Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Referendumi i PD-së dhe dështimi i Shqipërisë

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
Referendumi i PD-së dhe dështimi i Shqipërisë

Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet me të njëjtin mentalitet që i krijojmë ato”. Ndoshta kjo është shprehja filozofike që qartëson më mirë thelbin e dështimit të propozimit të PD-së për referendum për tri ligjet. Iniciativa është në thelb populiste dhe e dëmshme, është zgjatim i mentalitetit që e ka ushqyer këtë krizë.  Aktualisht, kriteri më i madh dhe testimi më i afërt për vullnetin dhe përgjegjësitë tona, edhe për përfitimin e statusit të vendit kandidat të BE-së, janë standardet se sa të lira dhe të ndershme do të jenë zgjedhjet parlamentare.

Edhe pse si vend dhe si komb ne kemi mbështetjen më të madhe të opinionit publik për integrimin euroatlantik, jemi të fundit në Ballkan në procesin e integrimit. Mentaliteti ku fituesi i merr të gjitha, ku shumica numerike e kartonëve përdoret jo për ta përmirësuar ambientin politik, por për ta sunduar atë, mentaliteti i kontrollit partiak i të gjitha institucioneve kushtetuese të vendit dhe jo krijimi i një ekuilibri të ri të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve na ka vetëngelur në mënyrë të përsëritur.

Në thelb, procesi i integrimeve euroatlantike është dorëzim gradual i një pjese të sovranitetit të vendit tënd në përfitim të pjesëmarrjes në aleanca ndërkombëtare të sigurisë dhe në bashkime më të mëdha ekonomike dhe politike.

Por, ndërsa në emër të vendit tonë e deklarojmë me shumë euforizëm prioritetin e integrimeve euroatlantike, pra dorëzimin gradual të sovranitetit, kur cenohet “sovraniteti individual”, kur kufizohet përqendrimi i pushteteve në dorë të një maxhorance apo të një individi, kur duhet kufizuar pushteti individual për të ndërtuar shtet ligjor, kur duhet lehtësuar forcimi i institucioneve dhe jo të synohet pushteti absolut, kur duhet rritur garancia e votës së lirë dhe jo garancia për përjetësi në karrige, kur duhen rritur liritë politike dhe ekonomike dhe jo të kufizohen liritë e opozitës apo liritë ekonomike nga korrupsioni e kapja e shtetit, vazhdojnë qëndrimet strikte. Pushteti absolut është rritur, nënshtrimi i institucioneve kushtetuese po rritet, agresiviteti ndaj opozitës është bërë pengues për vendin.

Është vështirë të justifikohesh për dështimet kur Mali i Zi dhe Serbia e përfituan statusin kandidat shumë më shpejt se vendi ynë. Deri tani ne kemi humbur 47 muaj (prill 2009-mars 2013) apo jemi vonuar rreth 5 herë më shumë se ata vetëm në përfitimin e statusit kandidat (http://ec.europa.eu/enlargement/).

Procesi i negocimit të 35 kapitujve të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE, procesi i negocimit me 28 vendet anëtare të tij do të jetë natyrshëm një proces më i vështirë dhe më i gjatë. http://ec.europa.eu/enlargement/policy/conditions-membership/chaptwrs-of-the-acquis/

Nuk e besoj që shumë politikanë firmëtarë të kërkesës për referendum nuk e kanë të qartë se detyrimi për të pasur një rezolutë të Parlamentit përpara paraqitjes së kërkesës për anëtarësim nuk është një kriter burokratik, nuk është një dokument i një liste pa të cilin burokratët e Brukselit ta kthejnë pas dosjen e aplikimit. Ky dokument i votuar nga maxhoranca dhe opozita kërkohet që të garantojë vullnetin e përbashkët të partive politike të çdo vendi aplikues për t’u dhënë mbështetje prioritare reformave politike dhe ekonomike që e përmirësojnë përafrimin e legjislacionit dhe standardeve europiane, të shprehura qartë në kriteret e Kopenhagës, kritere kusht për ta merituar anëtarësimin në BE.

Përse duhet bërë një referendum për të pyetur gjithë shqiptarët për këto ligjet kur edhe në kulmin e krizës ekonomike të BE-së shqiptarët mbeten kombi më mbështetës i integrimit europian? Përgjegjësia e   dështimit për t’i miratuar në Parlament dhe me shumicë të cilësuar këto ligje nuk mund të fshihet as me këtë referendum popullor, i cili do të rezultojë vetëm një demagogji elektorale. Motivet elektorale dhe populiste  nuk e justifikojnë dot retorikën e mbingarkuar politike për dështimin tonë të tretë, që tenton të sundojë debatin elektoral.
Të mos i gënjejmë shqiptarët që BE është e lodhur nga zgjerimi, që BE ka hallet e saj, që BE sajon kritere apo kushte shtesë sepse nuk do të zgjerohet. E vërteta është e kundërt dhe akoma më zhgënjyese. BE, edhe në kulmin e krizës së tij, po zgjerohet. Në mes të këtij viti do të bëhet me 28 anëtarë, Kroacia do të jetë vendi i tij më i ri.
Dera e BE është e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Liderë politikë të BE deklarojnë se për të zgjidhur sfidat e saj, Europës i duhet më shumë dhe jo me pak integrim, aq me tepër i duhet perspektiva europiane e vendeve të rajonit tonë. BE, për të inspiruar popujt tanë dhe ne politikanëve, gjithmonë krijon shembuj konkretë për të vërtetuar se perspektiva jone europiane është hapur. Kroacia u bë vend anëtar, Serbia dhe Mal i Zi u bënë vende kandidate, vetëm ne dështuam. Shumë liderë europianë dhe amerikanë na i kanë thënë publikisht, disa prej tyre drejtpërdrejt në Parlament, se BE ju mirëpret, mos u vononi, mos u vetëpengoni, garantoni zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftoni korrupsionin, garantoni pronën, garantoni Gjyqësor të pavarur dhe të pakorruptuar, votoni tri ligjet.

Ndoshta disa prej politikanëve e kanë frikë futjen në BE, ku mbikëqyrja dhe detyrimi për t’i zbatuar standardet e saj rriten, ku dallohesh qartë n.q.s.  vjen era korrupsion apo sillesh si despot. Ndoshta e njohin rastin e Hungarisë, që edhe kur je fitues me shumicë të cilësuar të votave, por je vend anëtar i BE, ke përballë standarde e kritere strikte si do të qeverisësh. Kur ti i shkel ato, ke pasoja deri në bllokim të aksesit në fondet e BE dhe në proceset vendimmarrëse të saj. Ky është misioni fisnik i projektit të BE në promovimin, inspirimin por edhe garantimin e kritereve dhe standardeve të larta europiane.

Procesi i përafrimit dhe anëtarësimit është i gjatë, dhe gjatë këtij procesi partitë politike ndryshojnë statusin politik në raportin maxhorancë-opozitë të një vendi, por nuk duhet të ndryshojnë detyrimet dhe përgjegjshmërinë e tyre ndaj sfidave, reformave integruese dhe prioriteteve kombëtare.

Ajo rezolutë e detyrueshme e Parlamentit të çdo vendi e konsideron raportin maxhorancë-opozitë jo mbi kritere numerike, se sa për qind kanë partitë e maxhorancës dhe sa të opozitës. BE nuk ka ndonjë kusht që kur maxhoranca e një vendi është maxhorancë e cilësuar, pra që mund t’i ndryshojë vetëm ligjet me shumicë të cilësuar apo deri edhe kushtetutën, kjo rezolutë nuk është e nevojshme. Shprehja e angazhimit të përbashkët e maxhorancës dhe opozitës nuk varet nga raporte numerike, të cilat janë tregues që ndryshojnë shpesh dhe shpejt, por nga statusi i partive në një demokraci, parti qeverisëse dhe parti opozitare. Përfshirja edhe e opozitës së vendit në përmbushjen dhe garantimin e reformave dhe standardeve europiane është një kusht shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit.

Tri ligje të miratuara me referendum popullor nuk e zëvendësojnë dot parakushtin e rëndësishëm të detyrimit që maxhoranca dhe opozita e një vendi duhet të gjejnë kompromiset dhe bashkëpunimin e nevojshëm, jo thjesht për t’i miratuar, por për t’i implementuar në mënyrë të suksesshme të gjitha reformat dhe ligjet që   garantojnë standarde europiane në fushën e demokracisë dhe ekonomisë, ku: liria e votës, liria e pronës, ndarja e pushteteve dhe kontrolli i tyre, pavarësia e Gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, janë kritere të rëndësishme jo vetëm për anëtarësim në BE.

Referendumi ynë më i plotë dhe më i qartë do të jenë zgjedhjet politike të 2013-ës. Edhe maxhoranca e re e paszgjedhjeve, sado e madhe të jetë ajo, do të duhet të arrijë konsensusin dhe bashkëpunimin parlamentar për  reformat prioritare që përfshijnë edhe këto ligje.

Nuk mund të vazhdohet të mendohet se me politika populiste apo nacionaliste mund të fitohen zgjedhjet dhe pas tyre të ndodhë çfarë të ndodhë. Sepse se çfarë ndodh me dështimin e politikës, çfarë ndodh me politikat populiste e nacionaliste, çfarë ndodh me rritjen e varfërisë dhe pabarazisë, nuk ka nevojë ta kërkosh nëpër librat e historisë politike, por mjafton të shikosh realitetin shoqëror dhe politik në Itali, Greqi, Spanjë, Portugali, për t’u ndërgjegjësuar që jo vetëm miratimi ligjeve, por sidomos bërja e reformave konkrete në kohë dhe jo sipërfaqësisht, vetëm reduktimi i rrënjëve të krizave politike dhe sociale mund të na afrojë realisht dhe jo vetëm virtualisht me BE-në.

Referendumi është një opsion populist dhe i dëmshëm që vazhdon dhe ushqen dështimin e vendit tonë. Ne duhet t’ua lehtësojmë të gjithë shqiptarëve të ardhmen e tyre më të mirë, që pa dyshim është brenda familjes europiane dhe duke u mbështetur te vlerat dhe standardet e saj më të mira. - See more at: http://www.panorama.com.al/2013/03/02/referendumi-i-pd-se-dhe-deshtimi-i-shqiperise/#sthash.J7EptuBi.dpuf

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama