Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shtrëngim fiskal, apo masa për rritje ekonomike?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Shtrëngim fiskal, apo masa për rritje ekonomike?

Do të dëshiroja ta kisha gabim”. Kjo ishte shprehja-dëshirë e laureatit të çmimit “Nobel” në Ekonomi, Krugman (Paul Krugman), në një intervistë të tij ditë më parë. Për të, avokatët e shtrëngimit fiskal për reduktimin e borxhit publik janë “austerianë” ideologjikë që sëmundjen e këtij borxhi tentojnë ta kurojnë me “vetëvrasje ekonomike”. Nisur dhe nga rishikimi reduktues i buxhetit për 6-mujorin e dytë, këtë reagim të Krugmanit duhet ta ketë parasysh dhe politika shqiptare, në mënyrë të veçantë ajo qeverisëse…

“Receta” e Merkelit

Një nga partizanet e masave shtrënguese në zonën euro është kancelarja Merkel (Angela Merkel) që shpreh, në thelb, preferencën gjermane për maturi e kujdes. Ajo, së bashku me Presidentin Sarkozi (Nicolas Sarkozy), në trajtimin e krizës ka mishëruar bindjen gjermane se rikthimi i besimit tek ekonomia dhe tregjet financiare në eurozonë duhet të mbështetet te reduktimi i deficitit buxhetor; mbi të gjitha, te ulja e normalizimi i kufijve të lejueshëm të borxhit publik. Por, votimet në Francë e Greqi apo vende të tjera të BE-së, përfshirë dhe votimet në disa lande gjermane, dëshmuan qartazi pakënaqësinë popullore në rritje ndaj masave shtrënguese. Madje, vota e dhënë ishte një votë kundër për qeveritë në këto vende. Me sa duket, nuk mund të vazhdohet për një kohë të gjatë me masa shtrënguese pa mirëkuptimin e gjerë popullor. Për më tepër, siç tregon praktika botërore, deficiti mund të rritet shpejt, por ai nuk mund të reduktohet me sukses në një kohë të shkurtër; sidomos pa të kuptuarit e njerëzve, mbështetjen e sakrificën prej tyre. Bile, kjo duket qartë, në dallimin e sjelljes popullore dhe politike ndaj krizës dhe masave shtrënguese në Greqi e Itali…

Megjithatë, është ende “receta” e Merkelit që mban të lidhura “fijet” e eurozonës. Bile, për të, problemi kryesor është shmangia e “helenizimit” brenda vendeve të këtij grupi. Sipas saj, duhet të zbatohen e mbështeten masat shtrënguese kudo në eurozonë, nisur dhe nga përvoja e hidhur e viteve 1920-1930 me tejshpenzime dhe hiperinflacion. Sidomos, ajo është kundër shpenzimeve me rritje të borxhit publik. Për të, kërkohet më tepër kurajë politike e kreativitet se sa miliarda euro shtesë, që zhbalancimet e mëdha të korrigjohen me shpejtësi, qoftë dhe në kurriz të kompaktit të rritjes ekonomike.

Pak kohë më parë, Merkel, duke zbutur pak tonet, pohoi se “ne nuk themi se të kursyerit i zgjidh të gjitha problemet”, por “nuk mund të shpenzohet më shumë se merret. Nuk mund të jetohet të gjithë kohën në këtë mënyrë. Këtë e di kushdo”… Edhe Kryeministri Kameron (David Cameron), nisur nga rasti grek, ka planifikuar reduktim të thellë të buxhetit, më të madhin që prej Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, ndër zërat politikë më me peshë pro masave shtrënguese mbetet Merkel. Për të është i domosdoshëm pakti fiskal në garantimin e një disipline financiare. Ky pakt është pranuar nga 25 vende anëtare të BE-së, por Presidenti francez Holande (Francois Hollande), i sapo zgjedhur, kërkon të rishikohet ky pakt, për të përfshirë rritjen ekonomike, jo thjesht e vetëm recetën apo “ilaçin” e hidhur të Merkelit…

Krugmani kundër Merkelit

Parashikimet në bursa janë jo optimiste për euron, të paktën për një periudhë të shkurtër. Madje një shkëputje e Greqisë mund të tërheqë zvarrë vende të tjera të eurozonës, deri dhe rënien e monedhës së përbashkët. Prandaj, Krugmani është kundër masave shtrënguese, qoftë dhe në “variantin më të zbutur”. Sipas tij, shkurtimet e mëtejshme të buxhetit mund ta shtojnë dhimbjen financiare të shkaktuar nga reduktimi i investimeve private dhe i shpenzimeve publike. Po ashtu, edhe pse situatat në Greqi, Irlandë, Portugali, Spanjë apo Itali kanë specifikat e tyre, ka diçka që është e njëjtë për të këta vende apo vende të tjerë të eurozonës. Duke pasur si monedhë të përbashkët euron, ato janë të “privuara” nga monedhat e veta kombëtare. Çdo vend i tillë nuk ka një bankë të mirëfilltë përgjegjëse për politikën monetare, për të “manipuluar” me të. Në fakt, një institucion i tillë do të ndihmonte në reduktimin e pakësimin e dhimbjes nëpërmjet zhvlerësimit të monedhës dhe shtypjes së parave të tepërta.

Kështu, nxitet deflacioni në ekonomi për të rifituar konkurrencën apo kompetivitetin e humbur. Deri tani, për një vend të eurozonës në situatë kritike financiare, në pamundësi të një operacioni të tillë, është dhënë ndihmë nga jashtë apo është kërkuar shpëtimi te “bail out”-i përkatës. Në kushte të tilla, sipas Krugmanit, Banka Qendrore Europiane mund të ulë më tej normën e interesit për të inkurajuar inflacionin dhe blerë më tepër bonde qeveritare. Pikëpamje të ngjashme ka shprehur sot, në rrethin e Presidentit Obama, edhe Samers (Lawrence Summers).

Ai, duke shfrytëzuar të dhënat e FMN-së, ka arritur në përfundimin se për një kërkesë të dobët dhe norma interesi afërsisht zero, një zvogëlim prej 1% në raportin e shpenzimeve ndaj GDP-së e redukton rritjen ekonomike me gati 1.5 %. Bile, masat shtrënguese në nivel kombëtar janë kundërproduktive edhe në terma të vlerës së kreditimit. Po ashtu, kontraktimi fiskal redukton të ardhurat, duke kufizuar kapacitetin e pagimit të borxhit. Këtë gjë po e ndiejnë sot Kryeministri spanjoll Rajoi (Mariano Rajoy) dhe ai italian Monti (Mario Monti). Vetë Presidenti Holande, si ndjekës i Krugmanit dhe avokat i rritjes ekonomike, flet për shfrytëzim fondesh ekzistuese europiane apo për burime të tjera të ardhurash, që mund të gjenerohen nga eurobondet ose taksat e transaksioneve fiskale.

Një modifikim pozicioni

Për Holande, çelësi i kapërcimit të krizës duhet kërkuar te rritja ekonomike, jo te ashpërsimi financiar. Bile, së bashku me të, janë shtuar dhe zërat për një rishikim të strategjisë së shtrëngimit për të përfshirë, në radhë të parë, rritjen ekonomike dhe punësimin. Kjo bëhet akoma më e mprehtë në vlerësimin politik të situatës së sotme, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë! Për më tepër, që në Greqi, në zgjedhjet e parakohshme u votuan dhe mund të votohen ato parti që janë kundër “asfiksimit” ekonomik të saj. Spanja, e zhytur në recesion, apo Italia e kanë të vështirë të marrin veten me reduktimet e ashpra buxhetore. Mbretëria e Bashkuar, pas shkurtimeve të fuqishme buxhetore, po futet përsëri në recesion. Situata të ngjashme ndeshen dhe në vende të tjera. Në kushte të tilla, Dragi (Mario Draghi), presidenti i Bankës Qendrore Europiane, ngul këmbë për një “kompakt rritjeje”.

Ai flet sot për ndryshime strukturore dhe rritje konkurrence, që reduktimi i deficitit të balancohet me rritjen. Madje, kjo është dilema, ky është problemi me shumë të panjohura i zgjidhjes së krizës së borxhit. Këtu eurozona e ka humbur drejtpeshimin. Madje, sipas Krugmanit, edhe prej “koktejit” të masave drastike (me rritje taksash dhe shkurtim shpenzimesh në reduktimin e borxhit publik) të imponuara prej dyshes Merkel-Sarkozi. Pavarësisht që prej këtij tërmeti po “rrafshohet” Greqia, po “tundet” Italia, Portugalia etj., deri duke krijuar një paqartësi të vërtetë në eurozonë, në të ardhmen e Greqisë dhe të monedhës së përbashkët… 

Sidoqoftë, qëndrimi i ri francez ka modifikuar dhe pozicionin gjerman. Siç rezulton nga “Der Spiegel”, do të synohet që të zgjidhet kriza greke nëpërmjet një plani të ngjashëm me atë të zbatuar, pas bashkimit, në Gjermaninë Lindore. Sipas tij, hapa të rëndësishëm, krahas thellimit të procesit të privatizimit, duhet të jenë: zbatimi i rregullave më të thjeshta për investimet, krijimi i zonave të veçanta me lehtësim taksash dhe reduktim rregullash, disiplinimi i punësimit ose ristrukturimi i tregut të punës me reduktim klauzolash në mbrojtje të vendit të punës etj.

Krugman, Stiglic dhe Saks

Krugman, në analizën e tij, është influencuar në mënyrë të veçantë nga Stiglic (Joseph Stiglitz – kejnezian dhe laureat i çmimit “Nobel”). Edhe ai, ashtu si Krugmani, e ka përshkruar planin e masave të ashpra ekonomike në Europë si “pakt vetëvrasjeje”. Madje, Stiglitz, si pjesëmarrës në një nga tubimet popullore në Madrid (më 25 korrik 2011) jo vetëm shprehu mbështetjen për protestat popullore në Spanjë, por dhe kritikoi ashpër përafrimin politik e financiar të daljes prej krizës së borxhit. Ai, aty, inkurajoi pjesëmarrësit  që t’u përgjigjeshin “ideve të këqija” me “ide të mira”. Sipas tij, ajo që po zbatohej “nuk funksiononte, prandaj ajo duhej të ndryshohej”. Stiglitz ka qenë tepër kritik dhe ndaj agjencive të rejtimit (“rating agencies”). Për të, këto agjenci janë dhe fajtoret kryesore çelës (“key culprit”) në krizën financiare. Madje, sipas tij, prej alkimisë së tyre të shifrave të sigurisë, për më tepër “pa bashkëfajësinë e këtyre agjencive, bankat nuk do të kishin bërë atë që bënë”. Zëri i Krugmanit është po aq kundërshtues edhe sot në zbatimin e masave të ashpra. Sipas tij, këto masa, në vend të vetëmbrojtjes, po thellojnë dhimbjen ekonomike, duke gjeneruar një borxh më të lartë.

Ashtu si Samers, edhe për të, sipas llogaritjeve, një ulje shpenzimi qeveritar prej 1 euro gjeneron vetëm 40 cent reduktim kohëshkurtër borxhi dhe humbje në prodhim prej afro 1.25 euro… Por, jo të gjithë bien dakord me Krugmanin. P.sh., Saks (Jeffrey Sachs) është kundër tij. Ai i konsideron pikëpamjet e Krugmanit si “pompime” të trasha të ideve të Kejnezit (Keynes). Kurse Bernanke, shefi i Rezervës Federale, nuk e përfilli sugjerimin e Krugmanit për një inflacion më të shpejtë. Edhe Felps (Edmund Phelps), po laureat i çmimit “Nobel” në ekonomi, është kundër dobësimit të masave shtrënguese në Europë.

Po Shqipëria?!

Në kushte të tilla të pafavorshme edhe për Shqipërinë, në trajtimin e problemeve ekonomike kërkohet më shumë kujdes, mendim e maturi. Në radhë të parë, konsensus e kompromis politik për vendimmarrje serioze ekonomike! Po ashtu, mungesa e transparencës dhe ndërveprimit politik, mund të mbulojë, qoftë dhe për një kohë të shkurtër, ngritjen e mëtejshme e tavanit të borxhit publik. Nuk përjashtohet që me efekte negative të rezultojë rritja e mëtejshme e taksave për një kohë më të gjatë apo rritja e pamenduar mirë e shpenzimeve.

Me ndikim të dobët mund të rezultojnë dhe stimuj të ndryshëm për rritjen e prodhimit dhe konsumit. Nga leximi i sotëm ekonomik-financiar, siç po duket, nuk mund të vazhdohet më tej me “teknologjinë” e investimeve të mëdha publike apo të shkurtimeve buxhetore të njëpasnjëshme (që mund të prekin rëndë fusha të tilla si shëndeti, edukimi, mbrojtja e mjedisit etj.). Aq më keq për ekonominë shqiptare që e ka të kufizuar hapësirën e vet fiskale për të realizuar shumë nga shpenzimet e domosdoshme në fushën e shëndetit, edukimit, mjedisit etj. Po ashtu, në rastin e Shqipërisë, krahas nivelit të ulët të mbulimit të përbërëseve kryesorë të skemës sociale (si pensioni, asistenca sociale) ose vonesave ligjore e strukturore (p.sh. në sigurimin shëndetësor), konstatohen probleme serioze të lidhur me kohezionin e kapitalin social, efektet e tij…

Edhe prognozat nuk janë aq optimiste për vitet e ardhshme! Kështu, sipas parashikimit të FMN-së, borxhi publik në fund të vitit mund të arrijë vlerën e afro 830 miliardë lekëve, përtej kufirit për borxhin, që sipas një ligji të miratuar në vitin 2008, nuk duhet të kalojë shifrën prej 60%. Po sipas FMN-së, për Shqipërinë priten vite të vështirë deri në vitin 2017 me një rritje ekonomike mesatare prej afro 2.5% në vit. Kjo bëhet akoma më shqetësuese në sajë të lidhjes së ngushtë midis nivelit të borxhit publik dhe ritmit të rritjes ekonomike. Sa më i madh borxhi i qeverisë aq më keq ecën ekonomia; bile, në këtë rast, qeveria tërheq më shumë para, që shfrytëzohen prej saj me një efektivitet shumë më të ulët se sektori privat.

Po kështu, rritja e borxhit dhe tkurrja e ritmit të rritjes ekonomike shoqërohet me rritje të varfërisë. Sipas vlerësimeve teknike, në vendet me shpërndarje të pa balancuar të ardhurash, si Shqipëria, rritja ekonomike përftohet fillimisht nga shtresat e pasura, më tej nga ato të mesme dhe në fund ato të varfra. Bile, pranohet se për një rritje ekonomike prej 3% fitojnë, praktikisht, vetëm personat me të ardhura të larta; në intervalin 3-6% përfton dhe shtresimi i mesëm i popullsisë, kurse rritjen mbi 6% fillojnë ta ndjejnë edhe shtresat e varfra. Kështu, p.sh., rritja ekonomike prej 2-3% e vitit të fundit, e ka bërë të dukshme rënien e konsumit, gjë që flet për një rënie të qartë të mirëqenies… Në kushte të tilla, kapardisja ose mbulimi me dafina suksesi është tërësisht i gabuar! Aq më tepër që situata në vendet fqinje si Greqia po bëhet gjithnjë më e paqartë dhe e rëndë. Në kushte të tilla, bashkëpunimi i hapur midis forcave politike dhe transparenca e gjithanshme në përballimin e situatës ekonomike duhet të jetë prioriteti i prioriteteve të politikës shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama