Mediat dhe Politika
Gazetaria është profesion etik, moral e intelektual
Mr. Gezim MEKULI, Oslo
Sa shumë gazetarë e gazetare kanë shqiptarët sot. Por, shtrohet pyetja se sa janë të mirë këta. Dihet se mediat dhe gazetaria përballen me shumë pasiguri dhe me shumë kërkesa. Gazetaria sot është nën presionin nga jashtë, për shembull, nga komercializimi, nga fuqia e kompanive të mëdha dhe nga “profesionalizimi” i burimit.
Gazetaria është nën presionin edhe nga brenda, për shembull, nga kompromiset dhe nga marrëveshjet interne te redaktoreve dhe gazetareve. Njëkohësisht, mediat janë duke u industrializuar. Por, gazetaria jone nuk duhet të jetë industri.
Shqipërinë tonë të vogël e plagosi një tragjedi e rendë; Të gjith shqiptarët në hapsirën ballkanike, e qebesa edhe në mbarë rruzullin tokësor, e keqpërjetuan; shqiptarët në Kosovë, Shkup e Preshevë derdhen lot, u pikëlluan por edhe u mobilizuan për të ndihmuar vëllezerit e motrat e tyre në Shqipëri. Të gjitha ato që ndodhën në Shqipërinë tonë ne i mesuam dhe i morrem nga mediat. Andaj është ky rast që të shfrytëzojmë momentin e të mendojmë për disa kërkesa ideale për gazetarinë tonë të nesërme.
Ja disa momente me përgjigje të përkohshme: Gazetaria profesionale shpeshherë po bëhet nga amatorët e sterkënaqur të internetit. Pra, sot, ne mund të jemi edhe gazetarë e edhe redaktorë të vetvetes, gazetarë të shkyçur nga kërkesat tradicionale të mediave dhe të gazetarisë profesionale. Vazhdimisht është duke u eksperimentuar me mediat e reja, ku shfrytëzuesit dërgojnë përmbajtjen dhe ku lexuesit janë vetë gazetarët. Pa dyshim se kjo është kohë e përshtatshme, me mundësi të reja për t"u shprehur, por edhe arenë, po ashtu e re, për të ndërtuar dhe ndihmuar shoqerine dhe demokracinë.
Por, a është kjo e mjaftueshme?
Ne kemi nevojë akute për një gazetari profesionale, për një gazetari që mund "të gatuajë" dhe sigurojë një informacion të cilësisë të lartë. Ne jemi të uritur për një informacion që është brumosur në përputhje me kërkesat e rregullave gazetareske. Ne kemi nevojë për një gazetari që është kritikëhapur ndaj burimit të informacionit, lajmit të qeverisë dhe standardeve etike, për një informacion që është i obliguar ndaj normave të gazetarisë dhe të idealeve të saj.
Të besosh se të gjithë janë gazetarë e gazetare vetëm e vetëm se publikojnë ndonjë shkrim në internet apo gazetë, është budallallëk i madh! Kjo do të ishte e njëjtë sikur të besosh se ne të gjithë jemi mjekë vetëm e vetëm nëse çdo ditë pyesim njëri-tjetrin: "Si je me shëndet? A po të dhemb barku sot? A je më mire?"
Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kanë aftësi e mprehtësi intelektuale për të analizuar, duke përfshirë këtu edhe aftësinë për reflektimin vetanak. Kemi nevojë për gazetarë e gazetare, të cilët me gjithë mend e kanë lexuar dhe e respektojnë kodin moral të gazetarisë, "atë prishtinase e tiranase", ku, ndër të tjera, pa dyshim, duhet të ceket se "obligim i gazetarisë është që të hulumtojë se si mediat vetëpërmbushin rolin dhe detyrat e tyre në shoqëri". Po, kritika mediale dhe gazetaria vetëreflektuese është gurthemel i fortë për t"i kryer detyrat ndaj shoqërisë. "Jemi lazëm, shumë lazëm" për një gazetari që nuk është vetëm kritike, por edhe vetëkritike.
Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kuptojnë jo vetëm rolin e tyre në media, por edhe fuqinë dhe pushtetin që këta e "fitojnë" prej mjeteve të informimit. Kemi nevojë për një gazetari që është e vetëdijshme për këtë fuqi dhe për kufizimet që qëndrojnë në logjikën gazetareske dhe në kornizat e të kuptuarit gazetaresk.
Këta, medoemos duhet të kuptojnë lojën e tyre për fuqinë dhe se çfarë kuptimi ka për të tjerët në shoqëri "dramaturgjia dhe teatri" që këta e administrojnë. Në këto ndryshime të mëdha që gjendet populli shqiptar, ne kemi nevojë për gazetarë të cilët i kuptojnë kufijtë e tyre, që kuptojnë politikën ekonomike moderne të mediave. Sot, siç po duket, gazetaria jonë po rrëshqet drejt "gazetarisë së LEK-ut".
Kemi përsëri nevojë për gazetarë e gazetare që e mirëkuptojnë publikun e vet, që mund të shikojnë përmbi paragjykimet klishe për konsumuesit e tyre. Kemi nevojë për gazetarë e gazetare, të cilët janë qind për qind të sigurt me opinionet e tyre rreth asaj se çfarë dëshiron ky popull i mjeruar e ende i pushtuar.
Është një mungesë e madhe e gazetarëve të cilët janë në gjendje të marrin me seriozitet dhe me sinqeritet publikun e tyre dhe që mund të komunikojnë njëkohësisht me një publik të shumëllojshëm.
Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kanë të zhvilluara mirë njohuritë për zhanrin gazetaresk dhe që kanë vetëbesim për atë që shkruajnë. Pra, ne kemi nevojë të madhe për gazetarë e gazetare që dinë diçka, që dinë më shumë sesa të bëjnë vetëm pyetje të zbrazëta.
Por, ne nuk kemi nevojë për gazetarë e gazetare që investojnë në egon e tyre dhe që rreziten nën shkëlqimin e luksit të mediave. Edhe më pak, ne shqiptarët nuk kemi nevojë për gazetarë e gazetare që janë prodhim ideologjik i partive ne pushtet apo prodhim i klaneve ballkanase.