Ka ca kohë që sa herë që ulem të shkruaj për çështje aktuale, dua s’dua koka më kthehet pas ndër paralelizma me kohë të shkuara. Por e keqja nuk është vetëm kjo. E keqja e madhe është që gjithnjë e më tepër, paralelizmat në kohë po shkojnë gjithnjë e më thellë në histori.
Historianët, teksa përpiqen të shpjegojnë kolapsin e rendit feudal, sot gjithnjë e më tepër u japin peshë arsyeve dhe faktorëve ekonomikë. Kështu, një ndër faktorët që e bllokoi mesjetën ishte copëzimi feudal, ndarja gjithnjë e më e thellë e territorit në qindra e mijëra principata, feude e provinca me sisteme të ndryshme, financa, monedha, taksa e rregulla të veçanta që, të gjitha së bashku, pengonin prodhimin, integrimin, tregtinë, lëvizjen e mallrave, e kështu me radhë. Kështu, një karvani me mallra të ngarkuara në Romë, për të shkuar në Hagë në mes të shekullit XIII, do t’i duhej të kalonte mbi tridhjetë kufij shtetërorë të ndryshëm. Në secilin nga këta kufij kishte kontrolle të veçanta, taksa doganore të veçanta, rregulla qarkullimi të veçanta, masa matjeje të veçanta, e plot bidate të tjera. Për më tepër, rrjetet rrugore të paintegruara ishte shumë e vështirë të puqeshin nga një vend në tjetrin. Vetë sinjorët feudalë, që jetonin pa punuar, por vetëm me taksat që mblidhnin, ishin të interesuar të mbanin në këmbë një sistem të tillë fragmentar të territorit.
Por ato fuqi të kohës, që ia dolën të kuptojnë të parat efektet negative të këtij mekanizmi bllokues, u futën të parat në sistemet fillestare të unifikimit, ia dolën të parat të fuqizohen dhe të kthehen në qendra koagulimi për hapësira gjithnjë e më të mëdha. Ky proces unifikimi, i filluar diku rreth shekullit XIII, vazhdon ende sot me tregjet globale, me heqjen e barrierave, me unionet doganore, me marrëveshjet për shmangie taksimesh të dyfishta, etj. Sot një kamion hyn në hapësirën europiane dhe paguan taksat në kufirin turko-grek dhe pastaj mund të arrijë deri në Skoci apo Portugali pa e ndaluar dhe pa e taksuar më askush. Këta janë ata.
Tani neve. Para disa ditësh, Këshilli Bashkiak i Principatës së Çorovodës vuri një taksë 200 lekë për furgonët që hyjnë në brenda kufijve të qytetit dhe një taksë tjetër 8 eurosh për çdo turist të huaj që, duke kaluar nëpër qytet dëshiron të vizitojë kanionet e Osumit që gjenden përtej qytetit.
Pyetja e parë që të vjen në mëndje është: po sikur çdo qark për të hyrë brenda territorit të vet të vendoste një taksë të tillë, ç’do të ndodhte? Po sikur pastaj, brenda çdo qarku, çdo rreth edhe ai të aplikonte nga një taksë më vete? Po pastaj brenda çdo rrethi, secili qytet, secila komunë e secili fshat, të bënte të njëjtën gjë, ku do arrijmë? Asgjëkund, sepse i bie që për të shkuar nga Tirana në Vlorë, do të na duhej të paguanim nja 20 taksa të tilla, në çdo qytet e komunë, natyrisht edhe duke ndaluar në çdo hyrje e dalje qyteti në radhë për të pritur pagesën. Pra shkurt muhabeti, nuk do niseshim fare për të shkuar gjëkundi, se s’do ia vlente barra qiranë.
Pyetje tjetër: Ja arrita në të hyrë të Çorovodës, aty më ndalon me tra në rrugë punonjësi i bashkisë dhe, pasi sheh që targa nuk është e Çorovodës, më pret faturën. Po me targat e reja, që nuk kanë të shënuar qytetin si do t’ia bëjnë? Do ndalojnë çdo makinë dhe do ta pyesin nga është?! Demek: -Ndaaal, si je si shkon, nga shtëpia si i ke? – Mirë, po ju mirë jeni? –Mirë, po nga të kemi? – Nga Tirana. –Aha, duhet të paguash 200 lekë. Për të hyrë në Prishtinë apo në Beograd nuk paguhet taksë. As për të shkuar në Zagreb, Athinë apo Stamboll. As për të hyrë në Paris, Berlin apo Londër, nuk duhet të paguash gjë. Ndërsa për të hyrë në Çorovodë duhet të paguash. Më ngjan se kjo s’ka ku të rrijë!
Po më tej, të gjithë pronarët e mjeteve e paguajnë një taksë me destinacion për mirëmbajtjen e rrugëve. Në kohë të Turqisë, këto taksa mbi taksa, quheshin “bidate” dhe u bënë një nga shkaqet e paralizës financiare të Perandorisë, ndërsa shqipot nxirrnin këngë: “Ka dalë një bidat i ri / nga një këndez për shtëpi”.
Dhe në fakt, sistemi çorovodian i taksimit, është thjesht ringjallje e sistemit mesjetar të taksave kufitare dhe madje i variantit më të keq të tij, është ringjallje e sistemit osman. Perandoria osmane, e paaftë të siguronte rrugët, ua kish lënë në dorë sistemin pashallarëve të veçantë, të cilët, shpiknin lloj-lloj taksash në trojet e tyre. Veç këtyre pastaj, ishin edhe dervenxhinjtë që siguronin rrugët nga komitët me çorape në kokë. Hyje në një pashallëk, paguaje taksën e pashait, pastaj taksën e dervenxhiut që të merrte dhe të çonte deri në kufirin tjetër që ishte përtej malit apo kodrës, aty të priste pashai tjetër dhe dervenxhiu tjetër.
Mbi të gjithë pushtetin vendor vigjilon sistemi i prefektëve, të cilët në cilësinë e përfaqësuesit të qeverisë pranë qeverisjes vendore, kanë funksionin e kontrollit të zbatimit të ligjeve dhe të certifikojnë të gjithë vendimmarrjen e këtyre të fundit përpara se të hyjë në fuqi. Mirëpo kushti i parë që kontrolluesi të gjykojë aktet e të kontrolluarit, është që të ketë më shumë mënt se ai dhe, në kushtet tona kur prefektët nuk zgjidhen nga mëndja por nga besnikëria që kanë, natyrisht që s’do pritur kushedi se çë prej tyre.
E tërholla paksa gjatë punën e Çorovodës, jo thjesht për të bërë që ajo administratë t’i thërrasë mëndjes dhe të përpiqet t’i zgjidhë hallet e veta me mjete të shekullit ku jemi, por edhe për një arsye tjetër. Më ngjan se i gjithë shteti shqiptar ka zënë udhën e mesjetës. E gjithë reforma e decentralizimit, siç është kuptuar në Shqipëri, po shfaq çdo ditë e më tepër probleme fragmentarizmi dhe po tenton ta kthejë Shqipërinë në një grumbull principatash të pavarura, ku shteti qendror po e gjen zgjidhjen thjesht duke hequr dorë edhe nga ato funksione që të paktën prej tri a katër shekujsh i përkasin atij.
S’ka ditë të mos dëgjohen zëra për rregulla të çuditshme që vendos njëri apo tjetri, për kryetarë komunash që nuk pranojnë të zbatojnë planifikimin qendror edhe kur ai ekziston, për bejlerë të vegjël që thonë këtu fillon zona ime dhe bëj si dua vetë. Në këtë mish-mash, e keqja më e madhe është shteti që, i paaftë të luajë rolin e tij harmonizues dhe rregullator, ia ka varur fare kësaj pune me parimin “ju bëni ç’të të doni, unë bëj sikur s’kam gjë në dorë”. Nëpër letra shteti shqiptar kishte detyrimin që brenda vitit 2011 të hartonte Planin e Përgjithshëm të Republikës, që do të shërbente pastaj që mbi bazën e tij të hartoheshin planet rajonale dhe, më tej akoma, mbi bazën e tyre planet e Komunave dhe Bashkive. Meqë shteti nuk ka bërë të tijin, asnjë më poshtë edhe sikur të donte nuk bënte dot të vetin. Zgjidhja? O Mete për vete.
Në këtë formë si janë ndarë e ç’pleksur kompetencat e të gjithëve, jemi duke hyrë dalëngadalë në të vetmen udhë që i bën të mbijetojnë të gjithë pa nevojën e njëri-tjetrit. Dhe kjo udhë është copëzimi gjithnjë e më i madh si dikur në mesjetë, shenjat e të cilit po shihen gjithnjë e më qartë. Pun’e madhe se kemi kompjuterë, makina të shtrenjta apo celularë, prapë në mesjetë po shkojmë me këtë shtet. Nuk e përcaktojnë kompjuterët dhe celularët stadin tonë të zhvillimit, pasi ata nuk janë prodhim i yni, ne vetëm i përdorim, ndërsa zhytemi gjithnjë e më tepër në kaos e çorganizim, që janë i vetmi prodhim vëndi.
Sa për rastin e Çorovodës, zgjidhja është shumë e thjeshtë. Shqiptarë dhe turistë të së gjithë botës, mos shkoni në Çorovodë!