Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Refleksione per nje kronike vjedhjeje

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Refleksione per nje kronike vjedhjeje

Mediat e dëshiruara për lajme kronike e shpalosën gjithë dëshirë në faqe të parë lajmin e të ashtuquajturit përvetësim prej një familjeje shqiptare të mallrave me vlerë 238 dollarë në një tregtore të madhe amerikane. Deri këtu jemi brenda normës shqiptare të trajtimit mediatik të rasteve të tilla. Por kur dje u pa se si tri media elektronike afër qeverisë, e trajtuan këtë lajm si lajm të parë, pra edhe më të rëndësishëm se krijimi i Komitetit kombëtar të diasporës, atëherë lajmi meriton vëmendje më të madhe se normalen. Por duhet dhe një këndshikim tjetër, jashtë politikës. Për më shumë që nën trysninë e krijuar dhe nga kërkesa e drejtpërdrejtë e PD-së që PS të mbajë qëndrim, partia e të majtëve menjëherë u distancua nga familja politike Barjaba.

Me këtë veprim jemi vërtet në kufijtë e një komedie banale parazgjedhore. Dy parti politike që tentojnë të largojnë sikur të ishte një patate e nxehtë fatin individual apo familjar të një njeriu me kontribute në këtë shoqëri, i cili s’dihet akoma tërësisht se si është akuzuar për përvetësim mallrash prej 238 dollarësh. Janë dy parti politike, veçanërisht PD-ja që kanë qenë dhe janë në pushtet, ku akuzohen për përvetësime qindramilionëshe dhe as nuk janë skuqur, dhe as nuk janë zverdhur.

E kuptojmë PD-në, që nëpërmjet kësaj historie, mundësisht nëse shndërrohet në telenovelë, dëshiron të dalë nga telenovela tjetër që tregon zoti Taulant Balla për familjen e Kryeministrit. Po PS-ja, pse duhet të kompleksohet kaq shumë nga një histori individuale apo familjare e dikujt, faji i të cilit nuk është vërtetuar ende gjyqësisht? Pse ndonjë gazetë afër PS-së e ka pasqyruar me shumë zell gjithçka është botuar në dy portale lokale amerikane, pa reflektuar madje as përgënjeshtrimin e zotit Barjaba?

Ndërkohë, nëse kjo që ka ndodhur vërtetohet gjyqësisht, sepse dikush është fajtor vetëm me një vendim gjykate, pas reagimit normal për skrupujt tanë prej puritanësh, do duhet të biem në mendime për fatin individual të këtij njeriu, apo të familjes së tij. Ne ende nuk dimë se ç’ka ndodhur saktësisht.

Familja Barjaba nuk është një familje krejt e zakonshme: dy fëmijët Barjaba kanë frekuentuar që të dy motër e vëlla një ndër dy universitetet më të mira në botë, Universitetin e Stanfordit. Babai i tyre ka frekuentuar për një specializim pasuniversitar një program pranë Universitetit të Harvardit dhe është autoritet akademik në këtë vend. Në këtë shikim, Barjabat ngjajnë një familje që ka investuar në arsimim të nivelit më të lartë botëror, diçka që e bën më të rëndë peshën e fajit që i ngarkohet në kurriz, pavarësisht vlerës së kufizuar të mallrave që supozohet se janë përvetësuar.

Ky profil akademik i lartë i kësaj familjeje e bën më të rëndë krimin e tyre që nuk është vërtetuar ende gjyqësisht. Por ama e bën dhe më jonjerëzore futjen e tij në gijotinën e thashethemnajës politike dhe të kronikës së zezë pa beneficin e dyshimit në favor të tij. Çfarë ndodh tashmë me fatin e këtij njeriu, apo të familjes së tij? Pse ne vallë me ftesën e partive duhet të shikojmë me përçmim dikë që vjedh 240 dollarë, dhe jo dikë që vjedh tendera, para publike?

Dhe diçka tjetër. Duke e marrë për të vërtetë këtë lajm, mund të reflektohet për shtysat e këtij veprimi, që s’dihet ende se i kujt është saktësisht (babait, nënës, fëmijës). Çfarë shtysash janë: ekonomike, shtysa maniakale, apo të tjera? Por duhet reflektuar dhe për standardet etike që karakterizojnë elitën tonë intelektuale. Dikur, në vitet e para të hapjes së Shqipërisë, ishin normale lajmet e ngjashme me protagonistë individë të kësaj elite, që kudo në Perëndim, të gjendur përpara idesë së bollëkut që frymëzonin tregtoret e mëdha, edhe kishin vjedhur në ngasje e sipër. Për fat të mirë, këto lajme nuk kanë qarkulluar në media botërore për të na shkatërruar tërësisht imazhin, por në nivel thashethemesh urbane. Duket e vështirë ta pranosh se kjo gjë mund të ndodhë dhe sot, 22 vjet pas ndërrimit të sistemit, për më shumë kur protagonistët janë me shumë gjasë dhe rezidentë amerikanë. Ama nëse e pranon, kjo është me të vërtetë dramatike.

Benefici i dyshimit

Dhe diçka tjetër. Nuk humbasim asgjë nëse në analizën tonë nuk u hapim rrugë dhe hipotezave të tjera me pro-të dhe kundrat e tyre. Janë vetëm hipoteza, të cilat le të jetojnë derisa të kemi seancat gjyqësore të çështjes. Pse frymëzohemi për hipoteza të tilla? Ngaqë s’durojmë mënyrën si po politizohet çështja. Pse? Sepse rreth këtij lajmi u ndërthur me shumë intensitet dhe cilësi dhe intriga politike – qenia e zotit Barjaba si kryetar i Grupit të PS për Çështjet Sociale, siç e tregonin fotot bujare të mediave të PD-së, që e nxirrnin atë në krah të Edi Ramës. Epo sa për sfidë, për mendimin konvencional apo atë mendim që do të na frymëzojë politika hipokrite me mungesën e saj të ndjeshmërisë, ne duhet të mos biem pre e kësaj egërsie. Për më shumë pse akuza e shumëfishuar politikisht nuk përbalt vetëm Kosta Bajrabën që këshilluaka PS-në, apo zonjën e tij, por tërë familjen e tij.

Plotësisht dakord se të njëjtën ndjeshmëri do duhet ta ofrojmë edhe sikur protagonist i saj të ishte dikush nga PD-ja, apo nga shoqëria civile. E kuptojmë dikë që mund të thotë se faktet janë fakte; se Policia amerikane nuk gënjen etj. Në këtë linjë duhet ta konsiderojmë si shumë të drejtë dhe supozimin se ky profil akademik i lartë i këtyre njerëzve nuk i përjashton ata nga një ves kaq banal, që te disa është si një lloj sëmundjeje, pra një lloj impulsi emocional më i fortë se nevoja ekonomike. Janë kapur me presh dhe personalitete të shquara të artit që e kanë këtë ves, si për shembull Lindsay Lohan etj. E kuptojmë se në dëm të protagonistëve të kësaj historie ngjan se është alibia e zotit Barjaba, se ai është ndaluar në garazhin e qendrës tregtare për mungesë autorizimi në ngarjen e makinës, apo eventualisht telefonata e tij për të denoncuar si të humbur familjarët.

Na ngjan ama e çuditshme se si dikush që ka vjedhur me vetëdije kthehet sërish në «vendin e krimit». Duket e vështirë ndërkohë që Policia amerikane të gabojë në ngjarje jo shumë të komplikuara si kjo, me gjithë zellin e kompanive tregtare që të bëjnë zhurmë të madhe në raste të tilla edhe përpara kompanive të sigurimit të mallrave.

Me këto hipoteza bëjmë thirrje për më shumë humanizëm dhe me këtë ftesë mbyllim këto refleksione në trajtimin e një historie njerëzore, që ka brenda diçka sa dramatike, aq dhe komike. Dramatike, sepse shpërpjesëtimisht po rrënohet në gijotinën publike me siguri dhe për mendjelehtësinë e vetë protagonistëve fati i një apo më shumë individëve. Komike, sepse politika që ka në kurriz mëkate shumëfish më të mëdha, po përpiqet të dalë e pastër prej tyre, duke ua hedhur gjithë fajin viktimave që u gjendën jo rastësisht në rrethinat e bukura të Stanfordit në SHBA

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama