Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Brankovistet' dhe 'Gruevistet'!

Shkruar nga: Kim Mehmeti  
Botuar më: 13 vite më parë

Kim Mehmeti
'Brankovistet' dhe 'Gruevistet'!

Gjatë dekadave të socializmit, sistemi i atëhershëm, sa herë që kishte nevojë, i ndante shqiptarët e Maqedonisë në “të ndershëm” e të “pandershëm”. Por “ndershmërinë” dhe “pandershmërinë” gjithmonë ua përcaktonte duke matur qëndrimin e tyre ndaj shqiptarisë. Dhe shumë burra paguan çmim të lartë, i mbetën besnik bindjes dhe përkushtimit të tyre se njeriu çdo gjë mund të shesë e të japë për të mbijetuar, por jo edhe shpirtin, jo edhe identitetin e tij individual e grupor. Pra, gjatë asaj periudhe, shumë burra pranuan të vuanin burg e të dëboheshin nga puna, nga profesorë të bëheshin shitës nëpër tregjet e këtushme, apo të lanin pjata në kurbet, por nuk shitën shpirtin dhe nuk lejuan të bartin përjetë njollën e mallkimit.

Edhe gjatë periudhës së socializmit jugosllav kishte gazeta ku botoheshin tekste të shkruara nëpër komitetet qendrore, ku botoheshin artikuj nëpërmjet të cilëve shqiptarëve të këtushëm u përcaktoheshin heronjtë dhe tradhtarët, në të cilat shkrime tentohej që shqiptarëve të këtushëm të mos u mbetej njeri i besueshëm, përpos atyre që i shërbenin “nënës parti”. Por, e tëra kaloi dhe mbeti e shkruara, të cilën disa do të donin ta fshinin nga faqet e gazetave, duke e ditur se është njollë që përgjithmonë do i ndjekë në jetën e tyre. Pra e tëra kaloi dhe mbeti vetëm pasqyra, ku çdonjëri mund të shohë vetveten. Pasqyrë e cila të mundëson të kuptosh se njeriut nuk ia prish gjumin ajo që tjerët thonë për të, por rrëfimi i ndërgjegjes së tij për atë që ai ka bërë gjatë jetës.

Edhe në dekadat e para të demokratizimit të Maqedonisë, kishte ndasi mes shqiptarëve të këtushëm në ata të “bacës Nevzat”, “të Durrësit” e “të Arbenit”. Por, edhe kjo ndasi bëhej duke pasur njësi matëse qëndrimin e individit ndaj boshtit të quajtur shqiptari, e jo ndaj asaj se kush çfarë qëndrimi kishte ndaj partive maqedonase. Kuptohet, edhe gjatë kësaj periudhe kishte gazeta e gazetarë që me fanatizëm mbronin partinë e tyre dhe botonin artikuj në të cilët shpaloseshin listat e “tradhtarëve” dhe “patriotëve”, si dhe zbardhej e kaluara “trimërore” e “burracake” e cilitdo që ishte kritik ndaj partisë shqiptare në pushtet. Aq më shumë, në këto ndasi të shqiptarëve të këtushëm, aktive ishte edhe Tirana e atëhershme zyrtare, që i “bashkonte” shqiptarët e këtushëm duke u treguar se cila parti e tyre është më “atdhetare”. Pra, aktive ishte edhe Tirana e atëhershme zyrtare, nga vinin komente me listat e “spiunëve”, nga të cilët duhej të mbrohej populli i këtushëm shqiptar, thuajse ajo që u mungonte shqiptarëve të këtushëm ishte edhe një diferencim i ri në “atdhetarë” e “tradhtarë”.

Më në fund erdhi konflikti i 2001-shit, i cili shqiptarëve të Maqedonisë ua ktheu edhe guximin edhe dinjitetin e munguar. Dhe me të drejtë shqiptarët e këtushëm filluan të besojnë se më askush nuk do i diferenconte në të “ndershëm” e në të “pandershëm”, se askush nuk do ua maste sasinë e patriotizmit me njësi të gabuara matëse, se të gjithë do i përkushtoheshin kompensimit të së humburës gjatë shumë dekadave të mëparshme. Pra, erdhën dy dekadat e fundit, kur shqiptarët besuan se tani do të mund të ndaheshin në parti, por duke qenë më të fortë se dikur në përkushtimin ndaj idesë dhe vetëdijes për shqiptari, si parakusht për të marrë atë që u takonte në Maqedoni.

Por mbase më kot ata shpresuan se çdo gjë do të ishte më e lehtë se me politikanët që në prapavijë kishin simbolin madhështor të UÇK-së, do të merrnin më lehtë frymë, se ndasitë partiake do të vazhdonin, por ato do të bazoheshin në atë që është vlerë individuale, në atë që ka të bëjë me parimin: “Vlejmë aq sa dimë të respektojmë të vlefshmen!” Dhe më kot që shqiptarët shpresuan se më në fund do të merrnin fund përçarjet mes tyre, ngaqë ndodhi ajo që më së paku pritej: shqiptarët e këtushëm të mos ndahen nëpërmjet qëndrimit të tyre ndaj boshtit të quajtur shqiptari, por nëpërmjet asaj se cili nga ata mbështet Branko Crvenkovskin, e cili Nikolla Gruevskin. Dhe këtë ndasi e filloi dhe e promovoi kryesuesi i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili të gjithë ata që kritikonin rolin e partisë së tij në qeverinë e Gruevskit, të gjithë ata që thoshin se me një antishqiptar si Gruevski mund të ndërtosh “tenderokraci”, por jo edhe barazi qytetare, pra të gjithë këta që nuk pajtoheshin me të, i shpalli “masha të Crvenkovskit”.

Me çka dëshmoi se mendësia e tij nuk mund ta kuptojë se ka shqiptarë që edhe kur gabojnë, edhe kur kanë të drejtë, nuk mbështeten në qarqet e vendosjes maqedonase, por në boshtin e njerëzores në vetvete. Dhe me çfarë ndodhi për herë të parë, shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të “diferencoheshin” sipas qëndrimit të tyre ndaj vetvetes dhe shqiptarisë, por sipas rreshtimit të tyre pas koncepteve politike të partive maqedonase. Dhe kështu Ali Ahmeti promovoi idenë se shqiptarë të “ndershëm” e “atdhetarë” të spikatur janë vetëm ata që përkrahin qeverinë e Gruevskit dhe, se cilido që është kundër kësaj qeverie, vetvetiu radhitet në mesin e “Brankovistëve”.

Kuptohet, edhe sot kur Ali Ahmeti i ndan shqiptarët e këtushëm në “masha të Crvenkosvkit” dhe në “atdhetarë” që i shpërbejnë Gruevskit, ka gazetarë “zhullana” e “zhurnalë” ku botojnë tekste të shkruara në shtabet e BDI-së, e të cilët artikujt shpjegojnë sa “të pista janë duart” që hedhin gurin e nuk shihen”, që kanë emra “femërorë” me origjinë “koreane”, që veprojnë të fshehur nëpër “bodrumet policore”, që s’janë të aftë për t’i mbrojtur as fëmijët e tyre e le më popullin, që duke mos mundur t’i plotësojnë standardet e larta gazetareske e atdhetare në Maqedoni, dalin, shëtisin e shesin mend nëpër Kosovë e Shqipëri, pra të cilët, shkurt thënë, janë plehu i shqiptarisë së këtushme dhe duke qenë të tillë, duhet luftuar me të gjitha dhe duhet asgjësuar sa më shpejt që është e mundur. Dhe e tërë kjo bëhet në emër të shqiptarisë, por duke pasur sasi matëse atë se kush sa i shërben Gruevskit apo Crvenkovsit.

Pra, e tëra kjo bëhet në prag të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, që do të fillojë në Shkup e do të përfundojë në Tiranë. E tëra kjo bëhet në kohën kur kryetari i Këshillit Organizativ i ka nënshkruar ftesat për kremten partiake të BDI-së të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe kur në Shkup do të vijnë edhe dy kryeministrat shqiptarë, të cilët nëse nuk do ia dalin t’i pajtojnë e bashkojnë liderët e këtushëm partiakë, padyshim se do e mbushin sallën ku do të mbahet ky kremtim. Gjë që mbase për Ali Ahmetin është më e vlefshme se sa njësia matëse me të cilën ai e ka vlerësuar se bashkëpunimi me Gruevskin është proshqiptari e përmasave më të larta atdhetare, e çdo veprim jashtë mendësisë së tij është “brankovizëm” antishqiptar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama