Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Detyrat e kopjuara

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Detyrat e kopjuara

Pasi u treguam patriotë për një ditë më 28 Nëntor, Saliu vendosi ta zgjasë këtë tollovi edhe për ca kohë të tjera, duke hedhur në lumin e mëmëdhetarëve edhe gurin patriotik të pasaportës shqiptare për të gjithë shqiptarët.

Temë shumë e sikletshme kjo për t’u trajtuar pa rrezikuar të akuzohesh për atdheshitës e për mungesë patriotizmi, ndaj edhe të gjithë krahët e politikës kur e trajtojnë mundohen të jenë sa më të kujdesshëm. Të gjithë kështu, të majtë, të djathtë e të qendrës, të këtejmë e të përtejmë kufirit.

Bash për këtë, meqë vendosa ta trajtoj këtë temë, për t’iu shmangur akuzës për jopatriotizmë po e fus veten apriori tek jokombëtarët dhe do përpiqem të arsyetoj jo si politikan që i digjet zemra për popullin, por thjesht si popull i thjeshtë ndër ata që flamuri nuk u jep bukë. Se, siç e thotë Noli:

“Roft’ e qoft’ patriotizma,

mëmëdheu, idealizma.

Po kur dimër del behari,

s’ka si zjarri!”

Në të parë, si ëndërr e shumë brezave, duket gjë e bukur kjo që të gjithë shqiptarët të kenë pasaportë shqiptare, por kush do quhen shqiptarë? Banorët e Kosovës të gjithë do t’i quajmë shqiptarë? Po serbët e Kosovës, që edhe ata me plot të drejtë janë banorë të Kosovës, edhe ata do marrin pasaportën tonë? Po maqedonasit, malazezët apo serbët që banojnë në Maqedoni në Mal të Zi apo në Kosovë, do t’ua japim pasaportën? Apo vetëm shqiptarëve etnikë? Po kush do ta ndajë, kush është serb, malazez, grek, epirot, turk, ashkali apo ku di unë tjetër, e kush është shqiptar? Apo do hapim nga një Ministri në secilin nga këto vende për të provuar e ndarë një për një se kush është shqiptar e kush jo? Po në Athinë dhe në Beograd do ta hapë nga një sportel të tillë Saliu, apo atje i vënë drunë edhe për një gjysmë fjale e jo më për shaka të tilla?

Unë votoj për të zgjedhur qeverinë e Tiranës, dhe si unë bën edhe shkodrani, tropojani, kavajasi, korçari, vlonjati, gjirokastriti e sarandjoti. Dhe në bazë të zgjedhjes që bëjmë, qeveria i shpenzon paratë që na mbledh nga taksat për të na përmirësuar jetën (të paktën kështu është në letër). Po kur të bëhemi 7 milionë me pasaportë shqiptare, nga të cilët 4 milionë nuk kanë lidhje me Shqipërinë, ç’kusur do kem unë që banoj këtej kufirit që, për qeverinë që do më qeverisë mua, të vendosin njerëz që as kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri? Dakord që e kanë në zemër Shqipërinë, por unë këtej kufirit përveç zemrës kam të lidhur edhe stomakun me këtë vend. Po në të kundërt, si do t’i dukej banorit të Llapit, Drenicës apo Rugovës që të vendosja unë për qeverisjen e krahinës apo vendit të tij? Le që edhe sikur të më krijohej mundësia që të vendosja edhe unë se kush parti do e qeveriste Llapin, Drenicën apo Rugovën, do thoja, jo, le ta vendosin ata vetë se kush duan t’i qeverisë. Unë kam një jetë që dëgjoj lajmet, i takova edhe vetë kur isha në Tetovë edhe Thaçin edhe Ahmetin, e prapë s’e ndava dot punën se cili prej tyre kishte të drejtë; si do ta ndajë tetovari apo ulqinaku se cili është burrë i mirë Saliu apo Rama?!

Shteti shqiptar mban nëpër botë nja 20 a 30 ambasada, të cilat mes të tjerave kanë përgjegjësi për shtetasit shqiptarë. Unë i paguaj taksat dhe, me taksat e mia mbahen edhe këto ambasada që, kur unë të kem ndonjëherë ndonjë hall dikund nëpër botë, të gjej mbështetje tek ambasada e vendit tim. Mirëpo tani, po u bëmë 7 milionë me pasaportën shqiptare, këto ambasada që mbahen nga 3 milionë do të përballen me hallet e 7 milionëve, nga të cilët 4 milionë as që e njohin vendin e as kanë ndonjë përgjegjësi ndaj tij.

Dje u deklarua në media se nga 2009-a janë mbi 30 mijë kosovarë që kanë marrë pasaportë serbe. Edhe këta e kanë bërë jo se janë burra më të këqij se ne që nuk e kemi marrë, por sepse ajo u shërben për të mbaruar punët e tyre. Po këta, do ta marrin edhe pasaportën shqiptare tani? Këta njerëz që për një hall e harruan flamurin tim dhe morën pasosh-in e Serbisë, a do ta marrin edhe pasaportën time?

Të nesërmen e shpalljes së nismës patriotike-mëmëdhetare-mbarëkombëtare të Saliut për pasaportat, dëgjova në televizor intervistën e një prishtinasi për këtë çështje. Edhe ai ishte një shqiptar si puna ime, që s’ka gjë në dorë dhe shikon vetëm hallet e tij. E pra, prishtinasi tha se “kjo ishte një gjë shumë e mirë, sepse kështu mund të shkonte të takonte djemtë në Gjermani pa pas nevojë për vizë”. Nuk kishte hall prishtinasi as për mëmëdheun që kështu do bëhej superfuqi, e as për flamurin që do valonte anekënd botës. Halli i tij ishte shumë tokësor: të shkojë te çunat në Gjermani. Po t’ia hiqte këtë hall pasosh-i i Serbisë, do merrte atë si shumë të tjerë. E pra, shteti, pasaporta, flamuri, kombi janë shuuuumë më tepër sesa takimi me çunat në Mynih a Shtutgart. Unë të paktën kështu i trajtoj dhe kështu dua t’i trajtojë edhe kushdo që do t’i thotë vetes shqiptar.

Mua tiranasit, m’i hoqi vizat zysha-Evropë, sepse i bëra detyrat e mia, ndërsa prishtinasi nuk i ka bërë ende (jo për faj të tij ndoshta) dhe kërkon që ta kalojë klasën, duke kopjuar detyrat e mia. Dhe ai beson se mund t’ia hedhë Evropës kështu?! Jo, për njëmijë vjet. Po nuk uli kokën e të bëjë vetë detyrat e veta në vendin e vet, as që do t’i hyjnë në punë detyrat që kopjoi nga unë, por do na lerë në klasë të dyve, pra do na i vënë vizat edhe mua edhe atij. Atij prishtinasit askush nuk ia ka shpjeguar një gjë të tillë, le që edhe sikur t’ia shpjegojnë, prapë do këmbëngulë të marrë një pasaportë si timen. Ta marrë një herë e të shkojë te çunat, pa pastaj me të parë e me të bërë, do thojë. Ashtu sikundër asnjë kopjac nuk është ndalur nga kopja se i kemi shpjeguar që kopja nuk të shpëton. Dhe kur ta hamë të dy, edhe unë tiranasi edhe ai prishtinasi, se do na rivënë sistemin e vizave që të dyve, do jetë shumë vonë për t’i gjetur derman punës. Mirë se ai ndërkaq do ta marrë lajmin e rivendosjes së vizave që nga Shtutgarti ku do të ketë shkuar tek çunat, po ç’kusur kam unë që do mbetem prapë i mbyllur këtu, duke dëgjuar çiftelinë e Saliut?

Sipas mëndjes sime, ka vetëm një rrugë për t’i ndihmuar shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi apo të Greqisë. Vetëm duke e bërë më të fortë Shqipërinë, mund t’i ndihmojmë dhe jo duke e shpërndarë fukarallëkun gjithandej.

Ka vetëm tri mënyra për të ngrënë bukë me flamur. Mënyra e parë, është të jesh prodhues flamujsh dhe, sa më shumë flamuj të prodhosh e të shesësh, aq më shumë fiton e bëhesh parelli. Unë nuk jam njëri syresh. Mënyra e dytë, është të jesh tregtar flamurësh e t’i ndërrosh sa herë ta do puna, halli apo politika. Për këtë duhet të jesh politikan e unë s’jam i tillë. Mënyra e tretë, është t’i shërbesh flamurit që të ka rënë në pjesë që në lindje, duke ia zbardhur faqen dhe lartuar emrin me punë të ndershme, me dinjitet e me përkushtim. Po veprove kështu, flamuri të jep bukë vetë pastaj. Anglezët, gjermanët apo francezët, kanë nga njëmijë vjet që i shërbejnë kështu flamurit të tyre, ndaj respektohen e nderohen ngado që venë nëpër botë, sapo nxjerrin pasaportën e vendit të tyre. Unë besoj të jem i këtij lloji dhe, sa më shumë shqiptarë të zgjedhin këtë rrugë të tretë, aq më shpejt do e bëjmë Shqipërinë t’i ketë peshë llafi e hije shtati nëpër botë. Përndryshe, me të hedhura e me të përdredhura, me hilera e me meselera, “Selanik e tatëpjetë / si ç’ka qenë do të jetë!”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama