbë për idetë e tij, atëherë le ta thotë hapur dhe publikisht se po e fut edhe një herë partinë e tij në një spirale të ngjashme me atë të tre vjetëve më parë.

Po të pyesësh sot atë pjesë të përfaqësimit politik në PS, e cila i përmbahet linjës zyrtare të kryetarit të partisë, të thonë thatë dhe prerë se opozita është duke bërë gjënë e duhur. Edhe një herë, si para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, kur ky refren përsëritej rregullisht përballë çdo kritike sado të vogël, publike apo të mbyllur, kjo shtresë burokratësh opozitarë kanë formalisht të drejtë. Arsyeja është thjeshtë: ende nuk kanë humbur për herë të dytë në zgjedhje! Por a duhet pritur që PS t’i humbë sërish zgjedhjet, përballë një shumice të rrënuar moralisht dhe të korruptuar thellë e në konflikt të hapur me ligjin?! Vështirë se përgjigjja mund të jetë afirmative.

Por a është thjesht dhe vetëm aleanca transparente dhe e ndershme me të vegjlit, rruga për të fituar përballë Berishës më 2013-n? Aspak jo. Establishmenti opozitar po i gëzohet shumë së fundi hapave teknikë që janë hedhur në drejtim të zgjedhjeve, numërimit elektronik dhe aspekteve të tjera të pritshme. Normale, për aq sa këto hapa kanë realisht vlerë në drejtpeshimin dhe objektivitetin e zgjedhjeve. Por, duke anashkaluar vetë sistemin zgjedhor, zemrekun e vërtetë të ndarjes së votave mes rreshtimeve, duke përmendur rrallë e për mall një institucion skandaloz si KQZ (e cila edhe këto orë po kontribuon për t’i mbajtur peng një mandat opozitës), duke qëndruar thuajse pasivë prej vitesh, ndaj një TVSH-je publike thjesht skandaloze, socialistët dhe kryetari i tyre i mbyllur brenda hapësirës klaustrofobike të 140 germave të “Twitter”-it, po sillen totalisht si në fillim të vitit 2009, kur i thoshin së gjithë botës se Berisha kishte mbaruar dhe se zgjedhjet ishin thjesht një formalitet.

Sot, opozita e madhe ka shumë merak për mandatet “personale” që po reklamojnë krerët e opozitës së vogël. E kanë bërë këtë edhe në zgjedhjet e shkuara, kur numëronin gjithë ditën mandatet që do t’u merrte Ilir Meta në tryezë, si kusht për t’u futur së bashku në zgjedhje. E ndërsa kjo e dyta është një histori e mbyllur dhe një faturë e dhimbshme që po paguhet përditë, e para, pra mandatet e përfolura të Gjinushit, Milos, Ngjelës e disa krerëve të tjerë partiakë, janë jo thjesht një çështje meskine komoditeti personal. Të gjithë zotërinjtë e mësipërm dhe të tjerë si ata, janë ndoshta shumë më të vlefshëm dhe më të mençur se një pjesë e mirë opozitës së sotme parlamentare. Megjithatë nuk është ky problemi. Çështja është tek e ardhmja e afërt, e jo tek e tashmja defektoze.

Përvoja shumë e freskët e verës 2009 ka treguar se ky sistem, që Rama na thotë se nuk po e lë Berisha ta ndryshojë, i shpërfill çdo qasje të pjesshme ndaj fushatës dhe ndaj vetë garës elektorale. Nëse ke siguruar numërimin elektronik, duhet me patjetër të ngulmosh për KQZ apo procesin e certifikimit të votuesve. Nëse ke ndërtuar një program zgjedhor sfidues dhe performant, duhet padyshim që të ndërtosh edhe një strategji dhe taktikë elektorale që të koagulojë sa më shumë konsensus rreth këtij programi. Duket prej vitesh sikur PS vazhdon të bjerë në një kurth vetëkënaqësie, duke iu përmbajtur kryesisht parimit “bëmë atë që mundëm, më shumë s’bëhet”!

Në zgjedhjet e vitit 2013, Edi Ramës i duhet një panel opozitar fitimtar. Ky është leksioni i hidhur që ai tha se e mësoi tre vjet më parë, por që ndoshta mund ta ketë harruar rrugës për në zgjedhjet e ardhshme. Sugjerimet didaktike dhe të përgjithshme, si ato të “kontratës me qytetarët”, i kemi parë të vëna në skenë në fushatën e shkuar, ku PS shpresoi të fitojë si frymë, më shumë sesa si projekt konkret dhe si panel i organizuar opozitar që mësyn pushtetin. Duket mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar, bazuar në këtë eksperiencë të freskët, se përballë një mazhorance që vepron më së shumti mbi shpresën e blerjes, sugjestionimit dhe devijimit të votës, krahas programit për “kastravecin e detit”, siç citoi një deputet i opozitës dy ditë më parë, duhet një strukturë dhe një infrastrukturë, e cila s’mund të tolerojë kurrsesi asnjë rrjedhje vote. E nëse mendohet edhe një herë se të vegjlit nuk sjellin vota por telashe, atëherë në PS s’paskan kuptuar asgjë për zgjedhjet e ardhshme!

Ka dy dekada që PS sillet e kompleksuar përballë Berishës. Në të gjitha tryezat, në të gjitha raportet e mundshme të të qenit në pushtet apo në opozitë. Rregullisht e majta ka lëshuar rrugë. U kujtua se me Edi Ramën, një politikan i ri që nuk kishte kompleksin dhe konsumin e paraardhësve të tij, ky trend do të ndryshonte një herë e mirë. Mesa po shohim, pakgjë ka lëvizur nga vendi, për të mos thënë asgjë. Viti 2013 është një moment tejet delikat, për të mos thënë final dhe përmbyllës për lidershipin aktual të opozitës. Nëse nuk mësohet një herë e mirë nga politika e çedimit permanent, gabimet do të kthehen gradualisht në faje dhe fajet do të jenë të pakorrigjueshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama