Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Le të qëllojë i pari me gurë ai që është i pamëkat!

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Le të qëllojë i pari me gurë ai që është i pamëkat!

Në pasditen e pardjeshme u mblodhën disa dhjetëra socialistë përpara pallatit ku banon Kastriot Islami, dhe zunë të protestonin kundër deputetit që është zgjedhur me votat e tyre katër vjet më parë e që e ka bashkuar votën e tij me mazhorancën në momentin kur u bë votëbesimi i qeverisë, e sidomos në momentin kur Berisha bëri, siç e quante ish-ambasadori John Withers në një intervistë për “Shqipin” e djeshëm, një grusht shteti administrativ. Protesta e atyre dhjetëra vetëve ishte thjesht bartje në rrugë e zemërimit të deputetëve socialistë në momentin e votimit për shkarkimin e Ilirjan Muhos nga posti i anëtarit të KQZ-së.

“Një reagim spontan” i quante te “Panorama” Gazmir Bizhga tonet e veta hakërruese në adresë të Islamit. E nuk ka pse ta vëmë në dyshim spontanitetin e reagimit të tij, apo edhe e të tjerëve tok me të. Ishte një situatë e tensionuar, ku reagime të tilla janë të pritshme. Sidomos në Parlamentin shqiptar, ku herë të tjera kanë ndodhur gjëra shumë më të rënda. Por ishte një reagim i gabuar, megjithatë. Bizhga këmbëngulte në intervistën që i kish dhënë “Panoramës” së djeshme, se “nuk kam pse pendohem, pasi jam sjellë ashtu siç do të sillej çdo koleg tjetër që ka qenë në opozitë këto tetë vite”.

Të kuptohemi, nuk është se në Parlament ka ndodhur ndonjë hatá, e në këtë kuptim nuk ka nevojë të dramatizohet më shumë sesa duhet, por turma që bërtiste poshtë shtëpisë së Islamit “poshtë tradhtari”, “Kaçi i zi” etj., etj., është një precedent që duhej ndaluar; në mos, duhej qortuar e denoncuar në momentin që ndodhi. Presionet e turmave të militantëve partiakë e politikë te dera e shtëpisë janë një gjest i frikshëm. Secili bën mirë të projektojë veten e vet te personi i dhunuar në rrethana të tilla. Atë që ia bëjnë sot “me hak” Islamit mund t’ia bëjnë kujtdo tjetër “fare pa hak” në një rast tjetër. Turmat janë shumë tekanjoze sa herë u duhet të zgjedhin dikë për tabelë qitjeje.

Kjo është e para. Por ka dhe një arsyetim tjetër. Politikanët shqiptarë, sidomos deputetët e këtij Parlamenti, janë të parët që duhet të provojnë njëlloj njëjtësimi empatik me “viktimën” Islami. Është gjëja më e kollajtë që në Shqipëri të mbledhësh disa dhjetëra vetë kundër secilit prej tyre, e po për të njëjtat motive që iu vërsulën Islamit. Islami nuk është një rast sui generis në politikë, nuk është një “shpikje politike” e këtyre ditëve. Islami është prototipi i politikanit shqiptar të dy dekadave të fundit, d.m.th. i arrivistit të paskrupullt, i njeriut të pa dinjitet, pa ideal, i njeriut që çfarë nuk do të jepte për të mbajtur atë karrige që ka. Janë të shumtë pra deputetët si Islami. Ajo që bëri Islami në Kuvend është një gjest i shëmtuar, por është hera për t’iu drejtuar deputetëve socialistë me frazën që Dhjata e re, në të katër versionet, e vë në gojën e Jezu Krishtit në rrethanën që këtij të fundit turma i nxjerr përpara një grua që kish tradhtuar të shoqin, dhe i kërkonte miratimin për ta lapiduar: “Ok, i pari le ta qëllojë me gurë ai që ndër ju është i pamëkat”. E dini se ç’ndodhi pas kësaj përgjigjeje të Krishtit? Të gjithë, nga më i moshuari deri te më i riu, u larguan një e nga një, pa u ndier e si të zënë në faj.

Dua të them se Islami duhet mirëkuptuar në këtë që bëri? Jo, aspak; dua të them se Islami nuk mund të kryqëzohet e linçohet nga sivëllezërit e tij. Janë shumë të paktë ata që, me të marrë vesh se Rama nuk do t’i përfshijë në listat e kandidatëve për deputetë, do ta vuanin në heshtje këtë fakt, nuk do të ndërmerrnin iniciativa me synimin për ta dëmtuar Ramën, apo nuk do të flirtonin me kundërshtarët. Ja, Rama e bëri me tre vetë, me Kastriot Islamin, me Kadelin e Lezhës e me Dogjanin e Kukësit, dhe që të tre u hodhën në prehrin e Berishës, duke demonstruar se PS-ja për ta nuk vlen as njëzet qindarka, nëse “bytha e tyre nuk mbetet në karrige”. Dhe që të tre kanë qenë socialistë “të thekur” deri në momentin që e kanë parë veten jashtë listave të Ramës. Pse nuk duhet të mendojmë se edhe të tjerët do të silleshin në të njëjtën mënyrë? (Në kampin e Berishës kjo nuk ndodh pothuaj asnjëherë, s’ka gjë se listat e kandidatëve edhe ai i bën me të njëjtën logjikë si të Ramës, d.m.th. me idenë për të pasur në Parlament mbështetës besnikë; pse me Berishën nuk ndodh, vallë?)

Vini re sjelljen e këtyre ditëve të një numri deputetësh, apo personazhesh publike që kanë ambicien për të qenë deputetë! Po shklyhen më dysh për t’i rënë në sy boss-it të tyre, po bëjnë çmos të japin prova besnikërie e luajaliteti, po bëjnë shkrime pas shkrimesh me lajka për të, po bëjnë të fortin me kundërshtarin politik të tij. Shkurt, po përpiqen të bien në sy të kryetarit të partisë, e po i përcjellin mesazhin: Mua më ke tëndin, më ke me vete, më ke besnik deri në fund, kurrë nuk do të zhgënjej.

Ecim më tutje. Dukuria “Islami” është në thelb “dorëzimi e nëpërkëmbja që dikush i bën vetes për pakëz pushtet, apo me fjalë të tjera, përdorimi që i bëhet dikujt në këmbim të shërbimeve që ai ofron”. Bizhga e Co. janë zemëruar në këtë rast, por ata merret vesh se nuk e kanë me dukurinë. Po ta kishin me dukurinë, do ta kishin ngritur zërin me kohë, sidozot kur Dritan Prifti përdorej si mos më keq, kur po Dritan Priftit iu dha shkelmi pas ca muajsh, e kur po i njëjti person, Dritan Prifti pra, vijon të kërkojë shtigje të tjera për të mbijetuar në politikë. Po ta kishin me dukurinë, do të duhej ta kishin ngritur zërin edhe tani me kërcimin që Meta bëri nga Berisha te Rama. Është e njëjta gjë, apo jo? Vetëm se në rastin Islami, “të tradhtuarit” janë socialistët, ndërsa në rastin Meta, “të tradhtuarit” janë demokratët.

Me sa më sipër dua të them se askush nuk ka të drejtë ta veçojë Islamin si devijim prej ‘racës’. Është krejt e kundërta. Islami është qenia përfaqësuese e ‘racës’. Secili prej politikanëve e deputetëve, dhe ata që iu vërsulën në Kuvend, është një Islam; është një Islam të paktën me këtë gatishmërinë e vet për të ngritur zërin jo kur shfaqen Islamë në politikë, por kur Islamët dalin kundër tyre. Dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë luftë kundër Islamëve deri sa vjen një moment kur Islamë janë vetë ata. Kështu ndodh gjithmonë, kur njerëzit i pikasin veprimet arbitrare, të padrejta, të pamoralshme, të dhunshme, të paskrupullta të të tjerëve veç kur viktimat janë vetë ata, e as u shkon në mendje t’i pikasin kur viktimat janë të tjerë. Mirëpo, njerëz të tillë nuk kanë të drejtë të ankohen, të zemërohen e të kërkojnë solidaritet. Kush nuk jep solidaritet, nuk ka të drejtë ta kërkojë atë.

Ia vlen të përmendet ajo mea culpa anekdotike e atij pastorit luteran të Gjermanisë së paraluftës së Dytë Botërore, që është përsëritur këto kohë nga më shumë se një njeri:

“Nazistët fillimisht u morën me komunistët, por unë s’bëzava, pasi nuk isha komunist. Pastaj, ata u morën me socialistët, por unë prapë s’bëzava, pasi nuk isha socialist. Më tej ata u morën me sindikalistët, por unë e mbajta po njësoj gojën mbyllur, pasi nuk isha sindikalist. Më tej, ata iu sulën hebrenjve, por unë heshta, pasi nuk isha hebre. Në fund, ata erdhën tek unë, por nuk kish mbetur asnjëri që të thosh një fjalë për të më marrë në mbrojtje.”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama