Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Transgresioni është stili ynë i jetës

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Transgresioni është stili ynë i jetës

Ne shqiptarëve na pëlqen kundërvajtja, nuk bëjmë dot pa shkelur rregullat; dhunimi i këtyre të fundit është në stilin tonë të jetesës (apo është në ADN-në tonë?). Mendoj shpesh se sikur të donim të kërkonim një karakteristikë përkufizuese të shqiptarëve nuk do gjenim një më të mirë sesa qasja transgresive.

Ka plot rrethana që e demonstrojnë dhe e ilustrojnë këtë dukuri, por ka një situatë – kam shkruar më se njëherë lidhur me këtë argument – ku kjo gjë vihet re qartazi, si në një libër për fëmijë me figura: në kryqëzimet e rrugëve urbane të pajisura me semaforë. Është një situatë, në të cilën jemi ndodhur të gjithë, n’daçi si këmbësorë, n’daçi si vozitës (nuk bëjmë keq ta shtiem në përdorim masiv këtë fjalë kosovare: vozitës; nuk kemi një më të mirë). Është një përvojë që s’i mungon askujt; është një mise-en-scène, në të cilën të gjithë kemi luajtur një rol, të njëjtin rol, atë të kundërvajtësit. Një pjesë e madhe nuk janë të vetëdijshëm që e kanë luajtur këtë rol, dhe në këtë mes është fjala për ata që i shkelin rregullat, jo ngaqë duan të njohin kënaqësinë e sfidës ndaj tyre, por ngaqë nuk i njohin hiç këto rregulla, ose ngaqë, të rritur në një botë, ku i vetmi rregull ka qenë mbijetesa dhe i vetmi arbitër vullneti i tyre individual, nuk u shkon fare në mendje se jeta urbane e komunitare ka rregulla.

Më tërheq vazhdimisht vëmendjen kjo tipologji njerëzish. Kur janë këmbësorë, ata dallohen nga larg. Kanë një shkujdesje bukolike në rrugë. Ecin në trotuare, dhe në kryqëzim ata ndalen veç një fraksion sekonde, sa për t’u familjarizuar me tollovinë e për të matur me sy rrezikshmërinë e makinave që ecin në varg, e pastaj, mes një konfidence instiktive me vozitësit, bëjnë për t’u hedhur në anën tjetër të rrugës. Është vendi i semaforëve, dhe paradoksi është se gjëja më e parëndësishme në atë vend, për ta, është semafori. Një pjesë vozitësish kanë zënë t’i respektojnë semaforët, por këmbësorët jo. Shumica dërrmuese e këtyre të fundit, kush prej forcës së zakonit, kush i tërhequr vetvetiu e symbylltazi prej shembullit që japin të tjerët (shembujt që jepen rrotull nesh janë një trysni e madhe që e bëjnë të duket i kotë e i pavlefshëm çdo dispozicion kulturor që mund të kemi), sillen në kryqëzimet e rrugëve mú sikur të jenë në oborrin e shtëpisë së tyre private.

Ka më keq. Në disa raste, ca e ca nuk ecin as në trotuare (kur qëllon që ka trotuare, pasi qeveritarët lokalë, sa herë u janë dashur ca metra, i kanë marrë nga trotuaret, dhe kështu këta të fundit janë ngushtuar pa fund; diku ka mbetur vetëm një rrip i ngushtë betoni, por diku tjetër do duhej të ishim të lumtur po ta gjenim qoftë dhe një rrip të ngushtë). U bien rrugëve tërthor për t’u hedhur matanë aty ku u shkrep në kokë që ta bëjnë këtë gjë. Nuk demonstrojnë se kanë frikë nga makinat, të cilat mund të jenë me dhjetëra kilometra/orë në segmentet mes dy kryqëzimeve. Madje, kanë një nge e një ngrefosje prej kokoroçi që nuk mund ta shpjegosh vetëm me injorancën, ashtu siç nuk mund ta shpjegosh vetëm me injorancën rastin tjetër, më të skajshëm në absurditetin e vet, që ka të bëjë me ata këmbësorë që dalin në rrugë, jo për të gjetur një moment e për t’u hedhur përtej, në anën tjetër, por për të ecur në rrugë e përgjatë rrugës, paralel me trotuaret, ngjitur me makinat që fluturojnë me shpejtësi në korsitë e tyre, dhe unë më kot kam pritur në rrethana të tilla të shoh ndonjë polic që t’i ndalë e t’u thotë “hej mik, në qytet rrugët janë për makinat, ndërsa për njerëzit janë trotuaret (të kuptohemi, atje ku ka trotuare)”, por s’më ka ndodhur asnjëherë të shoh policët të marrin funksione pedagogjike, gjë që unë besoj se bën pjesë në funksionet e tyre.

Duhet të jenë shumë të rrallë policët, të cilëve kjo gjë duhet t’u bëjë përshtypje. Kuptohet pse. Rekrutimi i tyre bëhet mbi bazën e militantizmit politik, e dihet që militantët në Shqipëri nuk janë njerëz që kanë pasione civike, por janë njerëz që kanë nevoja bazike. Copa e bukës është ideologjia e tyre.

Thashë pak më sipër se “një pjesë vozitësish kanë zënë t’i respektojnë semaforët”. Hm, një pjesë amá. Ka ca të tjerë, rëndom me makina të reja, të shtrenjta e me targa me shifra të rrumbullakosura (kështu kanë dhe numrat e celularëve, me shumë zero) që, nëse gjejnë një korsi të lirë, ngjyrën e kuqe të semaforit e marrin si një optional dhe vozitësit e tjerë që janë vënë në pritje të ngjyrës së gjelbër i marrin për koqe kandari. Ata mbërrijnë pranë semaforit me shpejtësi, aty bëjnë një frenim të lehtë sa për t’i dhënë kohë vetes për t’i bërë një rikonjicion vendit, dhe me të parë se nuk ka asnjë rrezik përplasjeje me makina të tjera që janë në të drejtën e vet, i japin gaz makinës dhe ikin tutje, rëndom nën vështrimin hutaq e të pafuqishëm të policëve që shërbejnë aty. Në ato rrethana, më shumë se sa pështirosje prej atyre të fortëve që kanë marrë nën komandë qytetin, dhe vendin krejt, unë provoj keqardhje për policët.

Ka ndonjë që s’është vënë qoftë dhe njëherë, larg syve të policëve, në rolin transgresiv të këtyre të fortëve? Sa vetë janë ata që s’e kanë pasur këtë ngasje? Një? Një qind? Një mijë? Kam frikë se janë pak. Është një kontekst i tërë transgresioni që ta fut me përdhunë tundimin për t’i dhunuar rregullat. Madje, në të shumtat e rrethanave nuk bëhet fjalë për tundim, të cilin edhe mund ta mundësh, por për një zell e patologji transgresioni që të mbërthen të tërin. Ti sheh policin e trafikut që rri në kryqëzime në pritje të eskortës së ndonjë njeriu me pushtet, në mënyrë që të ndalë trafikun për t’i hapur rrugën eskortës, t’i sheh policin që ngre duart lart përballë të fortëve që s’duan t’ia dinë për semaforin, t’i sheh njerëzit e tjerë, që ecin më këmbë, mbi motor, mbi biçikleta mes një katrahure që vetë ata e mbjellin, dhe vetvetiu vjen një moment i dobët, në të cilin t’i pyet veten: ç’rëndësi ka që unë t’u mbahem rregullave? Kujt i hyn në hise e në qese kjo gjë?

Është shembulli kolektiv që ta topit ndërgjegjen; kjo e fundit të bren më pas, e për njëfarë kohe nuk ke për ta përsëritur, por prapë do të vijë një moment, në të cilin t’i ndihesh i lodhur prej vetëdisiplinimit moral, e t’i kupton se virtyti yt në një botë vicioze është një handikap për ty, e jo ndonjë ushtrim didaskalik për gjindjen që s’ha pyka, dhe i dorëzohesh sërish një copë herë transgresionit. E pastaj njëherë tjetër. E pastaj njëherë tjetër akoma. E kështu me radhë. Derisa bëhesh njësh me transgresionin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama