Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Primaries në Shqipëri? Janë të pamundura

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Primaries në Shqipëri? Janë të pamundura

Një numër praktikash të demokracisë amerikane nuk para pëlqehen në Europë, ku secili vend ka traditën e vet në këtë lëmë. Për më tepër, edhe sikur të pëlqehen, ato bën vaki që të jenë mezi të aplikueshme. Për një mori arsyesh.

Por ka ndonjë praktikë që po fiton terren në kontinentin e vjetër. Fjala vjen, ato që quhen Primaries, d.m.th zgjedhje paraprake brenda kampeve apo partive për të përcaktuar kandidatin për të qeverisur vendin. Me anë të kësaj metode pra, e drejta për të përcaktuar kandidatin për Kryeministër/President kalon nga duart e nomenklaturës së partisë në duart e militantëve apo simpatizantëve të partisë.

Edhe një praktikë e tillë nuk është e lehtë të hedhë rrënjë në Europë, e në këtë mes nuk është vetëm tradita demokratike e secilit vend që bëhet pengesë; është edhe mënyra e organizimit politiko-elektoral që nuk e shtron këtë nevojë. Në Europë, është preferuar deri vonë, në masë, mënyra proporcionale e ndarjes së vendeve në Parlament, gjë që së pari lejonte një përfaqësim parlamentar më të mirë të shtresave e grupeve sociale, dhe së dyti e linte shpesh krijimin e mazhorancave qeverisëse, e rrjedhimisht zgjedhjen e kryeministrit, në dorë të lojërave parlamentare. Shkurt, zgjedhësit europianë, me pak përjashtime, nuk kanë votuar për kryeministrin e ardhshëm, por për partinë e tyre.

Tani vihet re një tendencë e re. Është ende në një gjendje embrionale, por po fiton mbështetës ideja që zgjedhësve t’u jepet e drejta për të zgjedhur kryeministrin, e jo vetëm partinë e koalicionin. Dhe në këto rrethana, partive iu del nevoja të përcaktojnë një kandidat të tyren për kryeministër. Prej këtu, lind kollaj ideja për t’ua lënë në dorë militantëve e simpatizantëve përcaktimin e këtij kandidati. Me anë të një votimi të lirë, të fshehtë.

Hë për hë, kjo praktikë amerikane është marrë nga e majta europiane, ku bien në sy socialistët francezë dhe progresistët italianë. Këta të fundit po synojnë të bëhen kampionë të këtij modeli në Europën Perëndimore. Para tri ditësh, ata zgjodhën për herë të dytë kandidatin e tyre për kryeministër. Herën e parë ish Romano Prodi ai që u zgjodh, dhe që më pas fitoi përballë Berlusconi-t në zgjedhjet e përgjithshme. Këtë herë është Pier Luigi Bersani, liberal-progresisti 61-vjeçar, që e fitoi garën përballë kandidatit tjetër, Matteo Renzi-t, kryebashkiakut të Firences, një djalë i ri plot pasion, ambicie e ide. Bersani-t do t’i duhet të përballet në zgjedhjet e ardhshme që janë lënë për në pranverë të vitit 2013 me kandidatin për kryeministër të qendrës së djathtë, që pritet të dalë nga – në Itali është bërë modë kjo punë, tanimë – Primaries. Risia e të majtëve bëri aq bujë sa që po e marrin dhe të djathtët.

Këto Primaries të së majtës në Itali ishin një ngjarje e madhe politike që thithi për javë të tëra tërë vëmendjen e mass-medias. U hodhën ide, u ballafaquan ato, u përplasën në debate televizive dy politikanët që ishin në garën për “postin” e kandidatit për kryeministër (Bersani e Renzi), u përfshinë nga ethet e garës gazetarë, politikanë të tjerë, militantë të partisë, madje dhe politikanë e militantë të krahut tjetër. E gjithë gara rezultoi një festë e demokracisë.

“Duhen bërë dhe këtu, në Shqipëri, Primaries”, po thonë ca e ca. Hm, një fjalë goje. E parë nga larg, duket si një gjë e lehtë. Të para nga larg, kështu duken dhe zgjedhjet parlamentare, të lehta për t’u bërë, por janë pikërisht këto që ne s’po i bëjmë dot. Edhe në Itali nuk ka qenë e lehtë të organizohen Primaries, të cilat kërkojnë një infrastrukturë të tërë zgjedhore, resurse financiare, një start të barabartë, dhe oportunitete të barabarta gjatë lojës, për të gjithë kandidatët, komisione e komisionerë, një kulturë të garës, etj., etj. Në zgjedhjet e përgjithshme këto funksione i luajnë struktura shtetërore (policia, gjykatat, struktura të administratës publike, institucione të tjera të pavarura e jopartizane), të cilat janë mësuar, dhe e kanë për detyrë, të jenë të ftohta e neutrale në ndjekjen e garës, në garantimin e kushteve të barabarta për pjesëmarrësit në garë, e në vlerësimin e rezultatit.

Dikush mund të më thotë, se unë po merrem me nevojën për të imituar Primaries në Shqipëri në një kohë që PS-ja dhe LSI-ja i kanë praktikuar në zgjedhjet e kryetarit të tyre, e të strukturave drejtuese (LSI-ja sapo i mbylli një palë Primaries, nga të cilat doli fitues Ilir Meta). Mirëpo, lind pyetja: vërtet ka njerëz që mendojnë se PS-ja e LSI-ja kanë organizuar Primaries? Votimet brendapartiake të PS-së e LSI-së nuk janë Primaries; janë surrogato të tyre. Më saktë, janë një mënyrë për të lyer me pak vernik demokratik pushtetin absolut të nomenklaturave partiake e të krerëve të partive.

Unë e di që socialistët e Ramës dhe integro-socialistët e Metës kanë votuar për Ramën e për Metën; madje, jam gati të vë dorën në zjarr në mbrojtje të pretendimit se votat nuk janë prekur e se rezultati nuk është trukuar. Mos vallë kjo do të thotë se është bërë një garë reale? Aspak. Nuk mund të ketë garë reale atje ku ka një lider absolut, fryma e autoriteti i të cilit e komprometon garën qysh në krye të herës, ose atje ku lideri garon i vetëm (ngaqë nuk pranon askush të dalë për ta konkurruar), ose atje ku del dikush për ta konkurruar liderin, por del me lejen e liderit, ose atje ku del dikush për ta konkurruar liderin, por gjatë debatit bie dakord me të gjitha idetë e liderit, ose atje ku nuk ka rregulla e kushte të barabarta të garës për të gjithë pjesëmarrësit në të, sepse lideri ka pará, gazeta, mjete të tjera dhe kundërshtari i tij ka veç zemërgjerësinë e liderit për t’i krijuar kushtet për pakëz protagonizëm, etj.

Përveç sa më sipër – dhe kjo është më e rëndësishmja – është e qartë se nuk mund të kërkohen Primaries në një vend, në të cilin nuk është e mundur të bëhen zgjedhje parlamentare, në të cilin këto zgjedhje manipulohen e kontestohen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama