Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Greva e ish-të burgosurve dhe politika

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Greva e ish-të burgosurve dhe politika

U bënë më tepër se njëzet ditë që një grup ish-të përndjekurish kanë hyrë në grevë urie me kërkesën bazë, zbatimin e një të drejte të pezulluar prej disa vitesh: dëmshpërblimin sipas ligjit të aprovuar në vitin 2007. Sepse kanë marrë vetëm këstin e parë ndërkohë që, sipas këtij ligji, ata duhet të kishin marrë këstin e katërt. Dhe kjo nuk përjetohet thjesht si çështje parash, por edhe si nëpërkëmbje dinjiteti, shpërfilljeje të vuajtjes dhe të së drejtës. Ditët e fundit, si përshkallëzim i grevës, kanë ndodhur disa akte që kanë tronditur krejt opinionin publik. I pari Gjergj Ndreca dhe, pas tij, Lirak Bejko, i vunë flakën vetes.

Janë thënë shumë gjëra për këtë grevë dhe nuk dua të përsëris argumente që i kam shkruar apo thënë edhe vetë më parë, por nuk mund të mos vë në dukje se si qëndrimi ndaj kësaj greve ilustron në mënyrën më elokuente një karakteristikë të politikës sonë që ka shenjuar dështimin e saj që kur lindi pluralizmi e deri më sot. E kam fjalën për fenomenin e kalimit të politikanëve tanë nga regjistrat e indiferentizmit tek ata të konfliktualitetit të ndezur, pa u ndalur fare në atë që duhet të jetë terreni i vërtetë i politikës: zgjidhja e problemeve të qytetarëve. Le të shpjegohem më qartë.

Nëse do të kërkojmë kronologjinë e ngjarjes, do të shohim se vetëm pas më shumë se një jave, e pyetur për ngjarjen, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli u përgjigj se “s’ka koment”. Po Berisha? Ai heshti për një kohë më të gjatë dhe pastaj, herën e parë që foli, e kishte tashmë në dorë “armën”: janë njerëz të instrumentalizuar nga opozita, e cila, kur është aprovuar ai ligj, nuk e ka votuar madje e ka kundërshtuar, kurse sot, me mediat pranë saj, po i jep hapësirë të madhe kësaj greve për qëllimet e veta.

Siç duket qartë edhe në këtë rast në sjelljet e politikanëve tanë ndaj çështjeve që ngrihen gjejmë dy ekstreme, që pikërisht si të tillë puqen. I pari është rritja e trashësisë së murit ndarës të heshtjes/indiferentizmit të tyre ndaj zërave që shqetësojnë opinionin publik. Pra nëse vite më parë, po të ngrihej një x shqetësim, reagimi ishte më i shpejtë, sot, sikur të ngrihet me të njëjtën forcë, nuk do të kishte reagim fare. Me rastin e grevës së urisë p.sh. reagimi vonoi shumë dhe u desh që të arrihej deri në vetëflijimin me zjarrvënie që t’i jepeshin opinionit disa shpjegime për çka po ndodh. Fenomeni i dytë është ai se kur indiferentizmi dhe heshtja nuk mbajnë më dhe vjen puna e dhënies së shpjegimeve, këto nuk jepen në terrenin e racionales, të përpjekjeve për zgjidhje të çështjes së ngritur, por duke kaluar menjëherë në ekstremin tjetër të lavjerrësit: në atë të konfliktualitetit.

Pra, në vend se politika të ndalojë në disa fakte të pamohueshme – në rastin në fjalë në atë se është aprovuar një ligj që në 2007, i cili është frenuar vërtet së zbatuari për shkaqe x, y, z, – dhe maxhoranca, apo edhe njerëz të caktuar brenda saj, të ballafaqohet me këtë të vërtetë dhe të kërkojë rrugë të zgjidhjes apo shpjegimit të kësaj ndalese, kalohet nga muri i heshtjes së indiferentizmit, te zhurma e konfliktualitetit me opozitën, pa u ndalur asnjë çast, me mendje të ftohtë, tek e vërteta dhe analiza e problemit. Dhe kjo rezulton si rruga më e mirë për të shmangur përgjegjësitë. Viktima kështu mbetet çështja dhe hallexhinjtë. Ve në dukje se kjo ndodh pikërisht atëherë kur bëhet fjalë për shqetësime të njerëzve, sepse kur bëhet fjalë për akuza të opozitës, përgjigjet mund të vijnë edhe brenda ditës, por gjithmonë në terrenin e stërbombarduar të konfliktualitetit.

Do të thosha se me të njëjtën teknikë ka vepruar e po vepron edhe opozita në këtë rast. Ajo akuzoi maxhorancën për keqtrajtim të kësaj shtrese, premtoi se po të vijë në pushtet do ta zgjidhë për një kohë të shkurtër çështjen e tyre, pa u ndalur asnjë moment të reflektojë se pse tetë vjet në pushtet e ka shpërfillur ekzistencën e kësaj shtrese; pse kur është aprovuar ky ligj nuk e ka votuar atë. Edhe në këtë rast ajo nuk po bën – deri tani së paku – asnjë përpjekje serioze dhe bindëse për të ulur përfaqësuesit e saj me ata të maxhorancës për të gjetur një rrugëdalje. Përkundrazi, duket se asaj i intereson më shumë të vazhdojë kjo situatë që është pa dyshim diskredituese për maxhorancën, duke bërë edhe ndonjë akt spektakolar si dërgimi, nën kujdesin e saj, i dy të djegurve në spitale jashtë shtetit. Por ama që të ulet dhe të japë argumente se çfarë mund të bëhet, se si mund të bëhet që kjo zgjidhje të arrihet dhe çfarë është e pamundur edhe sipas saj të bëhet, kjo nuk ndodh. Ka madje nga ata njerëz të opozitës që as e dinë se për çfarë bëhet fjalë dhe as u intereson kjo, pasi u intereson vetëm spektakli mediatik.

Kësisoj, kthimi i kësaj greve në pretekst për luftë politike midis të dy palëve ka marrë shumë më tepër rëndësi sesa halli i grevistëve që ndërkohë janë duke vuajtur një padrejtësi dhe çështja e tyre mbetet e pazgjidhur. Të vjen të mendosh: a mos vallë më mirë të mos ekzistojë fare pluralizmi në një kulturë ku kundërshtari politik ekziston thjesht e vetëm për të justifikuar dështimin tënd, për të shkarkuar përgjegjësinë tënde dhe e jo për të gjetur zgjidhjet më të mira për hallet e njerëzve?

Sipas gjykimit tim, drama si kjo e ish-të burgosurve mund të ktheheshin edhe në momente ndërgjegjësimi për politikën tonë, por edhe për shumë gazetarë tanët nga ata të llogoreve. Halli i këtyre njerëzve, që nuk mund të kategorizohen kurrsesi si vegla të PD apo PS, do të ndihmonte për t’u ndërgjegjësuar se politika nuk mund të jetë thjesht luftë për pushtet por edhe konkurrencë idealesh dhe idesh në të mirë të njerëzve, se ajo nuk mund të reduktohet në interesa të partive politike dhe, mbi të gjitha, se njerëzit dhe hallet e tyre nuk mund të trajtohen vetëm si mjete lufte, por edhe si qëllim jete.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama