Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Presioni për imunitetin dhe imunizimi ndaj presionit

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Presioni për imunitetin dhe imunizimi ndaj presionit

Spekulimi me integrimin dhe statusin e ardhshëm në “stand by” të Shqipërisë, ka marrë një kthesë të re, ku pushteti me të gjitha bateritë kërkon të ushtrojë presion maksimal ndaj opozitës për miratimin e heqjes së imunitetit brenda 6 gushtit, pasi përndryshe damka për mosmarrjen e statusit kandidat, çuditërisht dhe në pamje, naive, do t’i ngelet opozitës.

Në këtë garë, për arsye krejt të ndryshme, është bashkuar edhe komuniteti ndërkombëtar “i shqiptarizuar” në Tiranë.

Mirazhi i naivitetit është jo i saktë, si çdo mirazh, pasi është i mirëkalkuluar nga një Kryeministër, që ka të gjitha parametrat e një politikani finok, që flet kur i leverdis politikisht dhe për ato që i leverdis, vetëm. Dhe nga pozicioni i tij politik është brenda të drejtës së Zotit.

Për të mos u keqkuptuar, miratimi i heqjes së imunitetit është domosdoshmëri kruciale, në kushtet e një mungese të frikshme të ndëshkimeve për rastet e korrupsionit të publikuara apo të dyshuara.

Tashmë qarkullojnë edhe drafte respektive nga forcat politike, që apriori nuk duhen paragjykuar, nëse duan apo jo që të dalë një ligj sa më i fortë dhe më efektiv në betejën me bajlozin e korrupsionit galopant në Shqipëri.

Në pamje të parë, duket se të gjithëve “po u digjet barku” në këtë verë përvëluese për të kapur për brirësh këtë fenomen, i cili nuk qenka neutralizuar, për shkak të mungesës së ligjit të aspiruar të imuniteteve.

Dhe këtu fillon spekulimi, pasi dihet, pa u bërë të mërzitshëm në përsëritje, se cilat kanë qenë rastet tipike dhe flagrante të mosndëshkimit, jo aq për shkak të imunitetit të hequr ose vetëhequr të të korruptuarve, sesa për shkak të korruptimit, qoftë edhe të perceptuar të drejtësisë përpara të korruptuarve të fuqishëm politikisht dhe financiarisht.

Pas leximit të draftit të opozitës do e kisha shumë të vështirë, unë dhe çdo njeri pa paragjykime politike, aq më tepër një Kryeministër i investuar aq shumë mediatikisht dhe verbalisht në luftën kundër korrupsionit, t’i thoshte JO atij, ose shumicës dërrmuese të draftit, nëse realisht ka dëshirën e mirë dhe vullnetin politik për ta fituar këtë betejë në luftën për integrimin europian.

Ligji i ri doemos do të duhet ta kishte edhe miratimin e opozitës, edhe për faktin se më shumë se opozitës, do i duhej Kryeministrit, si kartë avantazhi në betejën e ardhshme elektorale, përveç se do i hiqte njëkohësisht Brukselit dhe Uashingtonit argumentin se në Tiranë politika është ende një “dhimbje koke”.

Nisur nga parimi se dy mendime janë më mirë se një, (Two heads are better than one) kjo do të ishte e mirë, jo aq për karrierën e tij të stërstërzgjatur politike sesa për vetë partinë e tij në opozitë nesër, pasi do të ofronte filtrat e nevojshëm që kundërshtari i sotëm, nesër në pushet, të mos e penalizonte, influenconte apo të bënte “gjueti shtrigash” me të oborrit të tij politik.

Besoj se edhe komuniteti ndërkombëtar do të duhet të jetë i interesuar në këtë projekt ose edhe në një akoma edhe më të mirë, prurje e përbashkët e të gjitha drafteve në tavolinë.

Them duhet, nisur nga derexheja e krijuar me sistemin e drejtësisë së politizuar, me një prokuror të përgjithshëm të pritshëm të demokratëve ose aleatëve të tyre në koalicion, një president pa konsensus, të ardhur nga elita politike e PD-së, që ka prerogativë të emërojë si drejtues edhe Nr. 2 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe shefin e ardhshëm të Shërbimit Sekret.

Efektivisht, ekzekutivi i tanishëm i ka të gjitha levat, që në teori, por edhe në praktikë, të keqpërdorë imunitetet parlamentare dhe juridike për qëllime politike, elektorale, si dhe presion ndaj të zgjedhurve të popullit, pa antidotet dhe antitrupat, që për vetë rrethanat, janë më të pritshme të vijnë nga më vulnerablit.

I pakuptueshëm dhe i pashpjegueshëm është edhe sprinti për të kapur patjetër 6 gushtin!

A thua se “ra sheqeri në ujë”, edhe nëse nuk bëhet më 6 gusht! A thua se do të ngelën pa u thyer rekordet e notit, jo vetëm në Londrën olimpike apo edhe në Dhërmi! A thua eurokratët do të shtyjnë deri në shtator pushimet tradicionale të gushtit për shkak të këtij ligji?!

Thënë kjo, nuk ka arsye përse ligji bashkërisht, të mos bëhet brenda kësaj date, madje edhe brenda ditës, nëse ka vërtet vullnete të ndershme dhe të sinqerta politike, ashtu siç u arritën marrëveshjet edhe për reformën zgjedhore dhe marrëveshje të tjera në të shkruarën.

Në një rrafsh tjetër, ky është një presion alogjik, që synon të shtyjë drejt gabimeve, për shkak të presionit nga afati opozitën e Edi Ramës dhe vetë atë si kryeopozitar.

I takon atij, nisur edhe nga përgjegjësia që ka në këtë moment për fatet e demokracisë dhe integrimit europian, të pengojë miratimin nën trysni të një ligji të paplotë dhe pa një konsensus sa më të gjerë, madje përtej 84 votave, që mund të ketë pasoja të mëdha, të pallogaritshme dhe të pazhbëshme për mandate me radhë, për funksionimin e shtetit dhe demokracisë në të ardhmen.

Rama e ka për detyrë dhe si një lloj katarsisi vetjak politik, pas gafave me ndryshimet kushtetuese përpara zgjedhjeve të kaluara, që të korrigjojë efektet që i ranë atij në kokë, më shumë sesa bashkëmëkatarit të tij, sot ende në pushtet.

Ky presion nuk duhet të vijë, aq më pak edhe nga komuniteti ndërkombëtar në Tiranë, “i denjë për dyshtetësi”, nëse kuptojnë ose duan të kuptojnë pozicionin e vështirë të Ramës.

Në elektoratin e opozitës me të drejtë ose jo, ka jo pak pakënaqësi për nënshtrimin non-stop të Ramës ndaj presionit të ndërkombëtarëve për çështje të ndryshme politike, duke e bërë atë të duket i dobët dhe pa eksperiencë politike, sa herë që ka pasur sfida politike që i ka fituar gjithmonë Berisha.

Ndoshta largpamësinë dhe vizionin e tij për të qenë kooperues me botën, Ramës ia kanë marrë, të gjithë, për dobësi.

Ndërkohë, që ka bërë “kokëderrin”, ka fituar me makiavelizmin e tij politik, jo vetëm ndaj Ramës, dhe debatueshmërisht, në dëm të Shqipërisë, por ka nxjerrë jashtë loje dhe i ka bërë të duken diletantë edhe ndërkombëtarët.

Rasti i presidentit është i mjaftueshëm, kur Berisha ndoqi roadmap-in e tij dhe e realizoi objektivin edhe për kundër insistimit të ndërkombëtarëve, duke ua marrë atyre fytyrën në sytë e shqiptarëve.

Në këtë rast, nuk është ideja që kryeopozitari të bëjë “kaposhin”, sesa thjesht të këmbëngulë në ato parime që ai beson, nëse beson, se nga respektimi i të cilave nuk do të dëmtohet demokracia, si dhe të jetë më pragmatik dhe më i sofistikuar në mirëbesimin e tepruar ndaj gjithçkaje që vjen prej miqve diplomatë, që jo gjithmonë kanë interesa të njëjta, në varësi të vendeve që përfaqësojnë, por edhe një sensi të pasaktë të të kuptuarit sesi funksion politika shqiptare, që shpesh çon në humbje bastesh.

Rama duhet të jetë i imunizuar nga presione të tilla, për të sfumuar atë ide, që po ngjit frikshëm nëpër blogje dhe rrjete sociale për të, si politikan që “ia marrin bukën nga goja” dhe që nuk di të mbrojë votën e përkrahësve të tij.

Rreziku është se kjo ide është duke u ngulur edhe te të lëkundurit që përbëjnë diferencën elektorale, për njeriun që duhet të drejtojë vendin vitin e ardhshëm, në bazë të logjikës perëndimore të rotacionit, i cili nuk e ka më luksin të bëhet “Kurbani II”, i të tashmes e të ardhmes së demokracisë dhe avenirit të tij të virgjër kryeministror.
23/07/2012 15:20

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama