Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shoqeria jone e sotme eshte nje monster

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Shoqeria jone e sotme eshte nje monster

Ndërsa përjetoja tmerrin e zbulimit të vonuar të monstrës që ka masakruar në rrethana ende të pazbardhura plotësisht, 11-vjeçarin Julian Çela, nisa të mbetem gjatë në meditim, me një deklaratë të paracakohshme të Roberto Benigni-t: “Unë jam krenar që në Itali vrasin vetëm kriminelët”.

Në fakt, m’u kujtua sepse përkundër krenarisë së Benigni-t, unë u ndjeva nën peshën turpëruese të gjendjes nën të cilën rroj së bashku me vendasit e mi, në atdheun tim, pra në këtë Shqipëri. Vendi ynë është një vis ku pasuria kriminale po ekspozohet dhe zbulohet jo vetëm përditshmërisht, por matanë çdo fantazie, në mënyrën më antologjike.

Një vërshim i paimagjinueshëm krimesh në familje, në rrugë, në zyra, në shtet, në gjykata, në komisariate, në universitete, në shkolla, në shtëpi dhe në gjithë mjedisin ku gjallojnë frymorët fjalëfolës. Krimi është një formë dhe produkt i përbindshëm i shumë individëve që po denatyrojnë orientimin aktual të shoqërisë. Është një densitet i tillë kriminal, sa na ka hequr mundësinë të peshojmë dhe të krijojmë një qëndrim distancues dhe gjykues për secilin prej tyre!.

Vini re: Gjatë këtij muaji, opinioni ynë publik është tronditur prej vrasjes së një kryekomisari, nga vdekje të njëpasnjëshme aksidentesh në segmentet rrugore, nga vrasje në një familje në Malësi të Madhe, nga vrasje në Korçë, nga vdekja e një qytetari në Kavajë për të cilin familjarët dhe opozita pretendojnë se erdhi për shkak të dhunës policore, nga… dhe së fundi … nga zbulimi i një pengmarrjeje pedofili, i cili rezulton të jetë një monstër që fsheh histori makabre, me të mitur. Këto janë thjesht një grimcë e historisë kriminale që përjeton dhe prodhon aktualiteti i sotëm shqiptar. Në arshivat dhe dosjet e prokurorive, në gjykata, në komunikatat e Policisë së Shtetit, kemi një dimension më real të kriminalitetit të dokumentuar shqiptar.

Ç’po ndodh? Ku shkojmë dhe deri ku do të na heqë zvarrë kjo e keqe kriminaliteti që po i shkakton Shqipërisë moderne një masakër të tillë monstruoze? Pse kaq e pandalshme kjo histori krimesh që trondisin dhe që ende nuk i dihet fundi? Pse ky rrënim i pafundmë njerëzor dhe familjar në vend? Kur do të ndihet zëri i terapisë sociale dhe a e mban shteti institucional përgjegjësinë e vet për këtë kriminalizim të pakufi në të cilin ka rënë pre dhe po përdhunohet shoqëria dhe Shqipëria e sotme?

Të gjitha këtyre pyetjeve, dy palët kryesore politike do t’u përgjigjeshin me reagimin e tyre fajësues dhe shfajësues, i cili në përmbajtjen e vet është thjesht një alibi papërgjegjësie. Janë të gjitha pyetje që mund të vlejnë për një shkas elektoral dhe polemikë politike për të përfituar nga demagogjia votëkërkuese.

Renditja e këtyre pyetjeve retorike është e lidhur thjesht me dëshpërimin e individit të pambrojtur të kësaj shoqërie të rrënuar. I gjithë ky realitet nuk mjafton që dëshmon dimensionin e përbindshëm të kriminalitetit shqiptar. Nuk vlen vetëm për të dëshmuar se sa i larmishëm është kriminaliteti në Shqipërinë e vitit 2013, por ai është relievi i frikshëm i një realiteti në të cilin bashkëjetojnë edhe viktima me kandidatin për viktimizim, edhe krimineli me sundimin e vet jopolitik, edhe feudi kriminal, edhe shteti, edhe drejtësia e kriminalizuar, edhe pendesa e shtirur për të rezultuar kriminelja e ardhme, edhe familja tragjike, edhe fëmija i linçuar, edhe maniaku i lirë, edhe sadisti i pasur, edhe monstra e punësuar, edhe marrëzia e çmuar si liri… Të gjitha këto, dhe shumica e të pathënave në këtë realitet absurd, formësojnë monstrën e një shoqërie që nuk krahasohet me asnjë tjetër në vendet e rajonit dhe aq më tepër në ato të BE-së.

Po, shoqëria jonë e sotme, është një monstër. Në këtë pseudoshoqëri e cila është parashoqërizuar përmbajtësisht në mënyrën si funksionon e se si po administrohet, nuk veçohen organe e organizma normalë e me funksione demokratike dhe institucionale këmbëngulëse dhe të panjollosura, por vijueshmërisht po dëshmohet degradimi i tyre, si në një proces qëllimisht çmontues, për të arritur përsosmërisht përmbajtjen dhe imazhin e degradimit në monstër. Në arkitekturën dhe konstruktimin e kësaj shoqërie-monstër ka një kontribut ekscentrik. Në këtë autorësi me dashje dhe padashje, përfshihen të mençur e të marrë, të ditur e të paditur, qeverisës dhe opozitarë, intelektualë dhe injorantë, drejtues dhe të përjashtuar, të mandatuar dhe uzurpatorë., etj., etj. Në këtë monstër kriminalizimi kanë hise autoriale të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë fatkeqësisht, në mos të gjithë individët, fatalisht të gjitha institucionet dhe skotat drejtuese që kanë kaluar nëpër to.

Në Shqipërinë tonë, nuk ngjet si në Italinë e Benignit, ku atje “vrasin vetëm kriminelët”. Tek ne, në shoqërinë tonë monstër, vrasin të gjithë. Vrasin edhe universitetet që falsifikojnë diploma e shesin të tilla, të cilat i pranon dhe i informalizon shteti i degraduar, vrasin edhe mjekët, të cilët e kanë tradhtuar dhe zhvlerësuar kriminalisht “betimin e Hipokratit”, vrasin edhe policët që dinë të zhvatin e të majmen prej sinergjisë me krimin, vrasin edhe partitë që politizojnë dhe militantizojnë institucionet dhe shtetin., etj., etj.

Në vendin tonë, nuk ka më asnjë provë bashkëbisedimi me ndërgjegjen shtetdashëse dhe sidomos me atë që shtirret se mbart devizën europianizuese. Kjo shoqëri monstër është bërë e rrezikshme, por më e keqja është se është edhe më e frikshme për të nesërmen tonë. Kjo monstër nuk njeh ndalje dhe nuk po duket të përballet në të ardhmen e saj me një krijesë përballëse. E drejta brenda kësaj monstre parashoqëri është margjinalizuar në atë farë feje, sa vështirë të na mbjellë sadopak gjallim. Kjo gjendje është bërë ogurzezë, sepse ia ka dalë të vdesë qytetarin, atë qytetar që ka forcën dhe mundësinë të ngrihet në një çast të vetëm me një zë polifonik. Në shoqëritë monstra, e para gjë që bie dhe vdes, është qytetari dhe e drejta e tij.

Kjo e jona jep provën e përsëritshme të kësaj vdekjeje, jo pse nuk po bëhet opozitë politike, por se nuk po din të preket në shpirtin e saj prej vrasjeve, përdhunimeve dhe masakrimeve që vijnë prej monstrave mbi fëmijë të pambrojtur dhe të grabitur në mes të ditës. Në kësi ditësh, në kësi ngjarjesh dhe në kësi kronikash, në Parlamentin e kësaj shoqërie, nuk ngrihen zëra për të vënë ligjin në lëvizje, por zhvillohen seanca për të armatosur politikën. Kjo shoqëri monstër nuk e njeh atë që poeti gjenial Ricos e konsideronte “bisedë me ndërgjegjen”. Në pamundësi që kjo monstër të vetëfitojë bisedën me ndërgjegjen, ne kemi vetëm një mundësi: Të shpëtojmë nga “vdekja” e plotë qytetarin!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama