Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjedhjet e vitit 2013 dhe frika prej teknikave "te reja" te manipulimit

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Zgjedhjet e vitit 2013 dhe frika prej teknikave "te reja" te manipulimit

 Mënyrat e manipulimit të zgjedhjeve janë sot më të reduktuara sesa kanë qenë dje. E prandaj, teknikat manipulative bëhen më të sofistikuara. Madje, duke qenë se teknikat e vjetra bëhen të paaplikueshme, shpiken teknika të reja. Berisha bën vaki të mos ketë ende në kokë ndonjë plan të qartë për të trukuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, por ai nuk ka pse të ngutet në rrethanat që po realizon kontrollin e plotë të të gjitha institucioneve të vendit e të shtetit. Me siguri jeton me idenë se ky kontroll i institucioneve do t’ia lehtësojë, e do t’ia mbajë të maskuara, përpjekjet për t’i vjedhur zgjedhjet.

Po çfarë mund të bëjë saktësisht Berisha? Cilat janë shtigjet e hapësirat që i kanë mbetur në dispozicion për këtë qëllim? Ju ftoj të lexoni një pasazh të një shkrimi të Eduard Zaloshnjës (më saktë, hyrjen e shkrimit), i cili u bie borive të alarmit mbi një truk elektoral që është përdorur më parë e që mund të përdoret “në stil industrial” në zgjedhjet e vitit 2013: “Në zgjedhjet e vitit 2001, nga 2.67 milionë shqiptarë me të drejtë vote, 1.35 milionë, ose rreth 51%, hodhën në kutitë e votave fletë votimi. Ndërkohë, sipas Censusit të atëhershëm, vetëm 1.97 milionë votues jetonin në Shqipëri – pjesa tjetër ishte në emigracion. Katër vjet më vonë, në 2005-n, numri i votuesve që morën pjesë në zgjedhje u rrit fare pak – vetëm 43 mijë. Ndërsa çudia ndodhi në vitin 2009 dhe 2011, kur numri i votuesve arriti respektivisht 1.55 dhe 1.59 milionë. Pra, një rritje prej mbi 200 mijë pjesëmarrësish në votime në krahasim me 2001-shin. Dhe kjo ndodhi kur, sipas Censusit të 2011-ës, numri i votuesve që jetonin në Shqipëri jo vetëm që nuk u rrit në krahasim me 2001-shin, por u pakësua me rreth 150 mijë”.

Zaloshnja hamendëson se e gjitha kjo ka ndodhur, ngaqë është votuar në emër të emigrantëve të regjistruar në lista nga ana e të afërmve të tyre. Zgjidhje tjetër nuk mund të ketë, sipas tij. Dhe me këtë, ai rreket të rrisë vigjilencën e opozitës në këtë drejtim.

Një koleg tjetër, Arben Rrozhani, shprehte një shqetësim të ndryshëm në numrin e djeshëm të së përditshmes Shqiptarja.com, e me këtë tregonte një teknikë “fringo të re” manipulimi që shfaqet më e sofistikuar, më pak qedersjellëse e më procedurale sesa teknika e marrjes së votave të emigrantëve që praktikisht nuk votojnë. Kjo teknikë është e njohur në praktikat elektorale të vendeve të ndryshme, por nuk para është përdorur në Shqipëri. Është fjala për përpilimin e një harte të re mandatesh parlamentare, d.m.th zonave ku mbështetja tradicionale në favor të PD-së është më e madhe u jepen më shumë mandate, dhe anasjelltas, zonave të majta u jepen më pak mandate.

Si kështu? Nuk paska kritere të ndarjes së mandateve? Jo, kritere ka, dhe Berisha e të tijtë nuk është se kanë ndërmend të injorojnë kriteret, atë të numrit të popullsisë nëpër zona, që thotë se “zona me numër pak a shumë të barabartë zgjedhësish do të kenë numër të barabartë mandatesh”, apo që thotë se “çdo mandat duhet të ngrihet pak a shumë mbi të njëjtin kampion përfaqësimi”. Berisha e të tijtë kanë ndërmend, sipas Rrozhanit, të shpikin lëvizje e ndryshime demografike të tilla, që legjitimojnë vendimin për t’u hequr nga një mandat qarqeve të Korçës e Beratit, për t’u shtuar nga një mandat qarqeve Tiranë e Durrës, apo për ta mbajtur Kukësin se s’bën me katër mandate.

Katër muaj më parë janë bërë ca hesape, dhe bazuar në numrin e popullsisë së Kukësit, rezultonte që ky qark do të kish tre deputetë, e jo katër, siç i ka pasur në zgjedhjet e fundit. Mirëpo, dikush nuk ka ndenjur duarkryq gjatë katër muajve të fundit. Dhe kështu rezulton që popullsia e Kukësit është rritur sërish deri në nivelet që e përligjin numrin katër të mandateve. Dhe është një rritje demografike e çuditshme, d.m.th verifikohet jo thjesht në Kukës, por pikërisht në ato komuna të Kukësit që janë qartazi me PD-në, e që kanë një administratë e kryetar të PD-së, si në Topojan, Shishtavec etj. Gjashtëqind e tetëdhjetë e dy (682) është numri i banorëve të shtuar në Kukës gjatë këtyre muajve në këto komuna.

Ja vlen të bëhet një krahasim shifrash, dhe në këtë mënyrë mund të kemi një ide më të saktë të llojit të ndryshimeve demografike, që “kanë ndodhur” këto kohë: “Berati, që është një zonë e majtë, është rritur me 137 banorë në katër vjet (2009-2012); Kukësi që është një zonë e djathtë në pikëpamje elektorale, e që është një qark më i vogël sesa Berati në numër popullsie, është rritur siç e thamë më sipër me 682 vetë”.

Ka teknika të tjera manipulimi që po vihen re? Ajo që po ndodh në Fier shihet rëndom si luftë bandash lokale për pak pushtet më shumë, por në fakt e gjithë ngjarja është e planifikuar të ketë një efekt elektoral. Berisha don të ketë kontrollin administrativ të atij qarku, me anë të të cilit mund të realizojë kontrollin e procesit elektoral. Kjo është arsyeja që Berisha ngul këmbë kaq shumë për t’mos e lëshuar Fierin.

Opozita duhet të mos lëshojë pe këtë herë. Ajo ka boll kohë që të ushtrojë presionin e vet mbi mazhorancën, që të identifikojë hilet e shkeljet e mundshme të rregullave të lojës, që t’i bëjë publike këto marifete e hile, e që kështu të fitojë mbështetjen e opinionit publik e t’i bëjë më vigjilentë diplomatët e huaj. Nuk do ketë asnjë alibi pas zgjedhjeve. Zgjedhësit shqiptarë janë lodhur me një opozitë që ankohet e vajton pas zgjedhjeve. E më të lodhur janë zgjedhësit e PS-së, të cilët duan nga kjo e fundit që të marrë masa qysh tani për mbylljen e shtigjeve të manipulimit, e jo të bëjë pas zgjedhjeve kontestime të ngritura mbi prova manipulimi që duhen gjetur.

Është Edi Rama njeriu i parë, të cilit nuk do t’i pranohen alibira të tilla. Ai nuk ka alternativë tjetër. Këto zgjedhje duhet t’i fitojë, e jo t’i kontestojë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama