Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Theçer, më shumë sesa një shembull!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Theçer, më shumë sesa një shembull!

Ajo ishte një shtetare e madhe! Ky ishte titulli më i përdorur nga shtypi botëror dje për të shënjuar ikjen nga kjo botë të Margaret Theçerit. Kryeministre e Britanisë së Madhe për 11 vjet me radhë, ajo arkivoi në karrierën e saj një seri rekordesh ende në fuqi: u bë e para grua që kryesonte Partinë Konservatore në Britani; e para Kryeministre e këtij vendi; kryetarja më jetë gjatë e qeverisë britanike dhe pa dyshim, një simbol për gratë dhe të djathtën e vërtetë kudo në botë. Nuk dua të bëj një jetëshkrim të zonjës Theçer, as një paradë të arritjeve të saj, botuar dhe ribotuar këto dy ditë në gjithë shtypin botëror. Doja të theksoja vetëm raportin që ajo ndërtoi me historinë dhe shpjegimin se përse ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, vdekja e saj prodhoi kaq pikëllim, por edhe vlerësim. Që vlen për të kuptuar se përse disa politikanë lënë gjurmë në jetën dhe historinë e një vendi dhe pse disa të tjerë ikin pa bujë!

Ka tri gjëra që duhen nënvizuar në këtë rast dhe që vlejnë përtej rastit të saj. E para, Theçer ishte një politikane që besoi gjithë jetën dhe gjithë karrierën e saj tek ideologjia së cilës i përkiste dhe nuk u lëkund asnjëherë. Ajo mbeti një “e djathtë” e afishuar. Pati besim te reformat e së djathtës dhe nuk e humbi besimin e saj as në ato raste kur tezat apo qëndrimet e majta mund të të jepnin më shumë vota se sa ato që mbronte. Ajo s’qe asnjë moment modeli i politikanit pragmatist që të majtën e bën të djathtë dhe të djathtën të majtë në funksion të sondazheve apo zhurmës së opinionit publik. Ajo nuk u foli anglezëve ashtu siç donin, nuk u tha gjërat që donin të dëgjonin, por i qëndroi bindjes dhe reformave që besonte se do të prodhonin një Britani më të fuqishme dhe më të mirë. Edhe kur gaboi, si në rastin e euroskepticizmit apo në refuzimin e bashkimit të dy Gjermanive, e bëri këtë me bindje të plotë dhe jo duke u konformuar me entuziazmin e momentit. Ajo ishte dhe mbeti e djathë, besoi tek e djathta dhe u largua nga politika po si e tillë. Ky besim iu shpërblye duke u bërë një ndër kryeministret simbol të Britanisë së madhe dhe më gjerë.

E dyta, Theçer qe modeli i politikanit që merrte vendime dhe s’u tërhoq kurrë prej tyre, qoftë edhe nën një presion që do të bënte çdo politikan të ecte mbrapsht. Rasti i famshëm i grevës së 1980–1981, përplasja me sindikatat; lufta e ishujve Fakland në vitin 1982; qëndrimi ndaj Irlandës së Veriut; privatizimet e mëdha të kontestuara gjerë; aleanca e deklaruar dhe e palëkundur me SHBA dhe mbështetja e garës së armatimit bërthamor dhe së fundi qëndrimi pa kompromis ndaj Bashkimit Sovjetik, e bënë atë një simbol të politikanes së fortë. Theçer bëri shpesh kompromise, por në jetën e saj, rrallë ka bërë një kompromis të cilin nuk e ka besuar. Ajo nuk i ndryshoi qëndrimet nën presion dhe më shumë se sa emocioneve publike të momentit, u besoi parimeve të saj!

E treta, Margaret Theçer dëshmoi se e donte Britaninë shumë edhe duke e polarizuar atë. Edhe pse duket paradoksale, dashuria ndaj një vendi mund të shprehet edhe në këtë mënyrë. Në fjalën e tij dje, Kryeministri Kameron deklaroi se për shumë britanikë ajo mbetej një figurë e madhe dhe një objekt frymëzimi, ndërsa për shumë të tjerë një politikane që prodhoi mjaft kosto për ta dhe atë që ata përfaqësojnë. Ai kishte të drejtë, por të gjithë sot, konservatorë dhe laburistë, u bashkuan në bindjen se ajo e donte Britaninë; se ajo ndikoi mjaft në rikthimin e mirëqenies ekonomike britanike në vitet ’80 dhe rikonsolidimin e rolit të saj në botë. Ndaj, Theçer vlen më shumë se kushdo për të dëshmuar se dashuria ndaj një vendi dhe shërbimi ndaj tij mund të vijë edhe duke e polarizuar atë. Siç dëshmoi se njerëzit e mëdhenj, por me vlerë, prodhojnë më shumë ndenja kontradiktore se sa njerëzit mediokër që s’trazojnë asgjë dhe që në fund i përcjellin të gjithë me një fjalë të mirë. Por që s’hyjnë kurrë në histori.

Theçer u largua nga politika jo thjesht sepse dështoi. Ajo u largua sepse kushdo qoftë, edhe njerëzit më brilantë dhe më me kontribute, largohen një ditë. Demokracia është kjo dhe bota nuk ka gjetur ende ndonjë formë më të mirë se sa ky sistem. Kështu u largua Ronald Regan, Helmut Kohl, Xhulio Andreoti, Fransua Miteran. Kështu u largua në fund të fundit edhe Uinston Çurçill, një mit i politikanit të fuqishëm dhe të suksesshëm në botë. Të largohesh një ditë, pas shumë vitesh kontribut, nuk është dobësi, por dinjitet. Dhe raporti me historinë e vlerëson edhe këtë. Siç vlerësoi “zonjën e hekurt” që dje, kur pushoi së marri frymë në këtë botë, kishte më shumë popullaritet se sa ka pasur gjatë gjithë karrierës së saj politike.

E fundit, Theçer diti të ishte një lider përtej britanike. Roli i saj në rrëzimin e komunizmit dhe në ndërtimin e një bote më të mirë, ishte evident. Në këtë pikë ne duhet të falemi sot për të, qoftë edhe në heshtje, për ta falënderuar për ditët më të mira që na solli. Për ta falënderuar për atë që bëri për Britaninë, por edhe për nënshtetasit e Perandorisë të së keqes që shtrihej në thuajse gjysmën e globit.

Ajo ishte një shembull. Një shembull për të gjithë ata që vijnë e ikin në këtë botë pa lënë shumë gjurmë, por edhe për ata që më shumë se sa me shoqërinë e kanë raportin e tyre me historinë. Ajo ishte shembulli se si një politikane duhet ta dojë dhe t’i shërbejë vendit të saj…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama