Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Protokoll Shteti, partie, klani apo bodigardësh?!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Protokoll Shteti, partie, klani apo bodigardësh?!

Protokolli i Shtetit organizon ceremonialin zyrtar dhe veprimtarinë protokollare të personaliteteve kryesore të shtetit. Ai përgjigjet  për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, kombëtare e lokale, sidomos në raste kur ato janë jubilare (për të cilat ngrihet dhe një komision shtetëror, ku ka zërin e vet dhe Protokolli). Protokolli i Shtetit është mishërimi i një përvoje sa vendore, po aq dhe botërore.

Siç theksohet në VKM Nr. 229, dt. 23 prill 2004: “Protokolli i Shtetit është zyra kompetente që përcakton dhe trajton në Republikën e Shqipërisë protokollin dhe ceremonialin zyrtar. Protokolli i Shtetit kryen detyrën e zbatimit të ceremonialit zyrtar dhe veprimtarisë protokollare të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për veprimtaritë e tyre më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit”. Pra, në aktivitetet zyrtare ku merr pjesë një nga tri personalitetet e larta të shtetit është Protokolli i Shtetit që merr në dorë të gjitha organizimet e tyre, në konsultim me këto institucione. Për më tepër, pasi janë kryer të gjitha lajmërimet dhe organizimet për ceremonialin e lajmëruar, Protokolli i Shtetit “zbaton me saktësi radhën e përparësisë së rangjeve zyrtare të Republikës së Shqipërisë, Trupit Diplomatik, si dhe e përcakton atë në rastet e veçanta të paparashikuara në këtë rregullore. Kriteri themelor i funksionimit të kësaj strukture është respektimi i rangut zyrtar, i cili është i patrashëgueshëm dhe i patjetërsueshëm”.

Mosnjohje protokolli apo “puç” protokollar

Në kapitullin VI të VKM-së trajtohet në detaje ceremoniali zyrtar, si një përmbledhje normash, që disiplinojnë tërë aktivitetin zyrtar formal dhe joformal të piramidës së lartë të shtetit në Shqipëri. Misioni kryesor i tij është: 1. Përcaktimi dhe respektimi i radhës së përparësisë së personaliteteve zyrtare në përputhje me funksionet që kryejnë dhe postin shtetëror që kanë. 2. Organizimi i veprimtarive kryesore dhe më të rëndësishme të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, pa të cilat nuk mund të kuptohet figura e shtetit. Në të njëjtin kapitull, në &1.1. jepet dhe radha e përparësisë së rangjeve zyrtare. Kjo përparësi ndahet në tri grupe kryesore.

Në grupin e parë bëjnë pjesë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish-presidentët e Republikës.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë: Nënkryetarët e Kryesisë së Kuvendit, zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, anëtarët e qeverisë sipas listës së dekretimit nga Presidenti i Republikës, ambasadorët e vendeve të huaja të akredituara në shtetin shqiptar, ambasadorët e Shqipërisë në krye të detyrës, ish-kryeministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryetarët e grupeve parlamentare, sipas përfaqësimit në Parlament, kryetarët e komisioneve parlamentare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetari i Gjykatës së Lartë, Avokati i Popullit, anëtarët e Gjykatës së Lartë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, prokurori i Përgjithshëm i Republikës, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryetari i SHISH-it, deputetët etj., përfshi përfaqësuesit e besimeve fetare, forcave politike kryesore, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, emërtesat politike të Presidentit, Kryeministrit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të aparatit shtetëror.

Në grupin e tretë bëjnë pjesë kryesisht rangje të nivelit të dytë, emërtesa të Këshillit të Ministrave, drejtues të pushtetit vendor, personalitete të artit, kulturës dhe shkencës, të organizatave të veteranëve të LANÇ, këshilltarë të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe ushtarakë etj.

Duke pasur parasysh këto rregulla protokollare të miratuara gati 10 vjet më parë, lexuesi i këtyre radhëve nuk e ka të vështirë që të kuptojë se jo vetëm në festimet e fundit, por praktikisht në shumicën e ngjarjeve që kanë shoqëruar qeverisjeje aktuale, nuk është respektuar Protokolli, është injoruar ai. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për kryetarin e maxhorancës në rolin e Kryeministrit, por edhe për nivele të tjera shtetërore, p.sh., për Protokollin e Kuvendit. Aty, sipas kap. IV, &11.8: “Ceremonitë e ndryshme protokollare që zhvillohen në sallën plenare të Kuvendit janë objekt dhe kompetencë e zyrës së Protokollit të Kuvendit”. Pra, ky protokoll nën “tekat” e kryetares se Kuvendit, në mjaft raste, ka shfaqur një konfuzion të pakuptimtë apo të qëllimtë, përfshirë dhe atë gjatë vizitës aty të sekretares Amerikane të Shtetit, Klinton. Mjafton të kujtoni pseudo-protokollin apo vendosjen pa pikë protokolli të të ftuarve në lozhat poshtë, për të kuptuar se aty bëhej fjalë më shumë për instinkt “inatçor” dhe “servil”, por jo për respekt institucional! Pa kuptim ishin “dekorimet” për kryeministrat shqiptarë apo darka e 27 nëntorit në Vlorë dhe ndërkohë u harrua me qellim një kryetar Kuvendi, kur të gjithë të tjerët (të gjallët), ishin në lozhë apo si deputetë në sallën e Kuvendit!

Nuk mund të mos përmenden “lajthitjet” e Protokollit të Bashkisë së Tiranës, ku ambasadorë të akredituar në Shqipëri të jenë vendosur para disa personaliteteve shqiptare, në kundërshtim me Protokollin e Shtetit dhe përparësinë e përcaktuar në atë protokoll. Dy janë shpjegimet e këtyre shkeljeve: 1. arroganca antiligjore ose mosnjohja e Protokollit (ai nuk nevojitet fare dhe mund të shpiket për çdo rast të veçantë!); 2. mosrespektimi i ndërgjegjshëm i tij për të realizuar interesa konkrete politike, pse jo dhe njëfarë “puçi” protokollar “antipresidencial”!…

“Variante” shkeljesh

Sipas kap. V, në &5.9, “Rangu i Presidentit nuk është i delegueshëm. Në rastet kur Presidenti nuk merr pjesë vetë por dërgon një përfaqësues, ky i fundit nuk gëzon nderimin që do t’i bëhej vetë Presidentit. Përfaqësuesi i Presidentit radhitet në vendin që i takon sipas rangut të tij”. Në fakt, në ceremoninë e nderimit të ushtarakëve britanikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, përfaqësuesi i Presidencës, mbas vendosjes së kurorës në emër të Presidentit, qëndroi në vendin ku duhej të qëndronte kryetari i shtetit, por jo një vartës i tij i një rangu më të ulët. Ai duhej të tërhiqej në reshtin e dytë!

Po kujtoj vetëm festimet e 28 Nëntorit për të evidentuar një shkelje tjetër protokollare. Sipas &12.3 (kap. IV): “Kur kryetari i Kuvendit merr pjesë në aktivitetet publike së bashku me Presidentin e Republikës, qëndron në të djathtë të tij…”. Ky nuk ishte rasti të paktën në dy nga ngjarjet e ditës 28 Nëntor ku isha i pranishëm dhe unë vetë! Veç nëse ka ndryshuar koncepti i së majtës apo së djathtës! Nuk mund të mos përmenden raste të tjera të shumta të shkeljes së Protokollit. P.sh., sipas & 4.7 (kap. VI): “Në asnjë rast nuk përshëndesin në të njëjtin aktivitet Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri”. Ndërsa, në & 4.9 (kap. VI) theksohet se: “Përshëndetja Kombëtare realizohet nga Presidenti i Republikës”. Ose akoma, në &4.13 (kap.VI), ku për vendosjen në tribunën e nderit sqarohet, midis të tjerash, se: “Në radhën e dytë qëndrojnë ministrat. Titullarët e Trupit Diplomatik vendosen sipas përparësisë së tyre në të djathtë të tribunës qendrore, radha e parë, vendi i parë, duke filluar nga e djathta.

Në të majtë të tribunës qendrore vendosen autoritete të tjera të vendit dhe të ftuar të tjerë”. Dhe pak më poshtë (&4.14) theksohet se: “Vendosja e autoriteteve në tribunë bëhet sipas përparësisë zyrtare, përveç përjashtimeve sipas rastit”. Në fakt, në ceremoninë e zhvilluar në Sheshin e Flamurit nuk ndodhi fare ashtu. Fillimisht në resht të parë ishin vendosur të gjithë ministrat shqiptarë dhe ambasadorët e huaj, ndërsa ish-kryetarët e shtetit të lënë fare prapa nuk u ftuan në këtë 100-vjetor, t’u bashkëngjiteshin nderimeve në varrin e Ismail Qemalit! Situata u “përmbys” pas kthimit prej tij dhe në resht të parë dominuan truprojat, deri duke zhvendosur në resht të tretë e të katërt dhe ambasadorët e huaj që e nisën ceremoninë në resht të parë!…

Sa primitive, po aq e turpshme është dhe mungesa e ftesës në asistimin dhe ndjekjen e paradës ushtarake për ish-komandantët e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura! Pra, në 100-vjetorin e parë të shtetit shqiptar, të propaganduar si mundësi uniteti mbarëkombëtar dhe vlerësimi historik realist, krahas nderimit masiv të patriotëve të vërtetë, u ngatërruan nëpër këmbë dhe “pompime” të dyshimta, deri duke harruar të gjallët në këtë përvjetor! Nga “frika e hijes”, nga komplekse të tjera, apo kushedi pse!…

Dy ceremoni kombëtare


Le të analizojmë tani dy ceremoni kombëtare parësore (kap. VII). E para është “ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar”. Në &2 (kap. VII) shkruhet: “Ngritja e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor është ceremonia më solemne në Republikën e Shqipërisë. Ajo organizohet në qytetin e Vlorës çdo 5 vjet. Për organizimin e saj ngrihet një komision qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri. Programi përfundimtar përpunohet nga Protokolli i Shtetit.(&2.1). Në ceremoni marrin pjesë të ftuar: – Personalitetet kryesore shtetërore dhe publike shqiptare; – Trupi Diplomatik rezident dhe jo rezident i akredituar në Shqipëri; – Personalitetet më në zë të diasporës dhe të trojeve shqiptare jashtë kufijve; – Personalitete të huaja që kanë dhënë dhe japin kontribut të shquar në interes të Shqipërisë; – Konsujt e nderit të Shqipërisë në vendet e huaja(&2.2)”. Sipas &2.3: “Ceremonia fillon në orën 10:00.

Të ftuarit arrijnë më parë sipas itinerarit të përcaktuar. Organizimi i pjesëmarrjes së Trupit Diplomatik bëhet nga Protokolli i Shtetit”. Kurse në paragrafët pasues detajohen hapat e mëtejshëm pas ardhjes së Presidentit të Republikës dhe fillimit të ceremonisë. Për zhvendosjen e tij në vendin e ngritjes së flamurit “Presidenti shoqërohet nga kryetari i Bashkisë, kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe prefekti i Vlorës… Në orën 10:00 Presidenti kryen ngritjen ceremoniale të flamurit…Pas ngritjes së flamurit, nga të pranishmit vendosen kurora në emër të kombit shqiptar te varri i Ismail Qemalit…”. Siç rezultoi, edhe në këtë shtrirje kohore pati vonesa të dukshme, ato më shumë lexoheshin si pafuqi protokollare apo “zbehje” presidenciale!

Më tej, sipas protokollit, “Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri zënë vend në tribunën e ngritur në këmbët e Monumentit të Pavarësisë. Të ftuarit e tjerë, Trupi Diplomatik, anëtarët e qeverisë, deputetë, përfaqësues të partive politike, familje patriotësh, përfaqësues të diasporës etj., janë të vendosur që më parë sipas përparësisë në tribunë. Presidenti i Republikës u drejtohet pjesëmarrësve dhe mbarë kombit me përshëndetjen e rastit. Ceremonia mbyllet pas përshëndetjes së Presidentit”. Në tri paragrafët e fundit nënvizohet po ashtu se: “Nëse parashikohen në program aktivitete të tjera, përurimi i tyre bëhet sipas radhës së përparësisë nga personalitete të tjera. Në këto ceremoni marrin pjesë të gjitha personalitetet kryesore të shtetit (&2.11). Vizitat në familjet e patriotëve dhe dëshmorëve bëhen sipas programit të miratuar më parë për secilin personalitet më vete dhe jo më shumë se dy vizita. Presidenti i Republikës shoqërohet nga kryetari i Bashkisë, Kryeministri nga prefekti dhe kryetari i Kuvendit nga kryetari i Qarkut (&2.12). Për nder të të gjithë pjesëmarrësve, pushteti vendor i Vlorës shtron një drekë. Kryetari i Bashkisë ngre me këtë rast një dolli dhe përshëndet të gjithë të ftuarit. Ceremonia mbyllet në orën 16:00. Pjesëmarrësit shpërndahen për t’u mbledhur përsëri në Tiranë në Pallatin e Brigadave për pritjen e Festës Kombëtare (&2.13)”.

Pra, duke e parë në tërësi dhe në detaje, a u respektua ky protokoll nga treshja e shtetit? Përgjigjja është e menjëhershme: nuk u respektua, madje u sajua njëfarë protokolli “alla kryetarçe” në datën 27 nëntor! Po ashtu, duke pasur parasysh vështirësitë e mëdha të kthimit në Tiranë, u pa qartë dhe absurditeti i programimit të mbylljes së festimeve më 28 Nëntor. Me qëllimin e vetëm për ta kthyer 29 Nëntorin, datën kushtetuese të Çlirimit si ditë jo festive!…

Po aq e rëndësishme është dhe “Ceremonia e Festës Kombëtare” (&3, kap VII). Sipas Protokollit të Shtetit: “Me rastin e Ditës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës jep një pritje shtetërore, e cila organizohet në Pallatin e Brigadave më 28 Nëntor, ora 19:30. Organizimi ceremonial i festës dhe respektimi i përparësisë zyrtare bëhet nga Protokolli i Shtetit (&3.1)… Të ftuarit fillojnë të grumbullohen në ambientet e Pallatit të Brigadave pas orës 19:00. Në ora 19:30 jepet sinjali i fillimit. Hapen dyert e sallës së Skënderbeut dhe të ftuarit hyjnë në sallë. Ata priten në radhë nga Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri me bashkëshortet (ose vetëm) (&3.3). Mikpritja e autoriteteve të larta zgjat 30 minuta, pastaj ata prishin radhën dhe bashkohen me të ftuarit…(&3.4). Në orën 20:00 Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri me bashkëshortet e tyre (ose vetëm), shkojnë në krye të sallonit ku është vendosur mikrofoni (&3.5). Ekzekutohet Himni Kombëtar vetëm me muzikë. Përshëndet Presidenti i Republikës (5 min.). Përshëndetja e tij shoqërohet nga përkthimi në anglisht për Trupin Diplomatik. Pas përshëndetjes Presidenti ngre një dolli urimi për të gjithë të ftuarit. (&3.6). Të 3 autoritetet e larta përshëndesin të ftuarit duke lëvizur në të gjitha mjediset e sallës së pritjes. Gjatë ceremonisë një grup muzikor ekzekuton pjesë të ndryshme muzikore (&3.7). Presidenti largohet i pari nga festa, pasi përshëndetet me personalitetet kryesore të huaja dhe të vendit (rreth orës 21 :30-22:00). Pas Tij mund të fillojnë të largohen edhe të ftuarit e tjerët sipas dëshirës…(&3.8)”.

A nuk është shkelur tërësisht Protokolli në këtë ceremoni? Në të vërtetë, po; si nga ana formale, ashtu dhe joformale. Jo vetëm u shty ora e pritjes në 20:30, por dhe vetë ceremonia filloi pas orës 21:30, madje pa kërkuar falje për të ftuarit që kishin mbi një orë e gjysmë që po prisnin aty! Po ashtu, Presidenti jo vetëm nuk shtrëngoi duart me të ftuarit e tij, por dhe dëshmoi pafuqi institucionale, ligjore e kushtetuese: ai lejoi të mbahet një “ligjëratë” e gjatë elektorale nga një i ftuar partiak, pikërisht në ditën më të veçantë të Flamurit tonë Kombëtar, që nuk i honeps ngjyrosjet partiake! Atëherë pse ndodhi një gjë e tillë? Nuk do të më pëlqente që të besohej se e gjitha kjo u orkestrua për të cenuar autoritetin e institucionit të kryetarit të shtetit, për ta nënshtruar apo për ta bërë sa më të zbehtë zërin e tij!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama