Në ditën e parë të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria priste konfirmimin e marrjes zyrtare të ftesës për anëtarësim në NATO, dy politikanë të shumicës qeverisëse deklaronin gati njëzëri se tranzicioni merrte fund. Njëri prej deklaruesve, kryeparlamentarja e vendit, zonja Jozefina Topalli, deklarohej në këtë deduksion nga qyteti i saj i lindjes në Shkodër, ku përkujtonte martirët antikomunistë të 2 prillit të 1992-shit. Ndërsa të njëjtën deklaratë bënte edhe kryetari i PR-së, ish-ministri i Mbrojtjes (në sikletin e tragjedisë së Gërdecit), Fatmir Mediu. Natyrisht pohimet e tyre janë pjesë e vlerësimeve që bëhen në kontekste politike dhe për qëllime të tilla, në marrëdhënie me realitetpërfitimin dhe me konkurrentët antagonistë. Mirëpo në kuptimin e parë të tyre, këto pohime protagonistësh politikë shkaktojnë atakim me të vërtetën.
A e mbyll vërtet epokën e tranzicionit anëtarësimi i Shqipërisë në NATO (e aq më tepër marrja e ftesës për anëtarësim)?! S‘ka naiv mbi dhé ta besojë këtë e aq më tepër qytetar i logjikshëm, që të mendojë se tranzicioni postkomunist qenka përcaktuar të ketë jetëgjatësi të tillë kalendarike. Kjo periudhë është koha e nevojshme për një proces, i cili u zgjat për shkaqe të shumta dhe përgjegjësi të adresuara. Kurrsesi tranzicioni nuk është një proces akreditimesh apo një kohë e paracaktuar. Tranzicioni është një realitet social dhe politik, një stad ekonomik dhe zhvillimor që buron nga premisa të caktuara dhe zgjat për arsye të shumëllojshme. Ky realitet kompleks në epiqendër të vet pati dhe ka ende mentalitetin e trashëguar prej epokës së komunizmit, mungesën e kulturës së nevojshme njohëse dhe zbatuese për realitetin e kapitalizmit të patraditë, si dhe shoqërinë e hapur që dilte prej mitrës së shoqërisë hermetike dhe dogmatike.
Tranzicioni postkomunist shqiptar është një periudhë historike e cila jetëgjatësinë e vet e lidhi pazgjidhshmërisht me procesin demokratizues të një shoqërie që doli prej diktaturës dhe regjimit dogmatik. Udhëheqësit e këtij tranzicioni, bij gabimesh dhe etër gabimesh, shpesh kontribues rrënimi dhe lëvizjesh retrograde, mëkatuan mbi fatet, aktualitetin dhe zhvillimin e vendit, duke qenë protagonistë dhe autorë pasojash, me dimensione dramatike. Kjo skotë dhe gjeneratë qeverisësish, politikanësh dhe prijësish politikë, janë përgjegjës emërshënuar për fatin dhe kohëhumbjen e vendit. Në këtë kontekst, ata pavarësisht se iu nënshtruan rotacionit dhe pashmangshmërisht nuk mund ta ndalin atë, vazhdojnë të promovojnë gabime dhe vonesa të tjera endogjene. Askush nuk pret prej tyre, në shoqërinë shqiptare, një përfshirje në procesin ideal të katharsisit.
Kjo gjeneratë politike natyrisht mund ta ketë ende një meritë të mbetur për epilogun e tranzicionit. Ajo lidhet drejtpërdrejt me ndërgjegjen për të shtuar parametrat e lirisë së konkurrimit, të pjesëmarrjes dhe të standardeve. Kjo elitë politike mund të quhet pagëzuese e fillimit dhe zgjatjes së tranzicionit, por kurrsesi kujdestare e mbylljes së menjëhershme të saj. Produkti i qeverisjeve të ndërruara, në këtë periudhë prej dy dekadash, nuk e ka shumëfishuar deri në krahasim europeist standardin tonë të brendshëm. Ka afirmuar nivelin marrëdhënës, ka rritur vlerat angazhuese dhe partneriale të shtetit, por ka shkaktuar disnivele të theksuara brenda shoqërisë, i ka shkaktuar trauma të përsëritura kualitetit dhe standardit të administratës, sikundër ende nuk ka mundur ratifikimin e hierarkisë së vlerave, trashëgimnive dhe kualiteteve në përputhje me standardet e sotme euroatlantike. Të gjithë këta elementë bazikë që janë pigmenti tregues i nivelit dhe cilësisë së demokracisë, që janë dëshmia reale e shtetit të së drejtës dhe shoqërisë së hapur, shfaqen deformueshëm në përditshmërinë tonë. Diferencat e pasjes ligjore me zbatueshmërinë ligjore janë një tjetër argument pse tranzicioni në këtë vend dhe në këtë shoqëri ka për të pasur ende vite jetë.
Mëkatet e elitës politike, në këtë vend, nuk mund të shlyen prej kalendarëve me ngjarje të tilla, ku konteksti dhe nevoja globale nuk u referohen situatave konkrete të vendeve me peshë specifike të vogël. Kjo pjesë e gjykimit realist nuk duhet të mungojë në vlerësimet dhe optikën shikuese të elitës dhe politikëbërësve të vendit. Kjo është shumë e rëndësishme, për të pasur mundësinë e mosrënies në pozita naiviteti dhe në gabime që shpesh shkaktojnë kosto dhe trauma të pazhbëshme. Samiti i Bukureshtit i listuar me të drejtë, si një ditë historike në jetësimin e integrimeve shqiptare, në historinë e re të politikës dhe diplomacisë sonë kombëtare, duhet vlerësuar si një mundësi e fituar për shkak të rrethanave dhe kontekstit aktual gjeopolitik.
Ky gjykim është pjesë e realizmit dhe e leximit joemocional të realiteteve qarkuese. Përgjegjësia e veprimit dhe e reagimit institucional e dëshmuar prej udhëheqësisë sonë politike dhe institucionale, janë vërtet norma maturimi. Mirëpo numërimi publik i sfidave dhe sqarimi në qytetarinë e gjerë i detyrimeve rrjedhëse dhe i përfitimeve me sakrificë, janë detyra imediate që ka kjo udhëheqësi. Të sqarosh shqiptarët për siguritë dhe kapacitetet, për pasurimin dhe angazhimet, për risqet dhe prioritetet, për avantazhet dhe privimet që mbart kjo anëtarësi kapitale në familjen globale, është gjëja më e paktë dhe është sinqeriteti më i domosdoshëm dhe jetik që mund të kesh për vendin dhe popullin tënd. Kjo lidhet drejtpërsëdrejti me dimensionin real që duhet të ketë politika e re, sepse gjithkush e di se festa zgjat një ose disa ditë dhe hallet i lind përditshmëria. Profania e politikanëve për tranzicionin në njëfarë mënyre është edhe fshehje e detyrimeve për demokracinë cilësore.