Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tri fitore dhe një humbje

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Tri fitore dhe një humbje

1. Të enjten, një javë më parë, Kuvendi votoi dhe zgjodhi, me 71 vota, Elvis Çefën anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Opozita kandidoi Ardian Vishën, i njohur publikisht si avokat i ministrit Fatmir Mediu lidhur me akuzat ndaj tij për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Paraprakisht pritej të ndodhte rutina e zakonshme, një emërim i qetë e burokratik i kandidaturës demokrate, pa garë, pa konkurrent opozitar e me një sjellje pragmatiste të deputetëve të LSI, siç edhe kishte ndodhur në të gjitha rastet pararendëse për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, kur kandidaturat e propozuara nga Presidenti u emëruan dhe/ose u rrëzuan me votat e demokratëve, me mungesën apo mospjesëmarrjen votuese të socialistëve dhe votimin individual të deputetëve të LSI. Rutina u prish kur Edi Rama vendosi të hyjë fort në garë me një kandidaturë komplekse, sa kundërthënëse, aq edhe premtuese.

2. Opozita vendosi ta sfidonte maxhorancën duke përdorur me inteligjencë instrumentet e demokracisë parlamentare. Në mungesë të votave, gara kërkonte kandidimin e një personi të aftë, që votave politike në bllok të opozitës t’iu bashkonte disa vota nga maxhoranca. Ardian Visha kishte ambicien për karrierë në këtë post të rëndësishëm, mbështetjen e rrethit shoqëror me influencë e lidhje në të dy krahët e politikës dhe emër publik, veçanërisht për shkak të përfshirjes në çështjen penale në fjalë. Si një paradoks, pika e fortë ishte njëkohësisht edhe pika e dobët e projektit Rama-Visha.

3. I ndërgjegjshëm për këtë paradoks dhe keqkuptimet që mund të shkaktonte, bilanci i Edi Ramës dilte, gjithsesi, në favor të kandidimit të Vishës. Ndaj Edi Rama e mori në sy rrezikun dhe u hodh në sulm parlamentar. Kandidatura u deklarua politike dhe votimi i tij një detyrim absolut për çdo deputet socialist. Në të majtë u shfaq konfuzion. Eksponentë të rëndësishëm, si Pandeli Majko apo gazetarë me emër e në krah të opozitës në përpjekjet për rrëzimin e Sali Berishës, si Mero Baze, dolën haptazi kundër kandidimit të Vishës duke e parë atë si vetërrënimin e moralit dhe kauzave opozitare aq shumë të lidhura me tragjedinë e Gërdecit.

4. Edi Rama injoroi çdo zë kundërshtues rreth kandidaturës e nuk u lëkund as kur vetë Visha deklaroi bindjen e tij në Komisionin Parlamentar se ministri Mediu është i pafajshëm. Qëndrimet kundërshtuese në të majtë, injorimi i plotë i tyre nga Edi Rama, si dhe regjistrimi i kandidaturës vetëm pak orë pas regjistrimit të asaj maxhoritare, mbështesin hipotezën se kandidatura Visha ishte e mirëmenduar me kohë, ndaj s’ishte as një kandidim i rastit, as edhe një kandidim i sekondës së fundit. Plan i ngritur me kohë e kujdes, me përfshirjen e fare pak njerëzve dhe i mirëruajtur nga ekspozimi i parakohshëm.

5. Maxhoranca iu përgjigj politizimit me politizim. Palët filluan propagandën e hapur dhe lobimin e fshehtë. Mjedisi më paqësor i vendosur së fundmi në politikë lehtëson komunikimin horizontal edhe me anëtarë të caktuar të kampeve të kundërta që nuk shfaqin qëndrime aq të ngurta. Në mes janë deputetët e LSI dhe pak deputetë të tjerë të çliruar nga detyrimet politike, si Kastriot Islami dhe Gazmend Oketa, apo edhe krerë partish të vogla, si Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule e deri te Fatmir Mediu, ky i fundit me siguri me pozicionin më të vështirë në këtë proces. Në lobim u përfshinë edhe miqtë e shokët e kandidateve e ku, ata të Ardian Vishës ishin mjaft më aktivë dhe kontaktonim, veçanërisht grupin fluid të deputetëve.

6. Para votimit të së enjtes, palët ishin të qartësuara mbi mundësitë e fitores dhe humbjes. Fitorja me më shumë gjasa do t’i takonte kandidatit Çefa, por kjo ishte nën kërcënim, gjithsesi. Nga ana tjetër, Visha kishte më pak shanse, por s’ishte i humbur dhe gara ishte, gjithsesi, e hapur. Ndërkaq, shkalla e politizimit të procesit erdhi në ngjitje ekspotenciale dhe tejkaloi ndjeshëm rëndësinë e postit në fjalë, si dhe përmbysi peshën e kritereve në kësi vendimesh parlamentare, ku normalisht më shumë luan rol individi dhe cilësitë e tij, sesa interesi politik. Votimi filloi të shihej e komentohej gjerësisht si një provë force në pararendje dhe si eksperiment për zgjedhjen pas dy muajve të Presidentit.

7. Me këto objektiva të fryra politike dhe nën ankth gare, deputetët hynë në procedurën e votimit. Kërkesa e parë opozitare për mospërdorimin e mënyrës së zakonshme – atë të votimit të fshehtë elektronik – dhe përdorimin e votimit të fshehtë me kuti, u pranua nga maxhoranca. Sekretaria e votimit, e përbërë nga tre deputetë, mori detyrën. Në këtë moment socialistët kërkuan ndryshimin e mënyrës tradicionale të sigurimit të fletëve të votimit, kërkesë kjo që nuk u pranua. Deputeti socialist në sekretarinë e votimit braktisi detyrën, Gramoz Ruçi rrëmbeu fletët e votimit, deputetët u mblodhën në mes të sallës, gati edhe për konfrontim fizik, shkëmbyen batutat e rënda rreth 21 janarit me Sali Berishën dhe Jozefina Topalli hapi votimin e fshehtë me elektronikë. Votuan pro Elvis Çefës 71 deputetë, përfshirë ministrin republikan Famir Mediu, ministrin e LSI, Nasip Naço, dy deputetët e PDIU dhe Kastriot Islami. Nuk votuan në bllok të gjithë deputetët e tjerë socialistë, Gazmend Oketa, Vangjel Dule, si dhe Ilir Meta dhe dy të tjerë të LSI, Koka dhe Tavo.

8. Duke lënë mënjanë për një moment aspektin procedural, analiza politike flet për një fitore të trefishtë. Edi Rama dhe socialistët e tij arritën që, përveçse një javë, me shumë pak energji të shpenzuara e duke përdorur me inteligjencë instrumentet dhe mundësitë e demokracisë parlamentare, të krijonin turbullirë e shqetësim në maxhorancën qeverisëse. Nëse i kthehemi historisë trevjeçare, ky është rasti i vetëm që opozita arrin të turbullojë fort e rrezikshëm maxhorancën duke e çuar atë deri në kufijtë e një humbjeje. Në asnjë rast tjetër, përmes metodave dhe instrumenteve ekstreme e me shpenzim kolosal energjish gjatë dy e më shumë viteve, opozita nuk ka arritur ndonjëherë një sukses të këtillë.

9. LSI tregoi koherencë në trajtimin pragmatist e jopolitik që iu bën votimeve të këtilla. Kështu është sjellë më parë dhe kështu u soll edhe këtë herë. Një ministër i saj nuk e la në baltë qeverinë, e njëherazi LSI tregoi se, kur atmosfera politike është e paqme, ajo është një forcë pragmatiste që, duke i qëndruar marrëveshjes qeverisëse me demokratet, mund të luajë faktorin ndërmjetës elastik, e gatshme për të mundësuar marrëveshje fluide për çështje të caktuara e për të cilat mund të jetë e interesuar opozita socialiste apo faktorë të tjerë. Ilir Meta ka ca kohë që po flet e vepron në këtë rol që LSI do të duhej ta kishte luajtur, por që nuk u la ta luante gjatë periudhës së ekstremizmit politik e kur LSI ishte në qendër të goditjes socialiste.

10. Sali Berisha dhe demokratët e tij treguan kompaktësinë dhe aftësinë të fitojnë edhe në situatat ekstreme të kësaj gare. Kushdo që, për mua gabimisht, e quajti këtë garë si test parapresidencial, pa që Berisha i bën 71 vota. Shkurt, Berisha mund të sfidohet, por nuk mundet dot me skema parlamentare. Aq me shumë me mocione mosbesimi të hapura dhe kandidat alternativ për Kryeministër. Shumicat s’janë asnjëherë të fshehta. Në ëndrra të gjithë janë vetë mbreti dhe pra s’votojnë mbretin. Shumicat janë veçse të hapura. Ndaj, Edi Rama, shumë entuziast në mbrëmjen e së enjtes së votimit, e ridimensionoi pritshmërinë e tij për rrëzimin e mundshëm të Kryeministrit veç tri ditë më pas, kur në editorialin e zakonshëm të së dielës nuk e përmendi më kalin dhuratë që ia ofroi me shumë bujari Sali Berishës fill pas votimit.

11. Ndërsa të tria forcat politike mund të shënojnë fitore me ca plagë secila, gjithsesi, i humburi i vetëm është publiku. Gara që nisi e hapur dhe e fortë u prish në sekondën e fundit. Skenat në Parlament risollën në mendjen e shqiptarëve ngjarje konfliktndezëse, të cilave nuk ua pamë hairin këto tri vitet e para të kësaj legjislature. Ankthi i rikthimit të konfliktit u rishfaq. Ambasadori Arvizu tha se “ky është vetëm fillimi”, një shprehje kjo e dykuptimtë: (ri)fillimi i konfliktit apo inercia e tij në paqen e saponisur. Gjithsesi, Edi Rama deklaroi shpejt e me vendosmëri vazhdimin e normalitetit opozitar parlamentar. Shtysat ekstremiste brenda e rreth socialistëve s’bënë efekt mbi të. Duket se ai nuk iu kthehet më atyre metodave. S’ka kuptim, s’ka efekt, nuk sjell ndryshim, as rrotullim të rrotës së demokracisë.

12. Nga sherri procedural s’ka një palë të fituar dhe një tjetër të humbur. Të dy humbën. Përmirësimet procedurale për të hequr çdo dyshim të arsyeshëm në votimet e fshehta parlamentare në të ardhmen, përfshirë Presidentin, janë plotësisht të mundura. Mjafton të mos lihen në sekondën e fundit. Ndaj, ç’tha dje Gramoz Ruçi në Kuvend mund të merret më shumë si një kërkesë dhe rrugëdalje me ballin lart nga qorrsokaku, sesa një kërcënim për të mos lejuar votimin e Presidentit dhe rikthim në konflikt. Rruga e vetme mbetet normaliteti i saponisur, ende i brishtë e nën sulmin e paqeprishësve. Paqe në shërbim të interesit publik e njëherazi në interes vetjak edhe të palëve politike, veçanërisht të opozitës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama