Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi koston politike dhe morale

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 12 vite më parë

Rexhep Meidani
Mbi koston politike dhe morale

Rrotullim me 180 gradë Zhvillimet politike të kohëve të fundit imponojnë debate publike jo pa vlerë brenda shoqërisë shqiptare tejet të politizuar.  I tillë mund të jetë, p.sh., ai që lidhet me maratonën e fundit parlamentare, ku koncepti i së drejtës dhe argumentimi ligjor ndoqi paturpësisht ndarjen e prerë midis krahëve. Kjo maratonë në vetvete ishte një demaskim i politikës para qytetarit, një thellim i mëtejshëm i mosbesimit ndaj saj.

Në fakt, pas “tronditjes” fillestare me shpalosjen e bashkëveprimit PS-LSI, krejt shpërfytyrues rezultoi procesi i zëvendësimit të një anëtari të KQZ-së nga PD-ja me ndihmën e disa kartonëve të klonuar jashtë saj. Fillimisht, sulmi ndaj këtij anëtari u ngjyros me sofizma e mbrojtje diletante për terma marrëveshjesh partiake e baraspeshash politike në Komision. Kur u pa që rezistenca, veçanërisht ajo e jashtme, ishte e madhe, në sajë edhe të mungesës së bazës ligjore për një nismë të tillë, u vazhdua me një presion dhe kërkesë kohëshkurtër për dorëheqje. Më pas, në variantin e tretë, me ndryshim kërkese e modifikim të nenit zgjedhor, u kalua në gjoja korrektim morali parlamentar; kjo dhe në sajë të “gërmimit biografik” për një largim nga puna të këtij individi dhjetë vjet më parë! Por kjo ishte e pritshme.

Madje nuk ishte aspak e re në sjelljen dhe logjikën pëdëiste! Aq më tepër që në politikën shqiptare, sidomos në qeverisjen e PD-së, koncepti i moralit dhe i imoralitetit rrotullohen lehtësisht me 180 gradë, si për interesa individuale, ashtu dhe për qëllime partiake, deri për ruajtje pushteti me domosdo. Nuk kanë munguar rastet që me këto lloj rrotullimi të lidhet dhe abuzimi administrativ e politik-ekonomik, e mira dhe e keqja, evolucioni i tyre sipas “qejfit” të kryetarit, prokuror e gjykatës. Me fjalë të tjera, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shndërrimin e gënjeshtrës në të vërtetë apo të vërtetës në gënjeshtër. Në fushata zgjedhore kjo bëhet akoma më e theksuar. Bile, gjatë tyre, ndeshen me teprim premtimet e paskrupullta dhe të gënjyerit astronomik! Pa vrarë mendjen për moralin dhe etikën!…

Këto ditë, duke shkëmbyer mendime me një mikun tim për situatën aktuale, më pëlqeu formulimi i tij sintetik: “Të jesh virtuoz është të jesh etik”. Por, për të, në kuadër të virtytit, nuk është gjithmonë e lehtë të përcaktosh moralin e një akti individual. Sidoqoftë, sipas tij, të gënjyerit mund të shihet dhe si një kundërvënie ndaj virtytit të ndershmërisë, por vetëm aq. Megjithatë, për ta nxitur më tej diskutimin, i afrova atij dhe një perspektivë tjetër – atë të dobishmërisë. Duke replikuar, ai nguli këmbë se vlerësimi i moralit apo imoraliteti i një sjelljeje janë të lidhur ngushtë me balancimin sa më të mirë të përfitimit ndaj dëmit.

Pra, çdo veprim, përfshirë të gënjyerit, konsiderohet i pranueshëm nga ana morale kur pasojat e tij maksimizojnë përfitimin (kolektiv ose individual) dhe minimizojnë dëmin. Duke mos qenë dakord me idenë e tij se gënjeshtra është ndonjëherë edhe “morale”; apo që të gënjyerit është i nevojshëm për të maksimizuar përfitimin ose minimizuar dëmin, mendova që ta ndajë me lexuesin mospërputhjen time, pse jo dhe shqetësimin tim me të.

Një gënjeshtër publike që shkaktoi tërmet në Francë

Cari i taksave, ministri francez i Buxhetit, Jerome Cahuzac, u largua para pak ditësh jo vetëm nga detyra në qeveri, por dhe nga drejtimi i Partisë Socialiste, për shkak të deklarimeve të pasinqerta dhe gënjeshtrave të njëpasnjëshme në lidhje me një konto të fshehtë bankare të tij. Për dy dekada ai kishte fshehur depozitimin e parave nga autoritetet tatimore. Kjo ngjarje e rëndë e ka dëmtuar autoritetin e Presidentit Hollande, që kishte premtuar gjatë fushatës presidenciale një luftë të ashpër kundër korrupsionit të trashëguar nga administrata e mëparshme. Por, ajo ka cenuar dhe vetë besueshmërinë e të gjithë klasës politike franceze.

Në fakt, ministër i Buxhetit, në qeverinë socialiste, u caktua një ish-deputet dhe mjek kardiolog (i specializuar më vonë për operacione plastike) – z. Jerome Cahuzac. Deri ditët e fundit, detyra e tij tepër e vështirë ishte administrimi i buxhetit, madje reduktimi i borxhit publik duke detyruar më të pasurit për të kontribuar më shumë në mbulimin e këtij borxhi. Por ai rezultoi krejtësisht i pasinqertë në këtë detyrë! Qeveria dhe vetë Presidenti, pas shkarkimit të tij, për të rindërtuar besimin publik te të zgjedhurit, shpallën masa të ashpra, përfshirë dhe një ligj mbi bërjen publike të të ardhurave dhe pasurisë së ministrave…

Ndërtim ure edhe atje ku nuk ka lumë!

Në fakt, nuk është hera e parë që politikanët gënjejnë, as do të jetë e fundit. Aq më të mëdha janë këto gënjeshtra në fushata elektorale. Bile, me përjashtime të rralla, politikanët premtojnë e deklarojnë gjithçka për t’u zgjedhur apo për të mbajtur postet publike. Për ta, votuesit kanë një memorie kohëshkurtër dhe i harrojnë shpejt premtimet që u kanë bërë. Aq më pak pas katër vjetësh! Duke shfrytëzuar një gjë të tillë, politika shqiptare, me sa duket, po konkurron për përfshirje në librin Gines të gënjeshtrave elektorale. Sidomos e gënjyera e përditshme politike – elektorale po bëhet pa skuqjen minimale, fare pa karar! Si i tillë, ky problem po shndërrohet në një shqetësim serioz etik dhe moral! Për më tepër, premtohet duke gjoja i besuar gjërat për të cilat gënjehet.

Në fakt, politika, kështu po demaskon veten, duke goditur rëndë moralin dhe besueshmërinë ndaj saj, pse jo dhe duke fyer inteligjencën e qytetarit votues, duke prekur rëndë dinjitetin e tij. Pikërisht këtë lloj të gënjyeri, nisur dhe nga përvoja e vet, ka pasur parasysh Nikita Krushovi kur pohonte:  “Politikanët janë të njëjtë kudo. Ata premtojnë ndërtim ure bile edhe atje ku nuk ka fare lumë!”…

Për mua, duke e besuar Kantin, gënjeshtra apo vetë procesi i të gënjyerit janë moralisht të gabuar. Për më tepër, të gënjyerit në vetvete e korrupton cilësinë bazike të një qenieje njerëzore, kapacitetin e saj për vendimmarrje e zgjedhje të lirë dhe racionale. Po ashtu, të gënjyerit e të tjerëve u vjedh atyre lirinë për zgjedhje e vendimmarrje, u cenon autonominë individuale dhe dinjitetin njerëzor, u prek lirinë për përzgjedhje racionale.

Ky problem bëhet akoma më i thellë kur gënjeshtra e bërë, e pompuar si e vërtetë nga armët e qeverisë, ndikon apo ndryshon vendimmarrjen konkrete individuale e kolektive. Aq më keq kur dhe deformohet rezultati zgjedhor në procesin e votimit apo gjatë numërimit të votave, siç ka ndodhur në disa procese elektorale shqiptare, përfshirë dhe zgjedhjet e fundit vendore në Tiranë. Ndërkohë, që sipas Kodit Zgjedhor, vetë deformimi i qëllimshëm i procesit të votimit dhe numërimit është jo vetëm imoral, por dhe paraqet një precedent të qartë penal…

“Shumimi” i përafrimeve

Me ekspozim çështjesh morale ose imorale ndeshemi çdo mëngjes sapo zgjohemi, me emisionin e lajmeve, leximin e gazetave, bisedat e ndryshme. Në përgjithësi, ne bombardohemi çdo ditë me kronika të ndryshme: me vjedhje, krim në familje, me trafikime të ndryshme dhe ngjarje të tjera të sigurisë publike dhe drejtësisë, me çështje të politikës, të konfliktit të interesit apo korrupsionit politik, të përplasjeve partiake, me vjedhje vote dhe trafikim mandati, me çështje të tjera të interesit publik si ato për furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, rritjes së çmimeve të tyre, me mungesë reagimi ndaj shkatërrimit të pyjeve, ndaj përmbytjeve të fshatrave apo rrëshqitjeve të dheut etj. Në përgjithësi, trajtimi i ngjarjeve të prekura më sipër është tepër i politizuar, diku me lustrime të gënjeshtra, diku tjetër me mohime tërësore. Ndërkohë kur mbivendoset edhe mashtrimi politik, abuzimi apo të gënjyerit politik, si problem kyç për shoqërinë e qytetarit mbetet ai moral – etik.

Në thelb, hapi i parë në analizën e një çështjeje morale nuk është patjetër i lehtë. Nuk mungojnë mbulimet apo kundërshtitë në trajtimin e tij. Kjo bëhet më evidente kur harrohen dhe deformohen faktet, lihet mënjanë ballafaqimi midis tyre. Të tilla mbeten ngjarja tragjike e Gërdecit, vrasjet e 21 janarit etj. Por, dhe premtimet e njëjta pas katër vjetëve, ose kur gënjehet nga e para pa dridhje qerpiku kanë, në vetvete, një përmbajtje jo morale. I tillë është, p.sh., në mjaft raste, me intensifikimin e fushatës, diskursi elektoral i Kryeministrit, por të sforcuara janë dhe disa premtime të opozitës, sidomos të pamundura në kushte krize.

Krahas fakteve, në diskutimin apo gjetjen e zgjidhjes, brenda një kuadri moral – etik, duhet të shqyrtohen dhe vlerat bashkëshoqëruese. Në përgjithësi, variante përafruese në analizën e çështjeve morale janë, p.sh.,:  përafrimi utilitar (ku veprimi etik është ai që krijon balancën e së mirës ndaj të keqes, që gjeneron përfitimin maksimal e dëmin minimal);  përafrimi i të drejtave. (ku dinjiteti, aftësia për zgjedhje të lirë e dallon njeriun nga kafsha; nuk e lejon atë të bëhet objekt manipulimi, që të dhunohet në zgjedhjen e tij të lirë, në mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të tjerëve, që lufton imoralitetin dhe respekton të drejtat morale të gjithsecilit); përafrimi i drejtë (që sipas motos aristoteliane: “të barabartët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të pabarabartët në mënyrë të pabarabartë”, shmang favorin e diskriminimin); përafrimi i të mirës së përbashkët (ku e mira vetjake lidhet ngushtë me të mirën e përbashkët, me të mirën e komunitetit, ku politikat sociale, sistemet sociale, institucionet etj., kërkohen të jenë në përfitim të gjithsecilit, ku respektohet e vlerësohet liria e individit në ndjekjen dhe realizimin e synimeve individuale duke promovuar paralelisht të mirën publike, objektivin e përbashkët); përafrimi i virtytit (ku për realizimin e idealeve njerëzore mbrohen e kultivohen virtyte të tilla si: ndershmëria, kuraja, bamirësia, mirësia, besnikëria, integriteti, drejtësia, vetëkontrolli, përkujdesja njerëzore, etj. që mundësojnë veprimet njerëzore morale).

Këto përafrime kanë rëndësi parësore në shqyrtimin e fakteve konkrete. Madje, në përputhje me normat morale, duhen gjetur përgjigjet e duhura ndaj pyetjeve të tilla si: Cili fiton dhe cili humbet nga një veprim konkret? Cila alternativë jep, në tërësi, pasojat më të mira? Çfarë të drejtash morale janë prekur në një rast të tillë? Cili veprim i respekton më mirë këto të drejta? Cili aksion e respekton barazinë midis individëve, pra e shmang diskriminim e favorin (me përjashtim të rasteve kur justifikohet moralisht e kundërta)? Cili veprim e mbështet dhe e avancon të mirën e përgjithshme? Cili veprim zhvillon më mirë virtytet morale?

Sidoqoftë, edhe me gjetjen e përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, nuk mund të arrihet në gjetje automatike që respektojnë parimet kryesore morale dhe etike. Në të vërtetë, pas identifikimit të konsideratave kryesore etike, në mbështetje të tyre dhe në përputhje me faktet, mund të arrihet në një vendimmarrje të duhur. Në fakt, një mënyrë e tillë do të ishte ajo e duhura në kapërcimit e ngërçit politik të radhës, pas “shpikjes” së baraspeshës së KQZ-së prej PD-së. Me arrogancën tipike me të cilën u imponua rrugëdalja, kostoja individuale politike kryesore bie mbi kryeministrin.

Aq më tepër, që retorika e tij nacionaliste e kohëve të fundit, edhe pse më shumë ka prishur se ka ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare, e nxjerr atë akoma më të pambuluar ndaj mbikëqyrjes ndërkombëtare. Por, kosto mund të ketë dhe PD-ja dhe grupi parlamentar i saj, përfshirë kryetaren e parlamentit, që mbeti një partiake e thekur por jo kryetare e tij! Veçse, në planin ndërkombëtar më e penalizuar do të mbetet Shqipëria, populli e kombi shqiptar në ëndrrën e tij europiane!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama