Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sistemi i formesuar si posedim

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Sistemi i formesuar si posedim

Shqipëria kësaj here do ta fitojë statusin e vendit kandidat për BE. Ky është një konstatim që pohohet tashmë jo vetëm nën zë, prej shumë burokratëve në Bruksel. Raporti i fundit i pritshëm, i cili do të formulohet prej dërgatës së rikthyer të Brukselit në Shqipëri, në përbërje të së cilës janë edhe europarlamentarë, do të jetë vendimtar për këtë objektiv shqiptar.

Por ndër burokratët e Brukselit, sidomos pas komunikimeve me palët e dy partive kryesore të vendit, droja e parë shprehet se si dhe nga kush do të përdoret kjo arritje politikisht në këtë vit elektoral? Sipas sjelljes së njohur, Kryeministri Berisha do të “risë vatët” e altoparlantëve për këtë arritje historike në sajë të udhëheqjes së vet dhe mund t’i bëjë edhe ndonjë korrigjim të menjëhershëm vendosmërisë së vet për qeverisje deri në 2030. Ndërkohë që opozita socialiste përballë kësaj sfide të prizmuar ndryshe, do të vijojë të bëjë rolin e ankimtares që loja që po bën zoti Berisha “është pa top”.,.etj.etj.

Ajo që është serioze në këtë marrëdhënie me një objektiv të pritshëm kombëtar, pra me fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE, ka lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin dhe brendinë e munguar ligjzbatuese në këtë vend. Objektivi i statusit për në BE, në realitetin dhe mentalitetin shqiptar, po formëson brendinë e provimit që merret jo në bazë të aftësisë dhe cilësisë së nxënësit, por si akt i cili ka lidhje me klasën. Është një marrëdhënie e informalizuar dukshëm mes klasës politike të vendit dhe vetë standardit që ka afishuar BE-ja në fillimet e viteve ’90. Është një ikje e ndërgjegjshme prej vlerës reale të standardit që duhet pasur për ta fituar këtë status. Shumëkush i ardhur nga jashtë këtij vendi, pa qenë nevoja të kontaktojë dy palët antagoniste apo edhe të ndërmjetshmit e afektuar, sot e ka të lehtë të fitojë bindjen se në këtë vend raporti mes propagandës dhe reales, po mban anën e së parës. Diferenca mes fjalës dhe realitetit është e thellë dhe se principet me sistemin kanë kohë që nuk kanë pikëtakim. Propaganda jo vetëm mediatike e shumicës qeverisëse për çështjen e imuniteteve, përballë asaj të opozitës është tipike elektorale. Pala që ngulmon, madje e prirë nga Kryeministri që vijon të këmbëngulë për heqjen me referendum, synon që përmes një arme dhe forme populiste të ilarizojë konkurrimin elektoral për vitin 2013. Një formë tipike populiste, prej së cilës realizohet ilarizimi i fushëbetejës elektorale si për të analizuar qeverisjen tetëvjeçare të koalicionit, ashtu edhe për të krijuar një marrëdhënie kontrastuese mes asaj që është bërë me forma dhe mënyra autoritariste, përkundër modelit të sistemit të pretenduar prej një shoqërie me pluralizëm politik institucional.

Çështja e imunitetit në përmendjen e fundit nga zoti Sanino, po serviret si kushti sinequanon i Brukselit për klasën politike dhe posaçërisht për opozitën. Ky është leximi tinëzar që njëra palë bën për llogari të vet, në sy të publikut. Kjo është përcjellja e turbulluar që makineria e njërës hemisferë politike i bën fjalës së përfaqësuesit të Brukselit, duke tentuar zezimin e së drejtës apo pretendimit të hemisferës tjetër politike. Në këtë mënyrë, në këtë vend ku mungojnë aktorët dhe vektorët e paanshmërisë plurale dhe të shprehjes së pavarur, për shkak të kapjes politike dhe elektrizimit politik që ka jeta dhe përditshmëria jonë aktuale, po funksionon përdorimi i ambasadorëve dhe shprehja e të tretëve. Po vihet në eficencë maksimale përdorimi i përkthimit sipas nevojës dhe jo sipas besnikërisë ndaj copyrightit. Vini re si e përcjell për publikun pohimin e çdo të treti, media pranë pozitës dhe ajo e opozitës! Një shërbestari politike që prej disa vjetësh po investon në vend të vërtetat bireale politike. Në këto ditë, kushti më i potencuar sipas qeverisë për BE-në qenka ai për imunitetet dhe jo 12 pikat e raportit të njohur. Një aftësi e shumicës për të eklipsuar edhe një dokument i cili prej më tepër se një vit është drafti themelor që provon dhe mban në provim klasën politike të vendit. Befas, 12 pikat kalohen në plan të dytë, pasi nevojitet si kusht themelor ai për të cilin Kryeministri me shumë pushtete ka shpallur aksion të pakthyeshëm politik, qoftë edhe referendar.

Kjo është një lojë e Kryeministrit për llogari të brendshme, por kjo është një lojë të cilën opozita nëse nuk di ta bëjë, nuk ka kapacitet ta trajtojë si të dalëkohe dhe të padenjë për një Shqipëri që do të duhej të kishte freskinë e vendit që po bëhet rishtar në gjirin e një familjeje politike kontinentale. Diplomacia si propagandë e zotit Berisha është shumë e shumë më efikase se reagimi apo pretendimi zyrtar që shfaq opozita. Kjo opozitë nuk po investon kontrastin. Opozita ka një vokacion të pamjaftueshëm si për t’u ndalur te kazuset e korrupsionit, ashtu edhe tek ato të abuzivizmit. Një opozitë që konstatimin e vijueshëm të institucioneve ndërkombëtare për mungesë llogaridhënie dhe besnikëri ligjore ndaj statistikave nuk po e shndërron në platformë dhe projekt që modelon projektqeverisjen e pretenduar të saj. Një raport kontradiktor dhe shpesh absurd mes shumicës dhe opozitës, si dhe nevojave reale që ka jeta politike e vendit.

Të gjitha këto po e bëjnë edhe më të eklipsuar kapjen e sistemit dhe formësimin e tij si posedim. Edhe nëse nuk mund të jetë qind për qind e vërtetë kjo, së paku si prirje vepruese po provohet dhe duket. Pushtetet po centralizohen, pse jo edhe frikshëm. Demokracia institucionale është lilipute përballë autoritetit kryeministror, ndërkohë që Parlamenti i tanishëm është i vetmi me kaq pak ngjyra partiake dhe vlera plurale në historinë e 20 vjetëve të fundit dhe sipas të gjitha gjasave, ai i pritshmi, ka për të mbetur me këtë varfëri ngjyrash dhe prezence. Pluripartizmi në Parlamentin tonë do të bëhet ndoshta sërish po kaq i munguar, përderisa dy forcat kryesore po ngrenë në axhendën e debatit, diskutimit dhe kalendimit parlamentar, çështje të tjera të cilat po ekslipsojnë nevojën për reformim të sistemit dhe të procedurave deformuese që sollën ndryshimet kushtetuese të vitit 2009. Katër vitet e këtij mandati legjislativ në vend, janë tabloja më e varfër e kontributit politik dhe parlamentar. Madje mund të thuhet se ky Parlament do të përmendet si ai me mandat të pajustifikuar për produktin dhe në mënyrë të veçantë, për funksionimin dhe vlerën e vet në parlamentarizmin postkomunist shqiptar. Në epilogun e tij, nuk pritet ndonjë risi, por opozita socialiste së paku ka detyrimin të shfaqet në kohën dhe seancat e mbetura si një alternativë që kontraston jo si refuzuese, por si cilësi dhe model. Ikja e kësaj opozite prej kapjes imponuese që i bën modelit dhe sistemit shumica e zotit Berisha, nis pikërisht tek ekspozimi i ndërgjegjes së saj si refuzuese e sistemkapjes dhe rikthimi te pakti i sistemnënshtrimit. Nëse shfaqet kjo opozitë, atëherë statusi i fituar është realisht një agim i ri politik për shqiptarët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama