Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Harresa e Qeverisë për jugun, ka provë rrugët

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Harresa e Qeverisë për jugun, ka provë rrugët

Në gusht të vitit 2011, në gazetën “Shqip” kam botuar shkrimin me titull “Qeveria i ikën Jugut”. Një shkrim që pasoi me reagime të ndryshme. Teksti kishte lidhje me konstatimin që segmentet rrugore që nisnin nga Fieri deri në Gjirokastër ishin në gjendje mjerane, të rrënuara dhe me gropa të shumta në krejt shtrirjen e tyre.

Pas dy vjetësh, për shkak të një udhëtimi të ripërsëritur gjatë kësaj jave në Gjirokastër, po i rikthehem së njëjtës temë. Rruga e përuruar para disa muajve që lidh Levanin me afërsinë e Memaliajit e ka ndryshuar krejt luginën që gjarpërohet prej lumit Vjosë.

Është një hapësirë, e cila është bërë shumë më e jetueshme dhe ka krijuar një gjendje lëvizjesh dhe investimesh nga banorët e kësaj zone. Mirëpo, matanë këtij ndryshimi, një katastrofë harrese dhe varfërimi po ndodh në zonën ku dikur kalohej përmes rrugës së vjetër kombëtare.

E kemi fjalën për fshatrat që nisin prej Patosit dhe deri në Fratar. Janë disa mijëra banorë të kësaj zone, të cilët përjetojnë një izolim dhe harresë të rëndë administrative e financiare. Rrugët e kësaj zone të sjellin në kujtesë imazhet e Shqipërisë së viteve 1992. Të mbushura me gropa dhe të zëna vende-vende prej masiveve të dherave të shkarë prej erozionit dimëror. Një jetesë mjerane, e cila s’ka asnjë ngjashmëri me atë që bëhet në zonat metropolitane të vendit. Një infrastrukturë që degradohet për çdo orë dhe përgjatë secilës ditë që rrjedh. Shërbimet sociale të munguara dhe biznesi lokal në një pamje malarike.

Pa mbetur shumë te kjo pamje, do të doja të rikthehesha te një çështje që ka lidhje me veprën kryesore të këtij dhjetëvjetëshi në gjerësinë përgjatë brigjeve të Vjosës që lidh Levanin me Tepelenën. Është fjala për dy segmente të lëna në peizazhin skandaloz të viteve 1992. Dhe konkretisht për segmentet e vogla të rrugës Fier-Levan dhe Memaliaj-Tepelenë. Gjendja në segmentin e parë është më e keqe se rruga e dikurshme Fier-Lushnjë, dhe konkretisht ajo e viteve 1990-1995, e mbushur me gropa dhe e degraduar prej mungesës së mirëmbajtjes. Një rrugë e bërë e ngushtë, për shkak të degradimit fizik, por edhe për arsye të amortizimit fizik prej automjeteve të tonazheve të rënda.

Kjo gjendje ka më shumë se dy vjet që është në këtë mjerim. Por askush nuk shqetësohet prej saj. Edhe pse është segmenti që bën bashkimin e kapilarëve kryesorë rrugorë të vendit që lidh zonat e Jugut, ato të Bregdetit jonian me qytetet e Shqipërisë së Mesme. Nëpër këtë segment kalojnë dhjetëra mijëra mjete dhe qindra mijëra qytetarë, të huaj, turistë e vizitorë, delegacione dhe misione etj., etj. Kohë më parë, autoritetet e Ministrisë së Transporteve u justifikuan se kjo ka lidhje me vonesën e punimeve që lidhen me Unazën e Fierit. Por ka kaluar koha e dy vjetëve dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Sipas gjasave, edhe në muajt e ardhëm, e njëjta gjendje në përkeqësim ka për të vijuar.

Por edhe më skandaloz është segmenti Memaliaj-Tepelenë. Mijëra mjete e qytetarë që lëvizin përditshmërish në këtë segment mallkojnë e mërmërisin pakënaqësinë e tyre për atë rrugë të bërë të pakalueshme dhe ku norma e amortizimit të mjeteve është padyshim më e larta në të gjithë republikën. Askush nuk jep përgjigje për vonesën dhe lënien përgjysmë të punimeve në këtë segment rrugor. Ai, së bashku me segmentin Fier-Levan, shkaktojnë për çdo kalimtar dhe automjet një vonesë prej gati një ore, duke rikthyer për këtë shkak kohëzgjatjen e dikurshme të distancës Fier-Gjirokastër, kur kalohej nëpër rrugën mjerane të Ballshit dhe të zonës së Tepelenës.

Natyrisht kjo gjendje nuk përkon me një reagim apo formë refuzimi qytetar. Për këtë mjerim dhe harresë, që ka për provë këto segmente rrugore, çuditërisht nuk e ngrenë zërin as qeverisësit vendorë me shumicë, që i përkasin opozitës, as ata të pushtetit qendror që kryesojnë prefekturat apo qarqet si në Fier, ashtu edhe në Gjirokastër. Kjo është një heshtje e paturpshme dhe mungesa e reagimit të deputetëve në Parlament është edhe më tepër turp.

Arsyeja nuk është thjesht për mungesë fondesh apo për “buxhete të pakaluara”. Kjo është një shpërfillje kriminale për të drejtën e qytetarëve, të cilët në rrugë nuk kanë as përkatësi e as parti. Janë të gjithë të njëjtë në mallkim për cilësinë e keqe dhe degraduese të rrugëve në jug. Reagimi i tyre shpreh sesa pak cilësi dhe ndërgjegje sociale kanë për llogari të jetës së tyre. Ato dy segmente janë një provë trishtuese për harresën prej qeverisë.

Do të mjaftonte ripërsëritja e bllokimit të rrugëve çdo ditë nga një ose dy apo tri orë, për të parë sesa shpejt do të ndryshonte cilësia e atyre 5 deri 10 kilometrave që kanë mbetur në gjendjen skandaloze në arterien kryesore kombëtare në jug të vendit. Këtë harresë qeverisëse, e zhduk vetëm reagimi dhe protestimi qytetar. Një protestë, në rastin tuaj, do të ndryshonte cilësinë e përhershme të udhëtimit drejt Gjirokastrës, Tepelenës dhe zonave të tjera përgjatë Vjosës. Qytetarë e fshatarë të zonës, ndihmojeni veten!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama