Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Konventa e demokratëve dhe strategjia e fitores

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Konventa e demokratëve dhe strategjia e fitores

Konventat e partive politike mund të shërbejnë për të mësuar dhe për t’u inspiruar – një mundësi e tillë janë edhe konventat e demokratëve dhe të republikanëve, që u zhvilluan për të nominuar kandidatët e tyre për President të Amerikës. Qartësimi i arritjeve dhe “mbrojtja” e mosarritjeve të Presidentit Obama, thellësia e argumenteve dhe fakteve në analizën e programit të republikanëve, kundërargumentet ndaj akuzave të tyre për dështimin e Presidentit Obama, e bënë fjalimin e ish-presidentit Klinton kulmin e suksesit të Konventës së demokratëve, ndërsa republikanëve në Konventën e tyre u mungoi një personalitet dhe një fjalim i tillë.
Tri mund te jenë momentet më inspiruese:

1. Ne zgjedhje konkurrojnë partitë politike – kandidatët janë përfaqësues të tyre.

Efekti i jashtëzakonshëm i ish-presidentit, Bill Klinton, qëndron në pozitivitetin e angazhimit të tij personal dhe në faktin se në fjalimin e tij ai bashkoi historinë, principet, politikat programore dhe politikëbërjen e demokratëve.

Ish–presidenti Klinton i krahasoi kontributet e demokratëve dhe republikanëve në një hark kohor 52-vjeçar. Ai e përdori këtë krahasim për një nga treguesit më domethënës të programeve ekonomike. Për një nga elementet më të prekshme në jetën e çdo amerikani. Për elementin më kritik të kësaj fushate. Ndoshta edhe për elementin më të dobët të presidencës së Barak Obamës – hapjen e vendeve të punës.

Gjatë 52-viteve (1961-2012), në Amerikë janë krijuar 66 milionë vende pune. Gjatë kësaj periudhe Amerika është drejtuar 28 vjet nga republikanët dhe 24 vjet nga demokratët. Demokratët, edhe pse kanë qeverisur katër vite më pak, kanë krijuar 42 milionë vendeve të reja pune, ndërsa republikanët vetëm 24 milionë. Ky krahasim, duke përfshirë një periudhë të gjatë historike, ndihmon të qartësohen kontributet dhe dallimet midis tyre.

Konkluzioni – politikat ekonomike të demokratëve i kanë kushtuar kujdes hapjes së vendeve të reja të punës, ndërsa republikanët, duke rritur borxhet dhe pabarazinë, kanë dëmtuar rritjen ekonomike dhe punësimin.

Po t’i kthehemi realitetit politik të debateve elektorale në vendin tonë, janë jo të pakta rastet kur “përfaqësues të rinj” të “partive të vjetra”, në debatet televizive e fillojnë kontributin e tyre duke u “distancuar” nga partitë që përfaqësojnë.

Pa dyshim që çdo forcë politike duhet të ketë një proces modernizimi, pa dyshim çdo kandidat, në çdo garë politike, duhet të ketë kontribute specifike edhe individuale. Çdo kandidat në funksion të fitores mund ta harmonizojë më mirë historinë, vizionet, strategjitë, politikat novatore, kontributet gjithëpërfshirëse, idetë dhe energjitë e reja. Kandidatët konkurrues përfaqësojnë forcat politike, dhe jo thjesht vetveten. Copëzimi i historisë së çdo force politike, parcelizimi i anëtarëve dhe mbështetësve të tyre, personalizimi i fushatave, personalizimi i drejtimit të forcave politike dhe i qeverisjes së vendit ushqejnë krizat politike.

Në tranzicionin e vështirë të vendit tonë, PS përfaqëson një forcë politike moderne. Ajo ringriti një ekonomi të shkatërruar, ringriti institucionet kushtetuese dhe krijoi kulturën e ndarjes së pushteteve. Për herë të parë gjatë rrotacioneve politike, PS krijoi eksperiencën e kalimit paqësor të pushtetit. PS mbështeti zhvillimet pozitive në rajon, menaxhoi në mënyrë të suksesshme krizën e Kosovës, inkurajoi dhe mbështeti bashkëpunimin ekonomik midis vendeve të rajonit, plotësoi rreth 80% të parakushteve për anëtarësimin e vendit në NATO. Këto arritje dhe avantazhe e ndihmojnë fitoren e PS-së në vitin 2013 më shumë se strategjitë elektorale të personalizuara apo të klanizuara.

2. Sfidat e vendit imponojnë bashkëpunim, qëndrimet bllokuese ushqejnë dhe zgjasin krizat.

Në këtë fjalim, ish-presidenti Klinton cilëson avantazh të demokratëve kulturën e bashkëpunimit në politikë, duke e argumentuar edhe me shembuj konkretë nga eksperienca personale në çdo hap të karrierës së tij politike.

Një nga arsyet kryesore që ne duhet të rizgjedhim Presidentin Obama – theksoj Klintonin, – qëndron te fakti se ai është angazhuar për një bashkëpunim konstruktiv, duke i dhënë vlerësime maksimale filozofisë dhe përkushtimit bashkëpunues të Presidentit Obama.

Presidenti Obama nuk ka ngurruar të kërkojë dhe të ofrojë bashkëpunim me republikanët për prioritete kombëtare apo për rimëkëmbjen e ekonomisë, ndërsa republikanët kanë qenë përgjithësisht bllokues.

Për të qartësuar pasojat e radikalizimit, ish-presidenti Klinton përmend rastin e dy senatorëve të moderuar republikanë që u mundën nga kandidatë radikalë brenda partisë së tyre, sepse bashkëpunuan me demokratët.

Mesazhi është i qartë. Filozofia dhe aftësia bashkëpunuese duhet të jetë thelbi i të bërit politikë. Radikalizimi i politikës dhe i partive politike cenon cilësinë e përfaqësimit të tyre, përkeqëson cilësinë e të bërit politikë dhe zgjat krizat në vend.

A ka rëndësi ky mesazh për politikën shqiptare? Ne bëjmë zgjedhje, po nuk arrijmë zgjidhje si të dalim nga krizat. Ne kemi në pak raste bashkëpunime të cunguara dhe të vonuara, deri edhe për integrimin e vendit, i pranuar si prioritet kombëtar nga të gjitha forcat politike dhe pro të cilit votojnë mbi 90% e shqiptarëve.

Kjo situatë mund të ndryshojë duke ndryshuar filozofinë dhe cilësinë e të bërit politikë. Sistemi politik duhet demokratizuar. Deficiti demokratik është rritur. Largimi i votuesit nga e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e vet duhet korrigjuar duke rishikuar edhe sistemit elektoral. Mandatet e tejzgjatura duhen kufizuar. Pushtetet e përqendruara në pak duar duhen shpërbërë me reforma konkrete të demokratizimit të partive politike dhe reforma kushtetuese.
3. Jo lidershipit me qejfmbetje dhe hakmarrje.

Ish-presidenti Klinton e vlerëson lidershipin e Presidentit Obama bazuar edhe në filozofinë e ndërtimit të ekipit të tij, vlerëson faktin që Obama respekton dhe integron kontributet e kolegëve në Partinë Demokratike, duke përfshirë në ekip “kundërshtarë” të tij apo mbështetës të konkurrentëve përballë tij. (“President Obama appointed several members of his cabinet, even though they supported Hillary in the primary. Heck, he even appointed Hillary”).

Presidenti Obama ka promovuar shumë prej tyre, duke i dhënë ekipit një vlerë të veçantë, krijimin sipas meritës, sipas kontributeve dhe përkushtimit, dhe jo sipas preferencave apo qejfmbetjeve personale.

Nuk e di nëse rasti Obama – Hillary do të konsiderohet “ekipi i rivalëve”, por e vërteta është që gara në vitin 2008 brenda partisë për kandidatë për President nuk i pengoi këta dy liderë të bashkojnë energjitë dhe përkushtimin për sfidat e vendit të tyre.

Ndërsa në realitetin politik shqiptar, në nivel vendor dhe qendror, tentohet të spastrohen partitë politike nga “kundërshtarët”. Kufizohen në mënyrë të moderuar apo të sforcuar liritë për t’u shprehur dhe mundësitë për të kontribuuar. Karrieristët dhe të paaftët bëjnë gjithçka për të fituar besimin e shefave të tyre. Ndaj, në forcat politike ka zhvillime të sforcuara për të zëvendësuar zgjedhjet me votë, me emërime preferenciale.

Këto fenomene që nuk mund të përligjen me asnjë arsye racionale, ato kanë cenuar cilësinë e të bërit politikë, cilësinë e ekipeve politike dhe cilësinë e rezultateve të qeverisjes.

Vendi po dështon në mënyrë të përsëritur. Përqendrimi i pushtetit politik dhe ekonomik në shumë pak individë bëhet i rrezikshëm edhe për ata që heshtin apo nënshtrohen lehtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama