Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tarzani midis nesh

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Tarzani midis nesh

Kush nuk e njeh Tarzanin, heroin e famshëm të shkrimtarit amerikan Edgar Rice Burroughs, të cilin e bënë edhe më të famshëm si filmat artistikë me metrazh të gjatë, ashtu edhe ata vizatimorë! Ky fëmijë, të cilin e rriti një shimpanze femër, diku në shkurrajat e Afrikës ekuatoriale, zuri miqësi me të gjitha kafshët përmes aventurash fantastike, duke u kthyer, për lexuesin, në mit lirie, burrërie dhe bujarie, na mëson Fjalori Enciklopedik “Le Petit Robert 2”. E famshme është edhe sokëllima e këtij heroi të dashur, sidomos për fëmijët paraadoleshentë një britmë apo klithmë e zgjatur në trajtë kushtrimi për të gjitha kafshët e xhunglës afrikane.

E xhunglës afrikane? Oh, jo vetëm afrikane, por edhe… shqiptare. Po, zonja e zotërinj të nderuar, që gjeni kohën ta lexoni të dielave këtë rubrikën time, jo vetëm afrikane, por edhe shqiptare! Po shpjegohem: Ka kohë që vërej rreth e qark meje se bashkatdhetarët e mi janë tmerrësisht të zhurmshëm jo vetëm ditën, por edhe natën, veçse, në fakt, kisha filluar të mësohesha me zhurmshmërinë e tyre, pa arritur gjithsesi t’i gjeja kësaj një epitet të përshtatshëm, kur, ja, krejt befasisht, para disa ditësh, një shungullimë zanore me zanafillë njerëzore, më saktë, studentore, nëpër shkallët e një institucioni të nderuar arsimor, më ndihmoi ta gjeja epitetin në fjalë, pra, mbiemrin cilësor “tarzanian”.

Dhe, tek dëgjoja sokëllimën shqiptare të heroit botërisht të njohur, m’u kujtua titulli i njërit prej romaneve të Burroughs-it, “Kthimi i Tarzanit”, kështu që, vetvetiu, thashë me vete: “Tarzani qenka midis nesh! Na kishte marrë vërtet malli për atë!”. Kësaj radhe, Tarzani më ishte shfaqur thjesht me tiparet e një studenti, i cili, përmes sokëllimës së tij, shfrynte e shkarkonte tërë stresin e orës së mësimit që sapo kishte mbaruar. Kjo sokëllimë më dha, për një çast, idenë të merrja penën për t’i shtuar edhe një vëllim serisë së romaneve me Tarzan, një vëllim me titullin “Tarzani student”, por kur u kujtova se në atdheun tim të dashur kapitalist tarzanë ka kudo, që nga tregu i vogël fshatar, pranë banesës sime, deri në Kuvendin e Shqipërisë, ku tarzanët tanë politikë apo politikanët tanë tarzanianë lëshojnë herë pas here sokëllima wagneriane me kumbim ndërplanetar, atëherë më shkrepi ideja se, meqë Shqipëria është kaq e pasur me tarzanë, të huajt do të bënin mirë që, në gjuhët e tyre përkatëse, ta quanin atë jo Albania, Albanie, Albanien etj., por Tarzania, Tarzanie, Tarzanien etj.

Ta quanin jo Albania, por Tarzania etj., etj., aq më tepër që është shtuar shumë numri i luanëve dhe i tigrave, i dhelprave dhe i gjarpërinjve, si edhe ai i çakejve dhe i hienave, por edhe i majmunëve, femrat e të cilëve, ndoshta së shpejti mund të rrisin tarzanë të vegjël sipas parimeve social-politike xhunglore hight tech (ha një tek) me qëllim që, në të sotmen tonë të ndritur dhe në të ardhmen tonë akoma më të ndritur, veçanërisht në periudha zgjedhore si kjo e sivjetshmja, të gjithë ne, tarzanianë, tarzanakë, tarzanistë, tarzanarë apo tarzanuqë, të ulërijmë e sokëllijmë, të klithim e këlthasim, të çirremi e ngjiremi, të gërthasim e gërvallemi, të vërrasim e vikasim, të hingëllijmë e pëllasim për t’u bërë të përjetshëm, pavarësisht nëse përjetësia ekziston apo jo në të vërtetë!

Gjithsesi, ekziston apo nuk ekziston përjetësia, të flasësh tarzanisht apo tarzançe rrit pafundësisht mundësitë e komunikimit midis nesh, njerëzve, sepse kjo gjuhë, e cila së shpejti mund dhe duhet t’i zërë vendin jo vetëm gjuhës shqipe, por kryesisht, sidomos e posaçërisht edhe asaj anglo-amerikane, si gjuhë e globalizimit universal, provon se krijimi i të mezipriturit homo tarzanicus ka nisur së pari këtu, midis nesh!

Mjerisht, në fund ka thuajse përherë diçka që nuk vete për mrekulli; kështu, në krye të këtij shkrimi është një togfjalësh që tani po më shqetëson, sepse unë e përmend Tarzanin, siç shprehet Fjalori Enciklopedik “Le Petit Robert 2”, si “mit lirie, burrërie dhe bujarie”. Më shqetëson më saktë fjala “mit”, sepse, sikur një shkronjë t’i ndërrohet asaj, gjithçka qelbet! Sidomos në atë shtet që të huajt, në gjuhët e tyre përkatëse, mund ta quajnë Tarzania, Tarzanie, Tarzanien etj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama