Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipëria, prej vitesh një fushë e minuar

Shkruar nga: Fiqiri Cena  
Botuar më: 17 vite më parë

Fiqiri Cena
Shqipëria, prej vitesh një fushë e minuar

Tashmë e vetmja shpresë është që të flesh dhe të lëvizësh i veshur me antiplumb dhe me makina të blinduara gjë që nuk arrihet, pasi 65 për qind e shqiptarëve në veçanti në kryeqytet vazhdojnë të ushqehen me lista për ushqime, bukë, ujë etj. Në vitet 1990-1992, nga mënyra si u rrëzua pushteti komunist dhe dorëzimi i tij fshatarçe nga Ramiz Alia krijoi mundësinë e shkatërrimit të gjithçkaje dhe pasurimin e disave në kohën sa më të shkurtër me përfitime sa më të mëdha, duke përvetësuar ekonominë kombëtare. Ata që pretenduan të kalonin në shoqërinë kapitaliste dhe ta ndërtonin atë ishin bijtë dhe shërbëtorët më besnikë të regjimit komunist. Ata që nuk erdhën nga pjesa shoqërore që vuajti gabimet dhe diktatin e atij regjimi, por nga oborri i Bllokut të Byrosë Politike. Të bindur për të qeverisur jo si duhet por si donin, formuan shtetin nepotik dhe klanor duke vendosur në pushtet njerëzit e tyre që më vonë do të kontrollonin e formonin monopolet duke kontrolluar gjithçka dhe në çdo drejtim. Kështu duke bashkëvepruar në terren për të ngritur firma fantazma po me farefiset e tyre arritën përfundimisht të formojnë e të forcojnë pushtetin dhe shtetin me forma e metoda mafioze të shtrira këtu që nga piramida e deri poshtë, duke çimentuar de juro e de fakto shtetin e pushtetin mafioz në Shqipëri. Këtij lloj shteti i intereson ajo çka do të fitojë për rritjen galopante të kapitaleve të tyre pa parë e pa iu interesuar fare jeta e njerëzve, të cilët me votë i sollën në pushtet. Kjo vërtetohet jo vetëm nga tragjedia e fundit ku u derdh gjak, që për mendimin tim nga kronikat Shqipëria duhet patjetër të radhitet pas Afganistanit, Irakut dhe Palestinës. Duke marrë shkas nga tragjedia makabre që ndodhi në Gërdec, si ushtarak dhe gjeneral gjitharmësh i pavlerë për pushtetin dhe shtetin e Berishës, por si shqiptar i vërtetë, dëshiroj të jap disa mendime për atë çfarë dhe pse ka ndodhur.

Së pari: korrupsioni është baza e pashpallur dhe ideali i pushtetarëve të derisotëm, ku gjithkush kërkon e sulmon vendet e punës ku qarkullon fonde të mëdha, kuptohet me tendera qoftë shitje apo blerje. Në drejtim të këtyre punëve vihen njerëzit e besuar duke mos i kushtuar aspak rëndësi nivelit arsimor apo profesionit të tyre. Personat që kryejnë këto funksione e detyra që nga institucionet më të larta e poshtë kanë obligime të krijojnë mundësi e lehtësira të fitojnë sa më shumë në formën më të lehtë e në rrugën më të shkurtër. Në këtë ide, me këto ideale kanë vepruar ata që kanë kontraktuar dhe ata që kanë firmosur urdhrin e transportimit, grumbullimit dhe asgjësimit të municioneve, që në këtë rast automatikisht janë ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësi i tij, duke përdorur si dhe më parë (flitet për vitet ‘95-‘97) kompaninë fantazmë “MEICO”. Kjo s’është asgjë tjetër vetëm një përfaqësi sekserësh pranë ministrit të Mbrojtjes për të siguruar përfitime në tregtimin gjoja të ligjshëm të armatim-municioneve. Duke rendur pas fitimeve kolosale personale, drejtuesit e djeshëm dhe të sotshëm kanë harruar rregullat teknike të transportit të ruajtjes në vendvendosje e aq më tepër për kushtet që duhet të plotësojë vendi i zbërthimit dhe asgjësimit të municioneve e armatimit. Si ish-komandant divizioni në Elbasan dhe Shkodër, kam parë e kam ruajtur me polici ushtarake avionët e huaj që ngarkoheshin me armatim e municione pa ditur se ku shkonin, edhe pse isha gjeneral nuk më besohej një gjë e tillë pasi kjo u besohej civilëve që luanin rolin e ndërmjetësit të shpejtë. Dua të them se firma e ngarkuar me asgjësimin e predhave, (që janë dërguar jashtë apo tankeve të shitura në Greqi a gjetkë) ka bashkëpunuar ngushtë dhe është ndihmuar nga shteti pjesë e së cilës është Ministria e Mbrojtjes. Kjo e fundit ka kryer dhe vazhdon të kryejë transportin me mjetet e ushtrisë nga Burreli, Puka, Skrapari, Gramshi etj. për të lehtësuar firmën që të ketë sa më pak shpenzime e më shumë fitime, ku pjesën e luanit e marrin ata që krijonin këto lehtësira. Pra, shkurt, ata janë ortakë. Po të mos ishte kështu, një kuadër apo intelektual e ushtarak, qoftë edhe nënoficer profesionist, nuk do të lejonte e pranonte kurrë një veprim të tillë të transportit, grumbullimit e asgjësimit të lëndëve helmuese, të municioneve e predhave e nëse do t’i imponohej nga injoranca e ministrave do të ishte i vendosur të jepte dorëheqje e të mos merrte gjak mbi vete.

Së dyti, shteti i Berishës është i bazuar në farefisin (ashtu si dhe i Fatosit) në nepotizëm, në njerëz servilë e frikacakë, që nuk kanë kurajën t’i thonë të vërtetën as ministrit, as kryeministrit, duke menduar se kështu shërbehet, kuptohet lufta e karriges apo karrierës, të cilat janë blerë me para. Por Berisha nuk e ka kuptuar, as e kupton, se këto lloj kuadrosh të bëjnë gjëmën, siç ia bënë edhe në vitin 1997. E theksoj këtë sepse këto janë pasojat kur shteti sulmoi vetveten. Kam qenë i pushuar nga puna në ato kohë sepse deklarova se populli i Shkodrës kërkon armët për të luftuar me Serbinë, të çlirojë Kosovën, jo të sulmojë Vlorën. Duke qenë komandanti i Divizionit të Shkodrës këtë të vërtetë ia bëra të ditur komandantit të Përgjithshëm në atë kohë, Sali Berishës, duke i shtuar se Shkodra nuk digjet dhe nuk shkatërrohet sepse nuk mendoja kurrë se mund t’i shërbehet atdheut dhe popullit ndryshe, se kështu kërkonin ligjet dhe Kushtetuta. E solla këtë shembull se këta liliputë, servilë dhe dinakë, që sot kanë kapur e drejtojnë institucionet e rëndësishme të sigurimit kombëtar, në marsin e ’97-s ishin në shtabet drejtuese të operacioneve kundër Vlorës derisa e panë se ra forca e Berishës pastaj filluan të dalin si persona të detyruar nga frika për të vepruar kundër ligjit themeltar të shtetit, siç ishte Kushtetuta e Republikës, duke pritur që të dilte dikush tjetër të kundërshtonte, kuptohet në zbatim të ligjeve e të shpëtonte kategoria që thashë më sipër.
Disa nga këta thoshin dakord dhe niseshin për Vlorë e Korçë e përfundonin maleve të fshehur, pa shkuar atje ku kishin marrë detyrën, duke pritur ç’do të bëhej, urdhëruesit prisnin rezultatin që s’erdhi kurrë. Ishin disa nga këta që sot janë ministra që donin të mbronin bustin e Enverit dhe kur e panë që situata ndryshuan kahun menjëherë në krahun tjetër. Kështu vepruan në ’97-n, kur unë isha në dispozicion në Ministrinë e Mbrojtjes, çoheshin radiot ushtarake nga Gjirokastra, Zall-Herri, Tirana, Korça që i kërkonin të ndjerit Zhulali t’i thoshte Berishës të jepte dorëheqjen pa përmendur ulërimat e tyre këtij. Desha të them se janë këta këshilltarë injorantë që me informacionet e tyre mashtrojnë kryeministrin dhe ky i fundit flet me informacione të pafaktuara, gjoja për seriozitetin e kompanisë, për format ligjore të kontraktimit dhe për nivelin e lartë të punonjësve gjoja të trajnuar e për masa të rrepta sigurie gjatë punës, gjë që punëtorët vërtetuan të kundërtën duke deklaruar se aty punonin edhe fëmijë 15-16 vjeç.

Ky është krim në veprim. Besoj se përveç shkaktarëve kryesorë, qëndrim i rreptë duhet mbajtur ndaj këshilltarëve ushtarakë apo të sigurisë të presidentit apo kryeministrit, sepse ata janë specialistë dhe çdo informacion apo këshillë duhet argumentuar me fakte dhe, nëse e ndiejnë se nuk mund të përmbushin detyrën në nivelin e kërkesave të kohës, duhet urgjentisht të largohen e jo të mashtrojnë kryeministrin apo Kryetarin e Shtetit. Situata e deritanishme për sigurinë kombëtare është ajo që vërteton se Shqipëria, ose më mirë populli shqiptar, jeton në fusha të minuara. Ose është një fushë e tërë e minuar korrupsioni galopant i paparë dhe i pallogaritur në çdo drejtim që kanë bërë që jo vetëm jeta e njeriut është kudo e rrezikuar dhe nuk bëhet fjalë më për të drejtat elementare të njeriut.
Pas ardhjes në pushtet të PD-së, ku edhe unë kam kontribuar sepse mendova se do të ndëshkohet njëherë e mirë pushteti i mafies dhe i monopoleve të saj, mendova të informoja duke dashur sadopak të kontribuoja në këtë luftë ku nëpërmjet mesazhesh telefonike, se takime nuk u pranuan, njoftova kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes se korrupsioni në dikasterin e Mbrojtjes dhe strukturat e saj ka arritur deri atje sa për t’i dërguar forcat në ato fusha ku jeta është e kërcënuar, si në Irak, Afganistan e vatra të tjera të luftës. Komandantët dhe gjeneralët e këtyre institucioneve marrin të paktën 2 mijë dollarë secili. Si për ironi të fatit, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes disa gjeneralë i nxorën në pension, disa i dërguan ambasadorë, disa i graduan dhe rezultati i punës dhe profesionalizmit të tyre janë katastrofat në Burrel, Tepelenë, Gërdec e në autostrada dhe çdo vatër krimi. Për fat të keq, lufta ndaj korrupsionit ka mbetur e mbetet demagogji e politikës, shout televiziv dhe asgjë më shumë. Pushteti i mafias, që ishte më parë si në administrimin e kazinove, të ndërtimeve, të shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes e në çdo fushë tjetër, jo vetëm nuk u luftua, por u fuqizua kaq shumë sa duhet një revolucion popullor për ta eliminuar dhe zhdukur.

Së treti, mania për të fituar në mënyrë të paligjshme duke qenë në karrigen e shtetit që është moto pune kudo, ka çuar vendin tonë gjithmonë në tragjedi. Fitimi kapital i padiskutuar, duke mos llogaritur asgjë ndaj jetës së njerëzve, për këtë të fundit as që bëhet fjalë. Kjo përfundimisht tregon se shteti me strukturat përkatëse të kontrollit e sigurisë së jetës së shtetasve nuk ekziston. Përfundimisht, nëse dikush është i interesuar të dijë se çfarë ndodhi në Gërdec, të fillojë kontrollin te praktika e punës: 1- Si dhe kush e kreu kontraktimin. 2- Një komision special duhet të përcaktonte vendin e asgjësimit dhe pse nuk u zbatuan masat e sigurisë. 3- Kush urdhëroi transportin dhe grumbullimin e municioneve dhe asgjësimin e tyre në këtë zonë. Pra, nëse ka një urdhër kush e ka firmosur atë. 4- Pse transportimi i municioneve kryhet nga ushtria kur firma është private. 5- Ku do të shkonin këto materiale ushtarake, pse nuk u shitën ato në interes të popullit, siç u veprua në rastin e tankeve. Po lëndët kimike ku shkuan.

Të gjitha këto tregojnë dhe vërtetojnë se ligjet nuk veprojnë, rregullat nuk zbatohen, teoria “fshatçe” e Ramiz Alisë është në themel të veprimit dhe aktivitetit të shtetit të sotëm. Në administratën shtetërore punon e zë vend ai që paguan, vendi i jepet prurësit më të parë. Për katastrofën e Gërdecit dorëheqja është morale, vënia në bankën e të akuzuarve është detyrim ligjor për të gjithë drejtuesit eë ushtrisë, nga shefi i shtabit, zëvendësi i tij e deri te drejtori i armatim-municionit, transportit, artilerisë e të tjerë. Nëse ministri i Mbrojtjes jep dorëheqjen, këta zotërinj si specialistë dhe profesionistë të mirëfilltë të ushtrisë duhet automatikisht të merren nën përgjegjësi penale për abuzim e shpërdorim detyre, për përfitime të paligjshme, në mënyrë mafioze, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe duke shkaktuar tragjedi kombëtare me pasoja vdekjen, duke shkelur me dashje Kushtetutën. Nga të gjitha këto pasiguri e tragjedi të vendit, nga metodat arbitrare të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, trajtimi dhe mospërfillja e ushtarakëve për të drejtat e tyre, përçmimi dhe shkelja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasiguria e njerëzve për të jetuar në Shqipëri, në vendin e tyre të lindjes, demagogjia dhe tymnaja e madhe për të luftuar korrupsionin, besoj se janë e do të jenë pikat e kufirit që nuk do të lejojë jo sot por asnjëherë Shqipërinë të integrohet në NATO dhe strukturat e tjera europiane. Kjo do të ndodhë vetëm nëse Parlamenti Europian dhe strukturat ekzekutive të NATO-s drejtohen nga njerëz që kanë nivelin e mentalitetin e parlamentit dhe qeveritarëve shqiptarë, në themel të punës së të cilëve qëndron e patundur lufta e klasave jo me metoda komuniste, por me metoda tepër të stërholluara mafioze, duke i hedhur që të gjithë intelektualët profesorë e gjeneralë në rrugë, sepse nuk hidhen të gjithë ata që janë të ndershëm e të moralshëm, të gjithë ata që me punën e tyre i kanë thënë shtetit shtet e ligjit ligj, që kanë vlerësuar më tepër se çdo gjë tjetër jetën e njerëzve e jo pasurimin personal e interesat e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama