Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë ende nuk janë mbyllur, që të krijosh një ide të plotë të mesazheve që vijnë nga një përkujtim unik i pavarësisë së shqiptarëve, që përsëritet… çdo 100 vjet. Por, disa mesazhe të këtyre festimeve mund të deshifrohen që tani.
Kombi i bashkuar, kontribuesi kryesor
Në fillim duhet bërë homazh për atë që ishte protagonistja më e zëshme e këtyre festimeve – një shfaqje e fuqishme e ndjenjës së përkatësisë kombëtare të shqiptarëve në këtë jubile. Nuk kishte qendër të jetuar të shqiptarëve ku spontanisht të mos valëviteshin simbole të kombit, flamujt pa urdhër nga lart. Ishin flamuj të formave të ndryshme: me shqiponjë me gjuhë jashtë apo me buzë të poshtme të stërzgjatur, ardhur nga Kina apo nga Turqia, dëshmi e mungesës së një industrie të vogël për prodhimin e tyre në hapësirën shqiptare; flamuj me krahë shqiponje, ku një njërën anë ishte Kosova dhe në tjetrën ishte Çamëria; apo një tjetër që në zemër të shqiponjës kishte hartën e Kosovës.
Kudo flamuj, madje dhe në qendrat e shumta të kumarit elektronik, sportit të ri të shqiptarëve të pashpresë të mileniumit të tretë, ekranet valëvisnin flamuj virtualë të kuq. Një epidemi flamujsh të kuq nëpër ballkone, ku komshinjtë shihnin njëri-tjetrin dhe flamujt shtoheshin ditë pas dite, për të arritur kulmin më 28 Nëntor. Krijimtaria popullore, akoma dhe më spontane se në rastin e flamujve, koreografitë kombëtare arritën kulmin me delegacionet e kalorësve, kryesisht nga Kosova, apo të çiklistëve që nga cepa të ndryshëm të Shqipërisë donin të vinin në Vlorë.
Ishin imitime të lëvizjeve të patriotëve të ndryshëm më 1912-n dhe secila prej këtyre dërgatave ku shpesh shfaqej dhe një Ismail Qemal popullor, donte të ishte në bashin e vendit, në Sheshin e Flamurit: madje me gjithë kuajt. Ishte kjo diçka unike, e cila jo rastësisht tërhoqi vëmendjen e fotoreporterëve ndërkombëtarë në përcjelljen e festimeve shqiptare. Kosovarët kontribuuan më së shumti në krijimtari, në koreografi të ndryshme, me kalorësinë, veçanërisht, me imitimin e shtëpisë së Pavarësisë në Preshevë; kosovarët i dhanë shumë shpirtit të përgjithshëm të festës kombëtare. Rinia u përfshi masivisht në Facebook, në ringtone-e, në ekranet e celularëve apo në forma të tjera, diçka me të vërtetë inkurajuese për një komb që nuk vdes kurrë.
Roli i shtetit…
Në këto festime, edhe shteti i kapur në krizën e tij, veç asaj globale, bëri të vetën t’i përgjigjej sidokudo kësaj ndjenje, por dhe veçantësisë së këtij jubileu. Ekspozita fotografike apo pikturash, ku ajo në Kryeministri me portretet e firmëtarëve të Pavarësisë ishte me të vërtetë e gjetur; shfaqje të ndryshme artistike; koncerte; torta gjigante, që gati sa nuk na sollën ndër mend imazhet e festës së domateve në Spanjë me babëzinë e stimuluar politikisht, pra nga lart, ishin vetëm disa elemente të rolit të shtetit në festime. Më në fund, monumentet ku më tronditëse ishte vogëlsia e statujës së Babait të Kombit, Ismail Qemalit, që nuk lidhet aq shumë me krizën financiare në të cilën gjendet shteti i shqiptarëve, që (sa për shembull) s’ka para për të mbajtur ambasadat në shtetet kryesore.
Festimet kombëtare patën dy qendra: Tiranën dhe Vlorën, dhe kjo ishte krejtësisht normale. Ishte ngushtësisht propagandistike beteja e opozitës, ama, për t’i zhvendosur tërësisht festimet në Vlorë, përfshirë drekën dhe darkën zyrtare. A mund t’i imagjinonte opozita festimet në Vlorë me delegacionet e huaja të nivelit të lartë me ato vështirësi lëvizjesh në rrugët e Shqipërisë, askund tërësisht të përfunduara? Vlora duhet të kishte një pjesë të rëndësishme të festimeve shtetërore, por Shqipëria festonte 100-vjetorin e shtetit, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij e zhvillon prej 1920-s në Tiranë. Nuk përkujtohej vetëm 28 Nëntori i 1912-s, por 100 vjetët e shtetit shqiptar, për të cilin duhet thënë me dorën në zemër se kishin ardhur me të vërtetë shumë delegacione të nivelit të lartë. Janë jorealistë ata zëra që flasin për bojkotim të festës së shqiptarëve, ashtu siç ishin jorealiste premtimet qeveritare se në Shqipëri do të ishin shumë presidentë apo kryeministra europianë. Shqipëria është ajo që është, me përmasat që ka.
Vlora, me madhështinë e saj, ia arriti të bënte bashkë krerët e politikës shqiptare edhe për shkak të Protokollit, sepse të ishte në dorë të Berishës, me siguri ai do të ishte i vetmi protagonist i festimeve dhe në Vlorë. Kryetari Gjika, aq sa mundi, e përgatiti suksesshëm qytetin për një festë të jashtëzakonshme ku morën pjesë qindra mijë shqiptarë nga e gjithë bota, por dhe imponoi mesazhin e përjetshëm të bashkimit të politikës. Ishte ky mesazhi më kryesor i festimeve vlonjate: Rama dhe Berisha bashkë në ceremoninë më të rëndësishme të shtetit shqiptar në 100 vjet.
Me festën u bë, pra, shumë politikë, dhe këtu është vendi të ndalemi pak në cilësinë e kësaj politike. Ashtu si tregtarët e flamujve bënë shumë biznes këto ditë, edhe politika, kryesisht ajo zyrtare, por dhe segmente të caktuara të opozitës, u përpoqën të kalëronin këtë ndjenjë kombëtare sipas mënyrave të veta, që jo rrallë janë kundërprodhuese për interesin kombëtar.
Loja politike me ndjenjën kombëtare
Po fillojmë nga Kryeministri Berisha. Falë kontrollit që ai ushtron në gjithë institucionet, këto festime ishin kryesisht të Berishës, megjithëse përkujtohej shteti shqiptar, dhe ceremonive duhet t’i printe kryetari i shtetit, pra Presidenti Nishani. Berisha në prerje shiritash të monumenteve; Berisha me fjalimet kryesore, madje dhe në Pallatin e Brigadave sërish Berisha, në thyerje të plotë të një tradite protokollare të respektuar rregullisht, kishte vënë të fliste me masazhe anti-Rama kryetarin e Partive Popullore Europiane, madje një figurë partiake dhe joshtetërore, diçka që fyeu shumë të pranishëm. Për më tepër dhe në Vlorë, Berisha u përpoq rregullisht të vidhte entuziazmin e turmës nëpërmjet trukeve të vënies në kokë të plisit kosovar apo xhirove të pakuptimta në tribunën e nderit.
Siç e thamë më sipër, kombi shqiptar, kudo që jeton, shfaqi një ndjenjë të admirueshme përkatësie kombëtare dhe dëshirën për t’u ndier bashkë në 100-vjetor. Kësaj ndjenje, që mund të ketë projektime zgjedhore, kreu i qeverisë iu përgjigj me një retorikë nacionaliste tërësisht të paarsyeshme. Nuk mund të shkojnë dhe të bëjnë thirrje për bashkim dy kryeministra shqiptarë në mes të Shkupit zyrtar, i cili, duke i pranuar ata, bëri një akt tolerance të veçantë për paranojat e veta ndaj shqiptarëve. Në secilin prej fjalimeve të veta të shumta, Berisha ka bërë thirrje për bashkim kombëtar, një retorikë kjo që praktikisht i ka vënë në krizë dhe partitë kombëtariste, sepse Berisha bën më shumë lajm se të gjithë me këto lloj qëndrimesh.
Ka disa pikëpyetje që vijnë natyrshëm përballë kësaj retorike, e cila s’përputhet fare me veprimtarinë praktike të qeverisë së tij.
A ka kuptim të ftosh fqinjë të vegjël apo të mëdhenj, të përdorësh banalisht praninë e përfaqësuesve me të lartë të tyre për të artikuluar mesazhe bashkimi të shqiptarëve për qëllime elektorale, ndërkohë kur qeveritë respektive të Shqipërisë dhe Kosovës nuk arrijnë të zgjidhin dot arsyeshëm krizën e vockël të prodhuesve të patateve? Pra, kur qeveritë, veçanërisht ajo e Shqipërisë, nuk bëjnë dot atë që munden brenda kushtëzimeve të Bashkimit Europian, që do të thotë të bëjnë një linjë interkonjeksioni, të ndërtojnë prodhues të përbashkët energjie, të heqin barriera doganore, të nxisin krijimin e mediave kombëtare, bankave kombëtare etj., etj.?
A ka kuptim të trembësh fqinjët, të frikësosh Bashkimin Europian me valëvitje objektivash të largët, kur s’bën diçka që është shumë e afërt dhe është brenda mundësive të tua, siç janë nismat ekonomike, akademike, politike për t’i afruar më shumë shqiptarët?
Nuk ishin më pak jorealiste, ndoshta dhe të dëmshme shpalljet që bëri Aleanca Kuqezi në kufirin me Kosovën. Ç’do të thotë një referendum për bashkimin kombëtar, rezultati i të cilit dihet se do të jetë thuajse 100% pro bashkimit? Referendum do të thotë të ndërmarrësh një nismë zyrtare, të zyrtarizosh përfshirjen e shtetit në aksionin për bashkimin kombëtar. Kjo do të thotë të kompleksosh Bashkimin Europian në ftesën që të bën për integrim, kjo do të thotë që të konfliktohesh me Perëndimin, që nëse ka një axhendë për bashkimin e shqiptarëve, ka kohën e vet.
Kjo do të thotë ta shtysh axhendën europiane të shqiptarëve, përkundër faktit se përfshirja e Shqipërisë në BE do të thotë fuqizim real i tyre edhe përballë fqinjëve. Edhe iniciativa për një dokument zyrtar të vetëm të shqiptarëve është gjithashtu jorealiste dhe ndoshta e dëmshme. T’u japësh kosovarëve pasaportën e Shqipërisë ngjan shumë tërheqëse, por në debatin që zhvillohet me Serbinë, megjithëse me ndërmjetësim europian, do të thotë t’i japësh argumente asaj se një pjesë e mirë e shqiptarëve të Kosovës vijnë nga Shqipëria. S’po përmendim përdorimin eventual elektoral të kosovarëve në zgjedhjet parlamentare nëse do të kishin pasaportat e Shqipërisë, siç flitet se ndodhi në zgjedhjet lokale të Tiranës në vitin 2011.
Këto ishin disa prej mesazheve që mund të deshifroheshin në festimet e 100-vjetorit të shtetit të parë të shqiptarëve, ndërsa shumë të tjera do të dalin në dritë ditët që do të vijnë.