Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zhurma e madhe e partive te vogla

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Zhurma e madhe e partive te vogla

Nuk është sekret tanimë të thuhet, se sistemi elektoral që duan të adaptojnë dy partitë e mëdha, synon të nxjerrë jashtë loje të gjitha partitë e vogla (duke përjashtuar PBDNJ-në, për të cilën, duke qenë se përfaqëson pakicat greke, mund e duhet të gjendet një formulë shpëtimtare). Ngado e sido që t‘i shohësh, këto përpjekje nuk kanë të sharë. Nuk kemi asnjë arsye për t‘u qarë hallin partive të vogla apo për t‘u solidarizuar me zhurmën e tyre. Partitë e vogla nuk kanë sjellë asgjë të hairit në skenën politike shqiptare. Është shpresuar e besuar për një kohë të gjatë, se ato, qofshin në opozitë, qofshin në pushtet, do të luanin një rol të rëndësishëm në korrektimin e trajektoreve politike të partive të mëdha të tërhequra zvarrë prej leader-ëve të tyre përgjithësisht të prapë, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Këto parti kanë lindur të vogla e kanë mbetur të vogla, e në asnjë rrethanë nuk kanë dëshmuar as forcën e as dëshirën për të rritur peshën e tyre elektorale e politike. Përveç kësaj, ato kurrë nuk kanë afirmuar e deklaruar një mision a një identitet të tyren, gjë që në këto kushte do të na bënte ne të tjerëve t‘i merrnim në mbrojtje si bartëse e shprehëse të ca kredove, ca qëllimeve e ca ideve të shëndetshme, s‘ka gjë se këto të fundit nuk ndjellin mbështetje popullore. Dhe e vërteta është, se ndodh shpesh në politikë që, në këmbim të ndershmërisë morale e intelektuale, të marrësh pak apo aspak mbështetje. Por ky nuk është rasti i partive të vogla shqiptare, të cilat nuk janë gjë tjetër, veçse ca banda të vogla klienteliste apo ca klube nepotike, ku anëtarët e thjeshtë japin mbështetje në këmbim të premtimit për një vend pune apo për favore të tjera jo legale e ku kryetari i premton e i jep këto të fundit në funksion të forcimit apo përjetësimit të pozitave në krye partisë.

Lind pyetja: A mos vallë partitë e mëdha janë ndryshe? Hm, nuk e kam fare të vështirë të bie dakord me faktin, që edhe në leadership-et e partive të mëdha nuk gjallon asnjë lloj ideali e asnjë lloj meraku për interesin publik, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, por nuk mund të mos theksoj më shumë se një diferencë. Janë me mijëra shqiptarët, të cilët japin mbështetje në favor të PD-së/PS-së, respektivisht Sali Berishës/ Edi Ramës, pa e lidhur këtë mbështetje me ndonjë interes apo shpresë përfitimi në planin individual. Është fjala për militantët pra, të cilët mund të jenë mësues, pedagogë, ushtarakë, gazetarë, bujq, fermerë, gjykatës, ish të persekutuar, ish-komunistë, të papunë, sipërmarrës, emigrantë, studentë etj, etj. Në tentativën për të kuptuar e shpjeguar sjelljen politike të këtyre njerëzve, bën vaki që mund të befasohemi prej padijes së tyre apo prej qasjes thjesht e vetëm emocionale, por në themel të këtij rreshtimi amá nuk do të gjejmë asnjë merak apo shpresë për t‘u shpërblyer prej këtij rreshtimi. Ka plot njerëz pra (quajini budallenj e të marrë, po të doni), të cilët janë të lidhur emocionalisht e emotivisht me PD-në e PS-në, e të cilët janë të bindur se Sali Berisha apo Edi Rama (deri dje Fatos Nano) janë njerëzit e duhur për të drejtuar Shqipërinë. E kundërta ndodh me partitë e vogla. Unë do të shock-ohesha, nëse do të më ndalonte dikush në rrugë e do të më thosh: "Ja, unë jam ai që i jap votën pa asnjë interes Fatmir Mediut, Genc Pollos, Lefter Xhuvelit, Nard Ndokës, Paskal Milos, Skënder Gjinushit, Neritan Cekës etj. Ua jap votën, ngaqë besoj te ta e te partia e tyre". Le ta themi troç: nuk ka asnjë shqiptar të tillë.

Ka edhe një diferencë të dytë. Partitë e mëdha, janë si janë, kanë në fund të fundit një legjitimitet çarmatosës, që u vjen prej qindra mijëra mbështetësve anembanë vendit, nga Vermoshi në Konispol. Mund t‘u veshim atyre të gjitha të këqijat e botës, por asnjë hesap nuk mund të bëhet pa to. Mund të na bëjnë të këqijat e botës (në një farë mënyre na i kanë bërë), por mbështetja popullore, jo vetëm e bën legjitime çdo prapësi të tyre, por na i sjell këto prapësi si vepra tonat kolektive. Mund të kërkojmë edhe zhbërjen për fare të tyre, por nuk kemi asnjë mjet për ta realizuar këtë, pasi ato janë praktikisht në komandë të gjërave. Por edhe sikur ta kishim në dorë këtë mjet çudibërës, nuk do të ishte e këshillueshme të realizohej zhbërja e tyre aty për aty, pasi boshllëku politik që do të rezultonte, do të ishte i frikshëm. Shkurt, partitë e mëdha mund të na shndërrohen në një barrë mezi të përballueshme, por duhet të mësohemi me faktin që kjo është një barrë fiziologjike e vetë sistemit.

Ndërsa barra e partive të vogla - këtu jemi te diferenca e tretë - nuk është barrë prej sistemit, por është barrë mbi sistemin. Kështu si janë (e theksoj këtë gjë: kështu si janë. Pak më poshtë do të dalë i qartë meraku për ta bërë këtë theksim), nëse lejohen të ekzistojnë e të funksionojnë, ato thjesht na komplikojnë gjërat; nëse ato fshihen nga faqja e dheut, nuk na ndodh asgjë e keqe (në rastin më të keq).

* * * * *

Një syri të vëmendshëm mund të mos i ketë shpëtuar fakti, që më sipër nuk është përmendur në asnjë rast LSI-ja. Nuk është e rastësishme, pasi LSI-ja është tanimë një realitet i ndërmjetëm. Nuk është parti e madhe, por nuk është as e vogël. Në këtë kuptim, çdo sistem elektoral që do të synonte të mbante në skenë veç PD-në e PS-në, do ta penalizonte me pa të drejtë LSI-në, e cila i është imponuar në mënyrë përshtypjelënëse realitetit politik shqiptar. Në harkun e disa muajve, ia doli mbanë të shndërrohej në një faktor të rëndësishëm politik (meqë ra fjala, edhe tek elektorati i LSI-së gjen disa njerëz, të cilët besojnë verbërisht qoftë tek partia, qoftë te leader-i i saj. Nuk janë shumë, por janë amá).

Sipas meje, LSI-ja nuk e ka merituar e nuk meriton këtë mbështetje, pasi, ashtu si partitë e tjera të vogla, nuk përfaqëson politikisht ndonjë gjë kushedi se çfarë (programi i tyre maksimal është të bëjnë Kryeministër Ilir Metën); por nga ana tjetër, ashtu si partitë e mëdha, LSI-ja, duam s‘duam, është aty. Të gjitha partitë e tjera të vogla mund të injorohen, ndërsa LSI-ja jo. Nuk mund të injorohet, jo vetëm se nuk është e drejtë, por edhe se nuk është e mundur. Dhe ja, ajo ka filluar të mobilizohet e të mobilizojë, me synimin për ta penguar këtë tentativë të dy partive të mëdha.

Le të ndalemi këtu. Çfarë thotë LSI-ja? Thotë se - po lëmë mënjanë zhurmën e saj në favor të listave të hapura, pasi të gjithë e dinë tanimë që këto lloj listash nuk bëjnë gjë tjetër, veçse promovojnë politikisht rrugaçë e banditë lagjesh e fshatrash - është kundër adaptimit të sistemit elektoral spanjoll, i cili, nëpërmjet mekanizimit të pragut elektoral të lëvizshëm, nuk e lejon atë qoftë për të mbajtur ato nivele përfaqësimi parlamentar që ka sot, qoftë për t‘i rritur këto nivele përfaqësimi (pragu elektoral është i ndryshëm nga rajoni në rajon, dhe kështu i bie që në shumicën e rajoneve, për shkak të pragut elektoral të pakapërcyeshëm, LSI-ja të mbetet e papërfaqësuar). Duhet thënë se LSI-ja ka gjithë të drejtën për të mbrojtur në këtë debat interesat e veta, por këtë nuk duhet ta bëjë duke thënë të pavërteta. E para, varianti spanjoll, d.m.th sistemi proporcional rajonal, nuk është një sistem që rrezikon ndarje e fragmentarizim të territorit nacional; përkundrazi, ky sistem na heq nga sytë atë hartën e shpifur e të pasaktë elektorale, sipas së cilës veriu na qenka i gjithi me të djathtën e jugu na qenka i gjithi me të majtën. E dyta, spanjollët nuk e kanë zgjedhur këtë sistem me synimin për të mos lejuar përfaqësimin parlamentar të partive që mbrojnë interesat e rajoneve baske, katalanase e galiciane; përkundrazi, e kanë zgjedhur me synimin për ta lejuar këtë përfaqësim.

Përveç kësaj, Ilir Meta duhet të bëjë çmos që të mos e ndotë kundërshtimin parimor të sistemit elektoral proporcional rajonal, rrjedhimisht konfliktin me PS-në e me Edi Ramën, me ambicien e vet për t‘u bërë se s‘bën Kryeministër. Ai vetë asnjëherë nuk e ka artikuluar publikisht këtë ambicie, por njerëz të entourage-it të tij nuk lënë vend pa e thënë, duke lënë të nënkuptohet se në themel të krizës më të fundit brenda të majtës nuk ka asnjë mosmarrëveshje apo merak të mirëfilltë lidhur me sistemin elektoral, por ka një refuzim të PS-së për të pranuar ambicien kryeministrore të Ilir Metës. E nëse është njimend kështu, PS-ja bën shumë mirë që e refuzon këtë pretendim banal, që nuk qëndron as në qiell e as në tokë. E pse u dashka që Ilir Meta të jetë Kryeministër? Ku e kanë parë këta zotërinj, që kryetari i një partie me 10% të votave (rasti ideal), të bëhet Kryeministër në rrethanat e fitores së koalicionit, ku ai bën pjesë? E pastaj, edhe sikur ta zëmë që kjo e ka një logjikë, pse u dashka kërkuar një vit e gjysmë përpara zgjedhjeve e pse u dashka vënë si kusht në negociatat për bashkëpunim? E pastaj akoma, ç‘janë këta njerëz, të cilët o e shijuakan politikën duke qenë kryeministra apo aspirantë për kryeministra, o nuk e shijojnë fare?

Ilir Meta duhet të zbresë me këmbë në tokë e duhet të na japë dëshmi të forta e të sigurta, se ringjitja në fronin e Kryeministrit nuk përbën të vetmin motivim të tijin në politikë. Nëse ai i jep këto dëshmi, do të ketë më shumë aleatë politikë e jopolitikë në përpjekjet për të kundërshtuar variantin spanjoll e për të adaptuar sistemin e pastër proporcional me një prag të egër elektoral (4%-5%), i cili është më i këshillueshëm, jo ngaqë nuk penalizon LSI-në, por ngaqë lejon e inkurajon sot e në të ardhshmen krijimin e partive e të lëvizjeve të reja politike. Skena politike duhet të jetë e hapur ndaj lëvizjeve të tilla, të cilat mund të mos kenë fuqinë e mundësinë për t‘u afirmuar fët e fët si parti të mëdha, por mund të kenë fuqinë e karizmën për të fituar vëmendjen e mbështetjen e më shumë se 5% të zgjedhësve e vendosmërinë për të emancipuar politikën e shoqërinë shqiptare. Mund ta fitojnë këtë vëmendje e këtë mbështetje, jo nëpërmjet rekrutimit klientelist të anëtarëve e zgjedhësve të tyre, por nëpërmjet një fryme, filozofie e programi mirëfilltazi politik e nëpërmjet një qasjeje e një sjelljeje të re ndaj politikës e ndaj pushtetit. Shkurt, duke mos qenë si partitë tona të vogla, të cilat janë duke reaguar me tërbim ndaj një sistemi elektoral, që nuk u jep asnjë shans të ekzistojnë e të funksionojnë kështu si deri më sot.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama