Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Procesi i ngatërruar presidencial

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Procesi i ngatërruar presidencial

1. Muaji maj po shënjohet si muaji i procesit presidencial. Sali Berisha dhe Edi Rama lanë pas kohën kur shpreheshin se për këtë çështje është ende herët. Disa muaj më parë pikënisjet respektive ishin mjaft larg. Për Edi Ramën konsensusi ishte një kusht paraprak parimor para konsultimeve. Për Sali Berishën, Presidenti ishte veç demokrat. Sot kanë pranuar të dy se për Presidentin duhet të ketë konsultime dhe negociata pa kushte paraprake diktuese. Pritet me kërshëri takimi mes tyre, si dhe takimet me liderët e partive të tjera parlamentare. Ndërkaq, Fatos Nano po përmbyll ciklin e takimeve me të gjithë faktorët parlamentarë, ndërsa pritet, së shpejti, takimi i tij me Kryeministrin.

2. Në raport me pikënisjen, trajektoret e lëvizjes së dy liderëve tentojnë konvergjencën. Por ato janë ende larg dhe lëvizjet me zigzag të secilit prej tyre shprehin sa taktikat për maksimizimin e rezultatit respektiv, aq edhe pasigurinë në arritjen e objektivave. Kërkesës për takim, bërë nga Edi Rama në fillim të javës së shkuar, Sali Berisha iu përgjigj publikisht në konferencën e përbashkët për shtyp me Stefan Fyle. Përgjigjja ishte pozitive, por me kushtin që të parapërgatitej e paraprihej nga takimet e stafeve.

3. Në letrën e tij Edi Rama i drejtohet Sali Berishës dhe liderëve të tjerë që “të takohemi drejtpërdrejt për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve” për “…zgjedhjen për President të një figure, e cila në frymën e Kushtetutës sonë simbolizon unitetin kombëtar…”, duke e lidhur e përforcuar këtë tipar edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë dhe statusin e vendit kandidat.

4. Që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit, siç edhe përcakton neni 86/1 i Kushtetutës, afërmendsh duhet që vetë populli të jetë në unitet, përndryshe s’mund të ekzistojë ndonjë shqiptar që të mund të përfaqësojë diçka që nuk ekziston. Pyetja shtrohet nëse është populli në unitet apo i përçarë. Unë besoj se shqiptarët nuk janë të përçarë, por se përfaqësuesit e tij politikë dhe strukturat përkatëse partiake, për arsye të analizuara gjerësisht, kaluan një fazë të gjatë, mbi dyvjeçare, tepër, tepër konfliktuale dhe se kjo, në një farë mase, u reflektua në popull duke na u rishfaqur si “nxehje e kokave” dhe “ngrirje e votave”.

5. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë duhet që politika të reflektojë unitetin ekzistues të popullit, e pra, të heqë dorë nga konfliktualiteti. Kjo do të mundësonte zgjedhjen e një Presidenti që përfaqëson atë që ekziston, pra unitetin e popullit, nga përfaqësuesit e tij në Kuvend, të cilët, në normalitet, të gjithë së bashku, reflektojnë unitetin e popullit gjithashtu. Negocimi politik merr kështu kuptim dhe mundëson produkt. Politika ka ende kohë të hedhë hapa drejt thellimit dhe forcimit të normalitetit. Por, nëse konflikti ruhet dhe normaliteti që po shohim është veçse një vello, kjo s’mund të fshehë çka ka brenda e, për pasojë, politika do të dështojë si në përfaqësimin e popullit, ashtu edhe në zgjedhjen e një Presidenti i cili, në vend që të përfaqësojë unitetin e popullit, do të përfaqësojë përçarjen e politikës për çështje të ngushta pushteti. Ndaj, termat e rëndë në cilësimin e kundërshtarit s’kanë më vend as si retorikë, e jo më si besim a pikëpamje.

6. Ndërkaq, Edi Rama parashtroi, përmes fjalës në Grupin Parlamentar socialist, disa tipare të Presidentit, duke thënë se “Shqipërisë i duhet një President që të plotësojë së paku tri kërkesa…: i) t’i japë një shtysë vendimtare procesit të marrjes së statusit të kandidatit…; ii) të jetë garant i Kushtetutës e posaçërisht i pavarësisë së institucioneve të Drejtësisë…; iii) të përbëjë një faktor sigurie e paanësie për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Të tria kërkesat janë plotësisht të arsyeshme e korrekte në parim, por kaq të përgjithshme dhe po kaq të padobishme në aplikim, aq më shumë kur bëhet fjalë për takime mes liderësh që janë ndeshur ashpër dhe ushqejnë mosbesim ende të thellë reciprok.

7. Kërkesa e parë nuk e ngushton asfare rrethin e kandidatëve, pasi shqiptarë që mund të kontribuojnë në proceset integruese janë të shumtë. Kërkesa e dytë, në ndryshim nga e para, e ngushton rrethin e kandidatëve, pasi, për të gjykuar me një farë shkalle të kënaqshme besimi nëse kandidatët mund të jenë apo jo garantë të Kushtetutës, është e domosdoshme që të kenë kryer në të shkuarën e tyre akte në mbrojtje të ligjshmërisë dhe/ose kushtetutshmërisë në rrethana të vështira, ndryshe kjo kërkesë s’do të bënte kuptim. Kërkesa e tretë ose kënaqet nga fare pak kandidatë që kanë dhënë prova bindëse se nuk zhbalancohen politikisht në rrethana presioni, ose nga një mori kandidatësh jopolitikë që pakkush ua di bindjen politike.

8. Është më se e pritshme që edhe Sali Berisha të kërkojë disa cilësi të tjera që duhet të mishërohen nga Presidenti i ri. Për t’iu përafruar këtyre kërkesave nevojitet të rikujtojmë kritikat e tij ndaj presidentëve paraardhës. Kritika thelbësore për ish-presidentin Mejdani ka qenë anshmëria politike e për ish-presidentin Moisiu – që u tregua indiferent ndaj manipulimeve të zgjedhjeve 2003, si dhe për mbrojtjen e kryeprokurorit Sollaku.

9. Kritikat e Sali Berishës u shumëfishuan ndaj Presidentit Topi. Ai u akuzua për braktisje të idealeve lidhur me ish-të përndjekurit politikë ndërsa dekoronte persekutorët e tyre apo propozonte kandidatura për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, e që kishin ushtruar aktivitet gjyqësor dhe/ose hetimor gjatë diktaturës komuniste apo se nuk dekretonte ligjin për lustracionin; për heshtjen në vazhdimësi deri inkurajimin indirekt të rrugës ekstremiste që ndërmori opozita dhe pjesëmarrjen e tij në skenarin e sulmit të dhunshëm kundër Kryeministrit më 21 janar 2011; për mosndëshkimin e veprimtarisë politike me nota nacionaliste të nënkryetarit të KLD; keqmenaxhimin e Drejtësisë dhe klientelizmin e korrupsionin në emërimin e gjyqtarëve e prokurorëve; për mosbashkëpunimin kokëfortë me Kuvendin e deri përdorim e pushtetit presidencial për krijimin e një partie gjatë ushtrimit të detyrës.

10. Të gjitha këto kritika të shndërruara në kërkesa, shtuar edhe me kërkesa të reja që lidhen me të ardhmen, do të përbënin arsenalin kërkues e argumentues të Sali Berishës në takimin e tij të mundshëm me Edi Ramën. Tri kërkesat e Edi Ramës s’ka pse të jenë të papranueshme në parim për Sali Berishën. Edhe kërkesat e Sali Berishës, të formuluara me elegancë e trajtë parimore si ato të Edi Ramës, s’ka se si të jenë, në pjesën më të madhe të tyre, të papranueshme në parim për Edi Ramën.
11. Por, të gjitha së bashku, vështirë se do t’i ndihmojnë të gjejnë personin e duhur nëse dy liderët do të kenë kuptime të kundërta për të mirën dhe të keqen, të drejtën a të padrejtën, të kushtetutshmen a të pakushtetutshmen sapo të diskutojnë mbi këto kërkesa parimore, duke i zbërthyer ato përmes shembujve ilustrues dhe kandidatëve konkretë. Mjafton rasti “Topi”, ndaj të cilit dy liderët kanë vlerësime diametralisht të kundërta, sa për ilustrim. Ndaj, rruga e suksesit për Presidentin e bashkëpranuar kërkon gjithashtu thellimin e normalitetit të saponisur dhe forcimin e frymës pajtuese e mirëkuptuese të të dy liderëve dhe partive përkatëse e që reflekton atë çka është e pranishme në popull.

12. Përndryshe, procesi politik presidencial mund të dështojë dhe çështja do të zgjidhet si ballafaqim nervoz i numrave në Kuvend. Në këtë skenar të dytë, Sali Berishës i duhet dhe i mjafton mirëkuptimi me LSI, PDIU dhe PR për të marshuar i sigurt drejt Presidentit me të paktën 71 vota, ndërsa Edi Rama do të jetë në dilemën: të bojkotojë tri seancat e para e më pas të ankohet apo jo në Gjykatën Kushtetuese, apo të marrë pjesë në votim me shpresën e ndoshta një rrëmuje si në rastin “Visha”? Secili e percepton se ky skenar është me mundësi të lartë për të ndodhur për shkak të lojës së tjetrit, ndaj, Sali Berisha, në konferencën me Fylen, u shpreh se “do të angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendi… dhe se … procesi real fillon në afatin e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit”. Ndërsa Edi Rama, para Grupit Parlamentar socialist, u shpreh se “… kemi hyrë në periudhën kohore që do të përcaktojë nëse do të ketë apo nuk do të ketë proces politik për zgjedhjen e Presidentit”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama