Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Na duhet nje referendum!

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Kajsiu
Na duhet nje referendum!

Më datë 12 shkurt, Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën për referendum mbi importin e mbetjeve të mbi 60 mijë qytetarëve shqiptarë. Është hera e dytë në historinë 20-vjeçare të demokracisë shqiptare që një grup qytetarësh arrin të mbledhë mbi 50 mijë firma, të certifikohen nga KQZ-ja dhe të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Fakti që në më shumë se njëzet vite demokraci vetëm dy kërkesa qytetare për referendum kanë arritur në Gjykatën Kushtetuese, mjafton për të kuptuar se sa pengesa duhet të kalojnë nismat qytetarë për të arritur deri në Gjykatë. Ashtu sikurse fakti që në njëzet vite demokraci të gjitha referendumet janë bërë me iniciativë nga lart dhe asnjëherë me nismën e qytetarëve, tregon se sistemi ynë politik është ngritur për ta penguar dhe jo për ta nxitur nismën qytetare.

Pikërisht për këtë arsye vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i një rëndësie të veçantë. Ai nuk do të jetë thjesht një vendim që lejon ose jo referendumin për mbetjet. Ai do të jetë një vendim që krijon ose pengon precedentin e referendumeve që burojnë nga qytetarët. Nëse Gjykata Kushtetuese i thotë “po” nismës për referendum, atëherë për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar kryhet një referendum që nuk buron nga qeveria apo politika, por nga qytetarët.

Dhe sot më shumë se kurrë neve na duhen referendume të tilla; ku u jepet mundësia qytetarëve të flasin. Sepse sot, si kurrë më parë, demokracia shqiptare rrezikohet rëndë nga kriza e përfaqësimit. Në thelb të kësaj krize qëndron fakti që qytetari shqiptar është reduktuar në një spektator pa zë dhe pa figurë.  Detyra e tij është të përdoret politikisht, të dëgjojë, por jo të flasë, e aq më pak të protestojë. Përndryshe mund ta vrasin, dhe në mënyrë të ligjshme madje.

Sot sfera publike është uzurpuar nga interesa privatë të cilët flasin me vete, por jo me qytetarin. Jetojmë në një sistem politik paradoksal ku aktorët politikë, faktori ndërkombëtar, biznesi dhe media qajnë hallet e tyre private në hapësirën tonë publike. Qeveria qahet për opozitën që po pengon të ardhmen tonë të ndritur europiane, paçka se Europa kurrë nuk ka qenë më zi. Opozita qahet se qeveria nuk po i jep pushtetin që i takon. Ndërkombëtarët qahen se politikanët shqiptarë vetëm zihen. Ndërsa media në rastin më të mirë i qan hallin fjalës së lirë, dhe në rastin më të keq qan hallin e biznesit që e financon. Në këtë kontekst, hallin e qytetarit nuk e qan askush.
Roli i qytetarëve reduktohet tek audienca pasive në spektaklin e shëmtuar për pushtet. Ata duhet të ekzistojnë vetëm për të dëgjuar arritjet e Berishës, akuzat mes tij dhe Ramës, apo shqetësimet e BE-së. Kështu, në hapësirën tonë publike prodhohet një rreth vicioz ku mungesa e zërit qytetar kompensohet me britma më të larta nga qeveria, opozita apo faktori ndërkombëtar. Fatkeqësisht, britmat shërbejnë për t’i mbytur edhe më tej shqetësimet e qytetarëve.

Hapi i parë për ta thyer këtë rreth vicioz është referendumi që buron nga qytetarët; për dy arsye. Së pari, referendumi është një akt që e transformon qytetarin në aktor. Ai krijon një çarje në sferën publike në të cilën diskutohet një problem konkret, që prek jetën dhe ambienti ku jetojmë. Diskutohet një axhendë që lidhet me qytetarin dhe jo thjesht me të ardhmen e pushtetit. Në këtë mënyrë, referendumi ia rikthen hapësirën publike publikut. Së dyti, referendumi është një institucion me legjitimitet të lartë demokratik, ndryshe nga pothuajse të gjitha institucionet e tjera të demokracisë sonë.

Institucionet tona vuajnë shumë nga deficiti demokratik, sepse janë pak ose aspak të lidhura me demos-in. Ekzekutivi është kthyer gjithnjë e më tepër në agjenci të interesave privatë dhe jo në garant të interesit publik. Parlamenti pas reformës proporcionale ka humbur çdo lidhje me elektoratin. Ndërsa Gjyqësori është kthyer në një korporatë të mbyllur ndaj qytetarit dhe e hapur ndaj ekzekutivit; vendimet e të cilit më shumë e acarojnë sesa e paqtojnë shoqërinë. Ndaj të gjitha institucionet tona vuajnë një mungesë të theksuar legjitimiteti.

Në këto kushte, krijimi i një institucioni demokratik si referendumi qytetar do të mbushte një boshllëk madhor në sistemin tonë politik. Referendumi është shansi më i vërtetë, dhe ndoshta i fundit, për ta nxjerrë demokracinë shqiptare nga koma që e ka paralizuar. Ndaj na duhet një referendum!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama