Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Greva e urisë: Gjërat kanë shkuar shumë larg

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Greva e urisë: Gjërat kanë shkuar shumë larg

Vëmendjen e opinionit publik e ka tërhequr ana “spektakolare” e grevës së urisë, e cila ka kulmuar me dy akte që vetëm për pak nuk janë finalizuar me vetëflijimin e Gjergj Ndrecës e të Lirak Bejkos, të cilët i vunë flakën vetes; dhe për rrjedhojë, pakkush është marrë me thelbin e protestës së këtij grupi ish të përndjekurish. Cilat janë kërkesat e tyre? Sa është kostoja financiare e këtyre kërkesave? A janë të realizueshme? Janë pyetje për të cilat shtypi e televizionet nuk na kanë dhënë një informacion të detajuar. Duhet të jenë të paktë shqiptarët që e kanë një ide lidhur me atë që kërkojnë ish të përndjekurit politikë të futur në grevë urie.

Gazetarët kanë raportuar në një farë mënyre vetëm lidhur me kërkesat e bëra, dhe thelbi i këtyre kërkesave mund të përmblidhet si vijon: “Të zhdëmtohen tërësisht dhe në mënyrë të menjëhershme për vitet e vuajtjeve e të burgut gjatë regjimit komunist; t’u jepet ndihmë e asistencë e qartë sociale të gjithë ish të burgosurve politikë, të cilët kanë mbetur të vetmuar dhe pa asnjë përkrahje tjetër; t’u lidhet një pension i posaçëm të gjithë ish të burgosurve politikë që janë gjallë; t’u garantohet shërbim mjekësor falas të gjithë ish të burgosurve politikë; t’u merren letrat “e zhvleftësuara” me vlerë, dhe në këmbim t’u jepen shpërblime që kapin vlerën e plotë të tyre etj., etj.”.

Nuk dihet se sa shkon fatura financiare e këtyre kërkesave, por dihet që, edhe sikur të bëhet fjalë për një faturë të përballueshme financiare, ligji i sotëm është pengesa e parë që duhet kapërcyer. Ka një ligj pra mbi “dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i cili ka parashikuar një formulë që e shtrin dëmshpërblimin në vite, e që nuk lejon dëmshpërblimin e plotë menjëherë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa kërkesa të tjera. Kjo do të thotë se gjithçka duhet të fillojë me miratimin e një ligji të ri për këtë kategori; e ndoshta me ndryshimin e një numri ligjesh të tjera, që lidhen me vënien në praktikë të ligjit të parë.

Është një pengesë që mund të kalohet, sigurisht. Ndërhyrja në ligj është një gjë që bëhet. Dhe bëhet në harkun e një kohe të shkurtër. Por për këtë do të duhej të llogaritej fillimisht vlera e faturës financiare e do të duhej të ekzistonte më pas një vullnet për t’u përgjigjur kërkesave të ish të përndjekurve të futur në grevë urie. Qeveria (as ndonjë instancë tjetër, për hir të së vërtetës) nuk e kanë llogaritur vlerën e kësaj fature; e ç’është më e rëndësishme, qeveria nuk ka treguar se e ka vullnetin për t’u dhënë zgjidhje problemeve të tyre. Bën vaki që disa kërkesa të tyre të jenë praktikisht të parealizueshme, por është qeveria që duhet të na bindë për këtë gjë, është qeveria që duhet të dalë e të na thotë se “kërkesat, të gjitha apo një pjesë, janë të parealizueshme për një, dy, tri… dhjetë arsye”.

Qeveria nuk e ka bërë këtë. Kryeministri ka dalë përpara gazetarëve, e ka folur më shumë se njëherë për këtë çështje, por jo për të hedhur dritë mbi të; përkundrazi, ka dalë për të hedhur dritë “mbi biografinë e njërit apo tjetrit”, gjë që ai e bën gjithnjë me kundërshtarët që i shkaktojnë kokëçarje. Dhe kështu, ne kemi sot një info kryeministrore mbi jetën e Gjergj Ndrecës, por nuk kemi një info kryeministrore mbi gjendjen e të gjithë gjergjndrecave të Shqipërisë. Dhe Kryeministri ka për detyrë të na japë këtë të dytën, e jo të parën.

Në stilin rrugaçëror të të parit të qeverisë, kanë folur edhe të tjerë afër të tij. Na kanë thënë se kjo grevë është e pilotuar nga opozita e nga socialistët, na kanë thënë se grevistët e përndjekur prej regjimit komunist janë vënë në shërbim të ish-komunistëve, na kanë thënë se grevistët janë paguar nën dorë, na kanë thënë se ata kanë pasur si qëllim për t’ia bërë këtë gjëmë vendit në ditët që pritej të merrej statusi i vendit kandidat, na kanë thënë dhe çmendurira të tjera të kësaj natyre që kanë synuar të denigrojnë grevistët e të ndotin politikisht grevën, e jo t’na e bëjnë të qartë çështjen (është për të ardhur keq që askush ndër ish të përndjekurit afër e pro qeverisë nuk e ka ngritur zërin; e vërteta është se nuk ka pritur kush që ata të bëheshin tok me grevistët; por dikush edhe mund të ketë pritur që ata të distancoheshin nga sjellja e qeverisë, e cila nuk u mjaftua të na thosh se kërkesat e grevistëve janë të parealizueshme, por bëri çmos të na bënte me dije se grevistët ishin të shitur tek opozita; personalisht, heshtja e këtyre njerëzve të godet më shumë se sa vetëdjegia e Gjergjit e Lirakut). Dhe është pikërisht sjellja e qeverisë, dhe heshtja e ish të përndjekurve të dhjamur (tok me vendosmërinë dramatike të grevistëve) që kanë krijuar një simpati kolektive për një kauzë, e cila i përket një grupi numerikisht të vogël të shoqërisë dhe për të cilën (kauzën pra) nuk ekziston një ide e saktë.

Përveç kësaj, gjestet radikale e vetëmohuese të vetëdjegies, e reagimi inatçor e rrugaçëror i qeverisë, i kanë çuar gjërat shumë larg, në pikën ku duket se nuk ka më kthim pas, e ka shumë gjasa që në këto rrethana punët të marrin një përthyerje tragjike. Është pikërisht kjo përthyerje që duhet evituar. Nuk ka kohë për të humbur, pasi greva e urisë është në ditën e 23 të sajë. Njerëzit që kanë akses e ndikim në qeveri duhet ta këshillojnë këtë të fundit të merret seriozisht me çështjen, e jo me grevën e grevistët, ndërsa njerëzit që kanë akses e ndikim te kampi tjetër, duhet t’i këshillojnë grevistët të pranojnë një zgjidhje të negociueshme, e jo të shpresojnë për një zgjidhje me logjikë ultimatumesh.

Kush janë këta njerëz që kanë ndikim këtej e andej? Nuk e di. Ndoshta ambasadorët, të cilët duhet të riprovojnë. Veçse në mënyrë më inteligjente se sa në rastin e parë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama