Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje vit - Te drejtat e njeriut

Shkruar nga: Igli Totozani  
Botuar më: 13 vite më parë

Igli Totozani
Nje vit - Te drejtat e njeriut

Jemi në fund të vitit. Në këtë kontekst kohor, jam përpjekur të përmbledh në këtë artikull një numër çështjesh që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarit shqiptar, për të cilat institucioni që drejtoj është angazhuar me të gjithë forcat dhe mundësitë këtë vit. Duke falënderuar redaksinë e gazetës “Shqip” për këtë mundësi, dëshiroj të theksoj për lexuesit se me renditjen e mëposhtme nuk synojmë vetëvlerësime, por synojmë një përpjekje të re për të tërhequr vëmendjen e domosdoshme qytetare dhe institucionale mbi disa problematika kryesore të shoqërisë sonë këtë vit, sidomos për ata bashkëqytetarë tanët, të cilët kanë nevojë për ndihmë. Kam përfshirë në këtë renditje disa nga shtresat e shoqërisë zbatimi i të drejtave ligjore të të cilëve ka qenë një sfidë për shoqërinë dhe institucionet këtë vit. Disa nga rekomandimet e përfshirë në këtë artikull të shkurtër shoqëruar me të dhënat përkatëse janë përfshirë edhe në një numër raportesh që AP i ka dërguar Kuvendit. Shprehim keqardhje që këto raporte që prekin problematika të mprehta të shtresave në nevojë të shoqërisë sonë, nuk është parë e udhës të merren në shqyrtim nga Kuvendi.





Është një nga shtresat shoqërore që ende nuk ka përfituar tërësisht të drejtat që i takojnë, pavarësisht hapave të ndërmarrë për trajtimin e tyre. Në vitin 2007, Kuvendi ka miratuar Ligjin për dëmshpërblimin dhe në bazë të tij kanë dalë një sërë aktesh nënligjore apo VKM të tjera që, përcaktojnë nominalisht përfituesit e kësteve të dëmshpërblimit. Por procesi i dëmshpërblimit nuk ka ecur me ritmet e dëshiruara, për shkaqe që lidhen kryesisht me ndryshimet që ka pësuar legjislacioni specifik në vitin 2009. Pasojë e këtij procesi është greva e urisë së një grupi ish të burgosurish politikë, e cila përfundoi pa zgjidhje konkrete. Ecuria nxori në pah, së pari, mungesën e vullnetit nga ana e administratës shtetërore për zhvillimin e dialogut me grevistët për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme nga palët, kërkesë që nuk u mor parasysh as pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit.

Pavarësisht aksesit të dhënë me ligj në shërbimet sociale-publike ndaj kësaj shtrese, është konstatuar se ende qeveria nuk ka përmbushur detyrime që rrjedhin nga përcaktimet e Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Këshilli i Ministrave ende nuk ka nxjerrë një VKM për parashikimin e një skeme pensioni për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar, sipas parashikimeve të ligjit. Mbetet emergjent miratimi nga Kuvendi i projektligjit të ri që do të trajtojë në këto kushte kategori të ish të dënuarve që nuk kanë mundur të përfitojnë nga ligji në fuqi.

Ulja e masës së pensioneve të ish-ushtarakëve.

Pranë AP këtë vit është prezantuar problematikë nga përfituesit e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe suplementar, me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142. AP ka konstatuar se pas rillogaritjes së masës së pensioneve, kjo masë jo vetëm është ulur në mënyrë drastike, por një numër i madh janë edhe debitorë ndaj Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Pikërisht, në kuptimin e rivendosjes së parimit të sigurisë juridike, AP që më datë 31.01.2012 i ka dërguar ministrit të Financave, z.Bode, rekomandimin për marrjen e nismës për plotësim të nenit 29 të ligjit të sipërcituar. Pavarësisht kërkesave tona të herëpashershme, për qëndrimin e mbajtur ndaj këtij rekomandimi, ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Financave.

Statusi i invalidit paraplegjik & tetraplegjik

Avokati i Popullit ka konstatuar këtë vit rrethana që cenojnë të drejtat ligjore të personave me aftësi të kufizuara. Për t’i paraprirë mosmiratimit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin “Për statusin e të verbrit”, si dhe të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, në shkurt 2012, AP i ka dërguar Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë pranë Kuvendit të Shqipërisë, mendimet e tij për projektligjin.

Por, me ndryshimet që pësuan ligjet e mësipërme, Avokati i Popullit së bashku me Shoqatën Kombëtare të Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, si dhe Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, me objekt “Shfuqizimin si antikushtetues të ligjit të ri dhe pezullimin e zbatimit. Çështja është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Për romët

Pas rekomandimit për ministrin Ksera për përfshirjen e pjesëtarëve të minoritetit rom në programet e formimit profesional dhe punësimit, MPCSSHB ka ndërmarrë nisma për hartimin e politikave nxitëse dhe lehtësuese për komunitetin në fjalë. Por mbetet pa përgjigje rekomandimi drejt kësaj Ministrie për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së familjeve rome në ambientet e Repartit Ushtarak Sharrë, Kombinat. Pas rekomandimit drejtuar MASH për ngritjen e klasave përgatitore për arsimin parashkollor, për mësimin e gjuhës shqipe dhe pjesëmarrjen e fëmijëve romë në të gjitha nivelet e arsimit, MASH ka një plan të detajuar veprimi për përfshirjen me prioritet të fëmijëve romë dhe egjiptianë në kopshte dhe shkolla. Është rishikuar dhe buxhetuar “Plani i veprimit për arsimimin e fëmijëve romë”.

Pas rekomandimit drejtuar ministrit të Brendshëm për regjistrimin e pjesëtarëve të minoritetit rom në regjistrat e gjendjes civile, MB është angazhuar për të regjistruar ata fëmijë, të cilët prindërit e tyre nuk i kanë regjistruar në shërbimin e gjendjes civile. AP i është drejtuar edhe ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, me një rekomandim legjislativ për ndryshimin e ligjit “Për programet sociale për strehimin e banorëve në zonat urbane” (i ndryshuar). Konstatojmë se këto ndryshime dhe mostrajtimi si një kategori prioritare në mënyrë të shprehur i komunitetit rom, nuk i ndihmon ata në drejtim të pikëzimit favorizues që duhet të marrin për shkak të konsiderimit si kategori prioritare.

Në korrik AP ka dërguar në Kuvend raportin e veçantë me objekt “Problematikat e komunitetit rom”, i cili është ende i pashqyrtuar. Lidhur me ndryshimet legjislative që AP i ka propozuar ministrive përkatëse për komunitetin rom, i jemi drejtuar edhe Kryeministrit të vendit me një kërkesë për mbështetjen e tij për këto rekomandime.

Për komunitetin LGBT

Për këtë komunitet, siç është bërë e ditur në publik AP i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt pa dhunë, përjashtime sociale apo trajtim çnjerëzor. Kemi kërkuar trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore. Në përgjigje të rekomandimit tonë, kjo ministri na informoi se rekomandimet tuaja përputhen me objektivat dhe masat e parashikuara në planin e masave “Politikat e mosdiskriminimit në arsim. MASH është angazhuar që në bashkëpunim me institucionet arsimore të programojë, të zbatojë dhe të monitorojë realizimin e objektivave dhe aktiviteteve të planit. Avokati i Popullit ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë Raportin e veçantë për këtë kategori, por edhe ky është ende i pashqyrtuar.

Për të drejtat e fëmijëve në nevojë

Si Avokat i Popullit dëshiroj të theksoj në këtë artikull që është shumë e nevojshme të merren disa hapa konkretë për përmirësimin e sistemit të përkujdesit shoqëror për fëmijët në nevojë. Disa prej tyre i kemi kërkuar gjatë këtij viti: – Nxitje e procesit të decentralizimit të shërbimeve dhe shpërndarjen e tyre në komunitet. – Forcim i cilësisë dhe aksesit në shërbime të tjera të institucioneve rezidenciale. Ky është një aspekt mjaft i rëndësishëm nëse mbajmë parasysh që ky grup fëmijësh ka nevoja të veçanta psikosociale. – Nxitje e deinstitucionalizimit të fëmijëve në qendrat rezidenciale nëpërmjet transformimit të tyre në formën shtëpi – familje. – Promovim i shërbimeve mbështetëse, të cilat zbusin institucionalizimin e fëmijëve, shërbim i kujdestarisë në familje, birësim dhe rikthim në familje biologjike. – Fuqizim i kapaciteteve në nivel qendror dhe rajonal i strukturave që punojmë me fëmijët, pra trajnim i vazhdueshëm i stafeve të shërbimeve sociale, sepse vihet re se, njohuritë në lidhje me zbatimin e të drejtave të fëmijëve në praktikën e përditshme, janë ende të kufizuar.

Për gratë dhe dhunën në familje

Bashkëpunimi i vazhdueshëm i AP me organizatat jofitimprurëse, së fundmi është materializuar në marrëveshjet e përbashkëta të bashkëpunimit për mbrojtjen e të drejtave të grave. Është rritur numri i individëve që i drejtohen gjykatës për arsye të dhunës, si dhe numri i urdhër-mbrojtjeve të lëshuara prej tyre. Ka pasur një zgjerim të numrit të gjykatave që kanë lëshuar urdhra mbrojtjeje për viktimat e dhunës në familje. Mirëpo, shpejtësisë së gjykatës nuk i përgjigjen strukturat e përmbarimit, të cilat duket se e gjejnë të vështirë në terren zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Dhuna në familje është një fenomen mjaft i përhapur. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë iniciativa kundër këtij fenomeni. Ndërkohë, procesi i dëmshpërblimit të gruas që ka pësuar torturë ose dhunë seksuale, ose forma të tjera të keqtrajtimit, në praktikë është i vakët.

Gjykojmë se fuqizimi ekonomik i grave përbën një ndër kushtet themelore për arritjen e barazisë gjinore, reduktimin e dhunës me bazë gjinore. Kemi rekomanduar dhënien prioritet politikave lidhur me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave nga skemat e mbështetjes me të ardhura, në programe aktive punësimi, formimi profesional dhe ritrajnimi.

Për të përmbyturit në Shkodër

Avokati i Popullit ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar pas përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës. Konkretisht rekomandojmë: – Alokimin e fondeve nga KESH në një Depozitë të veçantë të Qeverisë Shqiptare. Mungesa e fondeve nga KESH nuk mund dhe duhet të jetë arsye apo shkak ligjor për zvarritjen e dhënies së dëmshpërblimit të parashikuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Duhen marrë në konsideratë pretendimet e subjekteve tregtare tyre, si dhe procedurat e vlerësimit të dëmeve dhe klasifikimit të tyre jashtë listës së përfituesve. Në këtë aspekt, shprehim kritikat tona institucionale për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, e cila për asnjë moment nuk vuri në dispozicion të AP informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar në rrugë zyrtare.

Duhet miratuar një vendim i ri i Këshillit të Ministrave ku të parashikohen ato subjekte të lëna në harresë gjatë procedurave të përpilimit të dokumentacionit me qëllim që të gjithë fermerët të përfitojnë dëmshpërblimin, ashtu si dhe bashkëfshatarët e tyre. Duhen realizuar gjithashtu investime konkrete brenda një afati të shkurtër, duke shmangur periudhën e vjeshtës dhe shirave të mundshëm, me qëllim që të shmangen përmbytje të tjera të zonave të rrezikuara.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama