Shumë vite më parë sillej rrotull nëpër sokakët e Gjirokastrës së vjetër një burrë i mbështjellë me një pallto të vjetër ushtarake. Petro quhej dhe e njihnin thuajse të gjithë. Thuhej se në të ritë e tij kishte punuar si financier në një bankë, porse një dashuri e pamundur e kishte trallisur fare, duke e shndërruar në një njeri të vetmuar dhe ëndërrimtar. Flinte ku të mundej, porse vendi i tij i preferuar ishte një bordurë çimentoje përballë hotel “Çajupit”, në anë të bustit të Bules dhe Persefonit.
Ky Petroja nuk mbante asgjë tjetër me vete, përpos një tubi të madh prej letre ku kishte hedhur projektin e jetës së tij. Ai ishte fiksuar se, sa më shumë që kalonte koha, aq më shumë kalaja e Gjirokastrës po rrëshqiste poshtë dhe se shumë shpejt do të vinte dita që ajo të përfundonte thjesht në fushë. Që kalaja do të përfundonte poshtë për këtë Petroja ishte fort i bindur. Puna ishte që të rrëshqiste me sa më pak dëme dhe pikërisht për këtë kishte bërë projektin e tij, i cili parashikonte mënyrën se si duhej zbritur kalaja pa u dëmtuar deri poshtë.
Asokohe të gjithë vinin buzën në gaz teksa dëgjonin Petron e gjorë të shpaloste projektin e tij për shpëtimin e trashëgimisë kulturore, për të gjithë sigurisht që ai ishte ca i lajthitur, porse nëse këtë histori e rikujtojmë me gjak të ftohtë duke pasur parasysh atë çka raportohet thuajse përditë në lajme, atëherë të paktën një fije të drejte do t’i japim Petros tashmë të ndjerë. Kalaja e Gjirokastrës vërtet nuk ka rrëshqitur, porse me qindra banesa të vjetra të qytetit po shuhen përditë, pak nga pak, njësoj sikur të jenë prekur nga një sëmundje e ngadaltë, por fitimtare.
Puna është se kështu nuk ndodh vetëm në Gjirokastër, porse edhe ndër qytete të tjera, dhe madje jo vetëm me shtëpitë, por me faqe kodrash, lagje, fshatra, gryka, lugina. Ne po kthehemi gjithnjë e më tepër në një vend që rrëshqet, në një vend ku toka të lëviz nën këmbë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mjafton që të hapen portat e ndonjë hidrocentrali dhe një jetë e tërë mund të ta marrë lumi brenda pak minutash. Përballë kësaj, të gjithë ngrenë supet me sytë nga qielli, njerëzit që kanë humbur shtëpi e katandi, pushtetarët dhe shtetarët, ne të shtypit, opinioni publik, të gjithë.
Bilanci i shirave të fundit të tejzgjatura flet fare mirë për këtë. Kodra e Durrësit po shkon përfundimisht në det, me gjithë shtëpitë që janë ndërtuar mbi të, në vende të tjera, në Mallakastër, Librazhd, apo gjetiu kodra të tjera janë zëvendësuar me të çara të frikshme, peizazhe të tëra janë shndërruar në djerrina të shëmtuara.
Dje, Kryeministri Berisha nuk e fshehu aspak entuziazmin e tij të zakonshëm revolucionar teksa u miratua në Parlament marrëveshja me njërën prej kompanive më të mëdha energjetike në Europë. Ka të drejtë, është një arritje e rëndësishme jo vetëm për të, por për krejt vendin. Pastaj, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, bëri një bilanc po aq entuziast të arritjeve të qeverisë së tij. Edhe këtu ka të drejtë, janë bërë rrugë, janë ndërtuar shkolla, janë… Vendi ka ecur përpara edhe falë punës së shqiptarëve, falë lirisë së arritur, falë marrëdhënieve me botën, në një shkallë, ose në një tjetër do të ndodhte kështu me cilëndo qeveri. Mirëpo Kryeministri harroi të thotë se në demokraci më e rëndësishme se nga çdo gjë tjetër është shkalla e shërbimeve që shteti u ofron qytetarëve, të gjithë qytetarëve pa përjashtim. Në këtë pikë të rëndësishme jemi ende larg asaj që duhej të ndodhte, pra krijimi i një shteti shërbëtor të qytetarëve dhe jo anasjelltas. Mbase me ndonjë përjashtim te rendi publik, pjesa tjetër, shëndetësia, arsimi, drejtësia, përkrahja sociale e shohin qytetarin si një telash më vete dhe jo si shkakun e vetë ekzistencës së tyre. Sigurisht që kjo nuk lidhet vetëm me punën e një qeverie. Qëndrimi i shtetit ndaj qytetarit dhe anasjelltas ka të bëjë me një mori faktorësh, nga të cilat tradita demokratike e qeverisëse është nga më të parat. Askush nuk po pretendon që brenda 20 vjetësh të kishim arritur një makinë perfekte shtetërore, sepse kështu nuk është as vetë shoqëria jonë, por që ky të jetë një nga objektivat e qeverive në këta 20 vjet, kjo po që duhet kërkuar.
Është gjithashtu e kuptueshme që në një periudhë preelektorale qeveria të brohorasë për “fitoret” dhe opozita të nxijë sa më shumë anët negative. Këto janë armët e tyre kryesore në garën që sa vjen e afrohet më shumë. Mirëpo nga kjo tek entuziazmi revolucionar i stilit të vjetër është një goxha kapërcim. Sepse ka shumë gjasë që entuziazmi revolucionar të zërë vend në një pjesë të masës së votuesve. Dhe atëherë do të fillojmë të ëndërrojmë sikur nuk jetojmë ende në vendin më të varfër të Europës, por në një bahçe me lule erëmirë. Madje jo vetëm do të ëndërrojmë, por edhe do të jemi të bindur se tashmë e arritëm atë çka meritonim, në një kohë që ende nuk e kemi merituar.
Është njësoj si entuziazmi i disa kolegëve të shtypit sportiv që nisën ta ëndërronin Kombëtaren e tonë të futbollit që tani në Brazil. Kjo, vetëm mbas dy fitoreve që erdhën si rezultat i dy ndeshjeve të mira. Edhe këtu ajo sëmundja e vjetër e hovit revolucionar. Kolegët tanë të sportit e dinë më mirë se kushdo tjetër se çfarë niveli ka futbolli ynë, se si kryetari i bashkisë hyn me fuoristradë në stadium, se si në fushat e futbollit kanë dalë edhe pistoleta e thika, se si grushti i thatë tashmë është një element bazë i “fair play”, se si shiten ndeshjet e kështu me radhë. E megjithatë, ata ëndërrojnë Brazilin. Po sikur t’u mëshonin ca më tepër plagëve që ka sporti sot, a do ta ndihnin më mirë kështu ëndrrën e tyre të bukur?
Që të ëndërrosh, më e para nga të gjitha duhet të dish të ëndërrosh, dhe, e dyta, duhet ta meritosh ëndrrën. Në rast të kundërt, zhgjëndrrat tona do të na bëjnë të ndihemi gjithnjë e më tepër mbi një vend që rrëshqet drejt pafundësisë. Dhe, për fat të keq, tani nuk jeton më as ai i miri Petro, i cili donte ta zbriste kalanë butë-butë në fushë.