Edhe me fjalë ta kishim lenë, më keq se kaq nuk kishte ku të shkonte. Vjet nga fundi i vitit fantazia ime dhe subkoshienca më hardallosnin kot më kot tek pikturoja në tru një 2012-të të paqmë.
Pikturoja një Shqipëri, e cila në unison nga jugu në veri, majtas a djathtas, me apo pa brekë në bythë, me apo pa ushqim në stomak, me apo pa tru brenda kafkës së kokës do të vendoste në heshtje një lloj paqeje të brishtë sa për hipokrizi. Mendoja se ky vit do zbuste sadopak Shqipërinë histerike, dembele, llafazane, politikisht të frustruar dhe vetë gjindja, pra qytetarët, katundarët, myslimanët, demokratët, të krishterët, qejflinjtë, kurvat, studentët, socialistët, virgjëreshat, taksapaguesit, pra të gjithë ne thjesht do sforcoheshim sa për hatër të 100 vjetorit të pavarësisë e do të prodhonim vetëm lajme të mira, lajme të gëzuara si gjithë dynjaja.
Thjesht, pastër e bukur mendoja se shoferët në timon do të vozisnin më me kujdes, Jozefina do e qepte e nuk do behej zhele majë parlamentit, kriminelët do të fshihnin koburet për nja 12 muaj, gjakësit do linin fëmijët e ngujuar të dilnin për pak ajër nga kulla, partia e Lir Metës do ia bënte fora duke stopuar vjedhjet dhe korrupsionin, mjekët dhe infermieret do të gdhiheshin pranë pacientëve duke mos u kërkuar kokërr leku nën dorë, Berisha do të mbyllej vetë në klinikën neuro-psikiatrike të doktor Petrelës deri më 29 nëntor 2012, gjykatësit anembanë vendit do të rreptësoheshin e nuk do të toleronin me para as hajdutët e pusetave dhe as zyrtarët e korruptuar.
Shqipërinë e kisha planifikuar porsi kryeqytetin e Islandës, Rekjavikun ku kur shkova për herë të parë pashë dhe ndjeva paqe e dashuri mes natyrës dhe njerëzve. Pa zjarre pyjesh, krisma kallashësh dhe rrugë të pagjakosura e mendoja Shqipërinë e këtij jubileu. Me shkolla dhe universitete të hapura 24 orë dhe e fantazoja plot për plot me diskoteka, restorante dhe kafene ku njerëzia shkonin pas pune e dëfreheshin. Asnjë vaki apo vdekje makabre nuk i kisha parashikuar vendit tim dhe dasmat do të buçitnin nga e hëna deri të diel. Dasma ku derdhej rakia lumë dhe askush nuk vritej për radhën e vallëzimit. Kënaqësi pa fund dhe det bollëku, qetësie, dashuri dhe seks në çdo krevat, fshat, lagje e qytet. Farmacitë nuk do të shisnin asnjë prezervativ dhe sperma do të gurgullonte si përrua pranvere nëpër kanale vaginash e çdo pikë e saj do të ngjizej për të shtuar dhe zbukuruar këtë racë. Shqipëria vetëm do dëfrehej nëpër stadiume dhe futbollistët e saj kuqezi, pavarësisht shtetësive të natyralizuara, nuk do e çirrnin dhe godisnin njeri-tjetrit por gola, vetëm gola pa fund do i shënonin shoqi-shoqit.
Bleona Qerreti nuk do hapte thesin e gënjeshtrave hollivudiane, e madje edhe nudo të këndonte nëpër Shqipëri, askush nuk do e filmonte vjedhurazi për ta lakuriqësuar nëpër internet. Artistët shqiptarë të këtushëm dhe kosovarët do i binin kryq e tërthor vendeve tona pa kërkuar 3-4 mijë euro për tallavatë e tyre mbushur me emocione të sajuara nacionalizmash.
Shqipëria ime do të pikturohej më bukur e me më shumë ngjyra se në punët e Vangjush Mios, Robert Williams, Alush Shimës, Thomas Kinkade, Ibrahim Kodrës, Bernie Wrightson, Olivia-s, Safo Markos.
Shqipëria ime e 2012-s do ia kalonte edhe Ibizës dhe Mikonos-it për qejfe dhe hapërdarje. Një herë, vetëm një herë të vetme një vit rresht do mburreshim me këtë atdheun tonë e do i tregonim botës se 100 vjetori i pavarësisë na gjeti në paqe, bollëk, dashuri e plot mirësi mes veti…
Fantazia ime nuk zgjati shumë se sapo 2012 trokiti në portat e kësaj republike filloi grushti, sherri, kërciti e kërcet patllakja si në karadak e nuk mbeti gjak pa u derdhur apo jetë njerëzish që shkojnë për lesh.
Tutesh të shohësh pak lajme apo të lexosh një gazetë në print a web. Makabritet 24 karatësh pa rregulla loje dhe pikë respekti. Ndërkohë që po shkruaj, flamurit kuqezi të pavarësisë iu derdh një tjetër batare plumbash andej nga Sukthi i Durrësit. Gjaku i heronjve dhe patriotëve të dikurshëm është spostuar në qoshen e flamurit tonë teksa përditë ky flamur spërkatet me gjak të ri. Nuk e lemë flamurin t’ia zbehë të kuqen koha dhe historia, por si dalëzotësa e llangosim çdo orë e minutë.
Nuk na bën dot derman asnjë lloj përvjetori pavarësie, çlirimi e gëzimi. Çdo eveniment sublim lumturie e mbyllim me shishe kokës apo me thikë pas shpine mbytur me gjak.
Nuk na lumturon dot lumturia.
Nuk mundemi kurrë që as në lagje, fshat apo parlament të ngremë ura komunikimi e të këmbejmë fjalë porsi njerëz e të qajmë hallet si të njëjtë.
Na mungon fjala e ëmbël për miq e shokë dhe nuk lejojmë logjikën e ftohtë të na kontrollojë situatën, por vetëm tyta e nxehtë e pisqollës na jep zgjidhje. Nën hyqmin e Flamurit kuksian të Berishës, kriminelët janë trimëruar aq shumë, sa nuk vrasin më kriminelë të tjerë rivalë, por policë, bile dhe nga Tropoja.
Po më pështiroset ky përvjetor i 100-të i atdheut tim, duke i mbledhur 100 të zezat e shekullit në një vit. Doktor, mbete e zeza e 101!