Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mars i përgjakur, kujtesë e plagosur.

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 17 vite më parë

Gjergj Xexo
Mars i përgjakur, kujtesë e plagosur.

Katastrofa e Gërdecit me dhjetra të vrarët e tij, të zhdukurit e shumtë, me dëmet e pallogaritshme materiale dhe me traumën e rëndë kolektive përbën aktin e rradhës të tragjedisë së sotme të shoqërisë shqiptare që, edhe pas 17 vjetësh të shkuara nga përshëndoshja me rregjimin komunist, vazhdon të vuajë pasojat e të kaluarës shtypëse.
Kësaj here, e kaluara u materializua në predha dhe të tjera ngarkesa eksplozive që duar të shkujdesura i kishin grumbulluar pranë një fshati si Gërdeci, pranë një qyteti si Vora me qëllim që duar të tjera të kujdesshme grash dhe fëmijësh t’i kondiciononin, t’i manipulonin, t’i çmontonin – shkurt, t’i shëndrronin në vlera monetare. Nuk mund të harrosh se pikërisht një mars tjetër të vitit 1997, plot 11 vjet më parë, ishin po të njejtat predha dhe armë, e njejta trashëgimi i të kaluarës komuniste, që u grabitën nga depot e ushtrisë popullore të falimentuar dhe u përdorën gjatë orgjisë kolektive për të vrarë me mijra pjesëmarrës të atij « ahengu » që çoi në rrëzimin e demokracisë naive berishjane. E pra, një demokraci berishjane kësaj here e pjekur vazhdon të manipulojë armët dhe municionet jo më për tregun e « brendshëm », por për tregun vrastar të përbotshëm. Kur do të vemë mend dhe të kuptojmë një herë e mirë që armët dhe municionet s’janë lëndë e parë – dhe aq më pak lodra – që mund të lihen në duart e pafajshme të civilëve ?
Megjithë etiketën e tij demokratike, paradoksalisht, shteti shqiptar dhe qeveritë e tij të njëpasnjëshme blu-rozë-blu s’kanë mundur t’i bëjnë dalje të kaluarës dhe të mbyllin një herë e mirë rregjistrin e tij të trashëgimisë. Nuk dëshiroj aspak të përmend mentalitetin e burrave politikë, të pjekur në furrën e vjetër të PPSH, bile as edhe retorikën partiake që kujton çuditërisht atë të kongreseve të dikurshme. Kësaj rradhe dua të flas për « bazën materiale » të socializmit – atë pasuri kolektive që megjithëse u thye dhe u grabit për vite të tëra mes 1991 dhe 1994 – dhe më pas në 1997, ende vazhdon të tërheqë lakmi të shumta : ato tokat e pazot të vëna në ankand me 1 euro, ato pasuri minerale të shfrytëzuara barbarisht, ato vepra industriale gjysëm të çmontuara, ato grumbuj materialesh ushtarake të demoduara, të cilat vazhdojnë të përbëjë fondin « tregëtar » të demokracisë ku gërmojnë politikanë të paskrupullt, në kërkim të pasurive personale.
 
 
* * *
 
I parë veçmas, rasti i Gërdecit është i ngjashëm me shumë të tjerë – çka e dallon janë përmasat e katastrofës si dhe numri i viktimave. Sa raste të tilla kanë kaluar në heshtje – pasi nuk janë marrë vesh - ose janë harruar – pasi kanë shkaktuar « vetëm » një ose dy të vrarë, « vetëm » tre ose katër të plagosur ?
Dikush, me ngut, e cilësoi këtë katastrofë si « frut të pakujdesisë njerëzore ». Vështirë se mund të përdoret ironi më e hidhur për të justifikuar tragjedinë gjithmonë njerëzore, dhimbjen e familjeve të viktimave. A egziston tjetër shpjegim - përveç « pakujdesisë njerëzore », që mund të shpjegojë gjëma të tilla të natyrës industriale ? Por, cili është elementi « pakujdesi » që shkaktoi Gërdecin : procesi i asgjësimit të ish-ushtrisë popullore shqiptare që i la këto instrumenta të vdekjes në mëshirën e çdo kapteri, përgjegjës depoje ? ideja e krijimit të « MEICO »-s për të ricikluar këto mbetje ushtarake me qëllim pëfitimi monetar ? besimi i armëve dhe i municioneve, të destinuara për të vrarë njerëz, një pseudo-ndërmarrjeje si « Albdemil » ? shëndrrimi i ish-gazermave të ushtrisë pranë Gërdecit në kapanone industriale çmontimi municioni ? rekrutimi nga ana e « Albdemil »-it e grave dhe e të miturve pa asnjë formim profesional për të manipuluar predhat ? Përfundimisht, a ka ndonjë nga këto elementë që angazhon përgjegjësinë e Shtetit dhe të përfaqsuesit të tij, Qeverisë ?
Si i përgjigjet Qeveria këtyre pyetjeve ? Le të shkojmë në sallën e Kuvendit Popullor dhe të dëgjojmë ligjëratat e Kryeministrit dhe të Ministrit të tij të Mbrojtjes :
I quaj të papranueshme me gjithë dijeninë time, vendosjen e çmontimit në zonën ku është vendosur. Dhe ka një vendim shumë të qartë të Këshillit të Ministrave se cila është praktika që duhet të ndiqet. Dhe çdo vendim tjetër dhe mospaqyrim të tij ka përgjegjësitë e veta. Pra në rast se thyhet urdhri i kryeministrit, ai që nuk zbaton urdhrin, ai ka përgjegjësi. Që Gërdeci nuk duhet të ishte e kam thënë dhe e them 100 herë. Ai që vendosi të mbajë përgjegjësi të plotë dhe ju që hetoni, hetoni këto elementë: kush e vendosi! Zotërinj, emrin Gërdec e kam dëgjuar për herë të parë më datën 15 mars”. (S. Berisha – 19 mars 2008)
Si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse të forcave të armatosura, apo ato që lidhen me Ministrin e Mbrojtjes në kontrollin e zbatueshmërisë së vendimeve të Ministrit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë, trajtimit të personelit dhe as për fakte skandaloze të prezencës së të miturve në mjedise të tilla. Autoritetet më të larta ushtarake e kanë vizituar këtë fabrikë të montimit dhe nuk kam asnjë raportim të tyre për situatën e rrezikshmërisë, apo pasojat që mund të sillnin”. (F. Mediu - 19 mars 2008)
Ndërkohë që vetë Kryeministri injoron deri edhe emrin Gërdec ; që Ministri i tij i Mbrojtjes – megjithëse e njeh – nuk ka marrë « as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse » ; që « autoritetet më të larta ushtarake » nuk kqyrin asgjë të rrezikshme në « këtë fabrikë » ku montohet vdekja ; që autoritetet civile përkatëse (Ministria e Industrisë) nuk e sheh të nevojshme të përzihet, që autoritetet lokale (bashkia e Vorës) nuk ka pipëtirë as edhe fjalën më të ndrojtur ndaj rrezikut – a egziston diku ndonjë sy, në mos i përgjegjshëm, të paktën i ndërgjegjshëm që të kish dalluar diçka që mund të jepte idenë e katastrofës ? një gojë, që në mos e zonja të artikulonte fjalime, të paktën e aftë të lëshonte britmën : « O njerëz, o Gërdecarë, largohuni nga sytë këmbët » ? së fundi, një dorë, në mos e aftë të ndalojë dorën tjetër vrastare, të paktën e zonja t’i japë një shuplakë në fytyrë politikanëve hipokritë ?
Në prani të kësaj gjendjeje papërgjegjësie të plotë të të gjitha niveleve të pushteteve, në kushtet e « zbrazëtisë integrale » të substancës administrative, ç’vlerë ka ngushëllimi publik i familjeve të viktimave ? Apo, thjesht si vello për të mbuluar pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë ndaj jetës njerëzore ? Eshtë në përgjegjësinë e një Kryeministri si z. Berisha të indinjohet me përfaqsuesit e medias, me ata « mercenaret gazetarë qe duke shkelmuar me menyren me te turpshme mbi moralin njerezor hidhen nga gezimi ne Televizionet e tyre e manipulojne me fatkeqesine e viktimave… keta mercenare [që] non stop bertisnin rrofte vdekja, poshte qeveria”. Do të ishte në nderin e tij, në nderin e mjekut humanist, siç është përpara se të bëhej Kryeministër, të thërriste përpara të gjithëve : « Rroftë jeta – çdo jetë njerëzore. Poshtë vrasësit ». Jam gjithmonë në pritje !
Çdokush njeh tashmë se sa i dashuruar është ai me mediat, gëzimin e tij që ato jenë te lira si dhe përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes të lirisë së tyre – do të dëshironim që me të njejtin patos ai të shprehte vendosmërinë e tij për mbrojtjen e Ligjit – atij Ligji themelor Kushtetues, që ndonëse nuk mundi ta nënëshkruajë me dorën e vet dikur, e trashëgoi si detyrë. Kjo Kushtetutë, gardian e të cilës është çdo Kryeministër, pohon mes të tjerash se : « … dinjiteti i njeriut, te drejtat dhe lirite e tij, drejtesia shoqerore… jane baza e ketij shteti, i cili ka per detyre t'i respektoje dhe t'i mbrojë  (Neni i Tretë, Pjesa e Parë)» përpara se të proklamojë me zë të lartë se « jeta e personit mbrohet me ligj (Neni 21, Kreu i Dytë) ».
 
 
* * *
 
Kam bindjen se një situatë e tillë, e krijuar pas ngjarjes së Gërdecit, e « ndotur » nga fëlliqësia mediatiko-politike vendore mund të kjartësohet jo vetëm nëpërmjet kërkimit dhe gjetjes së përgjegjësive përkatëse por në rradhë të parë, nëpërmjet ripërcaktimit të sferave të juridiksionit të çështjes. Me fjalë të tjera, a bëhet fjalë për një « fatalizëm » të llojit industrial apo për një « kazualitet » kriminel, ku problematika ushtarako-politike shkapërderdhet përtej kufijve të saj tradicionalë dhe përmbyt aktivitetin civil, jetën e përditshme ?
Eshtë e sigurt se, edhe kjo mënyrë e kqyrjes së çështjes, nuk mjafton për të ringjallur viktimat ose për të ngushëlluar familiarët përjetësisht të helmuar – ashtu siç nuk mjafton për të shlyer përgjegjësinë e Qeverisë që sidoqoftë, mbetet i vetmi Autoritet kompetent që kontrollon dhe mbarështron këto dy sfera dhe që për më tepër, administron sigurinë e jetës së nënshtetasve të vet. Shpresoj vetëm që kështu do të mund të vihet diçka më tepër përgjegjësi dhe rregull në këtë botë të mbrapshtë, të përkufizuar si « demokraci », ku edhe jeta - « kapitali më i çmuar » i nënështrohet ligjeve të pamëshirshme të fitimit, ku interesat materiale të një edepsëzi paralli alla-Delijorgji vlejnë më tepër se e ardhmja e dhjetra fëmijëve gërdecarë…
Lidhur me « kazualitetin »,në një shkrim të mëparshëm,   të përgatitur me muaj – për të mos thënë vite – përpara Gërdecit, kam analizuar procesin e dezintegrimit të ish-ushtrisë Popullore, të vënë në jetë nga politikanët dilentantë të epokës Berisha – Meksi, produkti anësor i të cilës është edhe « lënda e parë » vrastare e « Albedemil »-it. Po aty është përmendur edhe aktiviteti i dikurshëm i të sotmes « MEICO », specialiteti kryesor i të cilës me sa duket ka mbetur trafiku i armëve – krahas tregëtisë « së ndershme ». S’ka asnjë dyshim se ky mekanizëm « tranzicionel », i cili parapriu dhe përgatiti dikur Vitin e Mbrapshtë 97’, është në origjinë të fatkeqsisë së sotme. Për fat të keq, askush nuk nxorri mësimet e duhura nga katastrofat, as politikanët përgjegjës as edhe shoqëria civile e viktimizuar. Bile edhe ajo opozita e sotme aq luftarake që kërkon sot dorëheqjen e Qeverisë, ka harruar tashmë që disa vjet më parë – dhe për tetë vjet me rradhë (1997-2005) – i ka patur këto armë dhe këto municione përpara syve dhe përpara hundës, ndërkohë që e vetmja masë që ka mundur të marrë ka qenë pikërisht tregëtia « e ndershme » - gjithmonë nëpërmjet « MEICO »-s dhe filialeve të saj dhe me të njejtët ndërmjetës trafikantë delijorgjë. Përse kjo ish-pozitë socialiste nuk ndërmorri në kohë të vet, asgjësimin metodik dhe të asistuar nga specialistë të huaj, të kësaj trashëgimie vrasëse ? Pasi, ishte më e thjeshtë të « harroje » se sa të veproje, më e thjeshtë dhe më fitimprurëse të shisje se sa të asgjësoje… Dhe së pari, rroftë ai fat që nuk ndodhi ndonjë Gërdec në atë kohë – por i ngeci « zholi » në dorë Berishës dhe demokratëve të tij !
Sa për « fatalitetin » industrial, kam qenë dëshmitar pasi banor në vendin e ngjarjes në vitin 2001, të një shpërthimi të llahtarshëm që tronditi qytetin e Tuluzës – një lloj tjetër Gërdeci por kësaj rradhe francez. Në jug të qytetit që strehon rreth 600.000 banorë – dhe në skaj të tij, prej dhjetra vjetësh vepronte një zonë e tërë industriale prej 120 hektarësh ku punonin rreth 1.500 vetë, e specializuar në produktet kimike (një uzinë e plehrave azotike – si ajo e Fierit, një tjetër uzinë e prodhimit të karburantit të ngurtë për mbushjen e raketave, një uzinë e tretë farmaceutike, një e katërt e pesticideve bujqësore..). Në 21 shtator 2001 (dhjetë ditë pas sulmit mbi Kullat Binjake të NY), në orën 10 e 17 min, një eksplozion tejet i fuqishëm ndodhi në depon e uzinës kimike AZF që stokonte 400 – 500 tonë nitrat amoni. Bilanci i aksidentit : 30 të vdekur (22 në uzinë), 2.500 të plagosur në të gjithë qytetin, uzina kimike në fjalë u zhduk nga faqja e dheut, uzinat e tjera u bënë pjesërisht të papërdorshme, disa mijra banesa në një rreze prej 1.700 metrash pësuan dëme të ndryshme – shpesh të pariparueshme. Dhe nuk po përmend traumat psikologjike individuale, traumën kolektive që edhe sot e kësaj dite ende peshon mbi popullsinë e qytetit dhe mbi shpatullat e të zgjedhurve vendorë.
Ekspertiza që zgjati me muaj konstatoi se shpërthimi implikoi një masë nitrat-amoni prej 80 tonësh, ekuivalent i 40 tonëve TNT. Procesi gjyqësor, i angazhuar që në vitin 2001 për të përcaktuar fajtorët si edhe shkallën e përgjegjësisë të tyre, ende nuk ka përfunduar në ditën e sotme, pra 7 vjet më vonë.
Është tashmë e sigurt – bile edhe pa ndërhyrjen e ekspertizës – që pas shpërthimit të AZF qëndron dora e njeriut – në mos ndërgjegja e tij : ndoshta, dora « e pakujdesshme » e njeriut, që kish përzierë pa dashje nitratin me diçka tjetër ; ndoshta, dora « kriminele » që kish vënë një bombë të vogël për të provokuar bombën e madhe ; pa asnjë dyshim, dora « e fshehur » e industrialistëve të shkujdesur që kishin neglizhuar masat e sigurisë të domosdoshme ; sigurisht, dora « e drojtur » e bashkiakëve të shastisur që kishin lejuar ndërtimin e banesave pranë uzinës së rrezikshme ; po ashtu, dora « e shkujdesur » e njerëzve të zakonshëm të Tuluzës që ishin mësuar me prezencën e një monstre të tillë në jetën e tyre ; dora « e pafuqishme » individuale, e imja që ndonëse i diplomuar në energjetikë dhe i specializuar në rreziqet industriale, banoja bashkë me familjen brenda zonës së aksidentit ; dora « e largët » e qeverisë së Parisit që ende s’kish nxjerrë mësimet e duhura nga katastrofat e mëparshme…
E pastaj ? A mjaftojnë këto pohime të përgjegjësisë individuale ose kolektive për të rikthyer në jetë viktimat ? A mjaftojnë ato për të parandaluar aksidentet ose së paku për të korrigjuar kujtesën e shkurtër njerëzore ? Mbetem fort skeptik, aq më tepër që pas Sevezos në Itali, ndodhi Bhopali në Indi, më tej Çernobili në Ukrainë, AZF në Francë.. dhe së fundi Dërdeci.
Ja edhe faqja e fshehur e procesit të ardhshëm të Gërdecit – po qe se do të ketë një të tillë. Jo vetëm të gjenden fajtorët e drejtpërdrejtë dhe të ndëshkohen, jo vetëm të merret përgjegjësia nga ana e politikanëve të korruptuar që nxitën dhe lejuan fatkeqsi të tilla – por në rradhë të parë, që vetë njerëzit, shoqëria civile të përulet përpara viktimave të pafajshme dhe të gëdhendë fytyrat e tyre në kujtesën e saj. Më tej, i takon po asaj të ngrihet më këmbë dhe të thërresë me një zë : « Kurrë më Gërdec » ! Bile është e udhës të përjetësojë këtë emër dhe datën e dhimbshme duke ja dhënë një sheshi të Tiranës, ku njerëzit të mund të mblidhen për t’a përkujtuar – me qëllim që të mos t’a harrojnë.
Pasi në të kundërt, viktimat e rradhës do të jenë bijtë e saj, fëmijët tanë, të çdokujt.
 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama