Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kronikë nga KQZ

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Kronikë nga KQZ

Gjatë 27 dhe 28 qershorit, si pjesëtar i grupit nismëtar të kërkesës për referendum kundër importimit të plehrave, mora pjesë në seancat e hapura të KQZ-së, që do të vendosnin për pranimin apo mospranimin e kërkesës sonë. Ishte hera e parë që e prekja nga afër këtë ambient. Herë të tjera e kam ndjekur nëpërmjet ekranit dhe ju siguroj se ka mjaft ndryshim.

Mendimi që erdhi duke m’u kristalizuar sa më shumë qëndroja në atë sallë, i dashur lexues, ishte se ngjarja që po zhvillohej atje ishte material i mrekullueshëm për ndonjë autor teatri që kërkon të trajtojë dramën e këtij vendi, stadin e demokracisë apo të mosdemokracisë në të cilën ndodhemi, psikologjinë që vepron në raportin tonë me institucionet dhe pushtetin. E them këtë sepse në atë sallë ishin simbolikisht tërë aktorët kryesorë të jetës sonë.

Ishte “Drejtësia” e anëtarëve të famshëm të KQZ me në krye Ristanin, ishin “Ekzekutivi” e “Legjislativi”, me në krye përfaqësuesit e partive politike, d.m.th. Kosovrastin e PD dhe Gjonçaj të PS, ishte “administrata” e KQZ që presupozohet të bëjë punët teknike, ishte “media” që po e ndiqte dhe regjistronte atë që po ndodhte – ishim edhe ne “populli”, thoni po të doni “shoqëria civile”, që kishte çuar atje një kërkesë për referendum të mbështetur me 65 mijë firma qytetarësh. Çfarë më bëri më shumë përshtypje atje? Më falni, harrova të them se aty ishte prezent edhe një personazh hije, që nuk mund assesi të neglizhohet në skenografinë e dramës, edhe pse nuk kishte karrigen e tij.  

E kam fjalën për ambasadorin amerikan Arvizu, personazhi, pra, që disa ditë më parë kishte denoncuar në aktivitetin “Vepro tani” mosdhënien përgjigje nga KQZ të kërkesës për referendum, për të cilin, kur mbërrita aty, më thanë se kishte qenë në KQZ pikërisht atë ditë në mëngjes, përpara fillimit të mbledhjes sonë. Letërsia, siç e dini, është e mbushur me personazhe hije që, edhe pse nuk shfaqen asnjëherë në skenë, janë protagonistë kryesorë.

Fakti që ne – populli – kishim ndjesinë se po pranoheshim të hynim në atë sallë vetëm se na kishte mbrojtur ambasadori, më krijonte një ndjenjë poshtërimi dhe të them të drejtën, nuk u gëzova, si disa më të rinj se unë, kur më thanë se “betejën e kemi të fituar” sepse “ambasadori ishte këtu”. Por tani le t’ju tregoj shkurt disa nga episodet apo aktet kryesore të dramës.

* * *
Në hyrje “administrata” lexoi një raport që kishte të bënte me verifikimin e kërkesës sonë, në të cilën, me dy fjalë, thuhej se ishin paraqitur formularë që përmbanin 65 mijë firma, ndër të cilat ata kishin vënë re se kishte edhe të parregullta – firma ku kishin firmosur kryefamiljarët për gjithë familjen – por që gjithsesi nuk ndikonin që shifra e firmëtarëve të rregullt të binte nën 50 mijë. Pra, raporti i administratës nënkuptonte se kishin vendosur t’i thoshin pro referendumit.

Sipas mendimit të ndonjë naivi nga ne, kaq mjaftonte: ne duhet të iknim në shtëpi dhe shteti, në këtë rast KQZ, duhet të fillonte të merrej me  përgatitjen e referendumit. Sepse, tek e fundit, edhe sipas mendimit tim gjithmonë naiv, çështja e pranimit dhe mospranimit të futjes së plehrave në Shqipëri është një çështje transversale që i përket edhe PD-istëve edhe PS-istëve, pasi unë nuk besoj kurrsesi se si palë e vetme e interesuar pro referendumit, që kërkon abrogimin e ligjit, të jenë vetëm zgjedhësit e opozitës dhe si palë kundër referendumit të jenë zgjedhësit e maxhorancës. Mirëpo ja që shumë shpejt, kur fjalën e mori Kosovrasti i partisë së madhe që është në pushtet, atje u krijua një situatë që më bëri të më duket sikur po shihja luftën në KQZ për zgjedhjet e Tiranës se kush duhet të ishte kryetar Bashkie: Basha apo Rama? Mos harroni asnjëherë se atje kishte me dhjetëra kamera që transmetonin direkt apo regjistronin për t’ia paraqitur shfaqjen pastaj popullit.

Përpara se të kthehem te Kosovrasti, më duhet të bëj edhe një retrospektivë sqaruese, i kujtoj lexuesit se, pasi “personazhi” i gjithëpranishëm dhe njëherësh i padukshëm dhe i papërmendur e quajti “të papranueshme” që KQZ nuk i jep përgjigje kërkesës së shoqërisë civile për referendum, KQZ reagoi duke thënë se ajo kishte çuar për ekspertizë një kampion formularësh me firma dhe, nga ky kampion, kishin dalë shumë firma të falsifikuara.

* * *
E pra, i dashur lexues, Kosovrasti i PD-së, me tonin e tij tejet serioz dhe imponues, që donte të tregonte se pushteti i vetëm dhe i vërtetë atje ishte ai, filloi një diskurs mbi këtë kampion që mua po më tingëllonte si inkuizicion i vërtetë. “Në 140 firma ju keni thënë se kanë dalë 70% të falsifikuara”, – iu drejtuar KQZ-së. “Ne mendojmë se këta meritojnë të hetohen për falsifikim, kurse, sa për kërkesën për referendum, kjo duhet hedhur poshtë”. Kjo ishte, me dy fjalë, pretenca që dha Kosovrasti për KQZ-në dhe për popullin nëpërmjet një tirade shumë të gjatë që tingëllonte edhe komike, edhe tragjike.

Pse them komikotragjike? Sepse komikja qëndron në atë se shumica e kishin të qartë se kjo ishte “loja” për t’i treguar “personazhit” se KQZ-ja është e paanshme, se ajo, me gjithë kërcënimet e partisë në pushtet, nuk pyeti dhe vendosi për referendumin. Kurse tragjikja qëndronte në atë se “popullit”, d.m.th. atyre që guxojnë të kërkojnë referendume si ky, iu dha mesazhi se është mirë ta kenë vath në vesh se edhe ekspertët tanët i kemi dhe prisni sa të marrim edhe Prokurorinë plotësisht në dorë dhe jua tregojmë ne, mjaft t’ju gjejmë ndonjë firmë të dyshimtë diku.

Pastaj e mori fjalën përfaqësuesi i përhershëm i PS pranë KQZ-së, Gjonçaj, i cili filloi të mbrojë kërkesën tonë për referendum. Unë përsëri u ndjeva keq sepse nuk arrija të kuptoja se ç’punë kishin përfaqësuesit e dy partive atje. Ata mund të jenë atje fare mirë kur bëhet fjalë për zgjedhjet ku janë protagonistë, por në këtë rast pala e interesuar ishim ne të shoqërisë civile. Pse duhej të dilte Kosovrasti të fliste me kaq egërsi kundër tërë atyre qytetarëve që kanë firmosur për referendum kur në mes tyre ka edhe njerëz që votojnë për partinë e tij?

Madje jam i bindur se shumica e votuesve demokratë, po të bëhet ky referendum, do të votonin kundër sjelljes së plehrave. Pse duhej të krijohej perceptimi se kush është për referendumin është votues i PS? Pse këto dy parti duan të na imponojnë mendimin se asgjë nuk ekziston jashtë ombrellës së tyre? Sepse, ndërkaq, unë nuk mund të mos kujtoja se disa vjet më parë, kur Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ngriti një kërkesë për referendum lokal për të ndaluar shkatërrimin e Gjirit nga TEC-i,  petrolifera etj., ishte shumica e PS, në Komisionin asokohe Celibashi, që e mohoi mbajtjen e referendumit me një truk.

* * *
I njëjti teatër interesash dypartiake, si ai midis Kosovrastit dhe Gjonçajt, u zhvillua edhe midis anëtarëve të KQZ-së, ku, në katërshen e maxhorancës u vu re një krah radikal që po të kishte mundësi, do të na çonte në gjyq për falsifikim, dhe një krah më i moderuar me në krye kryetarin. Nga debati i përfaqësuesve të opozitës, ne, populli, mësuam megjithatë disa gjëra mjaft interesantë si për shembull se vendimi për dërgimin e atij kampionit të famshëm tek ekspertët e policisë nuk ishte marrë në mënyrë kolegjiale, por vetëm nga kryetari dhe se, po të ishte Komisioni i ndershëm, ky kampion do të duhej të ishte marrë edhe në prezencë të palës së interesuar, që ishim ne. Po ashtu u shtrua me të drejtë pyetja se, nëse administratës i kishin dalë mbi 50 mijë firma të rregullta, siç e tha edhe vetë, pse kishte pasur nevojë të dërgohej një kampion për verifikimin e firmave? Nuk mund të mos nxirrje konkluzionin se përpara se të vihej në lëvizje kjo ngjarje nga “personazhi”, ata kishin vendosur të mos e përfillnin fare kërkesën e popullit për referendum, dhe, për këtë, të shfrytëzonin kampionin e dërguar ekspertëve të policisë. Mirëpo ja që disa rrethana bënë që kësaj here rregulli të bëjë një përjashtim, por duke përforcuar rregullin, siç do ta shohim.
Ç’është e vërteta, kryetari pati mirësinë të na e japë edhe ne, popullit, fjalën për të shpjeguar procedurat që kishim ndjekur, por, kur unë “guxova” dhe i thashë se problemi më i madh në këtë që po ndodhte ishte kredibiliteti i institucionit që ai përfaqësonte, pasi ata kishin çuar në mënyrë të njëanshme një kampion tek ekspertët e policisë që nuk kanë kredibilitet – ai ma ndërpreu fjalën duke më thënë se kisha dalë jashtë teme. Në fakt, mua më dukej se isha tamam brenda temës, sepse kisha parasysh qe edhe për plumbat e 21 janarit Prokuroria jonë nuk kishte treguar besim tek ekspertët e policisë sonë dhe i kishte çuar në SHBA.

* * *
Por nejse, le të vazhdojmë kronikën. Atmosfera dukej se, për hatër të “personazhit”, që, siç e thashë, s’u përmend asnjëherë aty, por ishte i gjithëpranishëm, këta do ta aprovonin kërkesën për referendum. Ndonjëri nga ne, madje, kishte merak që të mos e acaronim shumë kryetarin se pastaj ai mund të ndërronte mendje. Popull jemi, duhet të na kuptoni. Madje ne as që kishim ndonjë avokat tonin atje, ndonjë ekspert të mirëfilltë që të na përfaqësonte, siç kishin partitë. Mos harroni pastaj, se kemi dalë nga komunizmi kur të pandehurit nuk kishin avokat, pasi ua mbronte të drejtat prokurori dhe gjykatësi.

Edhe ne pak a shumë si punë të pandehurish ishim atje, që kishin guxuar të ankoheshin tek ambasadori amerikan. Mos harroni se në kohën e Enverit këto lloj gjërash të kushtonin kokën, se të akuzonin për agjenturë apo për spiunazh. Tani disa anëtarë të KQZ-së, me në krye kryetarin, u mjaftuan me vërejtjen në biografi se ne nuk kishim shfaqur besimin e duhur te pavarësia e institucionit dhe ishim ankuar tjetërkund. Është hap i madh demokratik përpara ky. Askush nuk e mohon dot.

* * *
E pra, i dashur lexues, në sallë ishte krijuar një atmosferë ku u duk se ata do të kalonin për votim e do të votonin “pro”. Por kryetari e mori fjalën dhe pasi lëshoi një sërë akuzash për ne të shoqërisë civile që kishim preferuar sulmet e pabesa dhe ato madiatike ndaj KQZ-së në vend të ballafaqimit të drejtpërdrejtë me ta,  duke mos më lejuar mua as t’i jap një përgjigje “të drejtpërdrejtë” siç sapo e kishte kërkuar, për sulmet  që na adresoi, tha se Komisioni kishte nevojë për gjysmë ore konsultime.
E kështu seanca u mbyll për t’u hapur pas gjysmë ore.

Ajo që më bëri përshtypje si vëzhgues i jashtëm e i vëmendshëm i asaj që ndodhi në atë gjysmë ore ishte se tre anëtarët e Komisionit, të propozuar nga opozita, nuk u futën në atë dhomën apo zyrën ku kryetari do të bënte konsultimet. Ata, së bashku me përfaqësuesin e PS, Gjonçaj, u shpërndanë për të pirë kafe me ne të “popullit” dhe gazetarët, kurse ata që u zhdukën nga skena, si duket për t’u konsultuar me njëri-tjetrin apo me dikë tjetër, qenë katërshja e maxhorancës së bashku me Kosovrastin. Fakti është që ne të tjerët ishim duke pritur të gjithë në sallë kur më në fund në sallë hyri trupi gjykues i përbërë nga këta të katërt dhe Kosovrasti dha një vendim të papritur: se Komisioni kishte nevojë për konsultime të mëtejshme dhe prandaj seanca e radhës do të zhvillohej të nesërmen.

Dolëm paksa të befasuar, dhamë një deklaratë për mediat dhe po rrinim si të hutuar në daljen e KQZ-së, duke ngritur hamendje pas hamendjesh se çfarë mund të kishte ndodhur. Dikush thoshte se kanë marrë një urdhër të dytë nga Sali Berisha, dikush se “urdhri” nuk u kishte ardhur nga Saliu, por nga ata biznesmenët e plehrave, dikush se kjo ishte teknika për të ngritur stekën te grupet e interesit.

Teksa rrihnim këto hipoteza e se çfarë do të ndodhte të nesërmen, aty u shfaq një eskortë policie me motorë e makina. Nja dy persona civilë na thanë se duhet të largoheshim prej aty. “Çfarë ka ndodhur, paska ardhur Presidenti gjë?” – pyeta një që ishte më i njohur me ato ambiente. “Jo mor, më tha, është eskorta e Ristanit”. “Hëm, thashë me vete, duke u kujtuar se këtij ia kanë vënë eskortën kur  e akuzoi opozita se i ka vjedhur votat. I mbrojtur kështu nga të pushtetshmit, në një vend ku edhe eskortat hiqen e vihen jo nga ligji, por nga më i forti, a mund të japë ky vendime kundër tyre?”.

* * *
Ajo që ndodhi të nesërmen, i dashur lexues, dihet tashmë. Kosovrasti erdhi aty i pajisur me argumente të forta juridike, sipas të cilave, edhe po të aprovohej kërkesa për t’u mbajtur referendumi, ky vendim do t’i çohej Gjykatës Kushtetuese dhe, gjithmonë sipas ligjit – se larg qoftë këta ligjin nuk e shkelin për gjëra kaq të vogla, por vetëm kur bëhet fjalë për të vjedhur shuma të mëdha – ky vendim nuk mund t’i çohet Kushtetueses përpara 3 janarit 2013. Dhe meqenëse, gjithmonë sipas ligjit, – që ju kujtoj të dashur lexues, e kanë bërë vetë, nuk ua ka diktuar Zoti në malin e Sinait, – një referendum nuk mund të mbahet gjashtë muaj para apo pas zgjedhjeve, i bie që edhe po e kaloi Gjykata Kushtetuese andej nga shkurti apo marsi 2013, ky referendum do të mbahet në vitin 2014.

* * *
Një zgjidhje perfekte, i dashur lexues. “Personazhit” i thuhet: Referendumin ta aprovuam sipas ligjit, por shiko edhe pikën e fundit të këtij paragrafi, atë për popullin. Grupeve të interesit që paguajnë politikanët me sponsorizime partie apo me para të thata në xhep u thuhet: Ua shtymë edhe për nja dy vjet minimumi anulimin e ligjit, prandaj vazhdoni punën me plehrat dhe mendohuni mirë përpara fushatës elektorale. Sa për opozitën, po jap komentin e Top-Channel-it, ku gazetari kishte nxjerrë si kryetitull se ligjvënësit e PD-së në KQZ ishin treguar edhe kësaj here më të zotë se ata të PS-së për t’ua hedhur atyre. Kurse për popullin, që as gazetari i Top-it s’e kishte vënë në hesap, atij iu dha mesazhi shekullor: Ti gjithë jetën në plehra dhe me plehra ke jetuar, pse kujton se me ndihmën e një ambasadori do të na hiqje qafe? Harrove ti se të kemi detyruar të hash bar dhe ne s’i jemi dorëzuar që s’i jemi dorëzuar armikut kur ky donte të na hiqte nga pushteti?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama