Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

I pari president

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Baxhaku
I pari president

Në dhjetorin e 1924-s, dy njerëz, larg njëri-tjetrit, që të dy figura të njohura të historisë sonë, vrisnin mendjen në thëllimin e dimrit. I pari ishte Fan Noli, të cilin një revolucion me armë e kishte sjellë në pushtet gjashtë muaj më parë. I dyti ishte Ahmet Zogu, kryeministri i larguar nga pushteti me forcën e armëve. Noli kishte mbetur vetëm, i refuzuar nga Anglia dhe Franca që e konsideronin si njeri të sovjetikëve, i dyshuar nga Musolini dhe i pakuptuar nga një pjesë e mirë e popullsisë, sidomos në Veri. Zogu kishte përfunduar në Beograd, nën mbrojtjen e Pashiçit. Kishte mundur të mblidhte rreth vetes një goxha ushtri: 1000 trupa të rregullta jugosllave, 1000 shqiptarë të Jugosllavisë, 800 mercenarë rusë nga të gjeneralit Wrangel dhe 500 matjanë besnikë. Noli kishte një ushtri të hallakatur dhe drejtonte një popull që ende nuk ishte gati të kuptonte idealizmat e tij.

Më 17 dhjetor, forcat zogiste sulmuan nga Veriu, Lindja dhe Jugu garnizonet e qeverisë së Nolit. Përparimi ishte shumë i shpejtë dhe thuajse pa gjakderdhje. Zogu u kishte dhënë urdhër të tijve që vetëm t’i çarmatosnin ushtarët dhe t’i linin të shkonin në shtëpi. Më 24 dhjetor 1924, forcat e Zogut hynë në Tiranë. Ushtarët jugosllavë, të veshur ndërkohë me petka shqiptare, nuk depërtuan thellë në territorin shqiptar. 24 dhjetorin, Zogu e quajti “rikthimi i legalitetit”. Kjo datë kremtohet edhe sot prej përkrahësve të tij jo të pakët. Noli, opozita antizogiste dhe të paktën 300 oficerë të karrierës u larguan nga vendi. Do përfundonin për shumë vjet të shpërndarë nëpër Europë të paguar nga Italia, Serbia, madje edhe nga Bashkimi Sovjetik.

Një nga hapat e parë të Zogut të kthyer në pushtet ishte zbutja e asaj shijes së hidhur që kishte lënë përdorimi i trupave serbe për t’u kthyer në pushtet. Mjeshtër i përpunimit të opinionit ai botoi një telegram fals, sipas të cilit vetë Musolini e uronte për fitoren e tij. Ky lajm u përgënjeshtrua shpejt e shpejt nga Roma, por Zogut kjo pak punë i prishte. Ai e dinte fort mirë se ata që kishin dëgjuar “haberin e mirë” do të ishin ku e ku më shumë se sa ata që do merrnin vesh për përgënjeshtrimin.

Gjithnjë i kujdesshëm për njerëzit që i ishin gjetur pranë në raste të vështira, ai emëroi njerëzit e tij të afërt në poste ministerial. Myfid bej Libohova mori dy poste, ministër i Jashtëm dhe i Financave. Ceno bej Kryeziu, kunati i tij, u emërua ministër i Brendshëm. Koço Kota u bë ministër i Punëve Botore.

Në fund të janarit të 1925-s, me iniciativën e Zogut u mblodh Asambleja Kushtetuese. Nga 103 deputetë, që kishte Asambleja, në Tiranë mbërritën vetëm 62. Të tjerët ia kishin mbathur me kohë. Shqipëria u shpall Republikë dhe Ahmet Zogu President. Kishte lindur Presidenti i parë i shqiptarëve.

Kushtetuta e re u miratua në mars të 1925-s. Ishte një republikë e çuditshme kjo që u krijua në 1925-n. Nga njëra thuhej se Shqipëria ishte republikë parlamentare, nga ana tjetër, Presidenti, pra Zogu kishte dhe atributet e kreut të qeverisë. Profesor Arben Puto e ka cilësuar me termin “presidencialo-parlamentare”. Njësoj si në SHBA, parashikohej ekzistenca e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve. Senati përbëhej nga 18 anëtarë, nga të cilët 12 ishin të zgjedhur dhe 6 emëroheshin nga Presidenti. Anëtarët e tij zgjidheshin një herë në 6 vjet. Senati, i cili shërbente edhe si Gjykatë e Lartë nën drejtimin e Presidentit, kishte tagrin që të kalonte ose jo ligjet e miratuara nga Dhoma e Deputetëve, që përbëhej nga 57 deputetë.

Të drejtat e Presidentit ishin thuajse të pakufizuara. Ai zgjidhej një herë në shtatë vjet. Ishte njëkohësisht kryetar i shtetit dhe i qeverisë. Ai mund të emëronte apo të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij. Presidenti kontrollonte ushtrinë, ai ishte Kryekomandant absolut i saj. Në dorën e tij ishin emërimet e ushtarakëve të lartë. Krejt administrata ishte në dorën e tij dhe ai emëronte sipas vullnetit të vet nëpunësit më të lartë të shtetit. Vetëm Presidenti, pra Zogu, kishte të drejtën të propozonte ndryshime kushtetuese. Zogu kishte gjithashtu në dorë buxhetin dhe krejt sistemin gjyqësor. Jo keq për Presidentin e parë të Shqipërisë.

Por pushteti më i madh i Zogut vinte nga kontrolli mbi Asamblenë. Ai kishte të drejtën e vetos së pakufizuar mbi ligjet e miratuara nga deputetët e senatorët. Kishte të drejtë gjithashtu ta shpërndante Asamblenë dhe të dekretonte zgjedhje të reja në çdo kohë.

Referoma e parë që nisi Zogu kishte të bënte me ushtrinë. Zogu nuk do tua falte ushtarakëve përkrahjen e tyre për Nolin. I ndihmuar nga austriaku Mirach dhe anglezi Stirling ai e reduktoi nga 5000 në 3000 efektivin e ushtrisë, duke e quajtur milici dhe duke i dhënë kryesisht detyrën e rojës kufitare. Një dekret presidencial i posaçëm ndaloi propagandën kundër shtetit. Sipas tij, gjykatat mund të dënonin edhe pa pasur prova të mjaftueshme. Ndër qytetet kryesore u ngritën komisione të përbëra prej prefektit, komandantit të xhandarmërisë dhe prokurorit. Këto komisione merrnin vendime të formës gjyqësore, të cilat hynin në fuqi pas miratimit të vetë Ahmet Zogut.

Bernd J. Fischer, një studiues i mirë i Ahmet Zogut, shkruan: “… Që qysh në atë periudhë, ai arriti të siguronte kontrollin e plotë të vendit, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Ai kishte triumfuar ndaj kundërshtarëve të tij, një pjesë e të cilëve ose kishin vdekur, ose kishin marrë rrugën e mërgimit. Ushtria e kishte vendin nën kontroll të plotë. Për më tepër, ishin të shumtë shqiptarët, që në atë kohë, të cilët ishin të gatshëm të pranonin një regjim më autarkik e madje monarkist. Kur fiset e Veriut zbritën në Tiranë për t’iu betuar Zogut për besnikëri dhe zunë të paguheshin për ruajtjen e qetësisë publike, shumë prej tyre e shpallën hapur mbret, duke mos pasur kurrfarë ideje se çfarë ishte në të vërtetë një president”. (Bernd J. Fischer; Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri; Përktheu Krenar Hajdëri; Çabej, Tiranë 1996). Tre vjet pas këtyre ngjarjeve, më 1 shtator 1928 Presidenti Ahmet Zogu u bë Mbreti Zog I i shqiptarëve.

Ja pra cili ishte Presidenti ynë i parë, por edhe cilët ishim ne vetë asokohe. Këtu, në fund të këtij shkrimi historik, na duhet të bëjmë një sqarim të vogël. Ky shkrim nuk është shkruar me idenë që mbase ndokush nis të kopjojë Presidentin tonë të parë historik. Asesi, larg qoftë! Kohët kanë ndryshuar, ne kemi ndryshuar, bota e fqinjët kanë ndryshuar. Asokohe përdorimi i armëve për të zgjidhur telashet e politikës ishin një gjë e pranuar nga të gjithë, krejt normale, jo vetëm te ne, por anekënd Europës. Tashti ne po mundohemi t’i mbajmë ato sa më larg, megjithëse nëse do të ishte gjallë Presidenti ynë i parë, do të ishte shumë krenar për ne, sepse urrejtjen e pajisur me armë vrastare, ne e përdorëm deri vonë, në kohët postmoderne, në 1997, në 1998, dhe së fundmi, në janarin e vetëm një viti më parë, në 2011. “Ani, ani s’ka gajle!”, do thoshin në Shkodër. E rëndësishme është që të dielën në darkë Ata, po, po Ata vetë, dy të mëdhenjtë tanë Berisha e Rama, u takuuuuaaaan!!! Madje jo vetëm u takuan, por qëndruan në të njëjtën dhomë për më shumë se një orë. Sa mirë! Tash jemi të qetë, cilido qoftë Presidenti ynë i shtatë, nuk ka fort rëndësi. Sikurse thanë me plotësisht të drejtë dy të parët tanë: nuk ka rëndësi emri, por procesi. Afërsisht kështu thotë edhe një shprehje e vjetër beratase: “More, po të kenë shkuarjen njëherë se plaçka çoku edhe vihet”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama