Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fantazi për një qershizë

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Fantazi për një qershizë

Për cilën qershizë e kam fjalën? Sigurisht, për atë mbi tortë! Për cilën tortë më saktë? Sigurisht, jo për çfarëdolloj torte! E kam, pra, fjalën për tortën e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë të vendit tonë. Pa diskutim, torta në fjalë qe një kryevepër. Një kryevepër monumentale! Fryt i një pune mirëfilli artistike! U lumtë konceptuesve dhe realizuesve të kësaj torte historike: patjetër që ata meritojnë fjalët më të mira, komplimentet më të ndiera, pse jo, edhe ndonjë titull apo dekoratë nderi!

Gjithsesi, le të kthehemi tek ajo çka më intereson e që jam i bindur se ia ka ndezur flakë kureshtjen lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm që në titullin e këtij shkrimi. E kam fjalën për qershizën. Për qershizën mbi tortë, siç thuhet e shkruhet.

Me këtë rast, mund lindin këto pyetje: a kishte qershizë mbi atë tortë gjigante e fort të kushtueshme? Ku ishte ajo? Kush e vuri re? Kush u shty drejt saj? Kush e mori? Ç’e bëri? Kishte apo nuk kishte bërthamë brenda? Mbi atë tortë të hatashme kishte vetëm një qershizë apo disa? Nëse kishte disa, sa ishin tamam…? Dhe këtu mund të përsërisim të njëjtat pyetje si për qershizën e supozuar të vetme.

Nga anketat dhe sondazhet që bënë pa rënë në sy miqtë e mi Aqif Qifa, Françesk Armadhi e Vangjel Lezeti, më rezulton se, sipas disa gjasave, mbi atë tortë gjithëkombëtare të paharrueshme, duhej të kenë qenë njëqind qershiza. Këtë e kërkon objektivisht e patriotikisht vetë natyra e logjika e 100-vjetorit në fjalë. Sidoqoftë, një apo njëqind, problemi mbetet cilësisht i njëjtë, çka e provojnë frytet e hulumtimeve të tre miqve të mi: dihet kush e solli Doruntinën (për këtë lexuesi mund t’i referohet edhe veprës së Ismail Kadaresë), por nuk dihet kush e mori qershizën (ose qershizat). Hipoteza më e përhapur në popull, sidomos tek ata që nuk arritën të merrnin aq tortë sa dëshironin për vete, familjen, të afërmit, fqinjët dhe shokët e tyre më të ngushtë, është se kishte plot qershiza mbi tortë, por, ndoshta, edhe të fshehura thellë brenda asaj: një dentist, që dëshironte të mbetej anonim, u mësoi tre miqve të mi se natën vonë i kishin trokitur në derë disa të panjohur të mistershëm që kishin thyer ndonjë dhëmb a dhëmballë, nga të cilët nuk e kishte mësuar dot shkakun e thyerjes në fjalë, por ama kishte vënë re se goja u binte erë tortë pikërisht, erë tortë 100-vjetori).

Nëse kjo hipotezë vërtetohet (por për këtë do të duhej ndërhyrja e organeve kompetente jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare), atëherë me të drejtë mund të lindë dyshimi lidhur me natyrën e objekteve të forta dhëmbëthyese: të kenë qenë thjesht bërthama apo diçka tjetër? Një hetues i kohës së tortave torturuese moniste (edhe ky pa dalë nga anonimati i tij), mendonte, sipas tre miqve të mi, se në këto kohëra trafiqesh të frikshme, qershizat në fjalë mund të kenë pasur gurë të çmuar në vend të bërthamave, të cilët gurë (ndoshta diamante?) u kanë thyer dhëmbët a dhëmballët personave të lartpërmendur (“Shyqyr që nuk u kanë thyer ndonjë nofull!”, kishte psherëtirë me humanizëm ish-hetuesi).

Të fundit të cilëve u ishin drejtuar, gjithnjë pa rënë në sy, tre miqtë e mi, qenë pastruesit e sheshit e të rrugëve rreth e përqark. Ata bënë be e rrufe se nuk dinin gjë prej gjëje, por njërit prej tyre se si iu kujtua vagëllimthi që, në të gdhirë, kishte dëgjuar disa si hingëllima kali andej nga ana e monumentit të Skënderbeut, madje i ishte dukur sikur kalit i lëvizte ende bishti dhe, kur kishte kaluar atypari, në mugëtirën e agut, kishte pasur përshtypjen se heroi ynë kombëtar mbante në majë të shpatës një copë tortë. Ndërkaq, teksa ai fliste, tre miqtë e mi i kishte flladitur hareshëm një si erë e lehtë rakie.

Si përfundim, me një qershizë apo njëqind qershiza, me bërthama apo me gurë të çmuar brenda, torta e 100-vjetorit të pavarësisë qe aq e shijshme dhe e kënaqi aq shumë popullin kryeqytetas, saqë disa përfaqësues (deputetë?) të tij, sidomos të majtë dhe veçanërisht të djathtë, u bashkuan pa më të voglin dallim partiak për t’i kërkuar njëzëri Kuvendit që në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vihet një nen, sipas të cilit, të gjitha festat e mëdha në vendin tonë të kremtohen me torta po aq, në mos më shumë, gjigante e me qershiza mundësisht plot diamante, sa torta jonë kombëtare e këtij 28 Nëntori jubilar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama