Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Turizmi dhe Edukata

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Turizmi dhe Edukata

Po vjen stina e nxehtë, stina e pushimeve dhe, rrjedhimisht e për pasojë të dëshiruar shtetërisht e privatisht, ajo e turizmit. Qeveria synon, premton dhe përpiqet për një shtim të të ardhurave nga turizmi. Detyrat që i dalin përpara, por jo rrallëherë edhe prapa, janë të shumta, disa syresh madje të vështira: sistemimi i ujërave të zeza (që të mos derdhen në det, liqene apo lumenj), pastrimi i mjediseve (ajër, tokë, ujë, peizazh) nga ndotjet e ndryshme, midis të cilave edhe ajo zanore (oh, sa i adhurojmë zhurmat ne, shqiptarët!), edhe ajo plastikore (oh, sa na pëlqen ne shqiptarëve të plastifikohemi me lule artificiale, shishe, kuti, kova, bidonë, pantofla e sandale të hedhura, copa tubash e qese të të gjitha llojeve, ngjyrave e përmasave!).

Le të hamendësojmë për një çast se qeveria arrin t’i kurorëzojë me sukses përpjekjet e saj për një hop cilësor të turizmit në të gjitha pikat e qendrat turistike të vendit. A do të mjaftonin këto suksese të hamendësuara të qeverisë që turizmi të zhvillohej, të paktën këtë vit, në mënyrë shembullore? Me siguri, shumëkush pret që unë t’i përgjigjem pozitivisht kësaj pyetjeje. Natyrisht, kështu do t’i isha përgjigjur, pra, pozitivisht, në qoftë se këtë pyetje do t’ia kisha bërë vetes para tri ditësh, por fatkeqësisht ja që sot po e shtroj dhe, pikërisht për këtë arsye, e kam përnjëmend të pamundur t’i përgjigjem pozitivisht. Përse vallë kështu? – mund të intrigohet lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës.

Thjesht sepse dje një kolegia ime e nderuar më tregoi se çfarë i kishte ndodhur në një qytet bregdetar, më saktë në barin e një hoteli buzë detit, ku sapo ishte ulur për të pirë diçka freskuese me disa shoqe të punës, me dy kushërira nga diaspora shqiptare dhe me një mikeshë të huaj që e fliste jo keq shqipen. Mjedisi ishte i këndshëm, me ajër të kondicionuar, një melodi e ëmbël derdhte përreth valët e saj këndellëse dhe pronari i lokalit erdhi vetë i dytë për t’iu shërbyer. Gjëja e parë që bëri ishte t’u uronte mirëseardhjen vizitoreve, pastaj nxitoi t’u paraqiste djaloshin me papijon që kishte në krah. “Ky është nipi im, – u tha me një ndjenjë të dukshme krenarie, – ka mbaruar shkollën e mesme në Itali për kamerier dhe të rrallë i ka shokët për shërbim. Tri janë karakteristikat e tij që s’ia luan as topi: buzëqeshje, shpejtësi, cilësi! Keni për ta parë vetë!”.

Djaloshi, serbes-serbes, u hodh e pyeti: “Çfarë dëshironi të merrni?”. Mikesha e huaj e koleges sime të nderuar guxoi e pyeti në një shqipe për t’u pasur zili: “Po çfarë ka ndonjë pije të veçantë freskuese?”. Kamerieri vuri buzën në gaz (karakteristika e parë: buzëqeshje) dhe pa humbur kohë (karakteristika e dytë: shpejtësi) shpalosi këtë përgjigje cilësore (karakteristika e tretë: cilësi): “Motra, këtu gjen çfarë të të dojë …ari!” (Shkronjën e parë të fjalës së fundit e kam hequr unë për arsye që nuk kanë nevojë për koment moralizues). Pikërisht këtë fjalën e fundit të kamerierit zonja e huaj nuk arriti ta kuptonte (Ta pret mendja, shqipen nuk e kishte gjuhë amtare!) dhe iu lut koleges sime të nderuar t’ia përkthente. Që të mos e zgjas shumë, zonjat në fjalë, të skandalizuara nga kjo mungesë edukate gojore (për pak sa nuk shkrova “orale” si në italishte), u ngritën dhe u larguan, ndërsa pronari i lokalit dhe nipi i tij me papijon, i shkolluar në Itali për kamerier, nuk e kuptuan arsyen e këtij ndryshimi të papritur në sjelljen e zonjave në fjalë.

E përshkrova këtë ngjarje për të nënvizuar faktin së nuk mjaftojnë vetëm investime, punime, përparime në krijimin e infrastrukturave të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Duhet mbajtur parasysh edhe formimi edukativ i personelit që do t’u shërbejë klientëve vendës dhe të huaj gjatë zezonit të ardhshëm ose, më saktë, gjatë sezoneve të ardhshme turistike. Sigurisht, me këtë nuk dua aspak të them se të gjithë kamerierët e restoranteve, bareve, kafeneve, fast food-eve etj.,  në shërbim të turistëve janë si nipi i pronarit të hotelit në fjalë, përkundrazi, unë njoh shumë syresh që kanë një edukatë të përkryer në marrëdhëniet me klientët. Sidoqoftë, në këto kohëra kur na duhet të mbajmë njëherazi një numër vathësh në secilin vesh, le t’i shtojmë këtij numri edhe një vath tjetër, atë të sjelljes së edukuar me të tjerët, d.m.th. edhe me vetveten.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama